Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Prof. Dr. Xhevat Gega model njeriu, pedagogu e shkenctari
E hene, 06.12.2021, 08:50 PM
PROF. DR. XHEVAT GEGA MODEL NJERIU, PEDAGOGU E SHKENCTARI
Nga
Prof. Dr. Avzi Mustafa
Është një fakt i
pamohueshëm se figurat e mëdha të tabanit kombëtar asnjëherë nuk zbehen, por me
kalimin e kohës rrezatojnë edhe më tepër. Një figurë e tillë emblematike mbetet
edhe profesori, Xhevat Gega, një emër i shquar i arsimit tonë kombëtar.
Për profesorin
Xhevat Gega kisha dëgjuar shumë herët nga bashkëqytetarët e mi, që mësonin në
Normalen e Shkupit. Meqenëse edhe unë u regjistrova në këtë Normale, mezi
prisja ta takoja Profesorin. Kjo ndodhi që ditën e parë kur filloi mësimi në
Shkollën Normale, pikërisht në orën e tretë, në orën e gjuhës amtare. Që në
takimin e parë te profesori Xhevat më bëri përshtypje pamja e tij e jashtme,
trupi i tij mesatar dhe fytyra e qeshur, me sy shqiponje e shikim depërtues, me
një karizëm të veshur me shqimezë dhe shumë elegant. Pasi e regjistroi orën në
ditar, u çua dhe filloi të na prezantohet. Që në prezantim më la përshtypje
zëri e tij kumbues derisa sytë e tij të qetë e të shndritshëm na vështronin
ëmbël. Ishte kënaqësi vetëm ta dëgjosh.
Kur i shpjegonte
leksionet, të linte përshtypje të thellë për njohuritë enciklopedike që kishte
për problemet e letërsisë e të gjuhës. Me sjelljen dhe qëndrimin e tij të
lirshëm, me fjalën e ëmbël dhe plot dashamirësi, ai të linte përshtypjen e një
intelektuali largpamës, që unë nuk kisha pasur rastin të njihja ndonjë të tillë
si ai deri atëherë.
Ne, brezi që kemi pasur fatin që të
marrim njohuri e dituri nga profesor Xhevat Gega, ishim në përparësi, qoftë në
shkollë të mesme, në Akademi e në Universitet. Por, jo vetëm kaq. Ne që kemi
pasur rastin të punojmë me profesorin e kemi ndjerë nga afër përkujdesjen,
mbështetjen dhe inkurajimin e tij, ndaj edhe mirënjohja për të ishte pjesë e një
marrëdhënieje të veçantë, të krijuar në vite. Gjithë kjo do të jetë edhe pjesë
e kujtesës që do të na shoqërojë derisa të jemi gjallë. Të gjithë jemi krenarë
që kemi qenë bashkëkohës, nxënës e kolegë të Profesorit, sepse një pjesë të një
jete që e kemi ndërtuar e kemi marrë përmes shëmbëlltyrës, fjalës dhe dijes së
profesorit Xhevat.
Profesor Xhevat Gega, gjatë punës së
tij, ishte korrekt në detyrë dhe shumë i aftë profesionalisht. Kishte kulturë
të gjerë profesionale dhe të përgjithshme, por ishte edhe i dashur dhe
komunikues..
Ai kishte një shikim dhe një gjuhë të
ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë kërcënues, tepër i sjellshëm, kur i
acaruar dhe gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar çdokënd. Prof. Xhevat Gega, deri
në momentin e fundit si pedagog, qëndroi pranë studentëve.
Si njeriu, që aq shumë ka bërë për ta
ngritur kulturën tonë gjithmonë i papërtuar, i gatshëm në çdo moment për të
ndihmuar me ide, këshilla, vërejtje, sugjerime e literaturë. Xhevat Gega ishte
dhe do të mbetet model i pedagogut të urtë e të mirë, i cili rrezatonte tek
studentët dashamirësi, humanizëm, kulturë, sinqeritet, komunikim e, mbi të
gjitha, të impononte respekt me personalitetin e tij të padiskutueshëm
intelektual e shkencor.
Prof.
Xheva Gega ishte model i njeriut
të mirë, me zemër të madhe, shpirt krijues, shkencëtar dhe intelektual,
qytetar, i urtë, me vizion, xhentil, i shkathët, energjik, me edukim dhe
kulturë të gjerë perëndimore, familjar i shkëlqyer, si dhe mik dhe profesor i
përkryer. Ai ishte një shëmbëlltyrë jo vetëm për nxënësit e studentët, por edhe
për të gjithë ata që e kanë njohur, sepse ai posedonte cilësi të çmuara
shpirtërore e morale.
Prof. Xhevat Gega ishte një emër me
prestigj të lartë, një autoritet shkencor e didaktik. Jo çdokush mund ta arrijë
një profil të tillë. Ndërtimi i personaliteteve të tilla nuk është i
rastësishëm: i tillë bëhet ai që i ka bazat e mira për të ecur në fushën e vet;
i tillë bëhet ai që e investon kohën dhe jetën e vet; i tillë bëhet ai që e
lidh mësimdhënien me punën e tij hulumtuese e kërkimore. Personalitete të tilla
akademike, siç ishte profesori Xhevat Gega, vendi ynë i ka pasur të rrallë,
andaj ai mbetet pasuria jonë kombëtare.
Ai mbetet i paharrueshëm nga aspekti
human, njeriu që e njihte vetëm tolerancën, respektin për talentin, urtësinë,
bashkëpunimin, paqen, mirësinë dhe forcën e karakterit. Gjatë gjithë jetës dhe
punës e vetmja moto e tij ishte: “punë e ndershme, sinqeritet dhe miqësi”.
Prof. Xhevat Gega si
profesor
Si mësimdhënës, ai kishte aftësi dhe
cilësi të veçanta që t’i paraqiste çështjet në mënyrë të atillë që të bëheshin
interesante edhe kur nuk ishin të tilla. Me intonacion dhe me një gjuhë të
kulluar në të folur, gjithmonë në këmbë pranë ose para katedrës, duke ligjëruar,
ai ishte në gjendje që t’i mbajë studentët sy e veshë drejt tij. Në pamjen dhe
sjelljen e tij kishte diçka madhështore, që të tërhiqte e të bënte për vete.
Leksionet e tij, ndoshta të vështira, ishin të kuptueshme. Në to sundonte
analiza logjike, argumentimi, thjeshtësia dhe qartësia. Në marrëdhëniet e tij
me studentët, ai i trajtonte si të barabartë dhe nuk bënte dallime. Ai të
krijonte kushte dhe të aftësonte për të mësuar. Dhe, këtë e bënte me shumë
ngrohtësi dhe profesionalizëm. Të mësonte me zemër dhe jo me libër. Të mësonte
se si duhet të mësosh, ta tregonte sekretin e punës, çelësin e efektivitetit –
metodën shkencore – mënyrën për ta eliminuar atë që nuk ishte e rëndësishme,
rrugën më të shkurtër të studimit. Ai të udhëzonte dhe të drejtonte në rrugën e
drejtë dhe ta jepte gjithmonë atë që të
shtynte për të menduar më thellë në problemin që duhej të trajtohej.
Dhe, këtë e konsideronte jo si detyrë
thjesht pedagogjike, por si një detyrë qytetare, prindërore dhe edukative.
Prandaj, atë e respektonin të gjithë studentët e të gjithë brezave që ai u ka
dhënë mësim. Ai respektohej dhe nderohej, sepse në këtë respekt dhe nderim
përfshihej autoriteti dhe jo forca, toleranca dhe jo abuzimi, afërsia
komunikuese, dashuria, ngrohtësia, barazia e, mbi të gjitha, drejtësia. Për ne
ai ka qenë pedagog, por edhe prind.
Studentët e Gjuhës e Letërsisë Shqipe
asnjëherë nuk mund ta harrojnë punën e tij, por gjithmonë do ta vlerësojnë për
leksionet, për udhëheqjen e magjistrantëve e doktorantëve e për të gjitha
këshillat dhe mendimet racionale që i përçonte në auditor. Por, jo vetëm
studentët. Atë e vlerësojnë edhe kolegët, bashkëpunëtorët, por edhe
magjistrantët dhe doktorantët. Ai bëhej miku dhe udhëheqësi i tyre, duke i
ndihmuar për çdo problem. Ai kujtohet me respekt si një vlerë për Universitetin
e Shkupit. Dhe, vlerat i dallon vetëm ai që është i ditur, i mençur, human e,
mbi të gjitha, intelektual. Ka shumë pedagogë e profesorë, por secili nuk mund
ta posedojë thirrjen profesor, sepse për të qenë profesor i mirë duhet
të kesh diçka të veçantë. Këtu do t’ju flas për “fshehtësitë” që unë i mësova
nga profesori Xhevat. Për ta miratuar titullin profesor duhet të jesh i
motivuar, i vyer, i drejtë, komunikues, i përgjegjshëm, kreativ, pozitiv,
sistematik, profesionalist, energjik, inovativ, frymëzues, elokuent, me plot
ide, me vullnet e entuziast, si dhe i përgatitur për mësim gjatë gjithë jetës.
Duke i pasur të gjithë këto cilësi,
prof. Xhevati gëzonte respekt dhe mirënjohje si mësues, respekt dhe mirënjohje
si profesor dhe respekt e mirënjohje si udhëheqës shkencor, por edhe respekt
dhe mirënjohje si model pedagogu! Ai ishte një
profesor me cilësi e inteligjencë prej mësuesi të vërtetë, njohës i
profesionit, i përkushtuar në punë me ndërgjegje e dashuri për studentët, i durueshëm,
me qëndrim të drejtë dhe të sinqertë.
Prof. dr. Xhevat Gega si shkencëtar, autorë tekstesh
shkollore dhe si përkthyes
Në
pasqyrën e bibliografisë të prof. dr. Xhevat Gegës përfshihen mbi 200 punime
profesionale dhe shkencore. Ai ka marrë pjesë në mbi 50 simpoziume shkencore në
vend dhe jashtë, ndërsa ka përkthyer mbi 20 libra nga maqedonishtja dhe
serbokroatishtja në shqipe, si dhe nga shqipja në maqedonishte (B. Koneski, S.
Janevski, T. Arsovski, M. Krlezha, G. Todorovski, J. Plevnesh, R. Shabani,
etj.)
Listën
e punimeve të tij mund ta grupojmë në tri fusha të ndara, duke i veçuar më
karakteristiket:
Punime
nga letërsia e vjetër dhe e re shqiptare;
Punime
për pikat përbashkëta ndërmjet letërsisë shqiptare dhe asaj maqedonase;
Punime
nga fusha e letërsisë shqiptare në Maqedoni.
Dr.
Xhevat Gega, në veprimtarinë e tij shumëvjeçare pedagogjike e shkencore, ka
treguar interes të theksuar dhe afinitete të veçanta në paraqitjen, kërkimin
dhe shpalljen e rezultateve nga proceset zhvillimore të letërsisë shqiptare me
tërësinë e saj, nëpërmjet përfaqësuesve të saj më të spikatur. Vëmendje të
veçantë meritojnë punimet mbi Jeronim De Radën, Fan Nolin, Naim Frashërin,
Luigj Gurakuqin, S. Spasen, etj.
Vend
qendror në këto punime zë studimi shkencor “Mbi poezinë origjinale të Fan Nolit
dhe gjenezën e saj politike”, të botuar në “Jehona”, që është përfshirë edhe në
vëllimin mbi kritikën e Nolit, të botuar
edhe në vëllimin e veprave të Rexhep Qoses.
Ai
ka shkruar edhe mbi opusin letrar të Adem Gajtanit, mbi letërsinë shqiptare
krijuar në Maqedoni në vitet 1945-1975, e ka vështruar në mënyrë kritike
veprimtarinë e Murat Isakut, Abdulazis Islamit etj.
Prof.
Dr. Xhevat Gega, brenda aktiviteteve të tij pedagogjike e profesionale
shkencore, zhvilloi edhe një veprimtari rëndësishme lidhur me tekstet mësimore
për nevojat e nxënësve, duke bashkëpunuar me NB “Prosvetno dello”, ka botuar
një numër të teksteve shkollore, duke filluar që nga Abetarja e deri tek
tekstet shkollore të letërsisë. Po ashtu edhe për Entin për Botimin e Teksteve
Mësimore nga Prishtina ai ka përkthyer 15 tekste mësimore për arsimin fillor e
të mesëm.
Më
të rëndësishmet ndër tekstet e tij është Abetarja, që e shënoi botimin e parë
në vitin 1970. Pas kësaj do të pasojnë ribotime gjatë viteve edhe adaptime
sipas plan-programeve mësimore të arsimit fillor tetëvjeçar e nëntëvjeçar deri
në ditët tona, fletore të pune, si dhe tekste për mësimin e gjuhës.
Prof.
Xhevat Gega, si të gjithë autorët e abetareve shqipe në gjitha trevat
shqipfolëse, e përdori metodën analitike-sintetike. Mësimi, sipas kësaj metode,
zhvillohej në dy etapa: në etapën përgatitore dhe në atë të mësimit të
shkronjave. Në të gjitha abetaret e trevave shqipfolëse mësimi i shkrimit do të
zhvillohej paralelisht, ndërsa në abetaren e prof. Xhevat Geges mësimi i
shkronjave do të mësohej veçmas: së pari germat e mëdha dhe të vogla të shtypit
e pas këtyre shkronjat e dorës. Po ashtu profesori Xhevat do t’i bëjë në mënyrë
të pavarur mënyrat e veçnantimit të tingujve, ashtu që do t’ua mundësojë fillestareve
që sa më lehtë ta bëjnë sintezën e tingujve jo vetëm për nga njohja e tyre, por
para së gjithash në perceptimin pamor e deri në të menduarit logjik të nxënësit
.
“Letërsia
me teorinë e letërsisë për klasën e parë të shkollave të mesme”, “Gramatika për
klasën IV dhe V”, “Letërsia me shembuj për klasën e parë të arsimit të mesëm”
ishin tekstet e prof. Xhevat Gegës,që ishin të kapshme e të adaptuara sipas
fuqive psikike-fizike të nxënësve.
Ai
ka qenë bashkëpunëtor edhe në përgatitjen e planeve e programeve mësimore për
gjuhën dhe letërsinë shqiptare, si dhe bashkëpunëtor dhe pjesëmarrës në
seminare për ngritjen permanente të arsimtarëve për shkollat e mesme me tema të
ndryshme nga fusha e letërsisë dhe metodikës së mësimdhënies së gjuhës dhe
letërsisë shqiptare, të organizuar nga ana e Entit Pedagogjik Republikan të
Maqedonisë.
Është
autor i një veprimtarie madhore përkthyese. Ka me dhjetëra tituj të përkthyer
nga maqedonishtja dhe letërsitë jugosllave. Ai ka dhënë një kontribut të
rëndësishëm në zgjedhjen dhe përkthimin e materialeve për “Mbrëmjet Strugane të
Poezisë”, “Takimet e Racinit”, “Grigor Përliçevit” në Institutin e Letërsisë të
Fakultetit Filologjik në Shkup (si udhëheqës i projektit), etj., ndërsa për
gjithë punën e tij përkthimore nga Shoqata e Përkthyesve është dekoruar me
mirënjohjen “Penda e artë”.
Prof.
Xhevat Gega ka qenë anëtar i Komisionit të Ortografisë, të vitit 1963, i
themeluar për të dhënë kontributin në vendosjen e rregullave dhe shmangies së
lëkundjeve në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, ku ai ka dëshmuar kontribut
profesional për përgatitjen dhe punën e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës,
mbajtur në vitin 1968, në të cilën ai ka marrë pjesë duke e mbështetur
qëndrimin: “Një komb – një gjuhë letrare!”, një gjë që do të realizohet në
vitin 1972, kur do të marrë pjesë edhe në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë
si intelektual nga radhët e shqiptarëve të Maqedonisë dhe si një ndër përçuesit
dhe zbatuesit e gjuhës letrare shqipe, si në të folur ashtu, ashtu edhe në të
shkruar. Në të vërtetë, i tillë mbeti deri në frymën e fundit.
Prof. Xhevat Gega, si njohës i profesionit, i përkushtuar
në punë me ndërgjegje e dashuri për studentët, i durueshëm, me qëndrim të
drejtë dhe të sinqertë, do të mbetet personalitet i
veçantë akademik në fushën e letërsisë, personazh i dashur dhe i respektuar për
të gjithë studentët që kanë pasur fatin ta kishin pedagog. Ai është
përfaqësuesi më i shquar dhe më i denjë i shkollës shqiptare, ku ka punuar e
krijuar me tri gjenerata, duke mbetur miku, mbështetësi dhe modeli i tyre, si
dhe modeli i intelektualit e njeriut me vlera të çmuara.
I dashuri profesor Xhevat, edhe pse
fizikisht nuk gjendesh midis nesh, prehu në paqe e qetësi. Unë dua të ta them
një gjë me plot bindje “Derisa të ketë gjuhë shqipe e shkollë e kulturë
shqiptare, emri juaj do të shkruhet me Shkronja të Mëdha”.
Shkup,
01.09. 2011