Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Të dhëna të reja mbi varrimin e Josif Bagerit dhe amaneti i tij
E shtune, 16.08.2025, 07:00 PM
TË DHËNA TË REJA MBI VARRIMIN E JOSIF BAGERIT DHE AMANETI I TIJ
Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa, Shkup
Josif Bageri në
historiografinë shqiptare është i njohur si një ndër patriotët më shquar, si
publicist, poet dhe si njeri që kishte lidhje miqësore me shumë patriotë, gazetarë
e intelektualë të kohës. Edhe pse vinte nga një shtresë e varfër e vegjëlisë
dhe ishte autodidakt, ai mbeti shumë i respektuar nga qarqet përparimtare të
kohës.
Si në shkrimet tij
publicistike, ashtu edhe në poezitë e tij, hasim një frymë të fuqishme patriotike
të ngjizur fort me tabanin kombëtar shqiptar. Kryengritje e shumta që nga viti
1909 e deri më 1912 në Malësinë e Shqipërisë Veriore, si te shumë patriotë, e
kishin ngulitur bindjen se fitorja do të arrihet me anë të një kryengritjeje të
përgjithshme, por të armatosur, që do çonte drejt pavarësisë kombëtare.
Shpallja e pavarësisë
së Shqipërisë, edhe pse mund të merret si një ndër ngjarjet më të mëdha
historike, megjithatë problemi i saj ishte moscaktimi i kufijve politikë të
shtetit shqiptar, edhe pse synimet e shumë patriotëve shqiptarë ishin që të
gjitha tokat shqiptare të përfshiheshin brenda kufijve etnikë të shtetit.
Qarqet shoviniste, duke i shfrytëzuar “dallimet fetare”, si dhe përkrahjen e
Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve e Londrës, vendosën në
kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve, ashtu që më shumë se gjysma e trojeve
etnike shqiptare mbetën jashtë shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë shtetit
shqiptar ia këputën krahët, duke ia falë tokat shqiptare Malit të Zi, Serbisë e
Greqisë.
Josifi, si shumë
patriotë të tjerë, nuk u pajtua me këtë. Për këtë arsye ai shkoi në Kosovë për
t’u takuar me patriotët kosovarë, sidomos me Bjaram Currin, Hasan Prishtinën,
por edhe me të tjerë. Në atë kohë Josifi jetonte me familjen e tij në Sofje të
Bullgarisë. Udhëtimin e nisi me të ashtuquajturin ”udhëtimi me tren bullgar”,
në të cilin një biletë e blerë vlente deri në stacionin e fundit ku ai mund të
huazohej nga çdo udhëtar që zbriste në ndonjë stacion më të afërt. Gjatë kësaj
rruge ai qëndroi disa ditë në Paraçin, ku një kohë Josifi kishte punuar, gjoja
sikur edhe tash kishte vajtur për të kërkuar punë,
Më pas Josif Bageri e
ndërmerr udhëtimin heroik, duke udhëtuar në këmbë deri në Prishtinë, që atje të
takohet me patriotët kosovarë. Meqenëse financiarisht ishte i dobët, me të
arritur në Prishtinë, u vendos në një bujtinë afër pazarit të Prishtinës, i
cili ishte vendi kryesor për takime jo vetëm publike, por edhe të fshehta.
Afërsia e dyqaneve aty i bënte njerëzit të afroheshin më shumë me njëri-tjetrin.
Pazari kishte edhe disa kafene të vogla, që shërbenin kafe e çaj dhe, herë pas
here, edhe raki, ndërsa aty ishin edhe disa kuzhina popullore. Afër pazarit
ishte edhe kisha dhe spitali. Josifi, meqenëse nuk kishte mjete financiare,
ushqehej në kuzhinat e lira ose rrinte pa bukë.
Kur Serbia e forcoi
pushtetin në të ashtuquajturën “Maqedonia e Vardarit”, ku bënte pjesë edhe Reka
e Epërme, ajo filloi që nga njerëz të ndryshëm të marrë informacione se kush
mund të jenë njerëzit e rrezikshëm për Serbinë. Mësuesi i ardhur serb të parët
që i denoncoi si “të rrezikshëm” ishin familja e Josif Bagerit, sidomos Josifin
dhe vëllain e tij, që ishte prift. Pushteti i atëhershëm, për t’i likuiduar
patriotët shqiptarë nëpërmjet policisë sekrete, e përdorte “metodën e helmimit”.
Edhe pse tani Bullgaria e administronte një pjesë të Kosovës, ku bënte pjesë
edhe Prishtina, një pjesë e madhe e agjentëve serbë vepronin kudo, si ndaj
shqiptarëve, ashtu edhe ndaj bullgarëve, duke e përdorur metodën e helmimit.
Gjatë qëndrimit të
tij në Prishtinë, Josif Bageri banonte në një han, ku ndonjëherë porosiste
ndonjë gjellë. Këtë moment e shfrytëzuan serbët, që nëpërmjet një të paguari
t’ia hedhin helmin në gjellë, ashtu që ai pas disa orëve, në gjendje të
alivanosjes, dërgohet në spitalin që ishte afër pazarit. Megjithatë, pas disa
orëve vdes. Josif Bageri nuk posedonte dokumente identifikimi, përveç një leje
qarkullimi. Pasi askush nuk u interesua për të, atë e vendosën në një cep të
morgut të spitalit.
Për vdekjen e Josifit
do të merret vesh nga një patriot i cili e njohu atë dhe i cili në një zarf do
ta lërë këtë shënim: “Letrat e Josif Bagerit prej katundit Nistrovë – Reka e Dibrës së Madhe – ka dek në Prishtinë, Kosovë. Ish një patriot i flaktë e ka
dekë në mizërie, t’ue lanë grue e tre fëmijë”. Ky zarf është gjetur në prill të
1916, ndërsa Josif Bageri kishte ndërruar jetë më 1915.
Gazeta “RODINA”, që
botohej në Shkup, në nr. 52 të 15 majit 1916 do ta botojë një shkrim me titull
“Pogrebenieto na Josif Bageri” (letër nga Prishtina), duke e përshkruar
varrimin që do të bëhej pas një viti. Sipas këtij artikulli, varrimin e Josif
Bagerit do ta inicojë një mik bullgar i Josifit, që e kryente detyrën e
inspektorit të Arsimit për Rrethin e Prishtinës, e i cili e kishte njohur
Josifin që në Sofje.
Bullgarët, për të
hapur shkolla në gjuhën bullgare dhe për të përfshirë sa më shumë nxënës në to,
u orvatën që në këto vise të dërgojnë njerëz që e dinin edhe gjuhën e vendet,
ashtu siç e kishin angazhuar edhe Anastas Albaskin në Kumanovë. Josifi nuk
ishte ngarkuar me ndonjë detyrë nga bullgarët, por ardhja e tij në Kosovë
kishte karakter tjetër – për ta parë gjendjen e shqiptarëve, si dhe për të
marrë detyra nga Komiteti ose Shoqëria “Shkipnia”, në gjirin e së cilës ishin
tubuar prijës të shquar të Lëvizjes Kombëtare nga të gjitha viset shqiptare dhe
që pastaj, nëpërmjet shtypit, t’i njoftojë shqiptarët kudo që ishin.
Në bazë të këtij
artikulli e mësojmë edhe se, si duket, bullgarët e kishin emëruar Josif Bagerin
anëtar të Komisionit të Përhershëm Administrativ të Rrethit të Prishtinës, ku
do të punonte, ashtu siç do të shprehet inspektori pranë varrit të tij, “me
zemër dhe shpirt në përforcimin e miqësisë ndërmjet shqiptarëve dhe
bullgarëve”. Andaj, “me vdekjen e tij ne humbëm një fuqi të pazëvendësueshme”
Meqenëse emri Josifit
figuronte në aktet administrative si një nga anëtarët e Komisionit, ai filloi
të kërkohet nga pushteti. Pas gjurmimeve, ata e kuptojnë se ai ka ndërruar jetë
para një viti. Atëherë si anëtar i këtij komisioni u vendos të bëhet varrimi
sipas protokolleve të varrimeve të njerëzve të pushtetit. Andaj udhëheqësi i
Rrethit solli vendim se kush do të marrë pjesë, në sa ora do të varroseret dhe
ku do të varroset.
Kështu varrimi i
Josif Bageri u bë më 2 maj 1916 (sipas kalendarit të vjetër) në orën 4 të
pasdites. “Në orën 4 pasdite, prefekti i Rrethit, së bashku me të gjithë
nëpunësit e administratës së Rrethit, dolën nga ndërtesa e Prefekturës dhe u
drejtuan për në Spitalin “Kosova”, ku ndodheshin eshtrat e Josif Bagerit”.
Në emër të komunës,
morën pjesë kryetari i bashkisë, N. Aleksiev, dhe këshilltarë të tjerë
bashkiakë, si dhe shumë qytetarë të nderuar, në mesin e të cilëve ishin mjeku
shqiptar Zejnel Abidin Sadiku (viq), si dhe Shukri Xhemali. Kortezhi mortor,
bashkë me klerin, nën drejtimin e arkimandritit Trifon Stojanov, u nis me
solemnitet nga spitali dhe u drejtua për në kishën “Shën Nikolla”.
Pranë varrit të tij
mbajti fjalim inspektori i Arsimit të Rrethit, z. L. Dimitrov, i cili foli për
cilësitë personale të të ndjerit, për veprimtarinë e tij dhe lexoi disa nga
fjalët dhe dëshirat që ai i kishte lënë para se të vdiste. Pas tij, një fjalim
u mbajt nga mjeku shqiptar Zejnel Abidin Sadiku (oviq).
Më poshtë do japim
edhe disa thekse nga fjalimi i z. L. Dimitrov:
Qytetarë të pikëlluar,
I ndjeri Josif Bageri
ka lindur në fshatin Nistrovë, Reka e Epërme (Dibra), në vitin 1868. Si fëmijë
i ri u shpërngul në Stamboll, por atje nuk mund të pajtohej me politikën e asaj
kohe. Menjëherë pas pavarësisë së Bullgarisë ai do të shpërngulet në Sofje. Aty
jetoi me nder dhe u martua me një shqiptare, me të cilën kishte disa fëmijë.
Për nga origjina ishte shqiptar, por nga edukimi ishte bullgar. Meqenëse kishte
lindur në Maqedoni, në mënyrë të barabartë e adhuronte edhe popullin bullgar.
Bageri lindi nga një
popull i shtypur dhe i robëruar, i cili vuante nga pushtimi turk, por i bindur
në lirinë se një ditë Maqedonia dhe Shqipëria do të çliroheshin. Prandaj ai
merrte pjesë në lëvizjet revolucionare në Maqedoni dhe në Shqipëri.
Këtu do të përmendë
edhe djalin e madh të Josif Bagerit, i cili në moshën 16-vjeçare i la kockat në
malet e Maqedonisë si çetnik (Kristo Bageri u vra më 1 maj 1906 dhe luftoi me
çetën shqiptare në Manastir – shënimi ynë), kurse
djali tjetër tani e kryen shërbimin ushtarak.
-----
Si një autodidakt pa
një shkollim sistematik, ai posedonte një kulturë të rrallë intelektuale dhe
kishte mirësi. Ai kishte prirje të madhe në gazetari, por edhe si poet.
Shkruante artikuj për patriotët, hartonte tekste shkollore në gjuhën shqipe e
jepte ide për përparimin dhe ato i botonte në gazetën “Shqypeja e Shqypnisë”
Ai vepronte si mësues
dhe përhapte dituri mes shqiptarëve
---------
Josif Bageri ishte i
afërt me popullin, punonte me përulësi dhe ishte shembull i qytetarisë dhe
moralit.
Me vdekjen e tij, u
theksua edhe më shumë rëndësia e punës së tij për vëllazërim dhe bashkëpunim
mes bullgarëve dhe shqiptarëve.
Humbja e tij është e
madhe, por kujtimi për të do të mbetet i gjallë.
Ai ishte një burrë i
madh, një i krishterë i devotshëm dhe një qytetar i ndershëm.
Shembulli i jetës së
tij është frymëzues për të rinjtë që ta ndjekin rrugën e tij dhe të jenë të
ndershëm, të drejtë dhe të përkushtuar për kombin e tyre.”
Në praninë e një
numri të madh njerëzish, para një kryqi të madh, gjithë kjo u përjetua me
emocione të thella dhe me lot në sy nga ata që e kuptuan madhështinë e këtij
njeriu.
Me vdekjen e tij u
zgjua ndërgjegjja e të rinjve, u mbollën shpresa të reja dhe u ringjallën ide.
Njeriu i ndershëm nuk vdes kurrë – ai jeton në zemrat e popullit.
Ai ishte njeri që e
përmbushi misionin e tij – të jetonte mirë dhe të vepronte për bashkimin e
shqiptarëve....
Kujtimi për të do të
ruhet ndër breza – ai mbetet shembull
për të gjithë.
Në vazhdim, z.
Dimitrov, në fjalën mortore do të japë edhe disa mendime dhe amanete të
Josifit. Mes tjerash, ai do të thotë: “Tani, kur toka e zezë do ta marrë dhe do
ta mbulojë përgjithmonë nga sytë tanë, do t’jua përcjell disa porosi të tij
para se para se të vdiste, që m’i ka thënë në praninë e Kmetit (Kryeplakut) në
ditën e Shëngjergjit:
‘Njeriu në këtë botë
lind për të vdekur me lavdi. Ajo është lumturia më e madhe, atë di vetëm ai
njeri i cili i ka kryer atë që e ka premtuar.’
‘Jetoni mirë (në
paqe) me shqiptarët. Ashtu do të jeni të lumtur.’
‘Me mësim do t’i fitoni
qëllimet dhe idealet’.”
Po ashtu ai e lë
amanet që kockat e tij të kthehen në Nistrovë të Rekës së Epërme: “Bëni çka të
bëni, fitimin mund ta ktheni në lumturi, kurse trupin ta ktheni në Nistrovë”.
Fjalët e fundit të
nekrologjisë që i tha z. Dimitrov ishin:
“ I Vlefshmi Bager ti
nuk na le për përgjithmonë! Ne kurrë nuk do të të harrojmë! Shko i qetë në
banesën e përjetshme, sepse me thjeshtësi e ke përmbushur detyrën qytetare dhe
fetare. Lavdi e përjetshme për ty! Ne do të të kujtojmë përjetë!”
Amaneti i Josif
Bagerit, nga ajo që është lexuar me rastin varrimit, është që eshtrat e tij të
kthehen në Nistrovë. Kjo kërkesë mbetet edhe sot e kësaj dite një thirrje e
heshtur, që është një kërkesë shpirtërore që meriton nderim jo vetëm për ta
përmbushur dëshirën e tij, por mendoj se kthimi i eshtrave të tij në vendlindje
do të jetë edhe një dëshmi se kombi nuk i harron bijtë e tij më të çmuar.
Në vazhdim janë
fotokopjet e gazetës:
1.
2.
3.