E merkure, 18.02.2026, 10:13 PM (GMT)

Kulturë

Drilon Blakaj: Urime 17 Shkurti

E merkure, 18.02.2026, 06:50 PM


Drilon Blakaj, Stockholm

URIME 17 ShKURTI — FESTOJMË SOT,

por kujtesa jonë shkon shumë më thellë se kjo ditë.

Historia na ka gdhendur gjatë, jo rastësisht:

një popull i formuar në mitet helene,

i përmendur nga Iliada deri te kronikat e perandorive,

i skalitur nga koha për t'u bërë i veçantë, jo i shumtë.

Nga gjaku që u shndërrua në shenjë fati

u ngrit ai me brirët e perëndive mbi ballë;

nga pakica u bë bosht i botës,

i lindur aty ku u ndërthurën gjakrat e popujve të lashtë,

duke bartur jehonën e tyre deri te ne.

Ai pushtoi aq sa ia lejoi epoka e vet

dhe madhështinë e pagoi me jetën e tij

dhe me perandorinë që vetë e ngriti.

Më pas erdhi ai që u rilind pas gati dy mijë vitesh,

me emrin që ia dhanë armiqtë — Iskander —

por që historia e riktheu si Gjergj Kastrioti.

Në kthim mori frymë në një ajër tjetër: ajrin e lirisë,

ku njeriu ngrihet mbi veten, prek hyjnoren

dhe dëshmon ç'do të thotë të jesh shqiptar,

kur toka të njeh dhe historia të thërret.

Brirët e Aleksandrit ngriheshin drejt qiellit —

kah perënditë dhe perandoria universale.

Brirët e Skënderbeut nguleshin në tokë —në gjak, në dhe

dhë në mbijetesën e popullit.

Dhe ai tha: "Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj."

Me këto fjalë u tha thelbi: pa popullin, ai nuk ishte asgjë.

Populli është ai që i mpreh brirët e historisë

dhe ai që përcakton drejtimin ku ato drejtohen.

Për këtë arsye po shkruaj.

Sepse ende ekziston mundësia e ndryshimit.

Nga i njëjti gjak mund të lindë një Aleksandër tjetër —

jo i lindur nga pushtimi, por nga ëndrra.

Por a jemi gati për këtë lindje? A e dimë ku po shkojmë,

çfarë duhet të bëjmë, dhe çfarë duam në të vërtetë?

Ata fituan kohën e tyre

me një çmim që nuk mund të përsëritet;

ne trashëguam frymën, guximin dhe emrin —

një identitet që ka jetuar për mijëra vjet

si burim force, frymëzimi dhe qëndrese.

Gjenet tona janë nyje historie:

opera të Vivaldit u shkruan për pasardhësit tanë,

miliarda dëgjojnë kur këndojmë;

lutjet ngrihen te shenjtorët tanë,

dhe bijtë tanë arrijnë deri në skaj të botës —

sot edhe në inteligjencën artificiale,

aty ku mendimi rindërtohet si sistem

dhe na sfidon të rimendojmë

ç'do të thotë të jesh shqiptar dhe njeri në të ardhmen.

Pasardhësit tanë robotikë mund të na shohin një ditë

nga largësia e kohës dhe ta gjykojnë këtë kauzë si primitive,

historinë tonë krenare si një parathënie të ashpër, madje

barbare, të ndërtuar për beteja shumë më të vogla se të tyret —

ndërsa ata përballen me sfida ndërgalaktike

dhe nuk luftojnë më për tokë apo mbijetesë,

por për vetë kuptimin e ekzistencës.

Por le ta lëmë këtë vizion apokaliptik.

Ai të çon drejt dorëzimit — dhe dorëzimi nuk është shqiptar.

Sot jemi pak në numër,

por ende të fortë në shpirt dhe në jehonë: një popull i vogël

me një barrë historie tepër të rëndë për t'u harruar.

Por legjendat nuk janë vetëm lavdi; ato janë edhe paralajmërim.

Pirrroja na mësoi se fitoret që kushtojnë gjithçka

janë një formë tjetër humbjeje, se rruga jonë, sado madhështore,

bëhet fatale kur nuk mendon për vazhdimin.

Ai që tronditi perandoritë u rrëzua nga një gur i hedhur nga ballkoni,

ndoshta nga dora e një plake — jo nga armiku,

por nga lodhja e historisë. Kush e di.!

Pas tij erdhi i biri me ushtrinë e vet, duke u afruar për ta shpëtuar,

ose kështu mendoi.

Thuhet se u thirr tërheqja, por zhurma e betejës e shndërroi fjalën në nxitim,

dhe hapi u bë përpara kur duhej pas.

Kështu u mbyll rruga: jo nga rrethimi i armikut,

por nga mungesa e sinkronisë ndër breza.

Dhe historia, si gjithmonë, nuk pyet kush kishte të drejtë —

ajo ndalet kur kuptimi nuk kalon më nga një brez te tjetri.

Aty u shuan dy breza, ose tetëdhjetë e tetë që mund të kishin

qenë sot.

Kush e kupton kombinatorikën e di sa e madhe është humbja

në trashëgimi.

Ne rrezikojmë të ecim në të njëjtin rreth:

të fitojmë sot e të humbim nesër, të konsumojmë lirinë

pa e trashëguar, të shuhet identiteti jo nga luftërat,

por nga plakja, mungesa e fëmijëve

dhe gjuha që nuk kalon më brez pas brezi.

Një komb nuk vdes gjithmonë nga të tjerët;nganjëherë

vdes nga vetja, nga paaftësia për të menduar si qytetërim

dhe jo vetëm si individ.

Sot jetojmë në një botë piranjash dhe teknologjie:

asgjë nuk fshihet më, askund nuk ka strehë të vërtetë.

Çdo hap lë gjurmë, çdo dobësi vërehet,

dhe për çdo skenar tashmë ekziston një armë.

Në një realitet të tillë, mbijetesa nuk është më çështje

force individuale, por e vetëdijes kolektive.

Ka ardhur koha të mendojmë jo vetëm për sot,

por për mbijetesën tonë brez pas brezi.

Prandaj liria nuk mjafton vetëm të festohet.

Ajo kërkon kthim, si amanet; mendim afatgjatë,

si strategji; dhe veprim ndër breza —

sepse vetëm kështu sakrifica merr kuptim

dhe historia nuk mbyllet me një gur të vogël

të hedhur nga brenda.

Historia nuk na mban mend për fjalët,

por për atë që patëm guxim t'ia lëmë së ardhmes



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx