E enjte, 25.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Manual për Turista

E enjte, 24.08.2023, 07:56 PM


Manual për Turista

Nga Edison Ypi

Faleminderit Zoti Turist që u kujtove të vizitosh vendin tonë ku çfarë thuhet është rrenë, çfarë shkruhet është pleh, çfarë mendohet është herezi, çfarë ndodh është iluzion, çfarë shihet është magji, çfarë dëgjohet është marramendje, çfarë ndjehet është vdekjeprurëse, çfarë vlen vidhet, çfarë lëviz shkërdhehet.

Eja në Shqipëri të konstatosh dhe ulurish rrënqethjen që u shkakton secilës nga miliarda qelizat e trurit dhe trupit mpleksja e laryshisë së mjedisit me rrezet kozmike, fushat magnetike, elektromagnetike, gravitacionale, të tokës, ndikimi planeteve, Hënës, Diellit, yjeve, gjeologjia, klima, erërat, ujrat, flora, fauna, këto dhe të tjera që e bëjnë Shqipërinë "Vend i Mirë", Kishë, Xhami, Teqe', Tempull, Mekë, Jerusalem. Vend ku po të jesh i sëmurë shërohesh. Po të jesh i shëndetshëm nuk sëmuresh. Po të jesh i shqetsuar qetsohesh. Po të jesh i qetë çmendesh. Po të jesh bandit bëhesh deputet. Po të jesh mafioz bëhesh ministër. Po të jesh i urtë të vjedhin. Po të jesh i ditur të plagosin. Po të jesh i ndershëm të vrasin.

Prejkur Stendal vizitoi muzeumet e Firences, u muar vesh se Bukuria lodh, sëmur, vdes.

Ruaju pra nga Sindroma e francezit.

Bëj çmos të mos luash nga fiqiri kur kalon, për shembull, përmes bukurive të Mokrës, Qukës, Karkavec, Velçan, Trebinjë, Varri i Grekut. Derisa t'ja therësh përposhtë nëpër një serpentinë marramendëse me Liqerin e Lasgushit në horizont.

Këtu një urë mesjetare. Pak më tutje ca mokrarë flokbardhë si vikingë. Edhe më tutje një cop byreku me fasule shoqëruar me një teke raki bio e ngjyrosur, do jenë aq të shijshme sa jeta që ke bërë atje nga erdhe do të duket hiçasgjë.

Kur në Potkozhan, një Shaljapin lokal, brenda Teatrit më të madh në botë me male, gremina, ujvara, në platenë kilometrike vetëm ti, në skenën gjigande vetëm ai, do këndojë këngë ruse për Stalinin dhe Ushtrinë e kuqe, nga kjo çudi' lotët do të ikin rrëke'.

Te Kanionet e Osumit do të duket sikur je futur në botën e Walt Disney.

Plot me qershi, humnera, përrenj, rruga Berat-Këlcyrë nga kaloi ushtria e Mussolinit, do të impresionojë aq tepër sa do çjerrësh me thonj fytyrën.

Një orë në Voskopojë, shenjtëria e kishave dhe monastereve do ta çrregullojnë bukur gjumin dhe ëndërrat për dhjetë vjet rrjesht natë për natë.

Në Prespë do rrethohesh nga një pastërti mjedisore nga koha kur motorrat nuk ishin shpikur, që nuk do ta harrosh kurrën e kurrës, edhe pasi të vdesësh.

Kur në Theth do mbushësh mushkëritë me oksigjen bjeshkësh, do ndjehesh 30 vjet më i ri.

Kur në Pukë do takosh Zotin dhe do pini nga një birrë me ujë Puke, shfrytëzo rastin. Foli për disa padrejtësi duke i bërtitur.

Duke u hazdisur si i çmendur nëpër fushat, kishat, manastiret e Myzeqesë, do çlirohesh nga çdolloj stresi.

Berati magjepsës do të rrënqethi nga koka te këmbët sikur do të zerë korenti.

Kur gjatë këtyre udhëtimeve, do tu thuash të mos i betonojnë fshatrat se është idiotllëk, dhe rrugët e ngushta që të çojnë në vendet e shenjta t'i ndreqin por të mos i asfaltojnë sepse pakësojnë magjinë e vajtjes nëpër ato vende, dëgjo reagimet, dhe shkrihu së qeshuri.

Për ti ekuilibruar deridiku tronditjet që do hasësh dhe për të frenuar lotët me ndonjë zbavitje të këndëshme, shko të shohësh në Tiranë një rrugicë qorre nja 50 metra me emrin e themeluesit të Kryqit të Kuq botëror, Henry Dunant, dhe po aty afër një tjetër rrugë me emrin e një idioti.

Ik në Lushnje ku mu në mes të qytetit të vdesësh gazit duke parë shtatoren gjigande të një kooperativisteje myzeqare që mban me duart përpjetë një tufë të korrur me grurë guri.

Mos prano të rrëfejnë për tmerret e Teatrit të shembur ku janë bërë gjyqe dhe janë dhënë dënime me vdekje, se sëmuresh nga çrregullime hormonale të pariparueshme.

Refuzo të mësosh për mozaikun mbi muze se do të ndali zemra ose do të bjeri damllaja që në fjalët e para që do të thonë.

Kur të tregojnë për qindra fshatra që kanë xhami por s'kanë shkollë, do habitesh aq tepër sa do të bjerë të fikët.

Mos ua vër në dukje gafat shoqëruesve. Aq men kanë. Janë të burgosur brenda retorikës socrealiste. Thuaj bereqaves që këtë herë nuk e tepruan, dhe lëshoi pe balonës.

Kujdes se mund të ndodhi që shkon diku, mahnitesh, bie në dashuri me atë vend, të pëlqen aq tepër sa refuzon të kthehesh. Ngec atje. Nuk kthehesh më. Mbetesh këtu.

Gregory Peck dhe Audrey Hepburn në filmin "Vacanze Romane" i bënë të njohur botës Vespa-n.

Përfito nga kjo përvojë. Bëji të njohur botës Lin-in, Bylisin, Mallakastrën, Rrugën Egnatia, kishat, kështjellat.

Sakën se nuk kthehesh më.

Eja përsëri në vendin plot magjepsje që të sëmurin, episode që të shërojnë, dromca që të zbavitin.

Shqipërinë do ta gjesh si gjithmonë ka qënë e do jetë.

Tmerrësisht e shijshme.

Pafundësisht e bukur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora