E premte, 06.02.2026, 11:02 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: “Amaneti i Tylit” çon “Daja dhe Nipi”, nga “Portokalli” në Teatrin “Migjeni”

E premte, 06.02.2026, 06:55 PM


“Amaneti i Tylit” çon “Daja dhe Nipi”, nga “Portokalli” në Teatrin “Migjeni”, si një festë dhe ftesë e humorit dhe spektaklit

Nga Albert Vataj

Kur humori zbret nga ekrani dhe ngjitet në “Migjeni”, në atë skenë gjigandësh, ai nuk i qaset realitetit artistik të Shkodrës, thjeshtë si një grishje e çastit për të qeshura dhe atmosferë, por si ngjarje, si një event që pasuron kalendarin e kulmimeve krijuese dhe interpretuese të atij tempulli.

“Amaneti i Tylit” vjen si një festë dhe ftesë për të një publik që humorin dhe këngën, nuk i ka konsideruar si gjini arti, por si formula mbijetese në kohë trazirash dhe si shprehje bashkëjetese në të përditshmën e saj sfiduese.

Teatri “Migjeni” hap dyert për një ngjarje që vjen si festë e humorit popullor dhe si provë e një bashkëjetese artistike mes brezash, traditash dhe gjuhësh skenike. “Amaneti i Tylit”, shfaqja e shumëpritur nga “Daja dhe Nipi”, zbret në Shkodër më 19, 20, 21 dhe 22 shkurt 2026, çdo mbrëmje në ora 19:00, duke e kthyer skenën në një hapësirë ku e qeshura, kënga dhe loja aktoriale bashkohen në një komedi të gjallë e të kujtueshme.

Në qendër të shfaqjes janë dy figura tashmë ikonike të humorit shqiptar, Visjan Ukcenaj (Daja), me energjinë e tij karakteriale, ironinë e mprehtë dhe aftësinë për ta kthyer të zakonshmen në situatë komike dhe Akil Varfi (Nipi), përfaqësues i një brezi më të ri, me ritëm modern, nerv urban dhe një sens bashkëkohor të humorit.

Ky takim nuk është thjesht një rikthim i suksesshëm nga televizioni në teatër, por një zhvendosje e vetëdijshme e humorit drejt skenës së gjallë, aty ku fjala, gjesti dhe muzika marrin peshë tjetër, më të drejtpërdrejtë dhe më njerëzore.

“Amaneti i Tylit” ndërtohet si një mozaik situatash komike, ku e qeshura nuk është qëllim në vetvete, por pasojë e një bashkimi eksperiencash dhe traditash. Muzika luan rol të rëndësishëm në ritmin e shfaqjes, duke e shndërruar komedinë në një përvojë të plotë skenike.

Kjo ngjarje për qytetin e korifenjve, Shkodrën, Për Teatrin “Migjeni” këtë tempull që janë ngjitur qindra yje skenikë për të shkrepëtirë në dritë qiellin e magjisë së artit, do të ishte e paplotë pa lojën dhe hirin skenik të Drande Xhaj, Çubi Metkaj, Marin Orhanasi, Fritz Selmani, Ketlin Pjalmi, Evis Muriqi, Gent Demolli.

Aty ku është humori, kënga mbetet penelatë drite në realizimin e kësaj panorama, dhe atyre të cilëve u është rezervuar ky privilegj janë Klodiana Vata, Bruno Revolt, Roland Cukaj.

Shoqërimi muzikor realizohet nga Gjergj Marku (saksofon) dhe Mario Marku (tastiera), duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes fjalës dhe tingullit.

Zgjedhja e Teatrit “Migjeni” nuk është rastësore. Ky teatër, me traditë të gjatë në komedi dhe satirë, ofron terrenin ideal për një shfaqje që synon jo vetëm të argëtojë, por edhe të ndajë një ndjenjë bashkësie me publikun. “Amaneti i Tylit” është një ftesë për të qeshur së bashku, për të njohur veten në situata të përditshme dhe për ta përjetuar humorin si një akt të gjallë komunikimi.

“Amaneti i Tylit” mbetet më shumë se një shfaqje: është një premtim i mbajtur ndaj publikut se e qeshura mund të jetë dinjitoze, muzika bashkudhëtare e mendimit dhe teatri vendi ku gëzimi merr formë të përbashkët. Në skenën e “Migjenit”, kjo komedi nuk kërkon asgjë më shumë sesa një sallë të mbushur dhe zemra të hapura, për ta kthyer çdo mbrëmje në festë dhe çdo të qeshur në kujtim. Sepse kur humori është i sinqertë dhe spektakli i ndërtuar me shpirt, amaneti nuk harrohet – ai përmbushet.

Ndoshta do të ishte një shërbesë e vyer, që duke ju bërë ideatorëve dhe realizuesve të këtij supërspektakli, t’u përcillnim edhe publikut informacionin e shitja e biletave fillon më 7 shkurt, ora 11:00 – 15:00, në sportelin e Teatrit “Migjeni”, ora 18:00 – 21:00 në Secret Bar (Gjuhadol)

“Daja dhe Nipi” përmbushin “Amanetin e Tylit” si një premtim i mbajtur ndaj publikut, një shfaqje e mbushur plot humor, muzikë dhe energji, një komedi brilante që nuk kërkon gjë tjetër veçse një sallë plot dhe zemra të hapura për të qeshur dhe shndërruar këtë event në një festë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Bruno Shllaku, aktori i prezencës së fuqishme skenike, ky kalorës i fushëbetejave të artit të shenjtërisë së fjalës Albert Vataj: Biblioteka rritet dhe unë vogëlohem, nën peshën e ëndrrës për të zotëruar dritën e dijes Albert Vataj: Kur Nënë Tereza, shpirti shqiptar i mëshirës lartësohej në mirënjohjen indiane, “Bharat Ratna” Albert Vataj: 20 vite nga kalimi në amshim i Ibrahim Rugovës Albert Vataj: Sot në përvjetorin e 558 të kalimit në përjetësi të Skënderbeut, udhëprijësit arbër që u ngjit në legjendë Albert Vataj: Shkodra, 14 Janari 1990, historia që nisi si shpresë dhe përfundoi si faj Albert Vataj: Robert Ndrenika, aktori që shndërroi çdo rol në monument të artit tonë skenik Albert Vataj: Mary Sherman Morgan, një grua gjeni që u mbulua me harrim Albert Vataj: Klea Marku, një yll i ri rroku që shkëlqen vezullimshëm në galaksinë “X Factor Kids Albania” Albert Vataj: At' Gjergj Fishta, gurëthemeli i qenësishëm i vetëdijes sonë kombëtare Albert Vataj: Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit Blerim Latifi: Kërshëndellat, kujtesë se jemi të moçëm në gjeografinë fizike e shpirtërore të Europës Albert Vataj: Rita Petro, laureate e poezisë së shpirtshme, e forcës së fjalës si “një formë e ndërgjegjes që i reziston heshtjes” Albert Vataj: Letra emocionuese që Charlie Chaplin i dërgoi së bijës natën e Krishtlindjeve Albert Vataj: Ismet Bellova, zëri i një legjende që do të dëgjohet si një jehonë në qiellin e kujtesës dhe përjetësisë Albert Vataj: Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Albert Vataj: Visjan Ukcenaj, rrezja e një drite që sheh thellë në shpirtin e një nëne sakrifikuese deri në vetëmohim Albert Vataj: Tinka Kurti, ikonikja e artit skenik shqiptar Albert Vataj: Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit, njerëzorja, thellësisht njerëzore e shenjtores Albert Vataj: Mendimet tona janë përcaktueset e pandryshueshëm të fatit tonë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx