Kulturë
Hysen Ibrahimi: Libër me vlera të larta studimore
E diele, 15.02.2026, 06:51 PM

LIBËR ME VLERA TË LARTA STUDIMORE
Titulli:
“Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa” (2026)
Autori:
Prof. Fetah Bahtiri
Nga Hysen Ibrahimi
Sot doli nga shtypi libri më i ri i autorit Fetah
Bahtiri, me titull “Kritika letrare – Vlerësime,
trajtesa”, një vepër që përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në
fushën e kritikës dhe reflektimit letrar bashkëkohor shqiptar. Libri është
botim i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe revistës “Dituria”, Borås, Suedi, dhe përfshin gjithsej 107 faqe.
Kjo vepër vjen si vazhdimësi tematike dhe konceptuale e
librit të mëparshëm të autorit, “Reflektime”, botuar para katër vitesh. Ngjashmëria ndërmjet dy librave qëndron në
orientimin e tyre drejt kritikës letrare, recensioneve, vlerësimeve dhe trajtesave
për vepra të ndryshme artistike, si dhe në reflektimet mbi ngjarje letrare e
kulturore, të cilat autori i trajton me ndjeshmëri dhe përgjegjësi
intelektuale.
“Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa” është libri i tridhjetë me radhë i Fetah Bahtirit, një autor i dëshmuar si
shkrimtar, përkthyes dhe bashkautor, i cili me një përkushtim të vazhdueshëm ka
ndërtuar një opus të pasur dhe të larmishëm krijues. Shfletimi i kujdesshëm i
librit dëshmon se kemi të bëjmë me një përmbledhje kritikash letrare,
recensionesh, vlerësimesh dhe opinionesh, të ndërtuara mbi një bazë solide
teorike dhe me një precizitet të dukshëm analitik.
Duke qenë se Kosova zë një vend të veçantë në
ndjeshmërinë intelektuale dhe atdhetare të autorit, libri hapet domethënësisht me
reflektimin “Kosova – shtet me katër vula”, ku artikulohet një qasje kritike
dhe reflektuese ndaj realitetit historik e politik të vendit.
Në këtë vëllim, Fetah Bahtiri trajton dhe vlerëson vepra
të një spektri të gjerë autorësh, ndër të cilët veçohen: Adem Zejnullahu (E
verdhësi), Halit Barani (Tmerri
i dokumentuar), Qerim Kryeziu (Shqiptarët
në retrokthesën nordike – Veprimtaria kulturore e mërgatës shqiptare në Suedi), Hysen Ibrahimi (Mërgata për arsimin
në vendlindje – Shupkovc, Zasellë, Kçiq i Vogël),
Avdyl Uka (Përjetimet e mia),
Xhavit Çitaku (Ëndrra të thyera,
roman; Dëshmitar brenda në ferr,
roman), Hyrë Tejeci (Dielli i jetës –
Rrëfim i një nëne hasjane), Islam Islami (Unë,
biri i Oshlanit heroik), Zeqir Kurti (Vargje
nëpër kohë, poezi), Albina Ibrahimi dhe Teuta Zeneli (Balkans
vegetariska matbord), Bajram Muharremi –
Bistrica (Nëpër shtigjet e jetës sime – Kosovë–Suedi; Mbi krahë të ëndrrës,
poezi), Albulena Miftari (Jeta e mërgimtarit), Milazim Kajtazi (Shiu i mallit), Skënder Osmani (Oshtimë valësh), etj.
Si një ndër studiuesit më të përkushtuar të jetës dhe
veprimtarisë së albanologut suedez Ullmar Qvick, Fetah Bahtiri sjell në këtë
libër edhe pikëpamje dhe vlerësime të rëndësishme për figurën dhe kontributin e
tij, duke e vendosur atë në kontekstin e studimeve albanologjike në Skandinavi.
Vëmendje të veçantë meritojnë edhe dy opinione kushtuar
dy personaliteteve të njohura: Avdyl Ukës, i cilësuar si një hero i gjallë që
mbrojti pragun e shtëpisë në ditët më të vështira për Kosovën, si dhe Mursel
Ibrahimit, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, për të cilin autori zbulon se
ka qenë nxënës i tij në Shkollën Normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë. Për
Avdyl Ukën, autori përfshin edhe poezinë “Ia fal përjetësisë”, si dhe një ode
kushtuar Halit Baranit, duke ndërthurur kështu diskursin kritik me shprehjen
poetike.
Në përfundim, mund të thuhet se libri Kritika
letrare – Vlerësime, trajtesa i Fetah Bahtirit përbën
një pasuri të çmuar për çdo bibliotekë, pasi ofron vlerësime të thelluara për
vepra me rëndësi dokumentare, që pasqyrojnë segmente të rëndësishme të
historisë kulturore dhe letrare shqiptare, veçanërisht në kontekstin e
mërgatës.
Për këtë arsye, autori meriton përgëzime për këtë
kontribut me vlera të qëndrueshme studimore, i cili u shërben jo vetëm lexuesve
të sotëm, por edhe brezave që vijnë.
Krejt në fund, mund të them se libri Kritika
letrare – Vlerësime, trajtesa i Prof. Fetah Bahtirit
përfaqëson një kontribut të çmuar në fushën e studimeve letrare shqiptare, duke
ofruar një qasje të strukturuar, analitike dhe metodologjikisht të qëndrueshme
ndaj veprave dhe autorëve të ndryshëm. Vepra dëshmon po ashtu pjekuri shkencore,
ndjeshmëri estetike dhe përgjegjësi akademike, duke e vendosur autorin në
radhën e studiuesve të përkushtuar të kritikës letrare bashkëkohore.
Ky botim afirmon rolin e kritikës si urë lidhëse ndërmjet
tekstit letrar dhe lexuesit, si dhe si instrument i domosdoshëm për
interpretimin, vlerësimin dhe arkivimin e trashëgimisë kulturore dhe letrare
shqiptare, veçanërisht në kontekstin e krijimtarisë në atdhe dhe në mërgatë.
Hysen
Ibrahimi
Suedi, Förslöv, 16.01.2026










