Kulturë
Lekë Mrijaj: Struktura tripjesëshe e librit “Tragjiku i idealizmit shqiptar” si metodologji analitike në veprën e Prend Buzhalës
E enjte, 26.02.2026, 06:54 PM

Struktura tripjesëshe e librit “Tragjiku i idealizmit shqiptar” si metodologji analitike në veprën e Prend Buzhalës
(Recension
i imi i lexuar në takimin e sotëm përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të
martirizimit të Anton Harapit dhe promovimit të librit “Tragjiku i idealizmit
shqiptar” i autorit Prend Buzhala)
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Në
historinë e kulturës shqiptare ekzistojnë disa figura poliedrike që, edhe
përtej kohës në të cilën kanë jetuar, vazhdojnë të ngjallin debat, reflektim
dhe kërkim të thellë interpretues. Pra, janë figura që nuk mund të mbyllen në
një paragraf historie apo në një gjykim të përshpejtuar ideologjik, por
kërkojnë një qasje të matur, të argumentuar dhe të përgjegjshme shkencërisht.
Pikërisht
në këtë horizont vendoset vepra studimore e Prend Buzhalës, “Tragjiku i
idealizmit shqiptar – Fjala e shkruar e Anton Harapit (Vëllimi I)”, një
ndër veprat më të kompletuara dhe më të strukturuara të analitikës bashkëkohore
shqiptare mbi figurën e At Anton Harapit.
Ky
libër, të cilin po e promovojmë sot në këtë ambient të bukur kulturor e
shpirtëror, nuk është thjeshtë një studim biografik, as një përpjekje për
rehabilitim emocional dhe as një polemikë ideologjike, por është një analizë
sistemore, e mbështetur në tekst, në dokument dhe në interpretim historik, që
synon të ndriçojë jo vetëm figurën e Harapit, por edhe dramën e idealizmit
shqiptar në shekullin XX.
Në
pjesën e parë të librit, Buzhala vendos themelin teorik të analizës: tragjikja si
kategori e mendimit dhe e historisë. Kjo nuk trajtohet si një fund i dhimbshëm
sentimental, por si një përplasje e thellë midis idealit dhe realitetit
historik.
Sipas
kësaj qasjeje, tragjikja lind kur individi, i formuar mbi vlera të larta morale
e shpirtërore, përballet me rrethana që e sfidojnë, e kufizojnë dhe shpesh e
thyejnë idealin e tij. Në këtë kuptim, at Anton Harapi paraqitet si figurë
paradigmatike e këtij tensioni.
Buzhala
e analizon personalitetin e At Harapit në mënyrë shumëdimensionale:
?
Si meshtar me formim të thellë teologjik dhe etik;
?
Si shkrimtar me ndjeshmëri estetike dhe simbolike;
?
Si pedagog me projekt formues për shoqërinë;
?
Si figurë publike e përfshirë në një epokë dramatike historike.
Pra,
vet autori shmang çdo reduktim ideologjik. Ai nuk e vendos At Harapin as në
piedestal mitizues, as në bankën e akuzës, por e lexon si njeri të kohës së vet
– me ideale të qarta, me përgjegjësi të rënda dhe
me
një fat tragjik.
Ndërsa
në pjesën e dytë,
Buzhala paraqet zemrën letrare të studimit. Në analizën e romaneve “Andrra e
Prêtashit dhe Valë mbi valë”, ai
ndërton konceptin e “poetikës së kontemplacionit apo vështrimit të thellë
shpirtëror ”.
Ai
argumenton se proza e At Harapit është thellësisht meditative. Rrëfimi nuk
shërben vetëm për të treguar një histori, por për të hapur një horizont
reflektimi mbi ndërgjegjen, moralin dhe qenien shqiptare.
Në
këtë kuadër:
•
Simbolika shndërrohet në kod etik;
•
Struktura narrative merr funksion filozofik;
•
Personazhet paraqesin dilema ekzistenciale dhe morale;
•
Tensioni ndërmjet idealit dhe realitetit përshkon gjithë tekstin.
“Valë
mbi valë”
lexohet si metaforë e trazimit të brendshëm shpirtëror – valët si lëvizje e
ndërgjegjes dhe e historisë – ndërsa “Andrra e Prêtashit” vendoset në
traditën e prozës së mendimit, ku ëndrra bëhet hapësirë simbolike e kërkimit të
kuptimit.
Në
këtë pikë, studimi Buzhala e kapërcen analizën formale dhe hyn në fushën e
estetikës së ideve, duke dëshmuar se për Harapin arti ishte mjet i shërbesës
morale.
Në
pjesën e tretë,
autori e zgjeron horizontin interpretues drejt mendimit sintetik të at Harapit.
Veprat si Vlerë shpirtërore, Mirërritëja a se edukimi i fëmijëve, si dhe
ligjëratat publike, trajtohen si dokumente të një projekti etik kombëtar.
Në
“Vlerë shpirtërore”, Harapi përpiqet të ndërtojë një sistem vlerash mbi baza
universale, ku feja, morali dhe identiteti kombëtar nuk paraqiten si elemente
të ndara, por si pjesë e një vizioni të përbashkët për formimin e njeriut.
Në
ligjëratën Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni, ai trajton me maturi
raportin mes fesë dhe shtetit, ndërsa në fjalimin Dy lotë e nji betim arrin
kulmin e retorikës së tij, ku patosi kombëtar ndërthuret me ndjenjën e
përgjegjësisë morale.
Buzhala
argumenton se retorika e at Harapit nuk ishte propagandë, por përpjekje për të
artikuluar një kod moral të qenies shqiptare – një kod që kërkonte ndërgjegje,
jo nënshtrim.
Struktura
tripjesëshe e këtij libri – nga tragjikja e idealizmit, te poetika e kontemplacionit,
e deri te mendimi pedagogjik e politik – krijon një progres logjik dhe
koherent.
Autori
ndërthur:
?
Analizën tekstuale dhe stilistike;
?
Kontekstualizimin historik;
?
Reflektimin filozofik;
?
Dokumentimin kronologjik.
Kjo
metodologji e maturuar e bën librin një model të studimit kritik mbi figura
historike të ndërlikuara. “Tragjiku i idealizmit shqiptar” përfaqëson
një kontribut të rëndësishëm në:
?
Historinë e kritikës letrare shqiptare;
?
Historinë e ideve dhe të mendimit etik;
?
Rivlerësimin e figurave të kontestuara pa paragjykim ideologjik.
Libri
në fjalë i autorit Buzhala, e zhvendos debatin nga polemika drejt analizës, nga
emocioni drejt argumentit, nga etiketa drejt kuptimit.
Nga
një këndvështrim personal, mund të thuhet se kjo vepër e Prend Buzhalës nuk
është vetëm një studim mbi At Anton Harapin, por një reflektim i thellë mbi
fatin e idealizmit në historinë shqiptare – mbi dramën e intelektualit që
përpiqet të mbetet besnik ndaj ndërgjegjes në kohë përmbysjesh.
Ajo
na kujton se tragjikja nuk është thjesht një fund i dhimbshëm, por një kategori
e vetëdijes sonë historike dhe morale, e cila kërkon gjithmonë interpretim të
thelluar dhe dialog të hapur. Ndaj edhe në fund të këtij vështrimi e përgëzoj
autorin e libri shkrimtarin Buzhala. Urime prof. Buzhala. Faleminderit për
vëmendjen të nderuar të pranishëm!
Klinë, më 26 shkurt
2026.









