E premte, 19.04.2024, 10:43 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Ik në Kuç

E enjte, 13.07.2023, 07:58 PM


Ik në Kuç

Nga Edison Ypi

Ke makinë të fuqishme me kaq e aq marsha, ose pa marsha fare, me katër rrotat aktive për të kaluar edhe nëpër rrugë pa rrugë.

E ç'e do kur nuk ikën në Kuç.

Ik në Kuç.

Bjeri Labërisë si gjuetari sorkadhes, brinjë më brinjë, nga Vlora në Tepelenë.

Sado e vështirë të jetë, sado pengesa të ketë, edhe sikur pa ujë e pa bukë të mbetesh, edhe sikur të dërrmohesh e të gjakosem, ja vlen.

Ik shihe Labërinë e magjishme.

Ku njerëzit nuk flasin por sokëllijnë.

Ku malet nuk kalohen por kaptohen.

Ku po nuk di të vjedhësh nuk të japin nuse, të lënë me rrush në dorë.

Ku historia e folur me historinë e shkruar ndeshen për vdekje.

Ku ka lapidare dhe përkujtimore më tepër se shkurre dhe drurë.

Ik shihe atë fidanishte ushtarake që ka mbjellë e korrur oficera ushtrie dhe kuadro Sigurimi më tepër se Myzeqeja misër e grurë.

Te Qafa e Koçiut në Vlorë, nga kalamani te polici, do të japin spjegime të detajuara për të vajtur ku ta dojë kokrra e qefit: Te Uji i Ftohtë, në Selenicë, në Sevaster, në Borsh, Qeparo, Kuç, Progonat, Gusmar, Nivicë, Selenicë, Tepelenë.

Nga t'ja mbash ?

Therja drejt Kuçit, fshatit me emër qëni.

Pasi kallauzët e kudondodhur t'i mbarojnë litarët e spjegimeve konfuze për rrugët e reja dhe rotondat, do kuptosh se rruga për në Kuç nis drejt një lugine në jug që quhet Lumi i Vlorës.

Te një minimarket, shitsi Lab të jep me qef hollësira për disa Kurvelesha, prej të cilëve, njëri nis këtu e tjetri mbaron atje, si dhe për Portën e Labërisë gjithashtu, që ndodhet këtje e këtu etj. etj. Ke qef ta dëgjosh atë Lab. Jo dhe aq për spjegimet dhe sugjerimet, sesa, tashmë që ke lënë pas Vlorën, për dialektin e forcuar të labërishtes.

Kotë.

Fjala e parë që në Kotë thonë, dhe e treta që përsërisin duke folur, është Kadri Hazbiu. Edhe gurët, edhe drurët, edhe bebat në bark të Nënës, e dinë që Kadri Hazbiu është nga Kota.

Në Kotë meselera pafund. Për Heronj të Heshtur, për një vëlla të zhdukur, kur vajtëm te shoku Kadri  me Gazin e Degës, pastaj te shoku Hysni me Zis-in e ndërmarrjes. As nga njëri as nga tjetri s'muarëm vesh ç'kishte bërë vaki', çu bë i mjeri vëlla.

Suzuki rrëshqet këndshëm mbi asfaltin e ri mbi kthesa të buta rrethuar me gjelbërim të dendur.

Në të dy anët e rrugës Lebër.

Nën tenda kafenesh ose hije rrepesh, luajnë domino ose bëjnë muhabet.

Vetëm pyeti. Pasi nisin të flasin, bien në delir, dhe s'dinë të ndalin. Mos i ndërpre. Vetë u krrujte. Duroje rrebeshin e spjegimeve për bëmat, heroizmat, historinë, patriotizmin, për italianin që e hodhëm në det, për gjermanin që na e dogji të vetmin përrua që kishim në fshat.

Lugina nuk është e ngushtë, nuk është kanion, por as fort e gjerë.

Në të dy anët male të lartë.

Nga perëndimi, ato malet e egër që duken gjatë bregdetit të Vlorës kur shkon anës detit drejt jugut.

Në lindje, male edhe më të lartë, më të thepisur, emrat e të cilëve as lebërit nuk i dinë mirë.

Amani ore, thuaju, ku ndodhet ai fshati me emër qëni ?

Nga të dy krahët e luginës, katunde me emra si mbiemrat e oficerave të Diktaturës.

Ama kta që po luajnë domino e bëjnë muhabet nën një tendë për tu ruajtur nga vapa e korrikut, s'kanë asgjë prej oficeri hijerëndë e kërcënues. Përkundrazi, janë të sjellshëm, madje të qeshur, dhe të gatshëm për muhabet. Kur u flet më qartë për lidhjen mes emrave të katundeve dhe mbiemrave të oficerave, qeshin edhe më fort, të lusin të pish një dhallë nga i baxhës së tyre: Ja, baxhua ime është ajo atje tej, ajo n'atë pllajën mbi mal, ku nuk duken mirë stallat e bagëtive se pengojnë pemët e pyllit.

Përgjatë luginës së mbytur në gjelbërim, në Gjorm, një Lab i këndshëm dhe i muhabetshëm, do të thotë me një ton solemn:

-Para se të bëhej kjo rrugë ishim bagëti. Këtë rrugë mund ta bënte, dhe e bëri, vetëm çmenduria e të gjatit, asnjë tjetër.

Pak kilometra më në jug, nën hijen e një rrapi, dy lebër të moçëm, njëri me kapele tjetri pa dhëmbë.

Ai me kapele vetëm flet. Tjetri pa dhëmbë vetëm aprovon.

-Këtë rrugë e premtoi turku. U tha krerëve, nuk do u marr taksa për kaq kohë. Me ato taksa bëni rrugën. Krerët taksat i vodhën, rrugën nuk e bënë.

E premtoi këtë rrugë Ismail Qemali. Nuk e bëri. S'pati kohë.

E premtoi Noli. S'pati kohë. I duhej për t'i rënë fyellit.

E premtoi Zogu. Me sot me nesër, matjani na gënjeu.

E premtoi Diktatori. As ai se bëri. Po t'ua bënte rrugën lebërve, do ja mbyllte vetes.

E premtoi Doktori. Kishte qënë hile krahinore. Bëri dhe vodhi Rrugën e Kombit me krahinarët e vet.

E bëri Edi Rama. Të tjerat janë, si thoni ju andej nga Tirana, pordhë syfyri.

Maja e Çikës 2044 metra mbi det.

Këtu i thonë "Vajzë", ç'ne kjo "Çikë" veriore në jugun e thellë ?!

Shqipëria ka dhe të tjera vende si "Mali i Çikës" apo "Maja e Vajzës" etj. me legjenda me sfond sentimental me tu bo mishi kokërr, tradhti, xhelozi, ndarje, pusi', vrasje, varje, therje, njëra më e bukur se tjetra. Por janë drama që ndodhin në vende të ulëta. Nuk ka çika, çupa, vajza  perria, shtojzavalla, që të ngjiten mbi 2 mijë metra për të bërë përgjakur shpirtrat e lebërve. N'ato lartësira ka vetëm dhi' të egra.

Me çika, pa çika, me legjenda pa legjenda, kjo luginë është aq e bukur sa s'kanë rëndësi kilometrat tridhjetë apo dyzetë, sa më tepër aq më mirë. Ku ma gjen të mos mbarojë kurrë kjo luginë.

Diku ku bukuritë shkëmbore ose të klorofilta vazhdojnë, asfalti mbaron.

Rrethrrotullim i madh.

Po punohet me ngut të bëhet lidhja me Qeparoin.

Për te fshati me emër qëni duhet vazhduar më të majtë.

Mos u ngatërro me Google Map-in që ende nuk i ka rrugët e reja.

Nën Kuç, një lab po ngre një lokal. Ka privatizuar ujin që rrjedh nga mali. Të pish ujin e malit duhet të dërrmohesh duke kapërxyer ca pengesa betoni.

Kuçi ndodhet pak mbi rrugë.

Eskavatorë dhe buldozera po ndreqin nja 1 kilometër rrugë deri në qëndër të fshatit me emër qëni.

Vërtetë kuçiotët kanë firmosur një referendum që Lekut ti ndërrohet emri, nga Lek të quhet Lab ?

-Hë, e pe Kuçin ? do të pyesi një shofer furgoni te të dyzetat.

-E pashë o e pashë, thuaji. Ca kafene, ca lebër që luajnë domino, në mur me bojë të kuqe "Rroftë Marksizëm Leninizmi".

-Mos u tall me Marksizëm Leninizmin. Po të mos ishin dëshmorët e Kuçit që çliruan vendin...do vazhdojë shoferi i furgonit.

-Ik o ik, thuaji nostalgjikut, mos harxho frymë kot. Vazhdimin e di. E kemi bërë në mësim. E ka thënë Radio Tirana. E ka shkruar Zëri i Popullit, e ka firmosur Partia, e ka vulosur Sigurimi.

Një Lab i ri që mesa duket bisedën me komunistin e furgonit e ndoqi nga larg, do zbrazi rrufeshëm një erudicion extratemporal si te orët e palosura të Salvador Dali':

-Na bëri oficera, dhe na vrau. Në vend që emrin e qënit tja vinim Diktatorit, ja vumë fshatit.

Kanë ndodhur në kohë të ndryshme !

S'ka problem. Koha shkon e vjen, madje as nuk ekziston.

Pas nja 1 kilometri do nisi përsëri asfalti.

Rruga hyn në një kanion të ngushtë tepër sugjestiv me në mes një përrua të thatë nga ata zevzekët që ose s'kanë asnjë pikë ujë, ose përmbyten frikshëm në pak minuta sapo fillon shiu.

Shumë kthesa në ngjitje.

Nga Vlora te fshati me emër qëni, gëlonte jeta.

Nga fshati me emër qëni e tëhu, qytetërimi dhe teknologjia të lënë shëndenë, s'ka valë celulari, këmbë njeriu, as shenja fshati sa të ha syri.

Pas thatësirës së përroit, pafundësisë së kthesave, mahnitjes së peisazhit, më së fundi, mbi një pllajë të vogël, peisazh lunar, udhëkryq kafkian.

Më të djathtë tabelë ku shkruan "Progonat".

Më të majtë, asgjë.

Më mirë therja nga Progonati se nga asgjëja.

Përsëri lapidarë.

Thuaji një Labi që do kalojë andejpari:

-Ç'deshi gjermani këtu ?!

Do thotë Labi:

-Partizani ngacmoi gjermanin në Borovë. Gjermani, për hakmarrje, dogji Shqipërinë.

Afër Progonatit vijnë valët e celularit.

Çoban anës udhës duke u ngjitur përpjetë faqes së malit.

Çobani me gunë dhe krrabë do të thotë se te kryqëzimi kafkian, më të majtë kishte qënë: Gusmar, Nivicë, Salari, Tepelenë.

Lere për më vonë atë mrekulli. S'mbahen dot nënë sqetull dy kunguj, e jo më dyqint male palë-palë.

Në Progonat do vejë çdo vejë.

Një nëpunës i administratës shtetërore në Tepelenë, ka ardhur në Progonat për punë.

-Të njoh mirë, do të thotë. Quhesh filani. Më mbetet hatri po nuk zbrite nga makina. Të shtrohemi, të hamë e të pimë, të llafosemi për rrugën e re që na nxjerr në det për një orë, për plazhin që tani e bëjmë në Borsh, dhe në Progonat kthehemi aq shpejt, sa ende mbathjet nuk na janë tharë.

Rrëzë veshit, një tjetër Lab, krejt në jerm, me një labërishte fantastike që do ta shkul çaçkën e kokës:

-Të lutem eja, të lutem zbrit nga makina, të pimë raki, ta pjekim dashin, të këndojmë e të hedhim valle, ta ndezim ahengun, sa të tundet Salaria, sa të shkundet Tepelena, sa të shkumëzojë Vjosa.

Lab i dashur, thuaji, nuk dua dash të pjekur. As raki. Labërishtja jote më ngop më tepër se të ha një stan me deshër në hell, më deh më fort se se të pi një Vjosë me verë.

Stane gjithandej.

Një Lab i rreshkur mes dy mushkave ngjitet javash-javash për në Golëm. Jo "Golem" se është gabim trashanik dhe qesharak, por "Golëm", se vetëm ashtu bart tingullin milenar të vendit.

Serpentinë malore me shumë laqe që zbret teposhtë në një kanion të thellë që duket si fundi i ferrit. Kryevepër inginierike me tabela paralajmëruese, me mbrojtëse metalike, me të gjitha.

Në faqen e bardhë shkëmbore të kanionit, ku s'ta merr mendja se mund të shkohet me makinë, as me këmbë, as me shkallë, as me litarë, stan si tempull budist

Kthesë e fortë malore.

Çesëm.

Rreth çesmës tufë dhish. Presin në rradhë të pinë ujë duke u vetshërbyer.

Dy çobenët e dhive të etura çlodhen nënë hije.

Tek llafosem me njërin nga çobenët ka rrezik të kafshojë një qën stani duke tu afruar tinëz nga pas. S'ka problem. Një çoban do vi ta largojë me shkathtësi qënin.

Në kthesë, pranë çesmës, mes tufës së dhive, do ndali një furgon me të rinj. Vijnë këtejpari për turizëm. Mirë bëjnë që shetisin bijtë e lumtur të Zukenbergut. Ama do ta prishi pakëz qefin një njëzetvjeçare. Nuk do fotografojë kanionin e fundbotshëm. Do bëjë selfie me një cjap.

Mahnitja nuk rresht për asnjë çast deri në Tepelenë

Fatzi kush nuk e di ku ndodhet Labëria enigmatike, mistike, e vrazhdë, e rrezikshme, e butë, njerëzore.

Kush nuk vete ta shohi, bën një mëkat aq të rëndë sa s'ka Krisht e Muhamet t'ja fali.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora