E premte, 26.04.2024, 06:02 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Shkatërrimi i bibliotekës së fshatit dhe rënia në dashuri me librin

E hene, 21.08.2023, 09:23 PM


Shkatërrimi i bibliotekës së fshatit dhe rënia në dashuri me librin

Shkëputur nga Libri i Kujtimeve

Nga Prof. Blerim Latifi

Biblioteka e fshatit tonë ishte shumë e pasur me libra. Thuhej se fondi i saj përbëhej prej 10 mijë volumesh. Në atë kohë Shtëpia Botuese “Rilindja” botonte mijëra tituj brenda vitit, me tirazh po ashtu prej mijëra kopjesh për secilin titull dhe një pjesë e këtyre librave dërgoheshin edhe nëpër bibliotekat e fshatrave.

Ndërtesa ku ishte vendosur biblioteka ishte më e bukura në fshat. Ishte një ndërtesë e stilit modern, me dy kate. Në katin e parë ndodhej shtëpia e shëndetit, ndërsa në të dytin, përpos bibliotekës, ndodhej edhe zyra e bashkësisë lokale, një njësi adiministrative e cila hynte në kuadrin e komunës dhe rëndom përfshinte disa fshatra.

Ne, si nxënës, e vizitonim rrallë bibliotekën. Vetëm kur na dërgonin mësuesit për të marrë ndonjë libër që atyre u duhej dhe në përfundim të vitit shkollor kur duhej t’i merrnim librat të cilat mësuesit na i caktonin për t’i lexuar gjatë pushimeve të verës. Bibliotekisti ishte një njeri i zymtë. Na priste ftohtë dhe mezi na i gjente librat të cilat i kërkonim. Ndonjëherë kur ishte në humor të keq, pa u ngritur fare nga vendi na thoshte të shkonim se librat që po i kërkonim i kishin marrë të tjerë. Me pak fjalë : ai ishte një dembel, që dukej se e bënte pa qejf atë punë.

Erdhi viti 1990. Viti i dëbimit të shqiptarëve nga vendet e punës. Të gjithëve na kapi mërzia. Si do të jetonim tani pa të ardhura? Një ditë kur shkuam në shkollë, e morëm vesh se edhe bibliotekistin e kishin larguar nga puna. Bibliotekës i ishte vënë dryri. Pas pak ditësh dikush e kishte thyer derën e saj dhe kishte hyrë brenda. Askush nuk u kujdes që ta mbyllte përsëri. Kështu filloi shkatërrimi i bibliotekës së fshatit tonë. Ne tani hynim lirisht në të, ngase askush nuk na pengonte. Brenda pak ditësh pamja brenda saj ishte bërë e tmerrshme. Dyer e dritare të hequra. Raftet e librave të rrëzuara në dyshme dhe qindra libra të shpërndara gjithandej. Nuk vonoi dhe gjëra të tjera të shëmtuara filluan të ndodhnin në bibliotekë. Njerëzia hynin aty për të kryer nevojat e tyre fiziologjike. Nisi të kundërmonte një erë e rëndë. Këtyre shëmtive iu shtuan hedhjet e librave nga dritaret në tokë. Një ditë i pamë disa mësues tek merrnin një sasi librash për t’i dërguar në shkollën tonë që ishte matanë rrugës. Shihej se donin të shpëtonin sa të mundnin nga ajo pasuri që po shkatërrohej para syve të tyre. Dikush e dha idenë që si mësuesit të bënim edhe ne  dhe nuk vonuam e u hodhëm në veprim. Për fillim merrnim librat me kopertina të bukura. Edhe ashtu ato binin në sy më shumë. Personalisht dhjetëra herë kam shkuar aty për të marrë libra. Herë vetëm e herë me ndonjë shok. I dërgoja në shtëpi dhe i sistemoja në një dhomë, të cilën në atë kohë nuk e përdornim për ndonjë gjë. Kështu, brenda pak ditësh, unë u bëra me bibliotekën time personale, të përbërë prej qindra titujsh. Mes tyre gjendeshin autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore, si Balzak, Hygo, Gëte, Emil Zola, Anatol Frans, Kamy, Sartër, Drajzer, Heminguej, pastaj të gjithë shkrimtarët e mëdhenj rusë, e dhjetëra e dhjetrëra të tjerë, shqiptarë e të huaj.

Ngase e konsideroja timen, kujdesesha në mënyrë të veçantë për bibliotekën. I rendisja librat e saj herë në një formë, e herë në një tjetër. Dhe kështu, dalë nga dalë, më lindi ajo që do të përcaktonte rrjedhën e mëpastajme të jetës : dashuria për librin.

Atë verë ia kushtova leximit të katër vëllimeve të romanit “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit, ndërsa viti i ri shkollor më zuri duke lexuar një vepër tjetër voluminoze të tij, “Ringjalljen”.

Tetë vite zgjati ekzistenca e bibliotekës time. Në shtator të vitit 1998 ushtarët serbë u futën në shtëpinë tonë dhe ia vunë flakën asaj. Flakët e përpinë edhe bibliotekën time. Vetëm pak libra prej saj arritën të shpëtonin, për shkakun se i kisha dërguar në Prishtinë pas fillimit të studimeve. Sot ato i trajtoj si të ishin diçka e shenjtë dhe sa herë i marrë në dorë më duket se e ndjej aromën e bibliotekës time të dikurshme, e nga kjo ndjenjë më lindë nostalgjia për ato ditë të fëmijnisë, ato ditë që edhe pse ishin të vështira, prapë se prapë kishin gjërat e tyre të bukura.

__________

Derisa po presim që të ndryshoj për mirë pozicioni i pesë shteteve të BE- së të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në horizont po shfaqet një aleancë e re me potencial të rrezikshëm për marrëdhëniet tona me BE-në, aleanca Serbi- Hungari.

Kjo aleancë ushqehet nga dy faktorë: regjimi i Orbanit, i cili nga viti në vit ka ardhur duke u bërë më autoritarist, natyrshëm ndihet i afërt e solidar me një fqinj si Serbia, e cila, nën Vuçiqin, ka rrëshqitur prej kohësh në autoritarizëm.

Përtej kësaj, e përbashkëta tjetër e këtyre dy regjimeve është qëndrimi i butë, për të mos thënë mbështetës, ndaj agresionit rus në Ukrainë. Ka dekada që Putini është bërë paradigmë e krejt sundimtarëve autoritaristë gjithandej botës.

Me një Hungari që e shton vazhdimisht dozën e mirëkuptimit të Serbisë, problemet tona në rrafshin ndërkombëtar do të shtohen. Krejt këto zhvillime nuk përbëjnë kurfarë lajmi në universin tonë politik, ku personazhe kryesore janë radovanët e shndërruar në ridvanë dhe ridvanët nga furrtarë mahalle në furrtarë të shtetit. Brenda natës. Si Gregor Zamza tek "Metamorfoza" e Kafkës.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora