E merkure, 11.12.2024, 06:34 AM (GMT)

Speciale » Mustafa

Avzi Mustafa: Prof. Dr. Petro Janura – Alfa dhe omega i kulturës dhe arsimit shqip në Maqedoni

E enjte, 04.01.2024, 08:00 PM


PROF. DR. PETRO JANURA – ALFA DHE OMEGA I KULTURËS DHE ARSIMIT SHQIP NË MAQEDONI

NGA PROF. DR. AVZI MUSTAFA

Shqiptarët në R. Maqedonisë në sistemin e kaluar monist u përballën me shumë sfida gati në çdo sferë të jetës. Me ardhjen e demokracisë, pritëm aq kohë që edhe ne shqiptarët t’i realizojmë synimet shekullore. Mirëpo, praktika e viteve të kaluara, ndërkohë, dëshmoi për një “specifikë” tjetër – gati të gjitha vendet e sistemit të sistemit socialist, në emër të “pasurimit shumë të shpejtë”, nëpërmjet firmave piramidale, tregtisë gri, korrupsionit etj., mbetën një ëndërr për individin, si edhe për shoqërinë, që jo vetëm u vetëshkatërrua, por u shkatërrua edhe edhe ai zhvillim që ekzistonte.

Por, çka ndodh me njerëzit të cilët janë sakrifikuar për ta arsimuar popullin, duke punuar në kushte të një sistemi totalitar, për të arritur deri te një zhvillim, sado i madh apo i vogël, që për atë kohë kishte vlerë?

Një nga emrat që u sakrifikua për ta zhvilluar arsimin dhe kulturën te shqiptarët e Maqedonisë është edhe Prof. Petro Janura. Është ky një intelektual i kalibrit të lartë, i cili sa herë që përmendet kultura dhe arsimi i shqiptarëve të Maqedonisë, emri i tij bëhet i patejkalueshëm. Për fat të keq, për këtë profesor shumë të nderuar dhe të respektuar nuk është shkruar gati asgjë. Emrin e tij vetëm e përmendin aty këtu gjatë ndonjë përvjetori, por nuk kemi thënë gati asgjë për punën që ka bërë.

Në kohën kur politikanët, analfabetët funksionalë ose ata me diploma të kontrabanduara mundohen që çdo gjë ta lidhin me punën e tyre, se asgjë nuk është bërë në kaluarën, andaj çdo ditë mbahen promovime librash e përvjetorë të ndryshëm, ata që meritojnë respektin dhe nderimin e vërtetë janë anatemuar e janë harruar, edhe pse emri i tyre lidhet me një datë të rëndësishme ose me një kontribut të veçantë.

Megjithatë, kur përmendet emri i Prof. Petro Janurës, kontributi i tij nuk mund të anashkalohet as nga Normalja e Shkupit, as nga Fakultetit Pedagogjik në Shkup, as nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup, as nga Teatri Kombëtar në Shkup, as nga Instituti Trashëgimisë Shpirtërore në Shkup, e as nga institucionet e mas-mediumeve.

Në mungesë të këtij vlerësimi institucional, mora guximin që ta bëj detyrimijn tim, si një ndër bashkëpunëtorët e parë qëkur u hap Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup. Kontributi i tij është shumë i madh dhe polivalent. Duam apo s’duam, ai mbetet alfa dhe omega e kulturës së shqiptarëve të Maqedonisë dhe më gjerë.

*        *        *

Prof. dr. Petro Janura u lind në Fier të Shqipërisë më 10.02.1913 nga prindërit Jorgji dhe Vasilija. Shkollimin fillor dhe një pjesë të gjimnazit i kreu në vendlindje, në Fier. Meqenëse familja e tij do të shpërngulet në Rumani, në qytetin Jash, atje do ta mbarojë gjimnazin. Po në këtë qytet do t’i fillojë edhe studimet universitare për Drejtësi. Për specializim do të kalojë në Piza të Italisë, ku në viti 1940 do të doktorojë në temën “Prezenca e zakoneve popullore në kodin civil shqiptar”.

Në vitin 1941 do të kthehet në Shqipëri, por nuk do t’i japin punë shtetërore, për shkak se ishte antifashist dhe i përfaqësonte idetë përparimtare. Në vitin 1943 do të paraqitet si mbrojtës vullnetar i partizanëve maqedonas të zënë rob në Tiranë, në mesin e të cilëve ishte edhe Kërste Crvenkovski. Një pjesë e atyre, derisa gjendeshin në burg, e kishin hapur një tunel dhe një natë shumica e tyre kishin ikur. Meqenëse i mbronte partizanët, organet e sigurisë e kërkonin pikërisht Petro Janurën. Pasi e kupton rrezikun e arrestimit, ai do të arratiset nga Shqipëria dhe do të ikë në Maqedoni, në Gostivar. Megjithatë, në maj të 1944-tës, do ta burgosin në Tetovë dhe më vonë do ta dërgojnë në logorin fashist gjerman në Prishtinë. Në këtë logor do të qëndrojë deri në vitin 1945.

Më 8 mars të vitit 1945, nga ana Këshllit Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Maqedonisë (KAÇKM ose në maqedonisht ASNOM) do të zgjidhet drejtor i parë i gazetës javore “Flaka e Vëllaznimit” në Shkup. Në këtë post do të qëndrojë deri më 1946. Meqenëse ishte paraqitur nevoja e madhe për mësues pranë shkollës se mesme të mësuesisë “Nikolla Karev” në Shkup, që në vitin shkollor 1947/48 aty do të hapet paralelja e parë në gjuhën shqipe me 17 nxënës. Organet arsimore të pushtetit të atëhershëm kishin vendosur që Dr. Petro Janura të angazhohet aty si mësimdhënës. Përveç lëndës së Gjuhës dhe të letërsisë shqipe, aty do t’i ligjërojë edhe disa lëndë nga shkencat e natyrës. Në mungesë së teksteve, profesori ka bërë përshtatjen e mësimeve nga përkthimet e ndryshme, sidomos nga italishtja e rumanishtja.

Në vitin 1949 do të kalojë në Akademinë Jugosllave të Shkencave dhe Arteve në Zagreb, ku do të jetë bashkëpunëtor i ballkanologut të njohur, Henrik Bariq, për përgatitjen e “Fjalorit kroatisht-serbisht” ose “Fjalorit serbokroatisht-shqip”.

Në vitin 1951, me ftesë të fakultetit Filolozofik në Shkup dhe me rekomandim të prof. Harallampie Polenakoviqit, do të zgjidhet lektor i gjuhës shqipe në Fakultetin Filozofik, që funksionte pranë Katedrës së Gjuhës Maqedonase. Perveç kësaj, në vitet shkollore 1952-1954 do të angazhohet si profesor honorar pranë Shkollës Normale “Liria” (më vonë “Zef Lush Marku”) në Shkup, ku do ta mbajë lëndën e Gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Gjatë kësaj kohe do të jetë njeri nga ata që do ta hartojë edhe plan-programin e parë mësimor të lëndës së Gjuhës shqipe për shkollat tetëvjeçare në Maqedoni.

Në vitin 1953 do të zgjidhet profesor honorar në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Kliment Ohridski” në Shkup – në grupin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, ku do ta ligjërojë lëndën e Letërsisë shqipe dhe Letërsisë botërore.

Në vitin 1965, me vendimin nr. 01-734 të datës 15-VI 1965 të Këshillit të Shkollës së Lartë Pedagogjike, do të zgjidhet profesor në SHLP për lëndën e Letërsisë shqipe. Ndërkohë, Lektorati i Gjuhës Shqipe pranë Fakultetit Filozofik në Shkup do kalojë në Seminar të Gjuhës Shqipe, ku studentët e grupeve të tjera do të mund ta zgjedhin gjuhën shqipe si lëndë të dytë.

Në SHLP do të qëndrojë deri në vitin 1971, kur edhe do ta hapë Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit Filologjik në Shkup, ku do të punojë deri në pension. Ndërroi jetë më 1983, pa u çmallë me vendlindjen që aq shumë e donte. Ngushëllimi i vetëm për të ishte një gur nga lumi i Fierit, që qëndronte gjithnjë në vitrinën e librave të dhomës së tij të punës.

Gjatë kësaj periudhe, derisa e hapi Katedrën e Gjuhës Shqipe, katedrën e dytë më të vjetër në ish Jugosllavi, prof. dr. Petro Janura do të jetë njeriu më i angazhuar nga të gjithë intelektualët e kohës. Ai do të do të jetë profesori i cili do të bashkëpunojë me të gjitha gazetat dhe revistat që dilnin në Jugosllavi. Në shtëpinë e profesor Janurës, në vitin 1963, do të formohet redaksia e revistës “Jehona”, që është revista e parë për shkencë dhe art në Maqedoni.

Ai ka qenë anëtar i udhëheqjes së redaksisë së “Flakës së Vëllazërimit” në Shkup, anëtar i udhëheqjes në Teatrin e Pakicave në Shkup, anëtar i buletinit të Institutit Albanologjik në Prishtinë, anëtar i Shoqërisë së Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” në Shkup, anëtar i parë dhe nënkryetar të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Jugosllavisë, për katër vite radhazi ka qenë anëtar i Komisionit për Tekstet Shkollore pranë Sekretariatit të Arsimit, ka qenë anëtar pranë Shtëpisë Botuese të Teksteve Shkollore “Prosvetno dello” në Shkup, ka qenë kryetar për dhënienën e provimeve shtetërore për mësuesit e gjuhës shqipe, kryetar i të gjitha plan-programeve të Gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollat shqipe në Maqedoni, anëtar i Komisionit për Përgatitjen e Ortografisë së Gjuhës Shqipe në Jugosllavi, anëtar i komisionit redaktues të Drejtshkrimit në Prishtinë, anëtar i shumë komisioneve për marrjen e shpërblimeve në Maqedoni, si dhe pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë më 1972.

*        *        *

Veprimtaria e prof. dr. Petro Janurës shtrihet në tre fusha: informative-publistike, shkencore-kërkimore dhe monografike. Një pjesë e punimeve të tij janë botuar, por një shumicë madhe e tyre janë ende dorëshkrim. Ato arrijnë diku mbi 3000 faqe. Një pjesë e shkrimeve të tij janë botuar me pseudonim Janicaj, që e mbante në asocim me emrin e lumit të Fierit.

Synimi i këtij vështrimi nuk është thjesht për të thënë se çka bëri profesori Janura, por më shumë për ta vlerësuar atë njeri, që kurrën e kurrës nuk diti ta përdorë fjalën “JO” kur bëhej fjalë për punë, edhe pse gjithçka në atë kohë fillonte nga e para. Gjatë bisedave me Profesorin, më tregonte se “shpeshherë edhe në rrugë më ndalnin që të më pyesin për ndonjë fjalë se si duhej të jetë në shqip, bile shpesh paraqiteshin edhe natën; nxënësit dhe studentët nuk kishin libra, andaj detyrohesha që t’ua jap shënimet e mia”. Meqenëse kishte bashkëpunuar në Fjalorin kroato-serb ose Fjalorin serbokroatisht-shqip me Henrik Bariqin, shpeshherë ma përsëriste thënien e tij “se për një popull arka e gjuhës është fjalori, andaj nëse një komb nuk ka fjalor, është vështirë që të përparojë gjuha e, bashkë me të, edhe populli.”. Për këtë arsye ai kishte filluar që vetë ta përgatiste një fjalor shpjegues, që do t’u vinte në ndihmë intelektualeve të ndryshëm, por puna i kishte ecur rëndë, sidomos për ta daktilografuar. Ishte vështirë që të gjesh daktilograf. Ata që dinin ta përdornin makinën e shkrimit, shumica punonin për institucionet shtetërore. Kështu ky fjalor mbeti në dorëshkrim, duke pritur ditë të bardha, dhe kurrë nuk u botua. Profesor Janura, në një bisedë më tha edhe një batutë, duke qeshur: “Sikur të më jepej rasti, do të martohesha me daktilografe”. Më vonë, gjatë tërmetit të Shkupit, dikush i kishte hedhur ato dorëshkrime, kështu që prej kësaj vepre kanë ngelur vetëm disa faqe të shpërndara, ndërsa një pjesë gjendet në bibliotekën time.

Puna e prof. Janurës ishte e orientuar në përgatitjen e librave për nxënësit dhe studentët. Këtu po i përmendim disa nga ato tekste: “Shembuj nga Letërsia Popullore me parathënie”, 1957; “Tregime popullore”, 1962; “Këngë fëmijësh”, që më vonë do ta botojë me titull “O lejlek haxhibeg”; “Historia e letërsisë shqipe për shkollat pedagogjike”; “Libër leximi për klasat V, VI, VII”, me të cilin nxënësit do të shërbehen gjatë viteve 1957-1963; “Ortografia e gjuhës shqipe”, Prishtinë 1964; “Teoria e letërsisë për shkollat shqipe”, Shkup, 1959 etj.

Përveç kësaj, për nevojat e studentëve të letërsisë botërore, në gazetën “Flaka” ka botuar edhe një numër të shkrimtarëve botërorë, si: Aligeri, Servantesi, Shekspiri, Molieri, Rable, Volteri, La Fonteni, Bokaçio, Lesingu, Rasini, Jonthan, Krilloin, Defe, Leopardi, Shilrin, Gëte etj.

Prof. Janura mund të llogaritet edhe si kritik i parë në Maqedoni, por edhe më gjerë. Që në vitin 1957 do ta shkruajë një vështrim kritik mbi veprën poetike “Tufa” të Latif Berishës, si dhe mbi poezinë e poetit të ri, Enver Gjergjeku, artikujt të botuar në revistën “Jeta e Re” në Prishtinë.

Për shtëpinë botuese “Detska Radost” dhe “Koço Racin” në Shkup i ka përgatitur lektyrat për fëmijë për shkollat shqipe. Disa i ka lektoruar e redaktuar e disa edhe i ka përkthyer dhe redaktuar, si: “Puhija e parë” nga Nuhi Vinca, “Luli i vocër në Republikë” nga Sefer Selimi, “Vjersha” nga Rifat Kukaj, “Mëngjesi në fshat” nga Abdylzaziz Islami, “Vjersha” nga Vasil Kunovski, “Zani i Zemrave” nga Ali Huruglica, “Vrrag dhe kunorë” nga Maksut Shehu, “Panair Prilli” etj.

Prof. Janura nuk u ndal vetëm në një gjini letrare, por i vështronte me sy kritik edhe romansierët që shkruani në Jugosllavi. Ai shkroi mbi romanin e parë shqip në Jugosllavi, botuar në vitin 1957 në “Flaka” në Shkup, “Poeta non lauroatus” (kritikë), që e botoi “Flaka” më 1954, pastaj “Mbi idetë psikologjike te romani “Besniku” te Rexhaj Surroj”, botuar në revistën “Përparimi” në Prishtinë (s.d.), “Mbi numrin e parë të revistës “Jehona” në Shkup”, botuar në vitin 1963 etj.

Prof. Janura ka shkruar dhe botuar për një numër të madh të shkrimtarëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare, si: “Naim Frashëri ky poet lirik”, “Flaka”, 1956; “Zef Serembe”, “Flaka”, 1957; “Ndre Mjeda, poet dhe linguist”, “Flaka”, 1957; “Jani Vreto”, “Asdreni”, 1956; “Sami Frashëri”, 1954, “Birlik”; “Migjeni”, “Flaka” 1956; “Josif Bageri”, “Bigorski nauçni sredbi”, Gostivar (.s.d.) etj.

Profesor Janura na ka lënë edhe një numër të madh të punimeve nga lëmi i gjuhësisë. Meqë kjo listë është shumë e gjatë, këtu do të japim vetën disa nga ai numër: “Fjalor serbokroatisht-shqip” në koautorësi me H. Bariqin, botuar më 1951; “Fjalor rumanisht-shqip” (në dorëshkrim); “Vështrim historik dhe kritik të leksikologjisë shqiptare”, ”Flaka” 1951; “Disa vëzhgime gjuhësore te Arbëreshet e Zarës”, “Jeta e Re”, Prishtinë (s.d.); “Murga-mërga edhe në gjuhën shqipe”, “Përparimi”, Prishtinë, 1950; “Elaborat për gjuhën shqipe letrare në Jugosllavi” (punuar për Komitetin KQ LKM) 1950. (Ky dorëshkrim u gjet në Arkivin e Maqedonisë nga historiani Qerim Lita.); “Elementet e përbashkëta fonetike dhe morfologjike ndërmjet gjuhës shqipe dhe rumune” (dorëshkrim) 1959; “Edhe dy fjalë mbi gjuhën e përbashkët shqipe në Jugosllavi”, “Flaka”(s.d.); “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe në rrugë të mbarë”, “Flaka (s.d)”; “Ortografia e gjuhës letrare shqipe” (me koautor), Prishtinë, 1964; “Disa mendime margjinale rreth ortografisë së shqipes” (referat lexuar në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972); “Kontributi i kolonive shqiptare në Rumani para dhe pas Rilindjes Kombëtare”, Seminari mbi Kulturën Shqipe për të Huaj, Prishtinë, 1978.

Kur flitet për veprimtarinë kritike historike-letrare dhe atë historiko-krahasimtare, është një punë tjetër e prof. Petro Janurës, të cilën ai e kishte nisur që në periudhën para Luftës, duke botuar në shtypin shqiptar të kolonive, kryesisht në gazetën “Shqipëria e Re” të Kozencës së Rumanisë, ku doli me pseudonimin Mefistofeles, me vonë me pseudonim Janicaj. Aty e botoi punimin “Mbi frymën mediterane në Ballkan”

Prof. Janura kontribut të madh ka dhënë edhe në Teatrin e Pakicave në Maqedoni, që sot vepron si Teatri Shqiptar. Kontributi i tij ka qenë jo vetëm si anëtar i Këshillit Udhëheqës pranë këtij teatri, por edhe me shkrime. Ai ka shkruar mbi të parën komedi origjinale në Teatrin e Pakicave, “Flaka” 1954, ndërsa ka shkruar për dramën “Parajsa e humbur”, që gjendet në arkivin e Teatrit Shqiptar, e shkruar në vitin 1955.

Gjithashtu i ka ndjekur edhe zhvillimet kulturore te shqiptarët e Maqedonisë në mas-mediumet. Një artikull i tij është “’Flaka e Vëllaznimit’ në shërbim të zhvillimit të kulturës të Shqiptarëve në Maqedoni” botuar në vitin 1954, ndërsa i ka botuar edhe këta artikuj: “10 vjet të Teatrit të Pakicave”, “Flaka, 1960; “Dramat origjinale në skenën e Teatrit të Pakicave”, “Flaka”, 1960 etj. Për këtë qëllim ka folur në shumë emisione në Radio Shkup, në vitet 1946-1954, si dhe në emisione në Radio Beograd mbi “Zhvillimin kulturor dhe letrar të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Jugosllavi”, të realizuar gjatë vitit 1958. Prej tij është edhe “Kontributi i Shqiptareve në Jugosllavi”, “Rilindja e Shqiptarëve në Jugosllavi”, mbajtur gjatë vitit, 1960.

Në bibliotekën e familjare të Profesorit, ai ka lënë edhe disa drama që janë në dorëshkrim. Sa ishte gjallë i biri, më kërkonte t’ia botojmë, por nuk ia dolëm.

Profesor Petro Janura ka shkruar edhe disa monografi, si: “Shembuj nga letërsia, popullore”, Shkup, 1957; “Naim Frashëri, vepra me parathënie”, botuar më 1962; “Për historinë e alfabetit shqip”, Shkup, 1969, si dhe veprën voluminoze “Migjeni”, Shkup, 1982. Për historinë e alfabetit përgjithësisht është ndër të parat studime monografike për diakroninë e alfabetit të shqipes.

Në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë, më 1972, Prof. Petro Janura e lexoi referatin “Disa mendime margjinale rreth ortografisë së shqipes”.

Në paraqitjen e zërave të tij bibliografikë nuk janë paraqitur të gjitha njësitë. Unë kam bërë një përzgjedhje duke veçuar sipas meje më të rëndësishmet. Aty mungojnë punimet në gjuhën maqedonase, si dhe disa punime të botuara nëpër revista të ndryshme ku numri kalon mbi 200.

Gjatë viteve 1945-1946 Prof. Janura ka botuar, me emër, pa emër e me pseudonim, mbi 40 artikuj politikë, socialë e ekonomikë, që janë botuar në gazetën “Flaka”. Ai ka mbledhur mbi 400 këngë popullore dhe tregime (përralla) të shqiptarëve të Maqedonisë, që po ashtu janë në dorëshkrim.

*        *        *

Ky pynim ka për synim që të hidhet sadopak dritë mbi jetën dhe punën e këtij intelektuali të madh, që për shqiptarët e Maqedonisë është ikonë e arsimit dhe kulturës dhe që akoma mbetet i pakalueshëm. Prandaj jemi munduar qa ta studiojmë nëpërmjet episodeve njëra pas tjetrës në të gjitha fushat ku ai punoi dhe triumfoi.

Qëllimi ynë është që të ndërgjegjësohemi dhe të kërkojmë ndjesë që nuk arritëm të bëjmë as edhe një konferencë kushtuar këtij intelekti të çuditshëm, që ishte si një anije që lundronte nga të gjithë drejtimet. Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të kënaqen vetëm duke e pagëzuar me emrin e tij një rrugë qorre në Komunën e Çairit në Shkup.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora