Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Prof. Dr. Halim Purellku - Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
E shtune, 07.03.2026, 04:59 PM
Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
(In
memoriam për Prof. Dr. Halim Purellkun)
Nga
Prof. Dr. Avzi Mustafa
Më
2 mars 2026, në orët e pasmesnatës, në Shkup, pushoi së rrahuri zemra fisnike,
e madhe dhe me ndjenja humane e historianit të pepur të historisë kombëtare,
prof. dr. Halim Purellkut. Ishte një lajm i hidhur që e tronditi jo vetëm
familjen, por edhe të gjithë miqtë, shokët, kolegët dhe publikun më të gjerë
kulturor.
Çdo
vdekje e njeriut është e tillë, e papritur dhe e dhimbshme, pavarësisht lidhjes
me jetëgjatësinë dhe gëzimet që ajo sjell. Por, kur ajo përmbush misionin e
saj, për ne – të dashurit që kemi jetuar dhe përjetuar jetën me krijimtarinë e
tij, pasurimin dhe përparimin e njerëzve dhe botës së jetës – atëherë emocionet
tona arrijnë kulmin, dhimbja bëhet më e thellë dhe më e gjerë, ndërsa vetëdija
për humbjen e një personaliteti të madh shpërthen në hapësirën e reales.
Kur
vdekja Halim Purellkut u bë realitet që duhej pranuar, ne mundëm me dinjitet
dhe dhimbje ta shprehim edhe kënaqësinë që në hapësirën tonë shoqërore, në
periudhën e zhvillimit madhështor të arsimit, kulturës, shkencës, ai dha një
kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin tonë të përgjithshëm.
Halim
Purellku u lind në vitin 1952 në fshatin Serbicë të Kërçovë. Shkollën fillore e
kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “Zef Lush
Marku” në Shkup. Studimet për histori i përfundoi në Universitetin e
Prishtinës, në vitin 1977, ku më pas mori edhe titullin magjistër i shkencave
të historisë. Doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Tiranës.
Gjatë
karrierës së tij punoi si profesor në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup dhe,
më pas, si ligjërues në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Filozofik – dega
e Historisë.
Prof.
dr. Halim Purellku ishte një shembull i mrekullueshëm i ndershmërisë
intelektuale dhe vepruese, i përkushtimit ndaj përparimit e humanizmit me
pastërtinë e veprës dhe mobilizimin e potencialit njerëzor midis punonjësve të
arsimit e shkencës jo vetëm në Maqedoni, por në tërë hapësirat shqiptare. Si
një shembull i ndritur i frymës krijuese dhe arritjeve, prof. Halimi për pesë
dekada veproi pa ndërprerë deri në frymën e fundit.
Me
ikjen e tij nga kjo botë, në kuptimin fizik do të na mungojë, por ai do të jetë
i pranishëm derisa të këtë shqiptarë dhe histori, sepse ai la një mori
studimesh e veprash që i takojnë historisë shqiptare. Veprat e tij shkencore,
si dhe puna e tij ligjërues në shkollat e mesme dhe në universitet, do të
mbeten gjithmonë të ngulitura në mendjen dhe zemrën e shumë gjeneratave të
nxënësve, studentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Studimet
shkencore dhe punimet e tij profesionale kanë vlerë të qëndrueshme në shkencën
e historisë. Kjo qëndrueshmëri është vërtetuar edhe me faktin se ai kurrë nuk
shkruante pa e dokumentuar punën e tij me të dhëna arkivore e dokumente, që nuk
ishin vetëm dëshmi e hultimit të tij, por njëherazi edhe orientim në kërkimet e
mëtejshme. Andaj ai i mori vlerësimet më të larta që mund t’i bëhen një autori
të shkencave të historisë.
Veprat
e tij flasin për një hulumtues dhe veprimtar revolucionar gjatë dekadave të
trazuara të historisë sonë. Bashkëkohësit dhe njohësit e personalitetit dhe
veprës së prof. Halimit thonë se ai ka ofruar një bazë të çmuar për hulumtime e
vlerësime të mëtejshme dhe plotësim të argumenteve historiografike.
Ai
kudo e ngrinte zërin për një rivlerësim të historisë kombëtare dhe atë e
kërkonte nëpërmjet një ndërmarrjeje shkencore. Kjo qasje do ta sjellë që ai të
jetë një ndër themeluesit dhe drejtuesit e Shoqatës së Historianëve Shqiptarë
në Maqedoni, e cila do ta botojë revistën shkencore “Kërkime historike”. Kjo
revistë do t’i bëjë bashkë historianët më të mirë shqiptarë, të cilët aty do ta
gjejnë tribunën e ndërtimit të mendimit shkencor në fushën e historiografisë
shqiptare. Ai ishte organizator edhe pjesëmarrës aktiv në kongrese historike,
këshillime dhe marrëveshje të ndryshme për qëllime shkencore.
Pikëpamjet
e tij progresive e të drejta, të artikuluara me një akribi të lartë shkencore,
shpeshherë nxirrnin atë si të papërshtatshëm nga regjimi komunist, por edhe më
vonë. Për këtë arsye, prof. Halimi ishte nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të
pushtetit. Megjithatë, kjo nuk e pengoi atë që të vepronte në frymën e
përparimit dhe zhvillimin e shkencës.
Kontributi
i tij nuk ishte vetëm shkencor, por edhe kombëtar. Ai ishte njëri ndër
themeluesit e Universitetit të Tetovës, të cilin e shihte si mundësi për
emancipim kombëtar edhe si mundësi e fuqizimit të identitetit kulturor të
shqiptarëve të Maqedonisë.
Vdekja
e prof. Halimit është një humbje e madhe për shkencën historiografike
shqiptare, por një humbje e madhe edhe për mua. Unë e humba njeriun me të cilin
kemi qarë aq halle bashkë që nga shkolla e mesme, në fakultet e në punën tonë
universitare, ndërsa kemi marrë pjesë bashkë edhe në shumë simpoziume e debate.
Halim i dashur, këtë humbje nuk kam si ta përshkruaj ndryshe, pos që të pajtohem me poetin e madh Sergej Esenin:
“Miku
im i shtrenjtë, lamtumirë!
Ty
këtu në shpirt të kam, ta dish!
Fati
po na ndan sot pa dëshirë,
Po
diku do shihemi sërish!
Lamtumirë
mik, pa fjalë e lot!
Vetullat
t’i ngrysësh, s'ka përse.
Vdekja
s'është gjë e re në botë.
As
të rrosh nuk është gjë e re”.
_________________
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Halim Purellkut, historianit dhe studiuesit të shquar shqiptar.
Kontributi i tij i çmuar në Zemra Shqiptare, si dhe punimet e tij mbi lëvizjet kombëtare dhe identitetin shqiptar, do të mbeten një trashëgimi e vyer për ne dhe për të gjithë lexuesit tanë. Artikujt e tij dëshmojnë përkushtimin e pashoq për ruajtjen e kujtesës historike dhe pasurimin e njohurive mbi rrugëtimin e popullit shqiptar.
U shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, kolegëve dhe mbarë komunitetit akademik për humbjen e kësaj figure kaq të respektuar.
Lamtumirë dhe u prehsh në paqe, Prof. Purellku!









