E merkure, 25.02.2026, 09:27 PM (GMT)

Kulturë

Ndue Dedaj: Fundjavë në Kosovë mes miqsh

E merkure, 25.02.2026, 06:56 PM


FUNDJAVË NË KOSOVË MES MIQSH

(Prishtinë – Pejë – Gjakovë, 20 dhe 21 shkurt 2026)

NGA NDUE DEDAJ

Asht ba e zakonshme me u gjend në Kosovë herë pas here, por çdo shkuarje atje, edhe pse shpesh në të njëjtat vende e me të njëjtët njerëz (si dhe të tjerë me të cilët njihemi kohë pas kohe) ka bukurinë e vet. Flasim për çdo gjë e gjithçka, siç ndodh rëndom në bisedat pa protokoll, për shiun që nuk po na ndahet këtë shkurt, politikën që shkel nëpër rrugët e lëna përgjysmë, gjyqin që po zhvillohet në Hagë, ikjen e të rinjve në Perëndim, duke e lënë shkret vendin e vet etj., por ka në mes nesh një kult që i falemi më së shumti e ky është Libri. Për shumëkënd kjo mund të duket disi e çuditshme, si mund të ketë njerëz në kohën e sotme që nuk mendojnë për “ekonominë e tregut”, por ende “marrosën” mbas magjisë së letrës së bardhë, e cila “nxihet” nga shkronjat që nga hershmëria e njerëzimit! Por kështu ndodh e besojmë se do të ndodhë edhe atëherë kur inteligjenca artificiale të ketë pushtuar botën ku rrojmë. Janë rralluar jo pak libraritë dhe bibliotekat, por janë shtuar bagazhet e makinave me libra, për t’ua dhuruar miqve. Ani, vlen çdo mënyrë e mjet për me çue librin te lexuesi.

Jemi bashkë me Gjon Krasniqin, një emër i mirënjohur humanisti bashkëkohor, që ka bërë gati për botim dy libra, një roman të vetin dhe letrat e Senekës, që vijnë për herë të parë të plota në shqip. Në Prishtinë takohemi me Profesor Anton Nikë Berishën dhe të birin, profesor Labinotin, dekan i Letërsisë në Universitetin e Gjakovës, që na ftojnë për drekë. Shihemi herë pas here në Prishtinë, Tiranë, Shkodër, Lezhë, Mirditë etj. Profesor Antoni nuk është asnjëherë duarbosh, por plot me libra të zgjedhur. Kësaj here na dhuron një vepër mjaft autentike e rëndësishme hartuar prej tij, siç është “Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe” (1555 -2019), botim i “Faik Konica” Prishtinë, 554 faqe; librin studimor “Kulme poetike të prozës së Anton Pashkut”, botim i “Beqir Musliu”, librin me poezi të zgjedhura “Pshëretima djegagurë” të Din Mehmetit, gjithashtu botim i shtëpisë botuese Beqir Musliu” - Gjilan, që drejtohet nga poeti Sabit Rrustemi, etj.

Profesor Anton Nikë Berisha është me plot gojën një “minierë” letrare, shkrimtar, studiues letërsie i dorës së parë, erudit i pashoq i botës së letrave, që Arbëreshët i ka dobësi, pasi ka shërbyer më shumë se dy dhjetëvjeçarë si profesor Letërsie në Universitetin e Kozencës. Këtë vit do t’i kremtohet 80-vjetori i lindjes Profesorit, moshë që nuk mund ta lexosh nga pamja e tij, përpos se nga letër-njoftimi. Por një herë tjetër do të ndalemi më gjatë rreth figurës së tij krijuese shumëdimensionale, edhe pse për ktijimtarinë e tij janë shkruar disa libra.

Mbrëmja na zuri në Pejë, në restorant – hotel “Dukagjini”, me miq të tjerë, si rapsodin Kol Krasniqi, 75 vjeçar, prej Nepolës së Lugut të Beranit, që nuk e ndali këngën edhe mes predhave, kur ishte komandant i Luftës në vendlindjen e tij. Kol këngëtari nuk ka shkruar libra, por si rapsodët e motit i ka mbjellë këngët në shpirtin e popullit, në dasma e festa, në Radio-Prishtina, ku i ka pasë regjistruar e deri në disaporë, në Amerikë në vitet ’80. Në darkën e organizuar nga Gjoni ka ardhë bashkë me Kristën, kryetarin e fshatit të Nepolës, ish-ushtarak i rendit, tash në pension. Na është bashkuar gjithashtu dhe inxhinier Bashkimi, që ka punuar në një nga uzinat e makinërive në këtë rajon. Kol Krasniqi, përherë i qeshur e me humor është një “burrë zakoni” në dukje, që ta sjell traditën e të parëve përmes rrëfimesh origjinale, por dhe një person që di të analizojë ngjarjet e bashkëkohësisë pa paragjykim. Ai nuk është rapsod tipik, pasi ka kaluar nëpër dyer shkollash, ka dhënë dhe vetë mësimin e muzikës, por në thelb ka mbetur ai bardi autentik i Kosovës, nga i cili ke vazhdimisht se ç’të dëgjosh.

Të nesërmen një kafe në kalim me disa nga miqtë tanë krijues në Klinë, Mikel Gojanin, Pal Canajn dhe Lekë Mrijën, ku ky i fundit na sajdisi me disa nga botimet e tij më të fundit, kushtuar dy meshtarëve të përmendur të kohëve të vona, Dom Fran Sopi dhe Dom Frrok Zefi. Fotografinë që bëra me Anton Çetën në bronz, nuk po e vë, pasi sfondi mbrapa bustit nuk m’u duk aq i përshtatshëm për një monument, ashtu si dhe në vende të tjera, ku e ke të vështirë t’i fotografosh monumentet nga mospërshtatja urbane përreth.

Ndeja në Gjakovë, në mesditë, në një nga restorantet e traditës, me Afrim Batallin, Martin Lleshin, Ndue Muqën, Fatos Axhemin dhe natyrisht Gjonin, përbashkuesin tonë, është gjithmonë e këndshme, me biseda të larmishme, që ta pasurojnë njohjen për këtë vend e këta njerëz, nga i ke dhe ti rrënjët, e “përpajnuara” nëpër trojet shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx