Mendime
Enver Bytyçi: Mos e bëni Kosovën ferrin e së nesërmes!
E marte, 31.01.2023, 07:54 PM
Mos e bëni Kosovën ferrin e së nesërmes!
Nga
Enver Bytyçi
Tema
e krijimit ose jo të Asosacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë është
aktualisht tema më e nxehtë. Që në fillim duhet thënë se kjo kërkesë e Serbisë
erdhi në duart e Albin Kurtit si një patate e nxehtë, për shkak të nënshkrimeve
të 19 prillit 2013 të Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç, si dhe të nënshkrimeve të
Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiç në vitin 2015.
Po
ta vemë re me kujdes, tani Kosova po rikthehet te 19 prilli 2013. Asaj i është
paraqitur një projekt i njëjtë si para 10 vitesh. Qeveria Kurti, duke qenë se
erdhi në pushtet me kauzën anti-asosacion (Zajednica nuk kalon), është i
detyruar që ta kundërshtojë dhe të luftojë kundër tij. Por edhe mund të ndodhë
që ai të pajtohet me ndonjë intrigë “ndërkombëtarësh” për t’ia lënë dikujt
tjetër nënshkrimin e saj. Pastaj të mjaftohet me retorikën anti-asosacion. Në
këtë rast ai do të ishte dyfish i ndëshkuar, si intrigant dhe si tradhtar i
premtimeve të veta. Unë nuk besoj në këtë thash e them! Besoj shumë se ky lloj
përgojimi është sajuar në Beograd, si element trysnie dhe ndikimi në opinionin
publik. Këtë thash e them e përçojnë ata të ashtuquajtur politikanë dhe
analistë të cilët thonë se “Kurti e ka pranuar asosacionin”!
Por
Kurti vazhdimisht thotë se nuk e pranon atë. Ka dhënë dhe po jep pa fund
argumente për këtë dhe kjo e ngre atë si politikan të mendimit dhe argumentit.
Megjithatë trysnia është shumë, shumë e madhe. Nesër në ambasadën amerikane do
të jenë të gjithë aktorët politikë, përveç Kurtit. Po interpretohet kjo si një
organizim kundër Albin Kurtit. Por unë nuk e mendoj të tillë takimin e
ambasadoorit Hovenier me përfaqësues të politikës e të shoqërisë civile ditën e
nesërme më 31 janar. Sepse aty do të jetë edhe zv. kryeministrja dhe ministre e
Jashtme, Donika Gërvalla. D.m.th do jetë e pranishme edhe qeveria.
shoh
dilema dhe përpjekje diametralisht të kundërta në qëndrimet politike e të
medies sa i përket kësaj çeshtjeje shumë delikate. Nëse do kishte njohje të
Kosovës nga ana e Serbisë rreziku i asosacionit do të zvoglohej. Njohja e
ndërsjelltë do të detyronte Serbinë t’i përmbahet rregullit ndërkombëtar për
respektimin e integritetit territorial të Kosovës. Në këtë rast një asosacion
pa kompetenca ekzekutive në çeshtjet e sigurisë, politikës së Jashtme dhe të
gjyqësisë, mund të funksiononte. Vetëm se edhe në këtë rast do duhej
parashikuar që ky asosacion të ngrihej pasi Kosova të bëhej anëtare e OKB-së.
Por
nuk është kështu. Asosacioni kërkohet të realizohet e krijohet pavarësisht
mos-njohjes nga ana e Serbisë. Në këtë rast bëhen garantë Fuqitë Europiane dhe
SHBA-të minus Britanisë së Madhe. Por nuk mjafton kjo. Sepse integriteti i
vendeve garantohet e duhet të vijë si produkt i anëtarësimit në OKB. Kjo gjë
është e pagarantuar. Madje nuk jepet garanci as për pranimin në NATO e BE.
Kështu që do të vijë një moment i dytë, kur do të vendosen raportet e njohjes
midis të dy vendeve. Ky moment do të jetë në kohën kur Serbia të diskutojë
kapitullin e fundit për integrim në BE. D.m.th pas 5 deri 10 vitesh!
Çfarë
do të ndodhë deri atëherë? Serbia do të marrë kohën e nevojshme për ta
realizuar idenë e ndarjes së Kosovës. Do të shtojë të gjitha kapacitetet e veta
për ta realizuar këtë. Ndërkohë krijimi i asosacionit do t’i mundësojë asaj të
krijojë mekanizmat “legalë” të shpalljes së pavarësisë së veriut të Kosovës dhe
kësisoj të bëjë trysni në emër “të vullnetit” të serbëve që jetojnë në këtë
pjesë të vendit. Deri aso kohe Escobar dhe Rollet nuk do të jenë personazhe në
ndërmjetësim. Ata që do të vijnë do të thonë, siç thotë sot Hill, se “Ne kemi
qenë për ndarjen e Kosovës dhe jo për unifikimin e saj”! Alibia e garancive do
të bjerë dhe Kosova do të detyrohet të kapitullojë.
Nëse
ndodh kjo, dhe të gjitha gjasat janë se kështu do të zhvillohen ngjarjet, atëherë
Kosova shpërbëhet si shtet. Ata që sot besojnë se do të kenë një shtet dhe
institucione do të zhgënjehen përfundimisht. Kosova do të ndahet midis Serbisë
dhe Shqipërisë dhe në këtë rast nuk rrezikohet vetëm veriu i Kosovës. Një
Kosovë e ndarë, pa resurset e pasurive të veriut, nuk mund të mbijetojë si
shtet. Këtë e dinë ata që kanë inicuar dhe këmbngulin për asosacionin.
Prandaj
dhe është më mirë ta ndani mendjen sot: - Nëse e doni shtetin, shtetësinë dhe
vetë Kosovën, mbrojeni sot integritetin territorial të saj. Nesër do të jetë
vonë, shumë vonë! Nëse doni ta shpërbëni shtetin e shtetësinë e saj, miratojeni
asosacionin dhe jepjani që sot veriun Serbisë! Mos harxhoni energji dhe nerva
për ta zgjatur e transferuar konfliktin në kohë tjetër! Serbia edhe sikur të
pranohet në Bashkimin Jupiterian nuk ka për ta ndryshuar qëndrimin ndaj
Kosovës! Mos krijoni iluzione as nga „garancitë“ europiane dhe amerikane.
Shembull kemi Ukrainën, të cilën e ç’atomizuan në favor të Rusisë me garancitë
e Perendimit dhe sot ajo gjendet në ferr! Ukraina do ta fitojë luftën, por
ferri mbetet ferr! Mos e bëni edhe Kosovën një ferr të vërtetë, në një kohë
tjetër, kur Ukraina nuk do të jetë më tema kryesore e lajmit në botë!