Speciale
Syrja Etemi: Shqiptarët dhe organizimi kishtar bizantin në Pollog (2)
E enjte, 19.01.2023, 07:59 PM
SHQIPTARËT
DHE ORGANIZIMI KISHTAR BIZANTIN NË POLLOG (2)
Vazhdon nga numri i
kaluar...
Nga
Syrja Etemi
Në gamën e shumë
pyetjeve dhe “xiglimeve” të mbarsura me
kurreshtje të hazdisura, për shumë kohë - janë hamendjet prafulluese që kanë të
bëjnë me çështjen e zhvillimeve, përcaktimeve dhe organizimeve të jetës fetare në Pollog (ku ka gëluar edhe elementi
arbëror), duke bërë një digresion nga paganizmi Ilirian – për të ezaurur
shkrimet që kanë të bëjnë me krishtërimin, qoftë të ritit perëndimor, qoftë të
ritit lindor.
Feja gjithnjë ka luajtur dhe po luan një rol parësor në mbijetesën e një kombi apo të një populli, sidomos të një populli të lashtë e autokton, si që është populli ynë shqiptar, i cili gjithnjë ka qenë në kacafytje me prapëtitë e shekujve. Këtu e kam poentën, sidomos për pjesën shqiptare të mbetur jashta kufinjve zyrtarë të Shqipërisë etnike, e në veçanti – të shqiptarëve indigjenë të Maqedonisë së Veriut, ku organizimi i jetës fetare ndër shekuj është mveshur me tisin e një mjegullnaje të dendur që precipiton në shpjegime dhe interpretime me shumë të panjohura e të dyzuara, për të prërfunduar madje edhe në një amallgamë të padeshifruar sa e si duhet. Pikërisht në këtë dimension do të mundohem që sado pak të hedh dritë në tërë këtë “skëterrë” të pllakosur, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët e Pollogut - këtë mjedis ku kanë ndërvepruar e bashkëjetuar shumë bashkësi etnike e fetare, ku secili ka mëtuar e po pretendon të favorizojë “të vetin” e, secili të kundërshtojë e t’i dumatet tjetrit. Për këtë “eklipsim” jo të beftë, fillimisht u përcaktova t’u referohem atyre pak dokumenteve të shkruara të kohës, por - në veçanti - disa shkrimeve të autorëve apo hartuesve të monografisë: “Tetovo i tetovsko niz istorijata” (Tetova me rrethinë nëpër histori), Tetovë, 1982, me pretendimin për t’ iu shmangur interpretimeve paushalle apo diletanteske. Meqë u përcaktova për monografinë që flet për Tetovën, me këtë rast do t’i referohem kreut IV që ka të bëjë me shënimet e radhës: Pronat feudale të zotërimeve kishtare.
Në gramotën e
pronës (ktitorska gramota) janë të shënuar, përveç tjerash edhe objekte tjera
ekonomike shoqëruese, si dhe të ardhura tjera që i kishte ekonomia kishtare.
Pikërisht, manastiri ka poseduar edhe mullinj në Htetovë, Hrashtan, Mllaçicë
(Mllaçice), Kërpenë (Krpena), Zhelinë (Zhelino) dhe në Vrutok, si dhe mullinin
e Dhimitër Çalapisë ( Dimitar Çalapija), pronarin feudal të Melit
(që me siguri duhet të jetë vendbanimi tani i braktisur: Mell (ovë), mbi
fshatrat Tearcë – Otushishtë dhe Përshevcë-Gllogjë, në anën e majtë të lumit Lumbardh (Bistrica), S. E.). Përveç
këtyre të dhënave që përmendëm, ky manastir ka zotëruar edhe livadhe pranë
Përroit (Potokot) të Htetovshticës, në megjet me f. Mllaçicë, si dhe në
Sallarevë, Kërpenë, dhe Zhelinë; ka zotëruar madje edhe bjeshkën (Nanov Doll),
bjeshkën e f. Garë, Malin e Thatë (Suva Gora); Zabelin Zheden (për dimërim të
pelave e dhenve); madje, drurë “drxhvo” të Carit afër Stençes; terrenet për gjah
(llovishte) në Brod; fushë afër f. Mllaçishtë dhe afër Stençes; lumin në megjet
e f. Leskovjan – kishëzës: Shën Ilia (Sv. Ilija) (me siguri afër Stençes) - kishës
Shën Jovani Gojarti (Sv. Jovan Zllatoust) në Gajre (Gari) – Shën Gjergji
(Sv. Georgija) në Kërpenë dhe Zhelinë të Moçme, Shën Nikolla në Jeduarcë; madje
“vënesht dhe dy ... (çrnici)” dhe më së fundmi – të drejtën e “panairit
(panagjur) dhe sheshit në Htetovë” si dhe të drejtën për të marrë çdo vjet 150
spuda (mera) krypë nga Shën Sërgji (Sv. Srgj).
Si është e cekur
mëlartë, Manastiri Shën Hyjëlindësja e Tetovës (Sv.Bogorodica Htetovska) ka
patur shumë tokë të mbledhur në forma të ndryshme. Ato, para së gjithash, ka që
janë blera, të blera për 2,5,8,10,12,15,17,18,27,28 dhe 80 perperë (perperi, të
holla për llogaritje). Me këtë, madhësia e disa arave është llogaritur edhe me
njësi matëse të tokës, si p.sh.: me ditë të lavrës me pllug, me pogon (rreth
gjysmë hektari) dhe zamet (aq sa mund të hudhet guri). Përveç kësaj, disa ara
janë marrë për një kalë, pelë, buallicë dhe 5 perperë, bylmet dhe për një dash.
Për një arë, të blerë në rast të pllakosjes së urisë, manastiri jipte 20
kobëlla drith dhe dhe disa traste djathë. Gjatë blerjes kishte abrogime dhe
mospagesë të tërësishme të shumës së marrëveshjes. Marrëdhëniet e papastruara
të pronës rregulloheshin me përdorimin e forcës, por edhe me procesuimin
konteksteve gjyqësore. Një rast të këtillë udhëhiqte gjykatësi Dabizhiv pas
paditjes të dragisë i biri i Strezit dhe dhëndër i Dragosllavit. Në proces
ishte prona të cilën për një kohë Strezi ia shiti apo ia fali manastirit. Në
rastin e dytë, ka qenë i paditur Progoni për “bashkimin e padrejtë të kodrinës
Plesh”, i cili ishte stas (pronë) kishtare. Gjykimi, në prani të fisnikëve dhe
pleqve filloi në kishën Hyjëlindësja e Tetovës (Sv. Bogorodica Htetovska) me
dhënien e betimit para peshkopit (episkop) Gjergj Markushi (Georgij
Markush) dhe para kirit Kallinik. Pas kësaj dalin të gjithë në terren ku janë
marrë në pyetje dy dëshmitarë: plaku Pribisllav, i besuari i Markushit dhe kiri
Aleksa, vëllau i peshkopit (episkop) Vllaho. Në fund të procesit u ndërtua akti
gjyqësor i cili ka qenë i shkruar dhe nënshkruar nga inomiku Nikollë.
Manastiri
dispononte edhe me ara (toka) “përshpirtshmërie”, të dhuruara (falura) për
shpirt (për vete personalisht, për gruan apo për nënën) madje edhe për varr (
për vete personalisht, për vëllaun, për popadinë apo për kirin Nikifor). Ndonjë
arë është falur për shpirt dhe për
varr, ose për varr dhe për postrig, ose
për atë se dhuruesi nuk kishte pasardhës apo trashëgimtar.
Manastiri kishte
eprorët e vet, igumenin. Një kohë ky përmendet edhe si arhimandrit. Igumeni
zgjidhej apo caktohej thjesht nga radhët e anëtarëve të vëllazërisë dhe sipas
dëshirës së qeverisësit apo ktitorit (themeluesi). Kujdesin për pronën e
manastirit dhe rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta e kishte ikonomi. Në
manastir ka patur edhe tituj tjerë. Kallugjerët ishin të angazhuar t’i dëgjojnë
më të vjetrit me shërbim.
Manastiri
Hyjëlindësja e Tetovës (Sv. Bogorodica Htetovska) ka patur të drejta të
caktuara që nga koha e carërve bizantinë (grekë), kurse më vonë të njëjtët kanë
qenë të konfirmuar edhe nga ana e qeverisësve serbë. Me këtë në manastir i
shtohen edhe disa kompetenca gjyqësore dhe finansiare. Pikërisht, ai i
autorizuar ta mbledhë gjobën nga njerëzit e kishës, pa marrë parasysh vendin,
si dhe personin i cili udhëheq procedurën. Në gramotën shënohen edhe gjobat
sipas emrit: vjedhja, dora (taksa për garanci), dëshmi (taksa për dëshmitarë),
otboj (refuzimipër të pranuar lajmëtarin e gjyqit), udava (mbyllje e
vetautorizuar) dhe qëndrim ( dënim për të autorizuarin). Kishës Hyjëlindësja e
Tetovës (Sv. Bogorodica Htetovska) i takonte gjoba bile edhe për vepra që ishin
në kopetenca të gjyqit të autorizuar si p.sh.: vrazhda (kompensim për dëmit për
vrasje), grabitje (gjobë për grabitje e dhunim). Të dhënat ishin të larta. Për
shembull, shfrytëzimin e padrejtë të bjeshkës apo malit Nanov Doll janë dhënë
300 perperë.
Në territoret kishtare
ishte i kufzuar aktiviteti i zotëruesve dhe eprorëve fisnikë. Pikërisht, ata
nuk mund t’i angazhojnë njerëzit e
kishës me “punë të mëdha dhe as të vogla”
si dhe me detyrime të zakonshme. Detyrimet për punët ekzistuese dhe
tatimet përgjithësisht janë të caktuara në gramotën e manastirit Shën Gjergji – Gjorgj, në lidhje me të
drejtat e posedimit që i ushtronte apo që i kishte në f. Reçicë të Pollogut.
Sipas gramotës, organeve klerikale të qeverisjes iu ndalohej t’i thirrnin
njerëzit e kishës në çfarëdo lloj pune, në përfshirjen në ushtri, në
ndërtimtari, në ruajtjen e qytetit, në qilizmë të vëneshtave, në suitë të
bujarëve (shoqërim të zotëruesit apo të deleguarit deri në kufirin e zhupës)
dhe në shoqërim të karvaneve. Përveç kësaj, eprorëve të zotërisë apo të bujarit
i është ndaluar t’i detyrojnë njerëzit e kishës të ushqejnë qentë ose të
kërkojnë të dhjetat e koshereve ( për bletë), dhen, drithë, verë, sanë, (kompensim për qëndrim të bagëtisë në pronat
e manastirit), mitat (pranim të ushtarëve në konak), tatim për “kokë”,
buallica, priselica ( detyrim për tri herë gjatë vitit të pranojë në konak të
zotëruesit dhe të ushqej atë dhe shoqëruesit e tij, si dhe udhëtarët e
autorizuar), si dhe doganim për kal, gomar e buall.
Fshatrat e
Hyjëlindëses së Tetovës (Sv. Bogorodica Htetovska) ishin të liruar nga shërbimi ushtarak, nga lavrimi i tokës,
por për këtë ishin të detyruar për meqe (dhënia e tagjisë kuajve të zotërisë)
në sasi nga 1 krinë (24 kobëlla mbretërore), si dhe dhënia e vaktit psarit
(darkë ose drekë), varësisht nga qëndrimi i tij në fshat.
Si që është
përmendur më lartë, Peshkopata (Episkopija) e Prizrenit ka patur prona të
konsiderueshme në Pollog. Kjo dëshmon për interesimin e madh për “vendet
kishtare” të këtushme. Në këtë përfundim indicon diskursi i peshkopit Gjergj
Markushi që ka shprehur para këshillit të bujarëve dhe popullit të
Pollogut. Pikërisht ai publikisht do të shprehet se është “Zot zotëri” i kishës
dhe se i tillë mund të merr toka kishtare kudo që të gjejë. Sido që të jetë,
nga këto fjalë elokuente, nuk mund të kuptohet se çfarë autorizuesi ishte dhe
çfarë ishin të drejtat e peshkopit të Prizrenit në Pollog. Por një gjë është e
sigurt se, Pollogu deri në mesin e shek. XIV nuk ka patur peshkop.
Lugina e Pollogut,
nën sundimin bizantin, gjatë kohë ka qenë zonë kufitare me shtetin serb. Për
këtë kohë, në pikëpamje kishtare, ka qenë nën juridiksionin e Arqipeshkvisë
(arhiepiskopija) e Ohrit. Qendrat më të afërta kishtare rreth Pollogut kanë
qenë Prizreni, Lipjani, Shkupi dhe Dibra. Nga viti 1282, me siguri, diçka duhet
të jetë ndryshuar në statutin kishtar të Pollogut, i cili, sipas kriteriumit të
kancelarisë serbe, bie nën “tokën serbe”.
Në mesin e shek. XIV u formuan mitropolitë dhe episkopitë e reja. Atëherë u themelua episkopia për Pollogun e Poshtëm. Episkopi i parë i episkopisë së re të formuar emërohet Joanikie, i cili deri atëherë ka qenë jeremonah dhe ktitor i kishës Shën Thanasi (Sv. Atanas) në Leshkë. Pjesa e dytë e Luginës së Pollogut, përkatësisht Pollogu i Epërm, ra nën juridiksionin e eparkisë fqinje, megjithatë, në mungesë të dëshmive, nuk mund të precizohet emri i episkopisë. Pavarësisht këtyre shënimeve për atë zonë, për këtë të parën, përkatësisht për eparkinë e re të Pollogut të Poshtëm që u formua, dihet se kjo u lidh për mitroloninë e Prizrenit, sepse sipas saj, Pollogu ka qenë pjesë përbërëse e eparkisë së vjetër të Prizrenit nga shek. XI.
3. Pronat e feudalëve shenjtorë
Në Pollog kanë qenë
të përhapur edhe të ashtuquajturat prona të feudalëve shenjtorë. Ata dispononin
me fshatra, kisha, bjeshkë, zabele, kodrina, pyje dhe ara, madje edhe toka për
mbjellje si dhe bagëti. Ata nga pronat ekzistuese ndanin objekte për
dhurim feudalëve shpirtërorë dhe
shenjtërorë. Në mes atyre që pranuan dhuratë nga zotëruesit kanë qenë manastiri
Hyjëlindësja e Tetovës (Sv. Bogorodica Htetovska) dhe Dhimitër Çalapia
(Dimitar Çalapija), zotëri feudal i f.Mel. Feudali i përmendur rrjedh nga rendi
i zotërinjve në shoqërinë feudale, përkatësisht nga radhët e fisnikëve
pollogasë.
Në shënimet e
ndryshme shkruhen emrat e ndonjë fisniku (bujari) pollogas apo (zotërues), ndër
të cilët: Dhimitër Çalapija, zotërues feudal i f. Mel, kir Manoillo nga
Banica, kir Kaliniku nga Modriça, Kalojani nga Leshka, Teodori nga Leskovjani,
kir Aleksa, vëllau i episkopit Vllah, mandej Padro dhe vëllau i
Teodorit, gjergj Sulima, Teodor Sulima, Makarie, sevasti Rounzer, kir Nikifor,
sevast Sevlad, kir Andronik, kir Mihaillo, kira Zoja, kefalija i Pollogut,
Vllado etj. Aty është edhe Isah, i cili i dhuroi manastirit një të katërtën e
f. Sallarevë (me oborr, livadhe, ara, mullinj dhe kullota)), madje Varnava, i
cili i dhuron manastirit një të shtatat e f. Falishtë, si dhe Zhegra dhe
Progoni, të cilët i ekspozoheshin një
presioni të fuqishëm nga ana e feudalëve kishtarë.
Qefalia si drejtues
krzen disa funksioni. Ai urdhëron njerëzit e varur të shkojnë në punë, të
ndërtojnë qytete, të punojnë vneshtë, të marrin pjesë në “ushtri”, në
udhëheqjen e karvaneve si dhe të dërgojnë lajme.
4.Pozita e fshatarëve të varur
Prona dhe pasuria e
feudalëve ka qenë e mbështetur në bazë të pozitës dhe “gjakut” të njerëzve të
varur. Për këtë arsye, fisnikët apo feudalët i kanë kushtuar kujdes precizimit të ndarjes së punës së krahut, e
cila rrjedh nga radhët e paricëve. Njerëzit e varur janë të lidhur me tokën dhe
punën. Ata kanë jetuar rëndom në familje të mëdha (me gjithë fis) në fshatra. Disa vendbanime
janë përbërë nga disa mëhallë. Fshatrat ishin të locuar apo të krijuar në rrafsh
por edhe në vise kodrinore-malore, ku përbënin fshatëzin e barinjve.
Fshatarët e varur
në radhë të parë mirren me bujqësi, lavërtari (sedenie). Me këtë, ka raste të
shfrytëzimit edhe të ujit për ujitjen e kulturave bujqësore. Përveç kësaj, në
pronën e manastirit është favorizuar zhvillimi i vneshtarisë, madje
frutikulturat, si dhe blegtoria. Manastiri Hyjëlindësja e Tetovës (Sv.
Bogorodica Htetovska), posedonte livadhe, zabele si dhe bjeshkë me kullota
verore dhe dimërore. Me ruajtjen e bagëtisë, zakonisht janë marë Vllehët (Vllasi)
dhe Shqiptarët (Arbanasi). Në Pollog, nën qeverisjen serbe, kishte
edhe aktivitete artizanale dhe xehetare, megjithatë, në mungesë të ruajtjes së
burimeve , është vështirë të kuptohet zgjërimi i tyre.
Teprica e prodhimeve
bujqësore dhe blegtorale nxirrej në treg (trg) dhe panair (panagjur). Me këtë,
autoriteteve mbretërorë dhe eprorëve tjerë nuk u lejohej të mbledhin taksa nga
“tregu tetovar” (“htetovski trg”).
Manastiri kishte të drejta të veçanta edhe në treg, i cili më herët mbahej në
oborrin e kishës.
Njerëzit e mvarur
kanë qenë të ngarkuar me taksa e tatime dhe me punë të detyrueshme. Përveç
punëve të krahut, paguanin edhe tatime plotësuese. Zotëruesit apo sundimtarët
bizantinë kanë patur zakon që në raste të dasmës të mbledhin bagëti,
veçanërisht këtu në Maqedoni e, me këtë edhe në Pollog. Përveç kësaj, oborri
mbretëror i Konstantinopolit detyronte që popullata apo banorët e zonave
kryengritëse të jepnin tatime me vlerë e sasi më të madhe.
Të vazhdojmë mëtej!
Pas sundimit bizantin dhe serb, Lugina e Pollogut bie nën sundimin osman pas
betejës së Kosovës dhe, me siguri në të njëjtën kohë kur edhe Shkupi, (në
fillim të viteve të nëntëdhjeta të shek. XIV). Turqit osmanlinj në territoret e
pushtuara formuan vilajete (nahije), ku Tetovën e quajnë Kallkandelen. Në
situatën e re ushtarake e politike të krijuar, Tetova filloi të konsolidohet e
rritet në qendër administrative, ndërsa qytetet e ruajtura mesjetare Sobri (në
Orashë në afërsi të kufirit me Kosovën) dhe Tërnova gradualisht fillojnë të
humbin domethënien dhe rëndësinë e tyre.
Në ditët e
fuqizimit të pushtetit osman në Pollog, përmendet “sinjor de Pollogo”.
Megjithatë, mbetet e paqartë, kush është kjo figurë që ka evidentuar Barleti,
biografi i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Për këtë “zotëri” dihet vetëm se ka
qenë babai i Voisavës, që ishte nëna e Skënderbeut.
“Me këtë rast, do
të bëj një digresion të shkurtë me pretendimin për të hedhur pakëz dritë në
këtë mjegëtirë, duke iu referuar një dokumenti të kësaj kohe që flet për
“zotëriun anonim”. Këtu, patjetër t’i referohemi
një burimi mjaft indikativ nga: “Shkrimet e vjetra bizantine”, që, përveç
tjerash, nxjerrin në dritë edhe një letër të shkruar nga eremonahu Mihali nga
Manastiri i Leshkës në Pollog (me shërbyes fetar edhe nga “arbanasët e
krishterë”). Këtu, përveç tjerash thuhet: “Dokument shumë i vlefshëm që e
përmend Vojsavën si e bija e mbretit të Pollogut, me emrin Gërguri, është edhe
një letër e shkruar nga eremonahu Mihali nga Manastiri Leshka, në Pollog, – në
shkrimin e vjetër bizantin të vitit 1366, në të cilin shtohet edhe kjo: ,,Prifti
Mihon i fshatit D e b r i sh t e të Pollogut na ka lënë një shënim për
Vjosavën, të bijën e mbretit të Pollogut, me emrin Gërguri, se ajo i ka dhuruar
Manastirit ,,Leshka,, një mal të madh me shumë lisa,,