E enjte, 25.04.2024, 08:03 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Kurrë nuk është vonë me dalë nga shpella e paditunisë

E hene, 07.08.2023, 07:59 PM


Prof. Blerim Latifi

Në Prizren, në vendin ku u dha ajo shfaqja hyrëse e Doku Festit që na paska alarmuar gardianët talebanë të të ashtuquajturit "moral tradicional", fiks 160 vjet më parë po qëndronte austriaku i famshëm Johann von Hahn, themeluesi i Albanologjisë.

Gjatë qëndrimit në Prizren ai u njoh me jetën sociale të qytetit dhe ato që pa e mësoi i botoi në librin e tij "Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe Vardarit". Mes shumë dukurive që pa, ishte edhe praktika e përhapur e homoseksualitetit në qytet. Për këtë ai shkroi:  "Në fakt, në popullsinë e këtushme muhamedane zotëron dashuria e djemëve (pederastia), më tepër se në çdo vend tjetër të Shqipërisë, duke shkaktuar një burim të pashterrshëm xhelozie, armiqësish, allishverishesh dhe vrasjesh".

Dëshmi të tjera për homoseksualizmin otoman të shqiptarëve, përveç kësaj të Hahn, gjenden edhe në kapitullin 11 të librit "Islamic Homosexualities: Culture, History, and Literature" të autorëve Stephen O. Murray and Will Roscoe.

Prandaj, ju zotërinj talebanë shqipfolës, kur merrni të diskutoni për këtë punë, mos u thirrni fort në traditën, se pastaj llogaritë u dalin keq. Lexoni pak më shumë, se mbase bëheni ma mendjehapur dhe, rrjedhimisht, edhe ma tolerantë.

Kurrë nuk është vonë me dalë nga shpella e paditunisë.

__________

‘’Kur ushtria do të kthehet në Kosovë".

Kjo është parulla që po shkruhet gjithandej qyteteve në Serbi e në Republikën Serbe në Bosnjë. Kjo parullë shpreh mënyrën se si e shohin të ardhmen e Kosovës në Serbi, një të ardhme kur ushtria serbe sërish do të marshoj në Kosovë. Dhe pse të mos e ëndërrojnë këtë gjë derisa kombi shqiptar vazhdon të mos ketë kapacitete vetjake për t'u vetëmbrojtur. Një gjë dihet prej kohësh: ëndrrat shoviniste zhduken vetëm në kushtet e balancit të forcave mes shteteve. Merreni si shembull rastin e Kroacisë. Serbët jo që nuk guxojnë me shkru një parullë të tillë për Kroacinë, por nuk ia lejojnë vetes as me ëndërru. Kur je i dobët, gjithmonë dikush do të kujdeset për të të poshtëruar, sidomos armiqtë. E kur nuk bën asgjë për ta fuqizuar veten, atëherë poshtërimi shndërrohet në diçka të merituar.

__________

Fotografi e botuar në gazetën franceze L'Illustration, në maj të vitit 1910. Në të shihen trimat e Idriz Seferit duke patrullu në tunelin e hekurudhës në Grykën e Kaçanikut. Lufta e Kaçanikut e atij viti kishte tërhequr vëmendjen e krejt shtypit europian të kohës. Kosova kishte luajtur një rol vendimtar në Revolucionin e Xhonturqëve, por këta, me ta marrë pushtetin, i kishin shkelur premtimet politike dhënë shqiptarëve, prandaj "prej Kaçaniku e der' n'Boletin, tanë Kosova u mblue n'tym".

__________

Në kafe, prapa meje, dy gra nga Kosova po llafosnin me njëra-tjetrën. Erdhi kamarieri për të marrë porosinë e tyre. Pasi u largua, njëra i tha tjetrës: - Fol mori shqyp! Çka po folë si kta t'Shqypnisë? Mezi e përmbajta veten nga shpërthimi i të qeshunit. Pasi ia dola kësaj, u zhyta në mendime mbi kontekstin që e ka mundësu shprehjen e një fjalie të tillë, në të cilën një kosovare mendon se shqip flasin në Kosovë, ndërsa e folmja e Shqipërisë është një gjuhë tjetër. Ndërkaq, krejt kjo më kujtoi slloganin "anything goes" të anarkizmit epistemologjik të Paul Feyerabend: mendimi filozofik e shkencor mund të stimulohet nga çdo gjë, edhe nga budallallëqet më banale që na rastis t'i dëgjojmë.

__________

Në kulmin e entuziazmit letrar Ciceroni i shkruante mikut të tij Marcus Varronit: Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, ke gjithçka që të duhet. Ka harruar t'i shtojë edhe dy gjëra: qetësinë e katundit dhe kafen të shoqëruar me ujë të ftohtë. Nejse, kjo e fundit është shpikur më vonë, shekuj pas rënies së Romës.

__________

Këto meçet e boksit që u luajtën mbramë në Prishtinë, më kujtuan ata filmat "partizanë e gjermanë" të kohës së socializmit. Gjermanët e shkretë, edhe pse superiorë në numrin e ushtarëve, në armatim e në profesionalizmin ushtarak, në fund duhej të humbisnin betejën me partizanët e uritur e të armatosur me pushkë të ndryshkura. Kështu e ka kjo botë: gjithmonë je me fat kur e ke në anën tënde regjisorin ose referin.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora