Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Gropa e Prishtinës në fundjanar
E merkure, 01.02.2023, 07:58 PM
Gropa
e Prishtinës në fundjanar
Nga
Ndue Ukaj
Prishtina
është qytet i ndërtuar në një gropë. Kur e sheh relievin e saj, të duket sikur
mendësia e gropës i ka kurthuar mendimet e saj dhe ngërthen diçka fatale.
Në
vitet e nëntëdhjeta, Prishtina kishte një elitë që ia doli të dilte prej grope,
u bë elitë e metropoleve dhe u përqafua nga metropolet.
Por
sot duket sikur gjithçka është kthyer kryengulthi. Dhe në këtë gropë janë
kurthuar fatet tona.
Ka
dëshpërim dhe mërzi pafund, tek të gjitha shtresat e pa kurrfarë dallimi.
Dhe
këtë e shprehin të gjithë: nxënësit, mësuesit, taksistët, kamerierët,
floktarët, politikanët...
Dhe
sot, në këtë fundjanar, në këtë gropë të madhe, pakkush mendon se vendi i tyre
mund të bëhet më i mirë. Për mua, kjo është tragjedi në vete, më e frikshme se
asociacioni, marrëveshja e mundshme me Serbinë, të cilën dikush me epsh e
predikon si të keqe e dikush si jo të kënaqshme.
Vërtet,
Prishtina është katandisë në një gropë të frikshme ideologjike. E ka humbë
besimin në vetvete dhe në të tjerët.
Ajo
sot nuk ka vizion për zhvillimin e vendit dhe as për paqe. Nuk di kah do të
shkojë.
Ajo
udhëhiqet e shtytur nga një epsh ideologjik të cilit i ka dalë boja qëmoti.
Për
të e në emër të saj flasin disa mendjengushtë e robë të ideve të mjera.
Po,
Prishtinën e ka mbuluar smogu i ideve të këqija e të shkreta.
Dhe
këto ide të këqija, të vogla e të shkreta, pa vështirësi gjejnë hapësirë në
sferën publike dhe bëhen standarde publike. Që domethënë bëhen ushqim për
qytetarët e gjithë vendit.
Ka
rrëmujë e mendime të rrëmujshme.
Mungon
gjallëria kulturore dhe mbretëron një zymtësi e frikshme.
Ikja
është kthyer në kryetemë.
E,
përballë këtij realiteti edhe njerëzit më racionalë duken të habitur e të
shtangur.
Sepse,
shpjegime racionale e as me bazë empirike për këtë kurthim nuk ka.
Prishtina,
si qytet është ndërtuar në një gropë, me rrugë të ngushta, trotuare të ngushta,
por dikur ajo kishte njerëz më mendje hapur.
Sot
rrugë ka më shumë, kodrat kanë filluar të stërmbushen me ndërtime, por njerëzit
duken të katandisur në gropë.
Dhe
dihet, gropat ideologjike janë të tmerrshme e të frikshme. Ato i bëjnë njerëzit
mendjengushtë e mendjekëqij, sepse në gropë njeriu sheh pak ose aspak.
Dhe
ushqehet me dromca kulturore e politike që të tjerët i hedhin nga lart.
Të
mësohesh me jetën e gropës është si të mësohesh me çjetën.
Në
këtë fundjanar, politika dhe frika kanë hyrë në çdo shtëpi dhe kanë trazuar
midenë e një populli të stërvuajtur dhe atyre u kanë zënë vendin fjalë të
këqija e mendime që burim kanë llumin.
Flitet
për kacafytje, luftë, pasiguri dhe nuk flitet për paqe, solidaritet e zhvillim.
Mehr
Licht, kërkonte dikur Goethe i madh.
Më
shumë dritë, duhet të kërkojë sot Prishtina.
Dhe
drita nuk vjen përsa kohë nuk vetëdijesohemi se jemi në terr.
Për
sa kohë nuk synojmë të ngjitemi në lartësi.
Për
sa kohë vetëkënaqemi në mbretërinë e tallavasë, mbretëri kjo që po shkallmon
jetën tonë dhe po thanë idealet e një brezi të ri që rrugën e ikjes e ka
zgjedhje parësore.