Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Quo vadis gjuha ime e bekuar shqipe?
E shtune, 14.11.2020, 12:18 PM
QUO VADIS GJUHA IME E BEKUAR SHQIPE?
Nga Prof.
Dr. Avzi MUSTAFA
Gjuha
pasuria me e vyer e një kombi
Gjuha
shqipe është pasuria më e vyer që na e kanë lënë në trashëgim me shekuj e brez
pas brezi të parët tonë. Ata, edhe në periudhat me të errëta, kur nuk kishim
alfabet e institucione shkollore, u munduan dhe e ruajtën atë si gjënë më të
shenjtë, sepse ajo na identifikonte si komb. Ajo, gjatë historisë, luajti rolin
e një instrumenti të formimit të identitetit, socializmit të individëve,
grupeve shoqërore dhe faktorëve të integrimit socio-kulturor, pa marrë parasysh
krahinën e besimet fetare, duke mbetur gjithnjë një ndër faktorët më të
rëndësishëm të mbijetesës së popullit shqiptar.
Gjuha
është si një organizëm i gjallë që evulon nëpër kohë për t’iu përgjigjur
emancipimit të shoqërisë kulturës e artit. Kujtoj se gjuha shqipe, si një
tempull ku ruhet shpirti i kombit, në etapa të ndryshme i ka shërbyer popullit
tonë. Prandaj rilindësit i kushtuan asaj vëmendjen më të madhe, sepse ishin më
se të bindur se pa emancipim kulturor nuk ka as edhe emancipim politik. Edhe
pse ende nuk kishte një alfabet unik të gjuhë shqipe, të gjithë ata që krijonin
alfabete, në rend të parë si synim e kishin ruajtjen e pastërtisë së gjuhës
shqipe nga gjuhët e huaja. Të gjithë rilindësit strumbullarin kryesor e
konsideronin gjuhën e popullit. Pastërtia gjuhësore e shqipes ishte edhe një
nga mënyrat për ta ruajtur identitetin etno-gjuhësor të kombit. Nëse kishte
ndonjë ndarje etnolinguistike, ajo ishte vetëm një lloj rezistence mbrojtëse
ndaj valëve agresive të gjuhëve të pushtuesve nëpër shekuj.
Gjuha
shqipe i kaloi të gjitha etapat e zhvillimit, duke filluar nga përzgjedhja e
shkronjave në Manastir (më 19080). Pastaj kaloi në stadiumin e dytë, kur ku
vjen kodifikimi i saj (Tiranë, 1972) dhe në fund është pasurimi i saj nëpërmjet
fjalorëve shpjegues e terminologjikë, librave beletristikë etj
Mirëpo,
shekulli i ri në vend që të sjellë përparim dhe zhvillim të gjuhës shqipe, si
duket erdhi me një fatalitet për kombet e vegjël me rrezikun e depërtimit dhe
përdorimit vend e pavend të huazimeve, që e vërshojnë gjuhën tonë, kjo në dëm
te fondit autokton.
Prishja
e shijes së gjuhës si pasoj e globalizimit
Gjatë
shekullit të kaluar gjithsesi kishte një përpjekje për të folur e shkruar në
gjuhën standarde, por me ardhjen e demokracisë e deri në ditët e sotme, gjuha
letrare shqipe fillon të bastardohet nga të gjithë anët deri në palcë. Andaj me
të drejtë prof. Gjovalin Shkurtaj do ta botojë librin me titull “Urgjenca
gjuhësore”, botuar më 2017, të cilin studiuesit do ta vlerësojnë si “një
thirrje e hapur, që tingëllon si një kambanë e fuqishme alarmi dhe që tenton të
zgjojë nga gjumi e plogështia jo vetëm shtetarët, politikanët dhe krijuesit e
tëra fushave të jetës, por edhe të gjithë shqipfolësit, për ta ruajtur,
pasuruar dhe zhvilluar më tej gjuhën shqipe”.
Nga
ana tjetër, tani kur po bota globalizohet ose McDonald-izohet, që njerëzit të
flasin një gjuhë, të hanë një ushqim e të vishen në një stil etj., del pyetja
se çka do të ndodhë me gjuhët e popujve të vegjël? A u kanoset zhdukja apo do
të flasin në të ardhmen për “të pashkolluarit”. Si do të mbrohet gjuha shqipe
nga kjo pandemi gjuhësore.?
Duke
folur për gjuhën e globalizuar, për "kohën tonë pikturale dhe
belbëzuese", poeti dhe teoricieni kroat Ante Stama? e përcaktoi
shkatërrimin e traditës me nostalgji poetike: "Kush e lë gjuhën e tij
amtare, bie në prozën shkatërruese të botës, prej andej në heshtjen
njerëzore". Ne ecim rrugëve dhe qendrave tregtare – të mbytur nga
shkëlqimi i fjalëve angleze që krijuan esperanto komerciale tregtare, ne
kërkojmë fjalë të gjuhës amtare si të huaj. Po shikoni qendrat tregtare në
Tiranë, Shkup, Tetovë e Prishtinë me dritat vezulluese shumëngjyrëshe! Aty
gjejmë një çervish të çuditshëm të anglishtes dhe shqipes.
A do
të kemi në të ardhmen gjuhë amtare?
Kriza
e identitetit po përhapet me shpejtësi si një sëmundje ngjitëse dhe po i prek
të gjitha grupmoshat. Kjo krizë i përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë, si
individë dhe grupe të ndryshme, madje edhe kombe të tëra. Kriza e identitetit
është aq e përhapur në të gjitha poret e shoqërisë moderne, perëndimore dhe
lindore, saqë nuk njihet më si një rrezik i mundshëm, por si pjesë e jetës së
përditshme. Për fat të keq, populli shqiptar nuk është më pak i prekur nga ky
fenomen global. Tani ndodhemi para asaj kur, do të thosha, gjuha shqipe në
shumë familje nuk është më gjuhë amtare. Sot ka filluar, ndërsa nesër
mund të flasim për gjuhë të parë, të dytë e të tretë. Në familjet
shqiptare fëmijët me motrat dhe vëllezërit, si edhe me moshatarët e tyre,
komunikojnë në gjuhën angleze. Prandaj shumë fjalë po zëvendësohen me fjalë të
anglishtes. Kështu, edhe kur gjuha shqipe e posedon atë nocion ose ndonjë fjalë
tjetër, është bërë modë gjuhe që të përdoret gjuha e huaj ose ndonjë tautologji
shqip e anglisht, të tipit okej-mirë.
Për
fat të keq, populli ynë nuk është më pak i prekur nga ky fenomen global dhe
shkaku qëndron në globalizimin në rritje të rinisë naive në krahasim me të
moshuarit. Të rinjtë janë dorëzuar plotësisht para globalizimit, madje për ta
të moshuarit me kokëfortësi përfshihen të të a.q. “të pamoderuar”.
Nga
ana tjetër, interneti ka sjellë shumë gjëra pozitive dhe bota sot është në
pëllëmbë të dorës. Fillimisht besohej se interneti shkaktoi një shpërthim të
njohurive dhe arsimit të përgjithshëm, por interneti pothuajse e kishte efektin
e kundërt dhe ky efekt është bërë më i theksuar me kalimin e kohës. Përveç
varrosjes së njerëzve në një grumbull informacionesh jo të sakta, të
parëndësishme, të paverifikuara dhe kontradiktore, shfaqja e internetit ka
rezultuar edhe me shfaqjen e të ashtuquajturave “trende globale”.
Sot,
falë internetit, diversiteti dhe pluralizmi midis njerëzve është zhdukur
pothuajse plotësisht dhe individualizmi ngadalë po bëhet një e kaluar. Zakonet,
tradita gojore dhe e shkruar, kostumet dhe shumë tipare të tjera të larmisë
kulturore, dita-ditës po zbehen dhe njerëzit po bëhen kopje "origjinale".
Kush
do ta mbrojë gjuhën shqipe?
Një
strategji të këtillë besoj se nuk ka. Politika gjuhësore në të ardhmen duhet
t’u takojë institucioneve arsimore, e sidomos shkollës, por jo politikanëve.
Kjo do të thotë se fuqitë duhet të drejtohen në forcimin e statusit të
gjuhës shqipe në sistemin arsimor.
Mësimi
i gjuhës së pari duhet të mbështetet me numër më të madh të orëve
mësimore në planin mësimor, që për bazë të merret së pari struktura gramatikore
e gjuhës, për t’u rritur pastaj numri i orëve për mësimin e gjuhës amtare në
plan-programet mësimore. Kjo do të thotë se në të ardhmen duhet të
orientohemi kah ndryshimi i paradigmave programore. Mësimi i gjuhës
shqipe duhet të orientohet kah afirmimi i funksionit komunikativ.
Në
programin e gjuhës, po ashtu, duhet të përfshihen më shumë përmbajtje që
kanë të bëjnë me identitetin, në të cilat i jepet rëndësi gjuhës shqipe.
Gjithashtu duhet të kihet parasysh edhe aftësimi i gjuhës shqipe në zhvillimin
e terminologjinë adekuate në lëndët profesionale etj., si dhe në formimin e
një aktivi profesional mbarëkombëtar për ndjekjen e gjuhës nëpërmjet një
qendre leksikologjike, ku do të hulumtohen ndikimet e gjuhëve të huaja deri në
atë masë sa nuk e dëmtojnë gjuhën shqipe në strukturën e sistemit të saj. Ideja
është të shihet nëse ato ndikime e eliminojnë fjalën shqipe, nëse krijojnë
dygjuhësi ose përzierje, nëse e pengojnë krijimtarinë leksikore dhe krijimin e
fjalëve, nëse ato fjalë ekzistojnë në gjuhën letrare.
Përfundim
Nga
kjo që u tha më sipër del se kultura e gjuhës sonë nuk duhet të kufizohet dhe
atë t’ia ngarkojmë vetëm mësuesit dhe lëndës së gjuhës shqipe, por atë duhet ta
shtrijmë edhe në shkollë dhe jashtë shkollës, në shtyp, në media e kudo. Por,
faktor shumë i rëndësishëm për nxënësin mbetet modeli “mësues”, si në të folur,
ashtu edhe në shkruar, tekstet shkollore, masmediat, teatri, filmi etj..
Shkrimtari
ynë, Asdreni, qysh para 115 vjetësh do ta lëshojë kushtrimin: “Që ta shkruash
gjuhën shqipe, s’është punë e rëndë, por s’është as e lehtë, por këtë mund ta
arrijmë, ta shkruajmë gjuhën tonë mirë e bukur, vetëm duke punuar për këtë
sistematikisht e me seriozitet të plotë”. Vetëm kështu mund ta mbrojmë gjuhën
tonë në epokën e globalizmit. Pra, vetëm nëpërmjet sistemit edukativo-arsimor
me mësues të aftë e me tekste në gjuhën e shqipe mund ta ngremë nivelin e
kulturës së gjuhës.