E enjte, 25.04.2024, 01:10 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Mua Kryetar

E premte, 21.07.2023, 08:33 PM


Mua Kryetar

Nga Edison Ypi

E keni katandis Partinë kuplara' o j'u shpëlaftë mortja.

S'latë rrugaç e halabak e spiun e hajdut pa e afruar, e njeri për së mbari pa e larguar.

Kështu si e keni bjerrur Partinë nuk e sillni dot kurrë në pushtet.

Meqë ra llafi, ata 200 mijë që sipas jush që s'dilni kurrë nga restoranti s'vajtën të votojnë, sipas meje që nëpër Shqipëri udhëtoj me lot në sy dhe e shoh në vend sa pak demokratë kanë mbetur, po ju them se nuk janë më votues të partisë në fjalë.

U bo bytha juj me nga katër vila e pesë Benza.

Me kryetar pa vulë, me vulë pa Kryetar, dhe pesqint ngatërresa të tjera e bëtë Partinë kasht' e koqe o qelbësira.

Megjithatë ndoshta ka një mënyrë për me ardh në pushtet. Andej nga viti 3 mijë. Si e keni katandisur, më përpara nuk është e mundur.

Duket larg. Epo duhet duruar pak. Po s'durove është e qartë se nuk do me ardh në pushtet për me qeveris por për me vjedh.

Për ta pastruar Partinë nga gjithato vula, brava, lloze, qysqira, tritola, sherre, grushta, shkelma, dhe çmenduri të tjera, më bëni Kryetar mua ngaqë unë Shqipërinë nuk e lakmoj sepse e kam, nuk e vjedh sepse e dua, nuk e djeg sepse më dhymyset, nuk e shkatërroj sepse e dashuroj.

Po më zgjodhët mua, të gjithë do e aprovojnë.

I pari që do ta aprovojë kryetarllëkun tim do jetë Doktori, i cili, nuk do lodhet të më bëjë të tijin, sepse të tijin më ka.

Të gjatin e ftoj për një pjatë fasule në ndonjë restorant në Pas Ku Qan. Do më thotë i gjati mua: Ça të duhet ty stërnip i rilindasve më të shquar me u mpleks me turlilloj hajduta dhe halabakë ?! Do bëj sikur s'dëgjoj dhe do ndrroj temën. Jo Temën e Mero Bazes që s'ka trim demokrat të guxojë ta kundërshtojë, por temën e muhabetit. Do llafosem me të gjatin për gjëra që zhulsat nuk ja kanë idenë dhe bolet nuk ja kanë haberin: Për Cesarin, Neronin, Danten, Neorealizmin, Viscontin, Pasolinin, Antonionin, Felinin. Do i them të gjatit se kur e rrahën më 1997 lajmin e mora vesh nga një gazetë kur isha duke ngrënë fasule shoqëruar me dhallë, mbi të cilën pjatë më rrëshqitën disa pika lot. Duke ngrënë fasule me lot e duke u llafosur për Neorealizëm do ta siguroj të gjatin se gjatë kryetarllëkut nuk do ta rikatoj dhe nuk do i kërkoj asnjë favor, dhe ai do më mirkuptojë.

Të mos jetë dakord Ilir Meta  me kryetarllëkun tim, s'bëhet fjalë. Abas Aliu kur të mësojë se një kolonjar me gjyshen skraparlleshë nga kadilerët e Veleshnjës do bëhet Kryetar, do pijë 1 damixhan raki Pacomiti ballë kazani dhe nga qefi do nis' të këndojë e të hedhë valle sa Tomorri do tundet, Osumi do buçasi, Ostrovica do zgjohet nga gjumi.

Ismail Kadaresë do t’i pëlqejë aq shumë kryetarllëku im, sa lotë mallëngjimi do i rrëshqasin mbi faqe, kokës me grushta do i bjeri që s'i kish vajtur mendja më parë te emri im, sidomos mbiemri im. Do më marri në telefon me celularin e Bujar Hudhrit nga Juvenilia Castello. Me lot në sy do më urojë detyrën e re. Me këtë rast, Kadare do ulet të shkruajë romanin më të mirë të jetës së tij me titull “Pika që s'na bie”, mbetur synopsis prejkur nuk e shkroi nga frika e kurvit.

Ambasadorit amerikan, këtij të riut, mund edhe ti bjerë damllaja nga qejfi që, më së fundi, me anë të një të përndjekuri, problemi i Kryetarit u zgjidh paq. Me këtë rast s'do ishte keq Ambasadori të vijë në vete të sikterisi sorollopët e Sigurimit nga Zëri Amerikës dhe Ambasada në Tiranë.

Mund të thotë ndonjë idiot se unë s’bëj për Kryetar se nuk jam i martuar. Thoini budallait se Edison Bej Ypi vërtet s'ka grua, por ka gjithato të dashura: Nëmërçkën kryelartë, Vjosën mahnitëse, Myzeqenë e begatë, Karavastanë lozonjare, Pukën e freskët, Zadrimën magjike, Mokrën e krojeve, Lezhën tundonjëse, Shkodrën frymëndalëse etj. Të gjitha perrira. Të gjitha bija pasioni. Të gjitha fruta Dashurie. Jo si bijat tuaja ilegale shtrembanike dalë nga kapsllëk dëshirash, nga martesa me femra si burra lindur mes grahmash fërneti të skaduar te klubi i lagjes.

Hajt, pra. Bëmëni Kryetar. S’gjeni dot më të merituar se unë:

Që kam lexuar Makbethin kur isha 11 vjeç.

Që antenatët e m’i trima të çartun ishin të parët Rilindas.

Që Partisë nuk i kam trokitur kurrë në derë.

Që vij nga muzgje të bukur e të frikshëm me qiej të grisur e të përgjakur nën të cilët sofra u shtrua për aristokratë dhe u kullufit nga qyrranjosa.

E morët seriozisht ?

Sa budallenj jeni.

S’më keni mua për këto lojra.

Jam tepër i vrënjtur.

Gjeni ndonjë më të qeshur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora