E enjte, 26.02.2026, 11:02 PM (GMT)

Kulturë

Nexhmije Mehmetaj: Shënimi i Pavarësisë së Kosovës në Gjenevë

E enjte, 26.02.2026, 07:00 PM


“Shënimi i Pavarësisë së Kosovës në Gjenevë: Diplomacia Kulturore si Instrument i Përfaqësimit Shtetëror” nën organizimin e Konsullatës se Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë

Nga Nexhmije Mehmetaj

Të hënën, më 23 shkurt 2026, në një nga sallat madhështore të Victoria Hall, në zemër të Gjenevës, u mblodhën shqiptarë dhe zviceranë për të shënuar një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Në këtë ndërtesë të gurtë, që ruan hijeshinë e arkitekturës së shekullit XIX dhe frymën aristokratike të jetës kulturore evropiane, u përjetësua një mbrëmje që i dha zë dhe dritë një ëndrre të kahershme – pavarësisë së Kosovës.

Në një hapësirë ku zakonisht kumbojnë simfonitë e mëdha të muzikës botërore, kësaj radhe jehona ishte shqiptare. Ishte jehona e 17 Shkurtit 2008, dita kur Kosova u shpall shtet i pavarur, duke vulosur sakrifica brezash dhe duke hapur një kapitull të ri në historinë e saj.

Një mbrëmje mes diplomacisë dhe artit

Një element thelbësor i kësaj mbrëmjeje solemne ishte roli organizativ dhe përfaqësues nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, e cila, si institucion shtetëror, konceptoi dhe realizoi me përkushtim këtë manifestim në nder të përvjetorit të pavarësisë. Nën drejtimin e saj, aktiviteti nuk ishte vetëm një ceremoni festive, por një akt i mirëfilltë diplomacie kulturore, ku përmes gjuhës së artit dhe fjalës institucionale u promovua identiteti shtetëror, historia dhe vizioni evropian i Kosovës. Organizimi në një hapësirë evropiane prestigjioze si Gjeneva dëshmoi seriozitetin institucional dhe përkushtimin për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare, duke forcuar njëkohësisht lidhjet me diasporën dhe partnerët zviceranë.

Programi ishte konceptuar në dy pjesë: njëra me fjalën diplomatike, solemne e përfaqësuese; tjetra me gjuhën universale të muzikës klasike, që prek shpirtin përtej kufijve.

Të pranishmëve me fjalë mirëseardhjeje iu drejtua Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, nikoqire e kësaj mbrëmjeje mbresëlënëse. Fjala e saj përçoi krenarinë për rrugëtimin e shtetit të ri, falënderimin për miqtë zviceranë dhe mesazhin e qartë se Kosova sot është një realitet i konsoliduar në familjen evropiane.

Me përshëndetje të veçantë u adresua edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, i cili theksoi rëndësinë e miqësisë kosovaro-zvicerane dhe rolin e diasporës shqiptare në forcimin e kësaj ure bashkëpunimi.

Këtë ngjarje festive e nderuan me praninë e tyre figura të rëndësishme nga jeta diplomatike, kulturore dhe institucionale, si:

  • znj. Megi Fino, Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë;
  • z. Ermal Dredha, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër;
  • znj. Vasilika Hysi, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Gjenevë;
  • znj. Ana Roch, Presidente e Këshillit të Madh të Kantonit të Gjenevës;
  • z. Frédéric Borloz, Këshilltar Shtetëror i Kantonit të Vaudit;
  • znj. Marjorie de Chastonnay, Këshilltare Administrative e Qytetit të Gjenevës;
  • z. Musa Kamenica, Kryetar i Këshillit Komunal të Qytetit të Lozanës,
    si dhe personalitete të tjera nga jeta publike zvicerane dhe ndërkombëtare.

Pjesa protokollare u udhëhoq me finesë dhe profesionalizëm nga znj. Artina Fejzullahu, e cila i dha rrjedhë natyrshme dhe elegante ceremonisë.

Kur arti flet shqip në zemër të Evropës

Theksin më të veçantë të mbrëmjes e dha koncerti solemn – një përjetim artistik që e ngriti emocionin në dimensione të rralla. Tenori i mirënjohur Ramë Lahaj dhe sopranoja e jashtëzakonshme Marigona Qerkezi i dhanë dinjitet dhe madhështi kësaj nate festive.

Me interpretimin brilant të perlave të muzikës klasike botërore dhe shqiptare, ata krijuan një atmosferë të ngrohtë, fisnike e thellësisht emocionuese. Zëri i tyre depërtoi në çdo cep të sallës, duke dëshmuar se arti shqiptar jo vetëm që është pjesë e kulturës evropiane, por e pasuron atë me ndjeshmëri, forcë dhe identitet.

Një nga kulmet e mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”. Në atë çast, emocionet vërshuan vrullshëm. Të pranishmit u ngritën në këmbë, duartrokitën gjatë dhe shumë prej tyre iu bashkuan këngës, duke e shndërruar sallën në një kor të madh shqiptarësh e miqsh të Shqipërisë dhe Kosovës. Ishte një moment bashkimi shpirtëror, ku historia, kultura dhe krenaria kombëtare u shkrinë në një.

Një kujtim që mbetet

Ajo mbrëmje, në qytetin evropian të Gjenevës, do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve. Ishte më shumë se një përvjetor. Ishte një dëshmi se Kosova, e përfaqësuar me dinjitet, kulturë dhe profesionalizëm, di të ndërtojë ura miqësie dhe respekti.

Teksa largoheshim nga salla madhështore e Victoria Hall-it, fjala më e dëgjuar ishte:
“Faleminderit, znj. Floreta Kabashi! Të lumtë! Sa të mrekullueshëm ishit!”

Sepse kur Kosova përfaqësohet me njerëz të përkushtuar, me kulturë dhe dinjitet, ajo shndërrohet në një ambasadore të denjë të vlerave shqiptare në zemër të Evropës.

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë 25.02. 2026



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx