E shtune, 21.02.2026, 10:42 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: O zog shtegtimtar, mësoja fluturimin e ardhjes dhe këndimin e shqipes, zogjve

E shtune, 21.02.2026, 06:57 PM


SOD N'DITËN E GJUHËS AMTARE

O zog shtegtimtar, mësoja fluturimin e ardhjes dhe këndimin e shqipes, zogjve

Nga Albert Vataj

S’po du me nguc kërrkend, por, dru se s’muj me nej pa i mëtu dy fjalë, n’se m’leni ju, e n’se keni me pas mirsinë me e përcjell me mu kyt zoritje, për prindërit mërgimtar, fmit e t’cillve flasin pak ose aspak shqyp. Frigohem se n’se ata nuk munden me këndu shqip, nuk kanë me mujt me e gjet kthimin te foletë që ende stuhitë që erdhën e shkruen, nuk i rrëzunë nga strehët dhe pemët.

Gjuha tue ken nji formë e epërme komunikimi, mes vedi, botëve dhe kulturave, ngulmeve qytetnuse, ndër shum’ n’ju asht pranu me ken gjithnji e ma shum’ nji panevojshmëri për me përdor si gjuh nane, n’familjet tuja, atje n’dhe t’huej.

Ma zorshëm, por ma mir’ po asht me u përdor prej jush n’përditshmëri, nji gjuhë e huej, qi bahet e juja, e gjuhën me t’cillën keni thirr s’pariher nan, me u lan mas doret tue mos e fol, e tue i’a lan harrimit.

Turravrap për me zotnu gjuhët e tjera, natyrshëm ka lind si nevoj për me ju qas mundësive ma t’mira për me jetu, e kjo gjehet e përligjun, derikur, gjuha am vërehet dhe trajtohet si diçka e huej për fmit tuj, ata qi kan me ken, ma saktë po duhet me ken, njata qi kanë me trashëgu vendin e origjinës, dheun e t’parvet, historinë, doket, zakonet e gjithçmos tjetër shqiptare, si gjuhën.

Shqypnia mundet t’mos u ket dhan ju shansin me u ndi vendali n’trollin e t’parve, kjo për shkak t’keqeverisjeve qi e përndoqën si nji mallkim kyt tok t’bekume, por kurrnjeni n’ju, s’ka se si me u pajtu me kyt zezon, tue ju mohu fmive gjuhën e nans, ndoshta edhe si nji hakmarrje për vendin qi u vra andrrat, për truallin qi i ka dëbu e vazhdon me ja ba t’huej gjuhën dhe gjinin e nans.

N’pamundësi me u ndesh në nji betej t’humbun, tue ik, s’ka se si, njaty ku keni fmininë, keni kujtimet dhe ju djeg malli, me lan mrapa gjithçka, edhe gjuhën, si nji çlirim prej nji robnimi.

Ne nuk e meritum kyt fat t’keq, qi na e shkruen bijë bastard e gjakprishun, por njajo qi kena ken, e kem me mbet kso jete, s’jan t’mujtuna me u braktis n’ç’farëdo shtërngimi e zoritje.

Ban vaki se kjo asht pikërisht njajo, qi kjo pjellë e qitun politikanësh e sojin e tyne t’flligt, qi kan fatin tonë n’dor, po don me na mohu edhe shypen, gjithqysh, na s’duhet me u’a dhan kyt shpërblim, edhe pse po gjejn turli lloj mënyrash për me dominu nxanjen ndër shkolla t’gjuhve t’huja, e t’tone me e lan mas doret, si nji gjuh t’vogël.

Ata ju morën t’tana qi patët, edhe andrrat, tokën, vorret, historin, kujtesën, e tash po duen nëpërmjet jush me grabitë edhe gjuhën, tue e fshi nga dëshira juaj, me u’a mësu fmive tuj. Assesi nuk duhet qi kjo me ndodh. Duhet me luftu me shpirt me mbet t’gjalla n’ne, ç’ka kena ma t’shjet e t’shtrejt.

Ju ikët kush mujti e si mujti, kjo jo për fajit tuj, për t’adhmen e qi meritoni, por asht nji nga mkatet ma t’randa, n’se farën e shqyptaris nuk e leni me çil n’shpirtin e tyne, e nuk i shërbeni qi kjo bime m u rrit si n’trull t’vet kudo qi ndodhet. S’asht e huej për ta, njajo qi n’ju asht dhimbje, njiherash asht djepi juaj dhe vorri i paraardhësve tuej.

Ndoshta ka me kan von, por kan me ken ata qi kanë me ju gjyku ju, jo sesi dhe pse ikët, tue e braktisë luftën n’mbrojtje t’vatanit, ksaj toke qi ju desht dikujt me e kthye n’çifligun e vet, e po u duhet do tjerëve me e shit e leçit, por se ju, tue ikë, s’deshtët me marr ç’ka ishte e juaja e asht sod e tynja, njaja qi ju jeni, anipse n’dhe t’huej.

Pse bre vllazën dhe motra s’po mundni e s’po doni qi fmive tuej me ju mësu shqyp?!

Nëse dikund shteti e dikund kisha, nevoja dikun tjetër, tue ushtru presion banen qi shqiptart me pas frikë për me fol gjuhën e tyne, e për ma tepër me pas andrra, megjithses n’dhe t’huj, me gjet mundsi me ua mësu fmive gjuhën e nanës. Edhe pse n’kto kushte ksenofobie, prep nuk gjehet e përligjun ky mohim i shqypes. Kujtesa historike bahet dëshmitare e përpjekjeve titanike qi patriotët e mëmëdhetarët banen, për të shtypun shqyp e për të hapun shkolla shqype, tue shpenzu krejt pasurinë e tyne, edhe tue rreziku jo pak ndër ta, jetën. Dhe arritën me ba atë, nan nji represion të egër osman, e varfrnijet mbytëse, tue u’a msu fmive shqyp nan hanxharë e bajoneta, mes tumit e arës së barutit, gjakut e gjamës. Ndër ta kjo e shejt njajo gjuh e Perenis, njaq sa asht edhe ndër ju amanet me u’a msu fmive tuej, e përmes tyne, ata t’vetve, për mos e u shue ky za bylbyli.

Jo bre vllazën e motra mërgimtarë, qysh bre mos me ua mësu fëmijëve shtypen?!

Sa nana mbyllën syt me shpirtin e vramun t’pamujtunes me fol me fmit e fmive t’vet, me qesh e me ladrue me ta, shyp bre. Sa e sa gjusheve ju shurdhuen veshët e u plasi zemra, tue ndigju uladin qi i flet nji gjuhë qi nuk e merr vesh. Sa prej tyne u banën me faj se s’mësuen nji gjuhë t’huej për me e pas t’mujtun me kuvendu si gjushja me nipin a mbesën, jo bre, jo!

Ti mundesh me ardh te unë, unë kurrë kso jetë s’kthehem ma te ti.

Vërtetë gjuha shqype asht gjuha e nji vendi të vogël, por asht gjuhë qi kanë folë e shkru njerëz legjendar. Shqypja asht gjuhë e vjetër e nji prej njatyne gjuhëve ma t’lavdishme n’historinë e origjinës së gjuhëve t’botës dhe kyt e kan thanë e provu ma t’mdhejt e mendimit t’njatyne vendeve e njatyne gjuhve qi flisni ju tash.

N’se fjala jeme s’ka me pas njat pesh sa me zgju nër ju ndërgjegjen kombëtare, tue mos e konsideru kurrë vonë nji korrigjim qi na shfajëson para amanetit t’parve, mundet me lejen tuj me ju përcjell dy kangat ma t’amla të shqipes, hymnet epike t’gjuhës.

Prej At' Gjergj Fishtës, "Gjuha Shqype"

Porsi kanga e zogut t'verës,

qi vallzon n'blerim të prillit;

porsi i ambli flladi i erës,

qi lmon gjit e drandofillit;

porsi vala e bregut t'detit,

porsi gjâma e rrfès zhgjetare,

porsi ushtima e nji tërmetit,

ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po; â' e ambël fjala e sajë,

porsi gjumi m'nji kërthi,

porsi drita plot uzdajë,

porsi gazi i pamashtri;

edhè ndihet tue kumbue;

porsi fleta e Kerubinit,

ka'i bien qiellvet tue flutrue

n't'zjarrtat valle t'amëshimit.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,

qi këtë gjuhë të Perëndis',

trashigim, që na la i Pari,

trashigim s'ia len ai fmis;

edhe atij iu thaftë, po, goja,

që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;

qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,

flet e t'veten e lèn mbas dore.

Në gjuhë shqype nanat tona

qi prej djepit na kanë thânun,

se asht një Zot, qi do ta dona;

njatë, qi jetën na ka dhânun;

edhe shqyp na thanë se Zoti

për shqyptarë Shqypninë e fali,

se sa t'enden stina e moti,

do ta gzojn kta djalë mbas djali.

Shqyp na vete, po pik' mâ para,

n'agim t'jetës kur kemi shkue,

tue ndjekë flutra nëpër ara,

shqyp mâ s'pari kemi kndue:

kemi kndue, po armët besnike,

qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,

kah kanë dekë kta për dhè të't'Parvet.

Në këtë gjuhë edhe njai Leka,

qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xûni,

në këtë gjuhë edhe Kastriota

u pat folë njatyne ushtrive,

qi sa t'drisë e diellit rrota,

kanë me kênë ndera e trimnive.

Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,

gegë e toskë, malci e qyteta,

gjuhën t'uej kurr mos ta lini,

mos ta lini sa t'jetë jeta,

por për tê gjithmonë punoni;

pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,

fisi juej, vendi e zakoni

kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,

Nper gjuhë shqype bota mbarë

ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,

ka me ju njohtë për shqyptarë;

trimi n'za, sikurse jini.

Prandaj, pra, n'e doni fisin,

mali, bregu edhe Malcija

prej njaj goje sod t'brohrisim:

Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!

Prej Dom Ndre Mjeda, "Gjuha Shqype"

Përmbi za që lshon bylbyli,

gjuha shqipe m'shungullon;

përmbi er' që jep zymbyli,

pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,

ku e shkoj jetën tash sa mot,

veç për ty m'rreh zemra e mjera

e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

jan' të bukra me themel

por prap' kjo, si diell pa hije,

për mue t'tanave iu del.

................................

Ku n'breg t'Cemit rritet trimi

me zbardh, Shqipe, zanin tand,

e ku Drinit a burimi

që shpërndahet kand e kand.

Geg' e tosk', malsi, jallia

jan' nji komb, m'u da, s'duron;

fund e maj' nji a Shqipnia

e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime

ndër kto vllazën shoq me shoq,

kush e dan me flak' e shkrime

çka natyra vet' përpoq.

Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera

si nj'bij' kjo që pa prind mbet:

për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,

s't'kishte kush për motër t'vet.

E njat tok' që je tue gzue,

e ke zan' tash sa mij' vjet,

shqiptaria, që mbet mblue

sot nën dhe, edhe shqip flet.

E shkrova kyt apel n’dialektin geg si nji homazh për tan’njata mendjendritur e zelltar, t’cillët na banen me gërmat dhe gjuhën qshype, tue luftu dham për dham me armiqt e ksaj gjuhe Perëndie, tue mos kursy mund dhe para, qi ne me pas sod nji gjuh sa t’bukur aq dhe t’rrezikume prej asimilimit e shkombtarizmës, qi ka shku tu ezan gjithnjë e ma shum vend n’ne. Se na po duam ma fort t’jera gjuhë, gjuhë qi na japin lek tue na grabit tançka derimsod erdh me ken e jona, e pluguese me varre dhe e vaditun me gjak.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Gjurme në historinë e një kremteje Albert Vataj: Virginia Woolf mbi vetësakrifikimin e grave, si normalitet në marrëdhënie me burrat Albert Vataj: Skënder Sallaku, një jetë e mbrujtur me të qeshura Albert Vataj: Azem Shkreli, më i zëshmi zë i këndimit të kushtrimshëm të fjalës së shpirtshme Albert Vataj: Dhimbja e ndarjes nuk është vetëm "në kokën tonë", por në çdo rrahje zemre dhe në çdo qelizë Albert Vataj: “Amaneti i Tylit” çon “Daja dhe Nipi”, nga “Portokalli” në Teatrin “Migjeni” Albert Vataj: Bruno Shllaku, aktori i prezencës së fuqishme skenike, ky kalorës i fushëbetejave të artit të shenjtërisë së fjalës Albert Vataj: Biblioteka rritet dhe unë vogëlohem, nën peshën e ëndrrës për të zotëruar dritën e dijes Albert Vataj: Kur Nënë Tereza, shpirti shqiptar i mëshirës lartësohej në mirënjohjen indiane, “Bharat Ratna” Albert Vataj: 20 vite nga kalimi në amshim i Ibrahim Rugovës Albert Vataj: Sot në përvjetorin e 558 të kalimit në përjetësi të Skënderbeut, udhëprijësit arbër që u ngjit në legjendë Albert Vataj: Shkodra, 14 Janari 1990, historia që nisi si shpresë dhe përfundoi si faj Albert Vataj: Robert Ndrenika, aktori që shndërroi çdo rol në monument të artit tonë skenik Albert Vataj: Mary Sherman Morgan, një grua gjeni që u mbulua me harrim Albert Vataj: Klea Marku, një yll i ri rroku që shkëlqen vezullimshëm në galaksinë “X Factor Kids Albania” Albert Vataj: At' Gjergj Fishta, gurëthemeli i qenësishëm i vetëdijes sonë kombëtare Albert Vataj: Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit Blerim Latifi: Kërshëndellat, kujtesë se jemi të moçëm në gjeografinë fizike e shpirtërore të Europës Albert Vataj: Rita Petro, laureate e poezisë së shpirtshme, e forcës së fjalës si “një formë e ndërgjegjes që i reziston heshtjes” Albert Vataj: Letra emocionuese që Charlie Chaplin i dërgoi së bijës natën e Krishtlindjeve

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx