E shtune, 20.04.2024, 04:37 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Strazimiri Tower

E diele, 02.07.2023, 07:55 PM


Strazimiri Tower

Nga Edison Ypi

"Kur katunarët të zbresin në qytet të ndërtojnë pallate, do jetë fundi i Botës - thuhet në Kuran".

Kaq tha Ilir Strazimiri atë pasdite vjeshte, dhe heshti.

Perfeksionisti Ilir Strazimiri nuk tha në cilën Sure të Kuranit ndodhej kjo profeci; nuk dha' spjegime ku i gjejnë energjitë apokaliptike katunarët që zbresin në qytet; nuk qartësoi si ja ka arrit Kurani me i njoh aq mirë katunarët konspirativë dhe qëllimet e tyre ogurzeza; nuk spjegoi pse duhej ta prisnim fundin e botës nga katunarët, ndërkohë që atë fund e kanë pru me kohë qytetarët.

Shtëpia e Ilir Strazimirit ishte, dhe është, te "Rruga Saraçve". Vilë elegante e viteve '30 nga ato që u ndërtuan kur Mbreti nisi ta bëjë Tiranën Qytet dhe Shqipërinë Shtet.

Te kjo vilë mblidheshim netëve ku, mes bisedave, librave, kanconetave, planeve të fandaksura për tu arratisur, ulurinim në kup të qiellit kundër partis' së punës.

Duke supozuar se herët a vonë, mbi truallin e vilës Sovrani Ilir Strazimiri do ndërtonte diçka, nisëm të fantazojmë si do ishte ajo mrekulli.

Grataçielin e ardhshëm e pagëzova unë: "Strazimiri Tower". Vu duartrokitjet për këtë emër kaq të bukur që i shkruar mbi kullë me gërma të zjarrta do ndizte qiellin e Tiranës.

Bëra me ngut një prenotim: Dhoma ku mblidheshim netëve dhe ja mbulonim dritaren me batanije për të mos u dëgjuar nga rruga, të mos preket. Atë dhomë do ta blej unë. Do shes apartamentin mediokër të zhurmshëm që kam, do blej një Tempull të vogël të magjishëm ku do gdhihem e do ngrysem në paqe. E dikurshmja e lavdishme e cila pas blerjes do pagëzohet "Ypi Room", përveç sendeve të mëparshme që janë ruajtur pa u prekur, si magnetofonë të shpartalluar, pjesë konvertitorësh televizivë, mes tjerash një pruvetë qelqi e taposur ku, pasi u shpalla ishullarëve pavlefshmërinë e tragjedive fictionare të Shekspirit ndaj tmerreve që na ndodhnin live, pata hedhur brenda saj hirin e Makbeth-it të djegur, plotësuar me orenditë e duhura për seanca spiritike të cilat pas ngritjes së Strazimiri Tower do mbahen rregullisht për tu llafosur me shpirtrat e vdekur.

Përveç parametrave gjeometrikë, stereometrikë, trigonometrikë, volumorë, gravitacionalë, që do kenë lidhje me Mekën, Jerusalemin, polet, gjeometrinë fraktale, konstanten e Fibonacit, rrezatimet kozmike, diellin, planetet, satelitët, galaktikat kryesore të Universit etj, parametrat arkitektonikë të Strazimiri Tower duhej të plotësojnë kushtet me karakter religjioz: si të hebrejes Felicita Jakoel, e cila, me sharmin e saj, kulturën, urtësinë, dhe retorikën brilante, na kujtonte që ende s'kishim vdekur, kaurrit Toku Xhokaxhi që na sillte mish kali për qofte nga Instituti i veterinarisë, po ashtu dhe të kallamkusurit të synetllinjve, ne lafshëprerëve të tjerë.

Në respekt të së kaluarës së zezë, për të cilën me të drejtë sot në të tashmen e bardhë mallëngjehemi, se dihet që Rini të palumtur s'ka, volumi i ngrehinës së ardhëshme do duhej të ishte pakashumë sa diga e Fierzës.

Sugjerimi për ta bërë Strazimiri Tower të rrotullueshme me shpejtësinë këndore të diellit, në mënyrë që në dritaren e "Ypi Room" dielli të jetë prezent gjatë gjithë ditës, hëpërhë u la mënjanë për shkak të kostos financiare të papërballueshme nga katunarët e zbritur që ndërtojnë pallate.

Kaluan ditë, muaj, vite. Ilir Strazimiri s'fliste, rrinte menushëm sikur Strazimiri Tower me qenë Muri i Madh i Kinës.

E pyetëm: Cila është arësyeja që s'po e nis grataçielin ? A mund të ndihmojmë ? A ta therim një kurban, po deshe dhe human që e ka hak, me gjakun e të cilit të spërkatim themelet e kullës ? Hiç. Bam e bum me tjera pyetje dhe hamendje. Asnjë përgjigje.

Shkakun e vonesës së fillimit të punimeve për ndërtimin e Strazimiri Tower e zbuloi vetë Iliri një ditë tu pi me Bardh Shashain dhe Ton Zalën.

Iliri u tha atyre se vështirësia që nuk po e kapërxente dot ishte gjetja e një sipërmarrësi të përshtatshëm, i cili, në përputhje me mësimet e Allahut, duhej të plotësojë këto kushte:

Të mos jetë katunar.

Të mos jetë lab, skraparlli, gramshak, tropojan, laçjan, elbasonlli, tepelens, gjinakastrali.

Të mos ketë qënë spiun ose çun ose nip spiuni.

Të mos ketë qënë komunist ose çun ose nip komunisti.

Të mos ketë qënë oficer ose çun ose nip oficeri.

Të mos jetë trafikant droge ose femrash.

Të mos jetë korrupsionist.

Të mos jetë pastrues paresh të pista.

Të garantojë transparencë të plotë financiare mbi aktivitetin.

Të mos fshehi asgjë nga mardhëniet me Bashkinë, Hipotekën, dhe të tjera zyra apo institucione në dijeni të ndërtimit të Strazimiri Tower.

Të mos kenë qënë i dënuar.

Të mos ketë folur kurrë në mbledhjen e kolektivit.

Të mos ketë luajtur me estradën e ndërmarrjes.

Të mos ketë pala dhjami në qafë.

Të mos ketë tul në ballë.

Të mos mbajë në qafë zinxhira floriri.

Të mos shkojë me kurva.

Të mos ketë tatuazhe nëpër trup.

Të mos e refuzojë kurrë paçen me plonca, uthull dhe hudhra.

Ndërkohë që koha rrjedh dhe ndërtimi i Strazimiri Tower ka ngecur për shkak të kushteve që nuk i plotson dot as Krishti as Muhameti, vilës së vjetër, njësoj si vajzave që u shtohet nuri kur afrohet muzgu, po i shtohet sharmi, bukuria, magjia.

E heshtur dhe e vrënjtur, duket si shtëpi aristokratësh francezë nga të romaneve të Balzakut. Ta shohësh atë vilë sot me muret me myshqe, portën që kur hapet e mbyllet kërcet sikur qan, portokallat dhe hurmat në oborr, hardhitë nga pas, kornizat e dritareve si fytyra të lodhura nga koha dhe nostalgjia, të bëhet të besosh se nga çasti në çast përpara portës së vilës do ndali një karrocë me kuaj prej të cilës do zbresi një Zonjë me kapella dhe dantella dhe ndërlikime sentimentale marramendëse, gjëra këto, pa të cilat, Letërsia dhe Perëndimi do ishin të magët, dhe sytë të mbushen me lot.

Pas pretendimeve me katunarë, komunista, spiuna, oficera, estrada ndërmarrjesh, pala dhjami në qafë, tul në ballë, zinxhira floriri, i sëmuri me perfeksionizëm Ilir Strazimiri kam frikë se fsheh diçka.

I dashuruar marrëzisht me dendurinë frymëndalëse të humanizmit të lartë dhe qytetarisë së sofistikuar që vila e vjetër në heshtje ulurin, duket se Profeti Ilir Strazimiri nuk do kullë apo grataçiel, por vetëm Kishë ose Tempull.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora