| E merkure, 18.02.2026, 06:56 PM |

TRISHTIMI
TË BËN MË TË MENÇUR…
-
ne ishim me Bardhylin -
Nga
Visar Zhiti
Po
edhe jemi… e çmonte miqësinë dhe shokun, rrallë e shihja vetëm, gjithmonë në
kërkim të tjetrit, për të pirë një gotë bashkarisht, po edhe për të folur për
poezinë…
Në
ditën e ikjes së tij kisha shkruar, atij i drejtohesha sikur ta kisha përballë:
Bardhi,
ti,
qytetar
me guxim qytetar, fisnik i natyrshëm, vetvete gjithkund, vetvetja estetike,
dinjitoze ashtu si poezia jote e angazhuar…
Kudo
ku jemi parë e takuar, në vende e moshë të ndyshme, edhe në kohën, kur ishin të
kërcënuara poezia dhe poetët, ti ishe po ai.
Në
Tiranë, pastaj dhe në Prishtinë, Tetovë e Shkup, por dhe më tej, në Itali, etj,
ku na çonte poezia e patëm rast të ishim bashkë, por dhe ku na mbante puna,
perkushtimi, në ministri e kuvend, në rrugë e bare, me kafe, cigare e libër e
heshtje, ti prapë ishe po ai, po ajo mirësi, po edhe kur s’ishim, dhe kjo është
kohë më e shumtë, se realiteti na jep largësitë e na mbush me mungesa, ti prapë
ishe prani e dëshirueshme, gjithë mall, mjaftonte një mesazh, një takim, një
ese a përkthim apo një kujtim në një juri a festival poezie a në Lidhjen e
Shkrimtarëve që s’është më. E ti mbetesh dhe kryetar.
Bardhyl
i dashur,
e
kishe thënë, madje e ke shkruar se dikur të kishin kërkuar të bëjë
akt-ekspertizën policeske të poezive të mia, kur do më burgosnin për to dhe ti
nuk pranove, kundërshtove.
Çmohef
ky qëndrim dhe akt nga të gjithë…
Dhe
pastaj jam gëzuar që ti u gëzove me parathënien që bëra unë për antologjinë e
poezisë tënde të zgjedhur… poezia jote e zgjedhur është…
Ti
dhe përktheje po aq bukur sa ç’shkruaje. Na dhe në shqip Yehuda Amichai-n dhe
Voznjesevski-n dhe ata të ftuan në shtëpitë e tyre në Izrael e Rusi…
Dhe
ti vjen prapë me poezinë tënde, ajo prapë merr çmimin e parë, më kishe
shkruajte se do ma dërgoje “Prillin e hidhur”. Vazhdoj dhe e pres… Po se mos vetëm
prilli është i hidhur… Hidhësirën e doje për të qenë më të mençur…
…po
të hapim një libër tëndin, aty ti je. Dhe do vazhdosh të jesh në çdo antologji
të poezisë shqipe, por dhe europiane. Poezia jote vjen për ta bërë më të mirë
ditën, çdo “ditë njerëzore”, siç është dhe titulli i një poeme tënde,
pavarësisht ëndrrës…
Po
të flas me një poezi tënden, është e të gjithëve, e thjeshtë dhe universale. Po
i vë vargun e parë si titull:
DAL
NGA NJË TRISHTIM
HYJ
NË NJË TJETËR
-
nga Bardhyl Londo -
Dal
nga një trishtim, hyj në një tjetër,
Dita
mbi dritare si perde tymnxirë.
Ti
tund qortueshem ujvarën
e
flokëve.
Di,
vallë, ti një botë më të mirë?
Dal
nga një dhembje, hyj në një tjetër.
Qielli
në dritare kallkan i ngrirë.
Ti
kapsallit qortueshëm
konstelacionin
e syve.
Di,
vallë, ti një botë më të mirë?
Dal
nga një vdekje, hyj në një tjetër.
Kamzhiku
i shiut dritaren
rreh
pa mëshirë.
Ti
duart shtrin dhe lutesh për mua.
Di,
vallë, ti një Zot më të mirë?