Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Disa shënime pas një leximi
E premte, 17.03.2023, 07:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
Disa
shënime pas një leximi
Para
disa ditëve rastësisht më ra në dorë Kodi i Car Dushanit, zhupanit serb, i
cili, duke përfitu nga rënia e kontrollit bizantin në Ballkan, e shpalli veten
perandor. E gjeta një kohë dhe i hyra leximit.
Çfarë
mund të konstatojmë pasi t'i lexojmë 201 nenet e këtij kodi?
Duke
mos qenë origjinal, Kodi i Dushanit përbën një kopje të plotë ligjore të kodeve
ligjore bizantine. Kjo shihet në dy rrafshe të tij: në atë politik dhe atë
juridiko-penal.
Në
rrafshin politik Kodi i Dushanit, njësoj si kodet bizantine, e normon pushtetin
absolut të mbretit, nënshtrimin e feudalëve ndaj tij, si dhe pushtetin e madh
të Kishës Ortodokse. Ky i fundit shihet edhe në nenet e Kodit ku urdhërohet
persekutimi brutal i katolikëve dhe bogumilëve.
Ndërkaq,
në rrafshin juridiko-penal, Kodi i Dushanit përvetëson nga kodet bizantine të
gjitha format e ndëshkimit, të cilat sot, nga pikëpamja e humanizmit juridik,
duken akte mizorie. Në shumë nene flitet për sakatime të trupit të njeriut, për
prerje duarsh, prerje të veshëve, të hundës, të gjuhës, pastaj për nxjerrje të
syve, djegie dhe kazanë me ujë të valuar si procedurë hetuesie. Kjo shumësi
formash sakatimi është e mjaftueshme për të stimuluar imagjinatën e masakrës.
Prandaj nuk është e rastësishme që ushtritë serbe, të cilat e masakruan Kosovën
shumë herë gjatë shekullit të kaluar, e mbanin lart flamurin e Dushanit.
Të
gjitha këto lloje dënimesh përmes sakatimit të trupit njerëzor, mungojnë në të
drejtën zakonore shqiptare, e njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit. Kjo na tregon
dy gjëra. E para, Kodi i Dushanit dhe Kanuni i Lekës kanë origjinë krejtësisht
të ndryshme. I pari, bizantine ; i dyti, latine.
E
dyta, derisa Kodi i Dushanit përbën një kod që normonte pushtetin e një
sundimtari absolutist dhe të dy shtyllave të sundimit të tij, feudalëve dhe
kishës ortodokse, Kodi i Lekë Dukagjinit e rregullonte jetën e malësorëve të
lirë, që jetonin maleve, jashtë kontrollit direkt të sundimtarëve, qofshin ata
bizantinë apo otomanë.
Derisa
në Kodin e Dushanit autoriteti final në të gjitha çështjet është mbreti, në
Kodin e Lekë Dukagjinit ky autoritet i përket kuvendit të pleqëve, të cilët
delegohen nga fiset dhe vëllazëritë. Ky dallim ka elemente të dallimit midis
autoritarizmit dhe demokracisë. Por edhe elemente të dallimit midis atyre që
juristët dhe filozofët e së drejtës i quajnë "ligji pozitiv" dhe
" e drejta natyrore". Sikurse dihet nga kjo e fundit është zhvilluar
doktrina moderne e të Drejtave të Njeriut.
__________
Shkolla
e parë shqipe në Ferizaj, e bërë shkrumb e hi sot. Kështu në mënyrë barbare ne
e kemi trajtu trashëgiminë tonë kulturore gjatë gjithë historisë, prandaj sot
objektet ma të vjetra historike në Kosovë, me ligj vendor e ndërkombëtar, quhen
"trashëgimia fetare dhe kulturore serbe". Dhe për këtë po e paguajmë
shtrenjtë në tryezat e negociatave politike me Serbinë.
__________
Bashkë
me Karl-Otto Apel dhe Jurgen Habermas, Ernst Tugendhat paraqet gjeneratën e
filozofëve gjermanë, e cila pas Luftës së Dytë Botërore u përpoq ta shtëpizojë
brenda kulturës filozofike gjermane filozofinë analitike të gjuhës dhe
pragmatizmin amerikan. Ai vdiq para tre ditësh duke lënë pas një mënyrë
inspiruese të të bërit filozofi. Aksioma e tij ishte: Vetëm duke reflektuar mbi
strukturat themelore të gjuhës ne mund të hedhim dritë mbi mendimin njerëzor.