Përjetësi » Mani
Binak Ulaj: Kadri Mani - Luftëtar i Përjetshëm për Kosovën
E merkure, 18.01.2023, 08:43 PM
KADRI MANI - LUFTËTAR I PËRJETSHËM PËR KOSOVËN
Në
10-vjetorin e amëshimit
NGA
BINAK ULAJ, kryetar i Shoqatës të
ish-Bugosurëve Politikë të Kosovës
Sot,
kur shënojmë 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Kadri Manit, e kujtojmë me
respekt të veçantë përkushtimin dhe sakrificën e tij, por edhe të familjes së
tij, në Lëvizjen Kombëtare Çirimtare të Kosovës. Falë veprimtarisë, zgjërimit
dha avancimit të vazhdueshëm të kësaj Lëvizjeje, u arrit të formohej UÇK-ja, e
cila na e solli lirinë që e gëzojmë sot, me çka iu kthye dinjiteti popullit dhe
Atdheut tonë. Edhe unë kam pasur nderin që, së bashku me Kadriun, t’i përkas
kësaj Lëvizje që nga njohja me të, në tetor të vitit 1968. Për t’u njohur me
Kadriun më kishte këshilluar Idriz Zeqiraj, të cilin atëkohë e kisha përcjellë
për në Tiranë, me qëllim që prej andej të na njoftojë për qëndrimin e Tiranës
dhe të na dërgojë literaturë të nevojshme, gjë që edhe do ta bëjë përmes
vëllait të tij, Seferit dhe të axhës, Rexhepit, që punonin në mërgim.
Që
nga njohja e parë do të më bëjë përshtypje qëndrimi i çiltër i Kadriut dhe
besimi për të bashkëvepruar, sikur të njiheshim që prej shumë vitesh. Duke
vlerësuar lart demonstratat e vitit 1968 dhe jehonen e tyre brenda dhe jashtë
vendit, pa humbur kohë, do t’ i qasemi punës, do të përpilojmë, shumëzojmë e
shpërndajmë traktin, me të cilin i ftonim studentët dhe popullin të ngriteshin
përsëri në demonstrata e protesta. Por, për shkak të kohës së shkurtër të
përgatitjes, do të zbulohemi e arrestohemi pas pak ditësh. Ishte kjo sprova e
parë e qëndrimit dhe përkushtimit ndaj kauzës, të cilës kishim vendosur t’ ia
kushtonim jetën. Por edhe sprova e parë ndaj qëndrimit e përkushtimit ndaj
njëri- tjetrit. Asnjë fajësim i shokut, por vetëm përpjekje që të gjithë peshën
e dënimit të të tjerëve, ta merrnim mbi vete.
Burgu
dhe torturat, gjendja e rëndë ekonomike e familjes, masat e rrepëta të
përndjekjes e represionit, nuk do ta ndalin Kadriun me shokët: Xhafer Shatrin,
Jashar Alinë dhe Binak Ulajn, ta vazhdojnë veprimtarinë atdhetare dhe ta shpien
përpara atë, ndonëse e dinin se do t`i prisnin dënime edhe më të rënda dhe mund
t`u kushtonte edhe me jetë. Këtu edhe qëndron madhështia e veprimtarëve të
Lëvizjes. Falë këtij vullneti, ky grup do të njihet e lidhet edhe me veprimtarë
tjerë të Lëvizjes, si me Mehmet Hajrizin, Rexhep Malën, Hydajet Hysenin, Gani
Sylën, Nuhi Berishën, Jakup Krasniqin e të tjerë, gjë që do të avancojë nivelin
e organizimit dhe të zgjërimit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vise tjera,
madje edhe në diasporë, duke marrë kështu përmasat e një organizate të
mirëfilltë.
Duke
vlerësuar rolin e mjeteve të informimit, grupi i emëruar "Grupi
Revolucionar të Kosovës" (GRK), do ta përgatisë e nxjerrë edhe oragnin e
vet të shtypit me emrin "Zëri i Kosovës", që ishte gazeta e parë
ilegale pas Luftës së Dytë Botërore, (LDB). Për shkak të veprimtarisë gjithnjë
e më intensive, por edhe për shkak të përcjelljes së rreptë të organeve të
shtetit policor, çfarë ishte ish- Jugosllavia, në fillim të majit të vitit
1974, do të zbulohet e arrestohet vetëm një pjesë e grupit: Kadriu, Xhafer
Shatri, Jashar Aliu dhe Binak Ulaj. As tani, bashkëveprimtarët tjerë nuk
zbulohen. Ky qëndrim i paepur i veprimtarëve do të mundësojë që GRK, të jetë
grupi më veprimtari më jetëgjatë, duke përfshirë edhe periudhën e formimit të
UÇK-së. Se ç`peshë i jipte Kadriu moszbulimit të shokëve, do ta thotë e
shkruajë disa vite më vonë: "Disa herë e kam parë vdekjen me sy dhe kam
menduar edhe në vetëvrasje. Futet thika në zemër, sikur në mollën e kalbur,
para se të përmendet, qoftë edhe një emër i një verimtari."
Me
këtë rast po e veçoj edhe një të dhënë për veprimtarinë e GRK-së: Traktet e
shumëzuara janë shpërndarë, kryesisht, në konviktin e studentëve dhe te
punëtorët e minierave, në Stan-Tërg, Tunel të Parë, Golesh, Magurë, Kishnicë,
por dhe në lagjën e punëtorëve të kombinatit "Ramiz Sadiku" në
Prishtinë. Në asnjë tekst, a shkrim të botuar, për grevën historike të minatërëve
të Trepçës, kur ata për tetë ditë radhazi, nga 20 deri me 28 shkurt1989,
qëndrojnë të mbyllur në zgafellë, nuk është theksuar ky fakt.
Nga
burgu në burg, në Prishtinë, Mitrocicë, Pejë, Beograd, Nish, Leskovc, Maribor,
Lubjanë, Zagreb, ndonëse edhe me shëndet të rënduar, Kadriu, sapo do të
lirohej, do ta vazhdojë veprimtarinë, duke i mbetur besnik programit atdhetar
të Lëvizjes dhe motos së GRK-së: "Çdo gjë për çështjen, asgjë mbi
çështjen." Dhe, në vitin 1983, së bashku me Rexhep Malën, Nuhi Berishin,
guerilët e parë të Lëvizjes të rënë dëshmorë, do ta formojnë "Partinë e
Luftës të Kosovës", (PLK).
Përsëri
arrestim dhe dënim maksimal me burg. Po, Kadriu, do të qëndrojë. Për këtë
qëndresë ai do t’ i jetë mirënjohës familjes e, në rend të parë bashkëshortës,
për të cilën do të shkruajë: "Edhe pse kam qenë në burg, kam qenë i lirë
si zogu në degë, duke iu falënderuar gruas time të devotshme, Shukrie
Bunjaku-Osmani, e cila ka qenë shtyllë e shtëpisë, si dhe, në raste të tjera,
të shokëve të mi". Këtë përkrahje e qëndrim e të zonjës Shukrie e kam
përjetuar edhe unë.
Dhe,
po e përsëris diç që s’mund të mohohet. Pa përkrahjen dhe solidaritetin e
familjarëve të të burgosurve politikë, Lëvizja çlirimtare e Kosovës nuk do të
ishte e suksesshme. Këto familje duke u njohur e solidarizuar njëra me tjetrën,
do të përbëjnë një kategori shoqërore, e cila do t’i bëjë ballë dhunës e
persekutimeve. Veçmas duhet vlerësuar qëndrimin e bashkëshorteve, për të cilat
pak kemi folur e shkruar. Kadriu është njëri ndër ata, i cili qëndresës së
grave ia ka kushtuar librin "Nuset tona".
Për
ndjenjën solidare të Kadriut dhe të shoqes të jetës së tij, Shukries, do ta
përmendi një rast të veçantë:
Meqë
isha nga një cep i largët i Ardheut dhe banoja me qira, së bashku me nënën e
moshuar, Kadriu, i cili kishte arritur ta ndërtojë një kat përdhesë të
shtëpisë, do të më thotë : "Eja e punoje një kat për vete. Falë të
qoftë". Tani, pas kaq vitesh, kur e mendojmë gjithë atë sakrificë të
brezave e brezave, atë solidaritet, gjendjen në të cilën është Kosova sot, s’ka
si të mos pyesësh: Po ç’ndodhi me ne, kur pas më së një shekulli, na u dha
rasti të punojmë të lirë, për popullin dhe atdheun tonë?
Para
sa vitesh, ambasadori i Kroacisë në Kosovë, pat akuzuar: "E keni
shndërruar Kosovën në lopë mjelëse...’’ Dhe ja, edhe shumica e punëtorëve të
arsimit bien në të njëjtin nivel, të pa ndodhur kurrë më parë në historinë e
arsimit shqip, për pak para, t’i lënë një muaj, afro 400 mijë fëmijë e nxënës
pa shkollë. Kush ka mundur ta marrë me mend diç të tillë? Prej tyre kjo s’mund
të arsyetohet!
E
përmend këtë rast, jashtë frymës së kësaj akademie, për arsye se jam i bindur
se veprimet e vetjeve të caktuara, edhe Kadriun do ta kenë zhgënjyer. Prandaj
do të ndryshojë edhe qëndrimi i tij e që binte ndesh me veprimtarinë e tij
atdhetare, e cila assesi dhe kurrë nuk mund të mohohet.
Lavdi
jetës dhe veprës atdhetare të Kadri Manit! Lavdi gjithë të rënëve në altarin e
lirisë së Atdheut tonë!