Kulturë
Viron Kona: Rrëfime të ngrohta dhe realiste
E merkure, 18.02.2026, 06:53 PM
RRËFIME TË NGROHTA DHE REALISTE
Nga
Viron Kona
Kam shkruar edhe më parë për
shkrimtarin Bashkim Saliasi, për romanin e tij "Ne ishim pesë shokë",
për monografinë "Dobrusha", për librin për fëmijë "Pse gjyshi i
lexon librat e mi?" e libra të tjerë, teksa po ndalem kësaj here në skicat
dhe tregimet që ky autor përcjellë te lexuesi nëpërmjet këtij vëllimi të ri të
titulluar "Pylli me lisa". Janë rrëfime, skica dhe përshkrime
jetësore dhe origjinale, që pasqyrojnë në mënyrë tronditëse fatin e refugjatit
shqiptar, ikjet në emigración, problematikat dhe vështirësitë që ata i
shoqërojnë në kërkim të Eldorados. Por ato shprehin edhe marrëdhënie realiste
mes njerëzve, episode, përshkrime, ide dhe subjekte, që i gjen në
përditshmërinë e jetës, që shpeshherë kalojnë pa u vënë re, teksa
shkrimtari me aftësinë vëzhguese, i sjellë para lexuesit me realizëm dhe
vërtetësi artistike, duke i paraqitur qartë, thjeshtë dhe me stil të ngrohtë e
tërheqës.
"Pylli
me lisa" hapet me tregimin "Vendimi", që paraqet fillimin e
periudhës së tranzicionit demokratik, të ndarjes së rendit të ri demokratik nga
dikatura komuniste. Ishin fillimet demokratike dhe fati i shumë njerëzve ishte
në udhëkryq, ende shpresat se Shqipëria do të bëhej ishin të mjegullta dhe
qëndronin të ngrira, teksa shqiptarët ndiheshin si zogjtë e plagosur në
stuhi erërash të forta. E, pikërisht, protagonisti i këtij tregimi, me
profesión mësues, po mendonte t`i bashkohej ikjes së madhe si refugjat drejt
vendit fqinj Greqisë.
Dëshiroja të shkoja në Greqi. Isha
krejtësisht i papërgatitur psikologjikisht për aventurat dhe rreziqet që më
prisnin.
Ishte
koha kur selitë diplomatike në Tiranë, të cilat në fillim të viteve 90-të i
kishin nxitur njerëzit drejt Perëndimit, tashmë kishin mbyllur dyert, ishin
bërë të shurdhëta, ndërkohë që ndodhte që njerëz të ndryshëm, pa
identitet, përfshiheshin fshehurazi në korrupsion për të nxjerrë fitime
tek populli i varfëruar skajshëm e që synonte me çdo kusht e çdo çmim të
largohej nga vendi, ku aso kohe mbretëronte pasiguria, papunësia dhe mungesa e
persëpektivës. Nëse nuk e arrinin qëllimin duke u paguar para në dorë të
matrapazëve dhe aventurierëve, njerëzit guxonin të udhëtonin në shtetet fqinje
nëpërmjet maleve, shtigjeve të pyjeve, nëpërmjet deteve Adriatik dhe Jon, me
çfarëdolloji mënyre dhe mjeti që u dilte në shteg. Tronditës është përshkrimi
që autori i bënë rrugëtimit të tij për në Greqi, ndarja e tij me disa
qytete dhe krahina të bukura shqiptare, ku iu desh të kalonte gjersa të arrinte
në kufi. Pastaj, futja fshehurazi në territorin e vendit fqinj, gjithnjë
me frikën dhe ankthin se prapa çdo shkurreje dhe druri do të shfaqeshin
ushtarët apo policía greke. Ishin aventura të frikëshme dhe tronditëse, që
njeriu i merrte vetëm kur halli ishte i madh dhe s`kishte përpara asnjë
rrugëdalje tjetër.
Emigrantët
ishin të detyruar të ecnin vjedhurazi nëpër pyje, shtigje, lugina,
rrëpira dhe hone të frikëshme që t`i ruheshin policisë dhe ushtrisë
greke, dhe, gjithçka e bënin për të vetmin qëllim, të gjenin një punë për
të mbijetuar, për të mbajtur familje e tyre që kishin lënë në mjerim në
Shqipëri. E, në këto kushte dhe rrethana, kishte edhe nga ata që mundimet e
rrugës i lodhnin, i sfilisnin dhe i drobitnin dhe, ata, krejt të pafuqishëm për
të vazhduar më tej, e linin veten në mëshirë të fatit.
-Unë nuk mundem të eci më tej. Më
janë bërë këmbët gjak dhe nuk di a do të mund të dalë deri në rrugë. Le të më
kap policia dhe të më kthejn mbrapsht, - përfundoi ai, gati duke qarë.
Gjithsesi
halli dhe nevoja i bënte ata më të mprehtë, më aktivë, më të vëmendshëm dhe kurajoz,
sepse mbronin jetën e tyre dhe të familjeve. Dashuria dhe ndjenjat e
sakrificave për fëmijët e familjet ishin motivet dhe shtysat, që i bënin ata më
të fortë dhe i detyronin të vijonin aventurat, që shpeshherë ktheheshin në
tragjike.
Kishte
nga ata refugjatë që binin në duart e policisë dhe të ushtrisë greke, të cilët
i kthenin dhunshëm. Kishte të tjerë që i përfshinte një fat shumë më i keq, ata
e paguanin me jetë atë udhëtim aventuror, ose vdisnin nga të ftohitit dhe të
pangrënët, ose aksidentoheshin në shtigje pyjesh, malesh dhe rrjedha të
vrullshme të lumenjve, ose bëheshin viktima të kriminelëve, që u dilnin befas
për t`i plaçkitur e terrorizuar, shpeshherë duke u marrë edhe jetën.
Si
dhe në rrëfime të tjera, edhe në këtë vëllim të ri, Bashkim Saliasi dallon për
aftësinë për të përshkruar me vërtetësi mjediset natyrore dhe karakteret e
njerëzve, veçanërisht të bashkudhëtarëve të tij apo tipave të ndryshëm me të
cilat ai takohet gjatë rrugëtimit. Duket se këtu e ka ndihmuar edhe kultura dhe
profesionalizmi si mësues biologjie. Ndaj, me sinqeritet dhe stil të
rrjedhshëm, ai përshkruan në mënyrë mbresëlënëse pyjet e dendur me llojshmëri
drurësh, kafshët dhe shpendët që enden nëpër pyje, në shtigje dhe nëpër drurë,
përshkruan rrjedhat e burimeve, të përrenjëve e lumenjve, cicërimat e
zogjve dhe erërat e pyllit që krijojnë deri melodi muzikore.
"Pylli
me lisa" është një tregues i aftësisë përshkruese të Saliasit, ndaj në
këtë rrjedhë vijnë njëri pas tjetrit edhe rrëfimet për kafshët e egra, që
refugjatët ndeshin gjatë rrugëtimit të tyre, veçanërisht duket kjo te
rrëfimi për ujkonjën, e cila bënë jetën e saj në mjedisin e pyllit. Aty
ajo ndihet e sigurt, por dhe bëhet e rrezikshme nëse tenton ta trazosh, apo
kthehet në bishë agresive kur i rrezikohen këlyshët e saj.
"Nxorra elektrikun e
dorës dhe po ecja i shkujdesur brenda saj. Në pjesën fundore vura re tre çifte
sysh, që lëviznin si prozhektor dhe nuk po gjenin vend ku të fshiheshin. Genci
nisi të shkoj drejt tyre.
-Ndalu Genci, ku shkon?- i bërtita
unë.
-Të shikoj këlyshët, - foli
qetësishtë ai.
-Ktheu pas dhe mos i shqetëso, se
janë këlysh ulkonje.
Nuk kishte kaluar shumë kohë, veç
kur shohim një ulkonjë që mbante në qafën e saj një kaproll dhe duke u
zvarritur në terrenin e thyer mori rrugën për në shpellë.
-Ikim Genci sa nuk është
vonë, se ulkonjat për të mbrojtur këlyshët i sulmojnë edhe njerëzit".
"Pylli
me lisa" përcjellë mesazhin realist dhe të ngrohtë se popujt mes tyre janë
miqësorë e paqësorë, ata e duan dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin kur janë në hall
e në vështirësi. Sipas kushetve, kohëve e rrethanave ata i vijnë në ndihmë
njëri-tjetrit. Kjo është një traditë e spikatur dhe e dukshme e popullit tonë,
që ai e ka treguar dikur në marrëdhënie me fqinjët grekë kur edhe ata
kishin nevojë për ndihmë. Duket se, edhe grekët këtë mikëpritje e shprehën për
fqinjët e tyre shqiptarë. Siç shkruan autori në rrëfimet e këtij libri,
mes popullit grekë kishte plot njerëz që tregonin gadishëmri për t`u
ardhur në ndihmë refugjatëve shqiptarë, madje ndonjëri edhe duke rezikuar.
Sikurse kishte dhe të atillë, që tregonin urrejtje, përbuzje dhe ligësi.
"Pyll pa derra nuk ka", duket se këtë thënie e ka edhe populli grek,
edhe popuj të tjerë, gjë që e shohim qartas te rrëfimet e Saliasit, veçanërisht
i shohim ata "derra" kur vishen me petkun e spiunit apo të
disa policëve të dhunshëm. Ndërsa me njerëzit e thjeshtë të
popullit, ndodh e kundërta:
Në kodrën ku po bënim plan të pushonim, pa pritur,
takuam një çoban grek, që ruante dhitë. Ai qëlloi burrë i mirë. U
përshëndetëm me të me shenja, pasi nuk kishim haber nga gjuha greke. Çobani na
afroi cigare dhe na tregoj rrugën për në Janinë.
-Atje ku duket ajo kisha e vogël,
duhet të bëni kujdes,- tha çobani, - sepse aty dalin shpesh ushtarët. Sipas
tij, deri në ora 12 të natës, në rrethinat e Janinës lëvizin forcat e policisë.
Pastaj na tregoi me shenja një rrugë të ngushtë këmbësorësh, që të nxirrte në
majë të malit, ku dukej dhe qyteti i Janinës.
Mesazhi
i hidhur te rrëfimet e "Pyllit me lisa" të Saliasit, qëndron edhe në
atë se, me gjithë ato mundime, ato sakrifica të jashtëzakonshme për të gjetur
një punë në vendin fqinj, gjithçka u përmbys sa hap e mbyll sytë, fare papritur:
"Befas, na dolën para dy
civilë.
-Ku shkoni?- bërtitën ata greqisht.
E pamë që ishte e kotë të
largoheshim me vrap dhe iu përgjigjëm me një zë:
-Te stacioni autobuzave, për në
Athinë.
-Ejani me ne! Ua tregojmë ne
stacionin,- dhe na mbërthyen prej krahu. Nuk kaloi shumë kohë dhe te këmbët
tona, ndaloi një makinë policie... U hap dera e rajonit të policisë. Ata që na
shoqëronin shkëmbyen disa batuta me oficerin dhe ushtarët, duke qeshur
me fatin tonë. Aty nga mesdita, na urdhëruan të hipim në makinën
"Ifa". E kishin sjellë për ne. Një orë e gjysmë më pas u
gjendëm në doganën e Kakavijës".
Si
dhe herë të tjera autori nuk lodhet së përshkruari gjithçka me hollësi e deri
në detaje, si një qëndistar i merakosur që e tëra ajo çfarë nxjerrë nga duart
të jetë e përsosur, të përjetohet bukur e deri në fund. Ndaj dhe gjatë
leximit, ndihen qartas vijëzimet, ngjyrat, nuancat e tyre, përshkruhen dhe
vizatohen me dritëhije dhe realizëm tipa dhe karaktere, teksa përballesh edhe
me njerëz të ditur, që shfaqin mendime të mëdha popullore në formë sentencash.
Duke
qenë mësues Saliasi natyrshëm ka përshkruar edhe bindjet dhe mendimet e
tij për këtë profesion të bukur dhe të nderuar, sikurse nuk ka kaluar pa u
trajtuar nga ai edhe disa problematika të rëndësishme që kanë të bëjnë me
tipat, karakteret, mendimet dhe idetë e disa kolegëve apo të atij vetë për
gjëra të veçanta apo të përgjithshme, që lidhen me jetën dhe me shkollën, si
një tempull i dijes dhe i edukimit. Ndërkohë që ai bënë pëpjekje të trajtojë
artistikisht marrëdhëniet mes drejtuesve dhe kolegëve mësues, mes mësuesve dhe
nxënësve e prindërve, marrëdhënie këto që janë të rëndësishme në shkollë edhe
për përvetësimin e dijeve nga nxënësit, edhe për të përgatitur një brez
nxënësish të aftë, qytetarë të zotë për t`i shërbyer jetës, zhvillimeve
dhe vendit. Ndërkohë që autori nuk nguron të godas me forcën e ironisë,
deri edhe të sarkazmës, sjelljen e ndonjë kuadri drejtues të arsimit apo të
shkollës, sjelljen e ndonjë mësuesi të papërgjegjshëm dhe, nga ana tjetër,
evidentimin e mësuesve model dhe të pararojës që bëjnë gjithçka për të
realizuar detyrën e tyre të shenjtë, por edhe për të qenë shembull për fëmijët
dhe të rinjtë. Ndërkaq kanë vlera edukative rrëfimet "Sa shumë janë shtuar
qentë!" apo "Kaq vjeç u
bëra, por lopa ime tre vica nuk më ka pjellë!" ku autori me realizëm
dhe duke vënë në lëvizje mençurinë popullore, demaskon firmat mashtruese
piramidale në Shqipëri, që u bënë shkak për vrasje të shumta, shkatërrime të
pasurisë kombëtare, djegje, plaçkitje dhe varfërim edhe më të skajshëm të
popullit.
Një natë. gruaja i thotë të shoqit:
-U bën kohë që nuk kemi qenë në
fshat. Është mirë të shikojmë një herë për të parë prindërit e tu.
Të nesërmen pronontuan një taksi
dhe drejtë e në fshat. Babai i priti mirë. Por nuk gjeti kohë të bisedonte,
sepse nusja e djali nuk po i linin radhë. I tregonin plakut se kishin
shitur shtëpitë dhe i kishin futur lekët në firmën "Gjallica".
Plaku i dëgjonte dhe nuk fliste.
U shtrua darka dhe djali pasi
rrëkëlleu nja tre gota raki, i thotë babait:- O babë, përse nuk e shet Balën
dhe lekët mi jep mua, t'i fus te firma "Populli" se filanin e kam
mik. Fusim një dhe marrin tre...
Plaku kroi veshin dhe mori drejtqëndrim.
-Dëgjo mor bir. Kaq vjeç u bëra,
kam rritur lopë e bagëti të tjera. Por Bala ime nuk ka bërë ndonjëherë tre viça.
Ishalla ke fat, mor bir dhe i shton
shtëpitë, nga një ti bësh tre...
Ndërkaq
është argëtuese, dhe shkakton të qeshura te lexuesi anekdoda "T`u bëftë
rakia ujë", ku autori rrëfen me fjalë të thjeshta dhe pa i komplikuar
gjërat mençurinë popullore dhe mësimet që ajo jep për jetën. Libri "Pylli
me lisa" me thjeshtësinë dhe stilin e të shkruarit, me temat interesante,
origjinale dhe rrëfimin e ngrohtë, bëhet i këndshëm dhe tërheqës
nga njëra faqe në tjerën, teksa lexuesi merr gjatë leximit emocione dhe mesazhe
me vlerë për jetën dhe të ardhmen.









