Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Zgjedhjet dhe këmbana ogurzezë për LDK-në!

| E hene, 29.05.2023, 07:50 PM |


Zgjedhjet dhe këmbana ogurzezë për LDK-në!

Shkruan: Florim Zeqa

Me z. Faton Bislimi (ish deputet dhe zyrtarë i lartë i LDK-së) për herë të parë u takova në Deçan në fillim të Gushtit 2021, në takimet e mërgatës që organizohen për çdo vjet nga kryesia e SHHK “Salih Çekaj” në Zvicër me rastin e homazheve që i bëjnë heronjve dhe dëshmorëve të lirisë së Kosovës.

Dorëheqja e z. Faton Bislimi, këmbanë ogurzezë për LDK-në

Në mesin e kryesisë së shoqatës, anëtarësisë, mbështetësve të shoqatës, veprimtarëve dhe aktivistëve në mërgatë dhe personaliteteve të shquara vendore ishte edhe z. Faton Bislimi, me të cilin pata nderin dhe kënaqësinë të bëjë një rrugëtim të shkurtër në këmbë nga lokali afër sepermarketit “Viva Fresh” e deri tek shtatorja e kryeheroit Salih Çekaj, me ç’rast shkëmbyem mendime të frytshme rreth zhvillimeve politike në vend, me theks të veçantë në LDK.

Takimi i parë me z. Faton Bislimi më la përshtypje jashtëzakonisht pozitive, të një personaliteti të veçantë, idealist i pathyeshëm, njeri i sinqertë dhe shumë miqësor. Por, mbi të gjitha, atdhedashuria dhe përcaktimi i tij i vendosur në rrugën e filozofisë politike rugoviane më mbetën të skalitura në kujtesën time.

Pas përfundimit të homazheve ndodheshim në Restoranin TROFTA në Istog, me ç’rast z. Faton Bilsimi më dhuroj librin e tij të fundit për Kosovën në gjuhën angleze. Ishte kjo një surpizë dhe një dhuratë e çmuar e cila ma zbukurojë akoma më shumë atë ditë të bukur vere. Meqë Fatoni për shkak të obligimeve partiake u largua para kohe, u ndamë me të, me shpresën që të takohemi përseri në një takim privat.

Puna dhe angazhimi politik i Faton Bislimit është i njohur mirë për elektoratin e LDK-së, qoftë si pjesë e strukturave udhëheqëse të LDK-së, si deputet në Parlamentin e Kosovës, ashtu edhe për angazhimet dhe veprimtarinë e tij të gjatë dhe të suksesshme në SHBA, si personalitet i urtë dhe unifikues i LDK-së.

Dorëheqja e z. Faton Bislimi është këmbanë ogurzezë për LDK-në. E tillë është dorëheqja e një intelektuali të kalibrit nga një parti politike.

Zgjedhjet pa reforma, nuk sjellin ndryshim

Nisja e procesit zgjedhor brenda partiak në LDK pa reforma reale dhe substanciale, me injorimin dhe anashkalimin e figurave markante nuk janë ogur i mirë për LDK-në!

Reformimi i partisë dhe kthimi i besimit në elektorat bëhet duke i ofruar rreth vetës figurat themeltare, aktivistët dhe veprimtarët e devotshëm të LDK-së, duke iu dhënë hapësirë veprimi aktivistëve dhe veprimtarëve që e mbajtën mbi supet e tyre barrën e organizimit të aktiviteteve të LDK-së në këto 33 vitet e fundit, të cilët edhe në kohët më të vështira i qëndruan besnik amanetit të tri shkronjave të arta “LDK”. Ndryshe, çdo ikje nga vlerat dhe amaneti i figurave themeltare e dëmton imazhin e LDK-së.

Reformimi dhe konsolidimi i partisë, nënkupton hapje rrugë të ndryshimeve reale dhe substanciale, do të thotë hapje rrugë atyre që e kanë dijen, vullnetin dhe guximin për ta kthyer besimin e elektoratit në subjektin e traditës demokratike, për ta kthyer LDK-në rugoviane një herë e përgjithmonë kah vlerat e saj themeltare.

Vetëm mundësia e shprehjes së lirë e vullnetit të elektoratit dhe reformimi i thellë nëpër aktive, nëndegë dhe degë do të garantonte kushtet për krijimin e një bazamenti të shëndoshë dhe qëndruseshëm, të pastër dhe prospeures për LDK-në, për të qenë e gatshme të dali në ballafaqim me elektoratin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të rregullta apo të jashtëzakonshme qofshin ato.

Ka ardhur momenti i fundit që LDK-ja të reformohet dhe freskohet me kuadro të reja, të përgaditura dhe të specializuara, me veprimtar të orëve të para të LDK-së si në Kosovë dhe gjithë andej vendeve evro-perëndimore, të cilët janë të gatshëm në mënyrë vullnetare të  kontribuojnë edhe një herë për të mirën e vendit sikurse në vitet e '90-ta, pa asnjë kompensim material, pa asnjë ambicie pushteti apo privilegji shtetëror, për t'ju treguar dezertorëve dhe mercenarëve, mashtruesve dhe matrapazëve, karrieristëve dhe lakmitarëve të pushtetit sesi punohet për shtet dhe atdhe pa llogaritur në poste dhe privilegje personale.

LDK-ja rugoviane dhe Rugova për shqiptarët janë dy simbole të shenjta të historisë më të Re të Kosovës, do të mbetën të papërseritshme, të paharruara dhe të pashlyerara në kujtesën historike të brezave.

LDK-ja rugoviane është vlerë dhe pasuri kombëtare, është vetë historia dhe gurthemeli i shtetit të Kosovës. Andaj, mbrojtja e kësaj vlere kombëtare është obligim i secilit prej nesh, qoftë ai anëtarë apo mbështetës i filozofisë politike rugoviane.