Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Pandemia dhe kriza arsimore në Maqedoninë e Veriut
E enjte, 18.03.2021, 10:39 PM
PANDEMIA DHE KRIZA ARSIMORE NË MAQEDONINË E VERIUT
Nga Prof. Dr. Avzi
MUSTAFA
Arsimi dhe edukimi për çdo komb në botë është një ndër
faktorët kryesor të mbijetesës së tij. Më ardhjen e pluralizmit ,edhe në vendin
tonë edhe ne iu gëzuam mundësisë se do të bëjmë transformime të thella
demokratike edhe në sistemin arsimor. Por, kjo nuk ndodhi, ashtu siç ne synonim
dhe dëshironim, kjo sepse gjatë periudhës së tanzicionit në vend që ta bëjmë më
të mirën për arsimin, filloi një “pandemi”, ku se pari nëpërmjet firmave e
nëpërmjet rrugëve të korrupsionit, tregtisë së paligjshme, prostitucionit etj.,
shkolla e humbi kuptimin e saj themelor. Si rrjedhojë, të pashkolluarit hapën
firmat e u vetëshpallën “presidentë” ose “menaxherë” të firmave, ndonëse nuk
kishin fare dije për atë që e bënin. Ky pasurim i shpejt e iluzor jo që e
shkatërroi vetëm individin, por edhe shoqërinë dhe kombin në përgjithësi. Në
këtë rrëmujë u shkatërrua edhe ajo që ndoshta ishte edhe e mirë.
Kjo na ndërgjegjësoi se arsimit i duheshin strategji të
menduara mirë, ku do të vinte në pah arsimi demokratik, arsim okluziv dhe
integrimin euro-antlantik. Nevoja e kërkonte gjetjen e një strategjie të përbashkët
kombëtare me zhvillime afatmesme e afatgjata në fushën e arsimit. Përkundër
kësaj, reformimi i arsimit filloi të bëhet nga kornizat e ngushta të një partie
ose të partive që e udhëhiqnin pushtetin, ndërsa në krye të kësaj reforme
gjithnjë qëndronte ministri i Arsimit.
Ndërkaq ministrat, me suitat e tyre, filluan të bëjnë
ekskursione nëpër Europë, ku mahniteshin me modelet arsimore dhe pastaj vinin e
përpiqeshin ta kopjojnë ndonjë koncept arsimore, pa marrë parasysh a kishim ne
bazë financiare si vend. Ata miratonin ligjet që u duheshin, ndërsa ndërrimeve
partiake vinte një ministër tjetër dhe ai e hidhte poshtë të parin dhe kërkonte
model tjetër arsimor të ndonjë shteti tjetër. Kështu filluan të pranonin
lloj-lloj projektesh të shteteve të huaja, ashtu që në vendin tonë u sollën
vërdallë me dhjetëra e dhjetëra projekte, që asnjë herë nuk u vlerësuan dhe
askush nuk dha përgjegjësi. Ata kokë më vete sillnin ligje pa i pyetur as
nxënësit, as arsimtarët, as prindërit e as ata që i menaxhonin financat.
Nga ana tjetër, në vend që arsimi të demokratizohet, ai
po centralizohej. Organet arsimore, si Byroja për Zhvillimin e Arsimit, Qendra
për Vlerësim e shumë organe të tjera, u lanë si “oaza” që nuk dinin se çka
punojnë dhe cila është detyra e tyre. Madje, si kërpudha pas shiut u hapën disa
agjenci arsimore, të cilat kontrollonin çdo gjë, por mbi të gjitha ministri
duhej të ishte i informuar për punësimet, bile edhe të një punëtore sanitare,
se a është e partisë së tij.
Dhe, ndonëse do të mbushen gati 30 vjet nga tranzicioni,
ne ende nuk kemi arsim të transformuar. Gjatë gjithë kësaj kohe te ne gjithë
energjia është harxhuar për reforma të jashtme. Dhe, më e keqja është se secili
ministër që vjen në këtë dikaster, e fillon punën nga e para, secili merr
ndonjë model nga Europa dhe pa analizuar më shumë, dëshiron që ta zbatojë atë
në kushtet tona të arsimit.
***
Gazetat dhe portalet, që nga janari i vitit
2020, filluan të shkruajnë për infektimet e njerëzve me virusin Covid-19. Më 26
shkurt ky virus arriti edhe në vendin tonë. Vijoi karantina, shifrat e të
sëmurëve dhe të vdekurve, ndërsa ajo që lindi si problem ishte shkolla.
Kjo ishte arsyeja që shkollat u mbyllën dhe
e vetmja alternativë ishte mësimi në distancë. Ky ishte një shok si për
nxënësit, ashtu edhe për prindërit dhe për arsimtarët. Autoritet arsimore
vepruan ashtu siç bënin edhe shtetet e tjera përreth ose edhe shtetet e tjera
të Europës – mësimi filloi të zhvillohet pa prezencë fizike në shkollë.
Të marrësh vendime është lehtë, por t’i
zbatosh kjo është shumë e rëndë. Së pari nuk kishte as plan-programe për
gjendjen e katastrofave natyrore ose luftërave, me ç’rast mund të zhvillohen
vetëm disa tema bartëse të mësimeve, ndërsa shkollave u mungonin pajisjet për
mësim në distancë, si: interneti, kompjuteri, llap-topi, por edhe përgatitja e
arsimtarëve për këtë lloj mësimi.
Arsimi në distancë ishte një sfidë e
veçantë për drejtorët, mësuesit, nxënësit, studentët dhe, madje, edhe
prindërit. Kjo formë e punës krijoi shumë probleme, sepse shumica e aktorëve
mësimorë u ndeshën me të për herë të parë.
Në fillim për shumë nxënës e, sidomos për
ciklin e lartë dhe shkollat e mesme, kjo ishte një festë. Megjithatë, shumë
shpejt u kuptua se ajo është në të vërtetë një sfidë e vërtetë. Madje, për
nxënësit kjo gjendje ishte një shkollë e veçantë, që kurrë nuk e kishin parë,
por edhe për shumë arsimtarë, që për herë të parë po përballeshin me këtë lloj
mësimi. Kishte edhe të tillë që i kushtuan një vëmendje të madhe këtij lloj
mësimi dhe me një angazhim të zellshëm një pjesë shumë e madhe e arsimtarëve ia
dolën ta përvetësojnë.
Sidoqoftë, mësuesit gjithashtu kishin
nevojë për të marrë arsim shtesë gjatë mësimit në distancë, pasi kjo formë e
punës kërkonte njohuri të reja prej tyre. Ata morën pjesë në punëtori të ndryshme
me video, ku fituan njohuri të reja në fushën e didaktikës, pedagogjisë e
psikologjisë. E sa u ndihmoi kjo arsimtarëve, u vërejt në procesin mësimor.
Mësimdhënia nëpërmjet të internetit solli
shumë risi e probleme. Së pari filloi të përdoret termi e-klasa, që për
të gjithë ne ishte shumë stresuese. Në fillim, nëpërmjet e- klasës, u paraqitën
disa mësues, që mbanin mësim, por pa ndonjë përgatitje të duhur. Ata vetëm e
bënin punën e tekstit që e shkruanin në tabelën elektronike dhe atë e lexonin.
Pas pak ditëve të gjitha shkollave u
dërguan shkresa nëpër shkolla që të paraqiten arsimtarët, t’i përgatitin orët
mësimore nëpërmjet internetit dhe ato të dërgohen me shkrim nëpër shkolla.
Por, shkollave u mungonin kompjuterë. Ose,
dikush e kishte ndonjë kompjuter të vjetër "të papërdorshëm"
10-vjeçar, të siguruar nga shkolla me sistem operativ “të papërshtatshëm"
për klasat në internet.
Ministria e Arsimit, siç deklaronte një
mësuese, bënte presion që arsimtarët të fillojnë me regjistrimin e orëve dhe
t'i fusnin ato në internet, por kishte mësues që ishin në një situatë shumë të
keqe kur bëhet fjalë për pajisjet,"
Gjithë kjo i ngjante një pune që bëhej sa
për të thënë se po behet diçka ose, siç thotë prof. Xheladin Murati, “hajde të
luajmë teze”, ndërsa unë do të thosha se nga ajo që e përjetuan nxënësit, kjo
ishte një “video-lojë me shokët e klasës ”. Kjo tek nxënësit nuk ishte asgjë më
shumë se një lojë, por assesi mësim. Prandaj nxënësit e ciklit të ultë filluan
ta shikojnë institucionin shkollë jo më si një institucion edukativo-arsimor.
Për fat të keq, edhe nxënësit e shkollave
të mesme dhe studentët nuk kishin qasje në klasat në internet në vitin e kaluar
shkollor, ndërsa shkollat në fshatra aspak nuk mbajtën mësim që prej marsit të
vitit 2020 deri sa mbaroi gjysmëvjetori i dytë, duke u notuar vetëm me ato nota
që i kishin nga gjysmëvjetori i parë.
Ndërkaq nëpër fakultete, edhe pse mësimi
mbahej në distancë, provimi duhej të mbahej me prezencë fizike, varësisht nga
profesori dhe studenti.
Sipas të dhënave të mbledhura, numri më i
madh i studentëve në vendin tonë në semestrin e dytë të vitit të kaluar
shkollor ishte i përfshirë në zbatimin e mësimit në distancë.
Nëse duam t’u përgjigjemi pyetjeve se:
• Cili është problemi i mësimdhënies në
internet në kohën e virusit korona?
• Si duket mësimi në distancë në fshatrat e
thella të Maqedonisë së Veriut?
• Çfarë u solli shkolla nga televizioni
nxënësve në Maqedoni?
Epidemia Covid-19 i transferoi nxënësit dhe
studentët nga katedrat e shkollës në tryezat e tyre shtëpiake dhe mësuesit nga
zyrat e mësuesve në shtëpitë e tyre.
Mirëpo, mangësitë ishin të dukshme që nga
fillimi. Në vitin 2016 ishte premtuar digjitalizimi i shkollave dhe interneti
me shpejtësi të lartë për të gjitha institucionet arsimore, prezantimi i ditarëve
elektronikë dhe informatika si lëndë mësimore nga klasa e gjashtë, madje
njohuritë e para ishin parashikuar që nga klasa e tretë, por kishte dhënë shumë
pak efekt.
Ideja “Për çdo nxënës një kompjuter” mbeti
vetëm një përpjekje më shumë për përfitime korruptive sesa digjitalizim i
shkollave. Arsimtareve iu shpërndanë disa kompjuterë kinezë, që i përdornin si
ditarë elektronikë, ndërsa në shumë shkolla nuk ka pasur asnjëherë internet me
shpejtësi të lartë, që arsimtarët ta kryenin këtë detyrim prej shtëpie.
Pandemia Covid-19 e gjeti të pa përgatitur
vendin tonë. Pa asnjë klasë të përgatitur me internet e kompjuterë e të mos të
flasim për shkollat rurale ose familjet me asistencë sociale, si dhe familje ku
mësojnë 2 ose tre 3 nxënës në një familje. Pandemia e nxori në pah qartë se
edhe në shekullin 21 nuk kemi klasa të mjaftueshme dhe se ende në shkolla po
punohet në dy e tre ndërrime. Problem paraqisnin edhe mjetet dezinfektuese,
tualetet pa ujë e pajisje të tjera higjienike, por edhe klasat dhe korridoret e
ngushta, që nuk krijonin mundësi për ta respektuar distancën e përcaktuar, Problem tjetër paraqiste edhe kuadri mësimor, sidomos gjeneratat më të
vjetra, që nuk mund ta përballonin këtë lloj mësimi dhe ishin të detyruar të
hapin pushime mjekësore.
Sipas një informacioni të siguruar, deri në fund të vitit shkollor gjatë vitit 2020, një numër i madh i
fëmijëve në Maqedoni nuk mund t’i ndiqnin klasat në internet, sepse ata nuk
kishin mundësi të hyjnë në internet, pra përveç TV-klasës nëse dikush nga
prindërit do të insistonte. Kishte, po ashtu, edhe studentë që nuk kishin qasje
internet, ngase prindërit e tyre nuk kishin para për të blerë llap-topë ose
kompjuterë. Ndërkaq, nga ana tjetër, ministrja e Arsimit deklaronte se mësimi
në distancë “po realizohet me sukses dhe se arsimtarët janë të kënaqur”.
Megjithatë, këto deklarata u kontestuan nga
shumë prindër e arsimtarë. Këtu po citoj vetëm një mendim të një prindi, i cili thotë
se “nxënësve u thonë se disa nga mësuesit nuk mbajnë fare orë mësimore në
internet, por që ata ua dërgojnë nxënësve vetëm detyrat e shtëpisë, pa ua
dorëzuar përmbajtjen, ndërsa të tjerët thonë se platforma e përdorur – klasa
Google – nuk është më e përdorshme, sepse është e mbingarkuar”.
Një numër i nxënësve ishin të detyruar që
nxënësve që nuk kishin pajisje të nevojshme teknike, të vinin në shkollë për të
marrë materialet e nevojshme mësimore, ndërsa kur e bënin këtë, u duhej të
ktheheshin përsëri në shkollë, në mënyrë që mësuesit t’i rishikonin detyrat e
tyre.
Si problem tjetër është edhe ajo se
mësuesit ankohen se janë nën presion nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe
se studentët dhe prindërit përsëri janë nën presionin e mësuesve dhe
profesorëve.
Edhe viti i ri shkollor 2020/2021 filloi me
vonesë për një muaj. Ministria mori vendim se si do të ndiqet shkollimi, ngase
pandemia ishte në pikun e infektimeve. Atëherë u vendos që
nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë të kenë klasa ditore në
shkollë, në grupe më të vogla, ndërsa nxënësit e shkollës fillore klasat e
larta t’i ndjekin mësimet në mënyrë alternative, nëpërmjet TV-shkollës dhe në
distancë, si edhe në grupe më të vogla, të përcaktuara nga Ministria dhe
Këshilli Shëndetësor i Shëndetit Publik, gjithnjë sipas protokolleve.
Nxënësit në shkollat ??e
mesme janë gjithashtu të njëjta pozicione si në vitin shkollor të kaluar. Edhe
pse ata kërkonin me këmbëngulje që fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 ta
fillojnë me prezencë në klasë, atyre nuk iu plotësua dëshira, andaj nxënësit e
shkollave të mesme nuk do të shkojnë në shkollë, pos shkollat profesionale që
mësimin praktik gjatë javës do të mund ta ndjekin, kurse mësimin do ta vijojnë
në distancë. Një pjesë e madhe e tyre e bojkotuan mësimin, ndërsa në disa
komuna mësimi u zhvillua pa prezencë fizike. E njëjta situatë ishte edhe në
universitetet ku mësimi më shumë mbahej në distancë sesa me prezencë fizike,
ndërsa provimet me teste, por me prezencë fizike. Orët mësimore u shkurtuan në
30 minuta.
Mësimi në klasat e larta të nëntëvjeçares
dhe të shkollave te mesme po zhvillohet nëpërmjet platformave të caktuara nga
Ministria e Arsimit. Platformat digjitale fillojë me plot mangësi, madje edhe
kur fillojë, tek nxënësit bëhen sa për sy e faqe, kështu që shumë nxënës i
kalojnë ditët pa e prekur fare librin ose nuk paraqiten në platformat mësimore,
duke u ankuar se u bie interneti, se nuk kanë valë ose se nuk dëgjohen.
Ndonjëherë paraqiten nga vende të ndryshme dhe shkëputen me arsyen se nuk
dëgjojnë, se nuk kanë internet e kështu me radhë.
Te një pjesë e nxënësve nuk kishte
seriozitet në fillim, por më vonë me këtë lloj mësimi u ndje reduktimi i
kontakteve, gjë që shkaktoi izolim shoqëror dhe ulje të solidaritetit në grup.
Kjo vërtet ishte shumë e dhimbshme, si për mësuesit, ashtu edhe për nxënësit.
Ky izolim pati ndikime psikologjike. Veçanërisht ishte i rrezikshëm për
nxënësit, pasi ata mund të ndjeheshin të vetmuar, duke rezultuar kështu me një
rënie të produktivitetit dhe pakënaqësi me punën në shkollë. Mungesa e
kontaktit me mësuesit mund të ndikonte gjithashtu edhe në pranimin e njohurive
e në marrëdhëniet familjare. Si rezultat, mësuesit ndjejnë presion, stres dhe
mund të vuajnë nga sëmundje profesionale dhe psikologjike.
Pandemia më tepër u shkaktoi dëm nxënësve
shqiptarë të cilët më shumë janë nxënës të viseve rurale dhe jetojnë në familje
me më shumë pjesëtarë, si dhe me shkolla me numër nxënësish të madh dhe pa
pajisje të mjeteve që i kërkon ky lloj mësimi.
Duke u nisur nga ajo që e ndjemë dhe e
përjetuam si prindër, si arsimtarë, si nxënës e si studentë, në realizimin e
synimeve për t’i arritur qëllimet arsimore dhe cilësinë e mësimdhënies e të
nxënit, kjo ka kohë që nuk po arrihet, sepse arsimi ynë tashmë tri dekada
gjendet në krizë, ndërsa pandemia është edhe një shkaktar që e rëndoi edhe më
tepër arsimin, ngase përmes saj u ndeshëm me një sërë vështirësish, që u
thelluan edhe më tepër, andaj sot kemi produktivitet të ulët në punën
individuale, varfëri të diskutimeve në klasë, përcjellje të pamjaftueshme të
arritjeve të nxënësve, mësim uniform pa informacion kthyes, mosnjohje të
aftësive të nxënësve, shmangie të shumë punëve krijuese, si dhe të mësuar në
nivel të ulët.
Megjithatë, më keq qëndron puna me nxënësit
e ciklit të parë të shkollës fillore, sepse çdo cikël në shkollë funksionon si
një mekanizëm i plotë, në të cilin po u prish ose po u dëmtua një hallkë,
prishet edhe ritmi i hallkave të tjera të arsimit gjatë gjithë jetës arsimore.
Kështu, nëse nuk gjendet ndonjë model që në mësimin nga distanca të
ripërsëriten të paktën disa tema mësimore, që janë bazike për nxënësit, ata do
të mbeten analfabetë funksional, ndërkaq të gjithë dakordohemi se “më mirë i
paditur se gjysmak”.
Shkup, 07.03.2021