E merkure, 18.02.2026, 10:13 PM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Ne ishim me Bardhylin

E merkure, 18.02.2026, 06:56 PM


TRISHTIMI

TË BËN MË TË MENÇUR…

- ne ishim me Bardhylin -

Nga Visar Zhiti

Po edhe jemi… e çmonte miqësinë dhe shokun, rrallë e shihja vetëm, gjithmonë në kërkim të tjetrit, për të pirë një gotë bashkarisht, po edhe për të folur për poezinë…

Në ditën e ikjes së tij kisha shkruar, atij i drejtohesha sikur ta kisha përballë:

Bardhi, ti,

qytetar me guxim qytetar, fisnik i natyrshëm, vetvete gjithkund, vetvetja estetike, dinjitoze ashtu si poezia jote e angazhuar…

Kudo ku jemi parë e takuar, në vende e moshë të ndyshme, edhe në kohën, kur ishin të kërcënuara poezia dhe poetët, ti ishe po ai.

Në Tiranë, pastaj dhe në Prishtinë, Tetovë e Shkup, por dhe më tej, në Itali, etj, ku na çonte poezia e patëm rast të ishim bashkë, por dhe ku na mbante puna, perkushtimi, në ministri e kuvend, në rrugë e bare, me kafe, cigare e libër e heshtje, ti prapë ishe po ai, po ajo mirësi, po edhe kur s’ishim, dhe kjo është kohë më e shumtë, se realiteti na jep largësitë e na mbush me mungesa, ti prapë ishe prani e dëshirueshme, gjithë mall, mjaftonte një mesazh, një takim, një ese a përkthim apo një kujtim në një juri a festival poezie a në Lidhjen e Shkrimtarëve që s’është më. E ti mbetesh dhe kryetar.

Bardhyl i dashur,

e kishe thënë, madje e ke shkruar se dikur të kishin kërkuar të bëjë akt-ekspertizën policeske të poezive të mia, kur do më burgosnin për to dhe ti nuk pranove, kundërshtove.

Çmohef ky qëndrim dhe akt nga të gjithë…

Dhe pastaj jam gëzuar që ti u gëzove me parathënien që bëra unë për antologjinë e poezisë tënde të zgjedhur… poezia jote e zgjedhur është…

Ti dhe përktheje po aq bukur sa ç’shkruaje. Na dhe në shqip Yehuda Amichai-n dhe Voznjesevski-n dhe ata të ftuan në shtëpitë e tyre në Izrael e Rusi…

Dhe ti vjen prapë me poezinë tënde, ajo prapë merr çmimin e parë, më kishe shkruajte se do ma dërgoje “Prillin e hidhur”. Vazhdoj dhe e pres… Po se mos vetëm prilli është i hidhur… Hidhësirën e doje për të qenë më të mençur…

…po të hapim një libër tëndin, aty ti je. Dhe do vazhdosh të jesh në çdo antologji të poezisë shqipe, por dhe europiane. Poezia jote vjen për ta bërë më të mirë ditën, çdo “ditë njerëzore”, siç është dhe titulli i një poeme tënde, pavarësisht ëndrrës…

Po të flas me një poezi tënden, është e të gjithëve, e thjeshtë dhe universale. Po i vë vargun e parë si titull:

DAL NGA NJË TRISHTIM

HYJ NË NJË TJETËR

- nga Bardhyl Londo -

Dal nga një trishtim, hyj në një tjetër,

Dita mbi dritare si perde tymnxirë.

Ti tund qortueshem ujvarën

e flokëve.

Di, vallë, ti një botë më të mirë?

Dal nga një dhembje, hyj në një tjetër.

Qielli në dritare kallkan i ngrirë.

Ti kapsallit qortueshëm

konstelacionin e syve.

Di, vallë, ti një botë më të mirë?

Dal nga një vdekje, hyj në një tjetër.

Kamzhiku i shiut dritaren

rreh pa mëshirë.

Ti duart shtrin dhe lutesh për mua.

Di, vallë, ti një Zot më të mirë?



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx