E hene, 09.03.2026, 10:42 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen

E hene, 09.03.2026, 06:59 PM


KLASA POLITIKE NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVË PO TRADHTON SHPRESËN DHE BESIMIN E SHQIPTARËVE PËR TË ARDHMEN

Nga Frank Shkreli

Deshta të them “Elita Politike Shqiptare”, por jo, se lexuesit e nderuar që kanë ndjekur shkrimet e mia modeste gjatë viteve e dinë se unë nuk kam menduar as besuar ndonjëherë, gjatë këtyre dekadave të fundit, por as pothuaj në gjysëm shekull komunizëm sllavo-aziatik -- që bota shqiptare të ketë pasur një “elitë politike të mirëfilltë”. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, (2005) në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtare Shqiptaro-Amerikanë, (NAAC) në Washington -- Pavarësia, zgjidhja e vetme për çështjen e Kosovës -- jam shprehur se shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë qënë kurrë më të lirë se në fillim të këtij shekulli. Kam shprehur gjithashtu shpresën dhe dëshirën time, atëherë, se kishte ardhur koha për shqipot tona ta shfrytëzonin këtë moment historik, ashtuqë shqiptarët të bëhen sa më shpejt pjesë e Evropës demokratike dhe si dy shtete shqiptare, anëtarë të organizmave evro-atlantike.  Që Shqipëria të bëhej sa më parë anëtare e NATO-s, që Kosova të bëhej sa më shpejt shtet i pavarur, fillimisht, dhe më pas anëtare e NATO-s dhe, më në fund, dy shtetet shqiptare të bëheshin anëtare të Bashkimit Evropian. Një pjesë e madhe e realizimit të këtyre mundësive historike për kombin është në dorën e shqiptarëve për t’u arritur, jam shprehur me atë rast. “Unë besoj se shqiptarët e Ballkanit i pret një e ardhme shumë e ndritur”, ishte bindja dhe shpresa ime atëherë. “Kurrë më parë, Kombi shqiptar nuk ka patur më shumë liri, më shumë demokraci dhe e ardhmja e tij është shumë shpresë-dhënëse”. Unë nuk isha i vetmi që mendoja kështu në fillim të çerekut të parë të shekullit XXI. Besimi dhe shpresat, në shumë qarqe kombëtare dhe ndërkombëtare, ishin në atë kohë, se shekulli XXI do të jetë, “Shekulli i Shqiptarëve”. Sot, një deklaratë e tillë do të dukej si një tallje.  Natyrisht, se edhe pikëpamjet e mia kanë ndryshuar gjatë 15-20-viteve të kaluara, në mënyrë drastike, dhe për më keq, në lidhje me tranzicionin e grabitur dhe për rolin e klasës politike në Shqipëri dhe Kosovë, që po dëbon shqiptarët nga trojet shqiptare.  Por, qe ku jemi sot!

Ja një përmbledhje të disa mendimeve të mia (me ndihmën e ai) të shprehura në shkrimet e shumta gjatë viteve si --  dhe në disa nga intervistat-- Frank Shkreli: Politika në Shqipëri dhe sfidat e shumta me të cilat ajo përballet | Gazeta Telegraf -- gjatë viteve mbi këtë subjekt, si një thirrje e kotë që binte në veshë të shurdhër – se nëqoftse vazhdohet kështu klasa politike shqiptare, në të dy anët e kufirit, në vend që t’i mbronte, po tradhton shpresën dhe besimin e një populli për një të ardhme më të mirë. Por, fatkeqsisht, qe ku jemi sot!

Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri d he pothuaj dy dekada nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Dy momente historike që duhej të shënonin lindjen e një epoke të re për Kombin shqiptar: me demokraci të vërtetë, institucione të forta, liri e drejtësi dhe shtete të ssë drejtës që i shërbejnë qytetarve shqiptarë dhe jo klasës politike në pushtet dhe interesave të tyre personale e partiake. Andaj një pyetje e rëndë vazhdon të rëndojë mbi ndërgjegjen kombëtare shqiptare: si është e mundur që shpresa e një populli për demokraci, liri, drejtësi dhe mirëqenie të përfundojë në një krizë kaq të thellë besimi ndaj klasës politike shqiptare si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë?

Sot, përballë realitetit të mjerueshëm politik në Shqipëri dhe në Kosovë, është e vështirë të mos pranohet një e vërtetë e hidhur se shpresa e madhe e shumicës së shqiptarëve dhe miqve të tyre ndërkombëtarë, në fillim të këtij në Ko, është tradhtuar nga kjo klasë politike e recikluar që sot shihet qartë se ka dështuar në misionin e saj historik. Në vend që të ndërtonte shtetin, një pjesë e madhe e kësaj klase politike ndërtoi rrjete pushteti. Në vend që të forconte institucionet e shtetit, politika shqiptare e këtyre dekadave, ajo i nënshtronte ato. Dhe në vend që të udhëhiqte shoqërinë drejt zhvillimit dhe dinjitetit kombëtar, e përdori shtetin si instrument për karrierë, klientelizëm, pasurim të vetin, dhe poste për familjarët dhe miqët e tyre.

Në Shqipëri, tranzicioni u kthye në një histori të pafund krizash politike, polarizimi ekstrem dhe korrupsioni sistemik, pasojë e regjimit diktatorial gjysëm shekullor, sllavo-komunist, gjurmët e të cilit shihen ende sot kudo me një prani në nivelet më të larta politike dhe administrative të shtetit shqiptar. Politikanët e ricikluar, që në fushata zgjedhjesh, të blear e të shitura, premtojnë liri, demokraci dhe drejtësi, kanë prodhuar sistemin politik aktual, ku pushteti qarkullon brenda të njëjtave rrethe politike dhe ekonomike. Emrat mund të ndryshojnë nga koha në kohë, partitë mund të ndërrojnë vendet në pushtet, por modeli korruptiv dhe autoritar mbetet pothuajse i njëjtë, për faqe të zezë të Shqipërisë dhe të Kombit – një model i cili po përfundon me zbrasjen serioze të trojeve shqiptare, një fenomen, që nga përmasat, është i paparë në historinë e shqiptarëve.

Ndërkohë, në Kosovë shteti që lindi nga një sakrificë historike dhe me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë kishte një mundësi të rrallë që të ndërtonte institucione të reja, të lira e demokratike, të pastra nga trashëgimia e korrupsionit dhe autoritarizmit të diktaturës sllavo-komuniste. Por, mjerisht edhe aty, shumë shpejt, politika u përfshi nga sëmundjet e njohura të rajonit: nepotizëm, luftë për pushtet, kapje të institucioneve dhe korrrupcion. Në Kosovë, megjithëse dihet se realiteti politik është deri diku ndryshe nga ai Shqipërisë dhe sfidat shtetformuese janë ende të pranishme, kriza e besimit ndaj elitës politike mbetet po aq e dukshme, sin ë shtetin amë. Përplasjet e brendshme politike, zgjedhjet e shpeshta, ndonëse të lira, nuk përfundojnë në qeveri të forta, ndërkohë që tensionet institucionale -- si ato të ditëve të fundit -- dhe akuzat për korrupsion po dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucionet që duhej të simbolizonin sakrificën dhe idealin e lirisë për një komb që ka vuajtur aq shumë e gjatë nën thundrën terroriste serbe.

Por klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë duhet të kuptojë se legjitimiteti nuk fitohet vetëm në zgjedhje, qofshin ato edhe të lira, por ai duhet të ruhet dhe të kultivohet përmes integritetit moral e kombëtar, transparencës dhe përgjegjësisë së politikës ndaj qytetarëve.  Shpresohej se një brez tjetër politikanësh do bënte më mirë se i pari. Ironia më e madhe është se edhe ata pak politikanë të brezit të rinj politikë, të cilët premtuan dhe duhej të përfaqësonin një ndryshim moral, politik dhe kulturor, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, shpesh përfunduan duke kopjuar të njëjtin model të para-ardhësve të tyre, megjithse pretendonin se do ta rrëzonin atë model sistemi qeverisës, por më kot. Pasojat e këtij dështimi në vazhdimëse, janë të rënda dhe të dukshme sot në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Siç thashë më lartë, një ndër këto pasoja serioze, qindra mijëra shqiptarë kanë zgjedhur emigrimin si votën më të qartë të mosbesimit dhe humbjes së shpresës së tyre ndaj politikës aktuale të dështuar në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Të rinjtë, që duhej të ishin energjia e zhvllimit, dhe intelektualët ndër më të mirët e Kombit, po largohen në masë nga Shqipëria dhe Kosova, njëkohësisht. Ndërkohë që institucionet qeveritare e shtetërore, perceptohen, me të drejtë, nga qytetarët, jo si garanci drejtësie, por si instrumente të interesave të politikës së ditës. Me këto fjalë, unë nuk po them asgjë të re, sepse, modestsisht, i kam thënë shpesh në të kaluarën, as nuk janë të reja për shqiptarët në Shqipëri e Kosovë, pasi janë ata që i vuajnë këto të vërteta të hidhura, nga dita në ditë, pa asnjë shpresë përmirësimi. Por, fatkqesisht, duhet të kujtojmë me dhimbje në zemër, se duke qenë dëshmitarë i zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri dhe në Kosovë, konstatojmë edhe sot, ashtu si 15-20 vjet më parë, se kjo ishte dhe mbetet tragjedia e tranzicionit shqiptar. Brezi aktual politik “post-komunist” ndër shqiptarët, që duhej të ndërtonte shtetin, të vendoste lirinë, drejtësinë dhe demokracinë e mohuar shqiptarëve për një kohë shumë të gjatë, po e përjetëson atë sistem politik të korruptuar e autoritar, ndërkohë që shpesh është kthyer në pengesën kryesore për themelimin e një shtetit modern demokratik, me një sistem politik të lirë, të drejtë e demokratik, për të mirën e të gjithë shqiptarëve, pa dallim.

Natyrisht se përgjegjësia për këtë gjëndje të krijuar, nuk është vetëm politike individuale por ajo përfshin pothuaj të gjitha veprimtaritë e jetës shoqërore, mbarë shoqërinë, pra. Problemi është bërë, tanimë, strukturor që prek pothuaj të gjitha nivelet e jetës së shqiptarëve. Është krijuar një sistem i ndërtuar mbi klientelizmin politik i cili me kontrollin partiak të institucioneve prodhon vazhdimisht të njëjtin rezultat: një elitë politike që manipulon dhe i mbijeton sistemit, ndërsa shoqëria mbetet në krizë të vazhdueshme besimi, përball emigrimit, largimit masiv nga trojet stërgjyshore – si alternativë e vetme e njerëve, ndonëse kundër vullnetit personal, familjar e kombëtar, jo e dëshiruar prej shumëve.

Megjithatë historia na mëson një gjë: asnjë sistem i padrejtë nuk është i përjetshëm.  Por, ndryshimi nuk do të vijë vetëm nga rotacioni i pushtetit, sepse tranzicioni shqiptar ka treguar se ndërrimi i partive shpesh nuk ndryshon pothuaj asgjë e sidomos jo kulturën e pushtetit. Pas 35-vjet, “post-komunizëm” në Shqipëri dhe pothuaj dy dekada pavarësi të Kosovës, ndryshimi i vërtetë dhe urgjent kërkon gjithashtu një transformim më të thellë. Kërkon institucione të pavarura, drejtësi që nuk i shërben politikës dhe një elitë të re që e sheh politikën si shërbim publik dhe jo si pronë personale.

Paradoksi është jo vetëm i dhimbshëm, por edhe pabesueshëm: dy shtete shqiptare që kanë kaluar përmes historive dramatike të vuajtjeve e të sakrificës kombëtare, sot përballen me një zhgënjim të thellë qytetar ndaj politikës. Në vend që të ndërtonin një kulturë të re politike, shumë aktorë të tranzicionit kanë riprodhuar modele të vjetra të pushtetit – centralizim të vendimmarrjes, klientelizëm dhe politizim të institucioneve dhe shkelje të lirive bazë të njeriut, siç është liria e shtypit.  Demokracia nuk mund të mbijetojë vetëm me retorikë patriotike apo me fjalime elektorale. Ajo kërkon institucione të forta, drejtësi të pavarur dhe një elitë politike që e kupton se pushteti është përgjegjësi, jo privilegj.

Sepse në fund të fundit, pyetja nuk është vetëm kush qeveris sot. Pyetja është shumë më e rëndë: a do të vazhdojë Kombi shqiptar të mbetet peng i një klase politike që, sot për sot, ka humbur besimin e qytetarëve të vet?  Patjetër që historia do të japë përgjigjen në kohën e duhur. Por një gjë është e sigurt. Një shoqëri që humb besimin te politika – për mirë ose për keq, heret ose vonë -- kërkon ta rindërtojë atë nga e para, por me pasoja të pa-parashikueshme për Kombin, sidomos në një botë të pasigurt, si kjo bota në të cilën jetpojmë sot.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes Frank Shkreli: Hafiz Sabri Koçi – një jetë kujtese që sfidoi diktaturën Frank Shkreli: Athanas Gegaj – figurë e shquar e çështjes kombëtare Frank Shkreli: Për një normalitet në marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë: Jo fjalë boshe! Frank Shkreli: 17 Shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës Frank Shkreli: Shkurti 1967 – krimi që ende nuk quhet krim Frank Shkreli: “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara Frank Shkreli: Pse vazhdimësia në Presidencën e Kosovës ka rëndësi tani Frank Shkreli: Ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj Frank Shkreli: Dita Ndërkombëtare e Holokaustit dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës Frank Shkreli: Ibrahim Rugova - Burrështetasi që e sfidoi dhunën me qytetërim Frank Shkreli: Dr. Athanas Gegaj – Gjergj Kastrioti Skënderbe Frank Shkreli: Abaz Kupi - I harruar dhe i keqtrajtuar nga historia zyrtare Frank Shkreli: Ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, i urtë por edhe guximtar Frank Shkreli: Nuk mund të anashkalohet roli i Ernest Koliqit në formimin e Martin Camajt Frank Shkreli: Fjala me rastin e vlerësimit nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Frank Shkreli: Një reflektim personal në 10-vjetorin e kalimit në amshim të Sh. T. Imzot Rrok Mirditës Frank Shkreli: Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë historik i Dardanisë Frank Shkreli: Albanian BookFest - një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx