E premte, 29.03.2024, 01:40 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Vilhelme Vrana Haxhiraj - 'Mjeshtre e Madhe e Penës'

E hene, 08.05.2023, 06:57 PM


Puna dhe kultura janë vijat e ugarit ku mbillet fara që quhet kombësi. Është fantazmë çdo shpresë, që s’mund të vihet në veprim dhe shterpë çdo energji, që s’frymëzohet nga një ideal.   Isuf Luzaj. (Filozof)

VILHELME VRANARI-HAXHIRAJ

“Mjeshtre e Madhe e Penës”

Në Durrës, përuron librin “Genti mbreti Ilir i Ardianëve”

Nga Kadri Tarelli

Në ditët e fundit të prillit, 2023, një ngjarje e bukur për jetën arsimore të Durrësit. U organizua përurimi, (unë e quaj “kuvend libri”) , “Genti mbret i Ardianëve”, të autores vlonjate Vilhelme Vranari-Haxhiraj. E gjitha në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici”, ku prej kohësh zhvillojnë mësim edhe nxënësit e shkollës “14 Nëntori’, (për shkak të dëmtimit të shkollës së tyre, nga tërmeti i para tre vjetësh). Të pranishëm në këtë veprimtari ishin mësues, nxënës, prindër dhe të ftuar, drejtorë shkollash, ish mësues, shkrimtarë, gazetarë dhe krijues të Durrësit.

Drejtore e shkollës znj. Merita Kuçi-Thartori, në emër të kolektivit mësimor, uroi mirëseardhje për të gjithë të pranishmit, në këtë festë letrare, kushtuar librit “Genti mbret i Ardianëve”.

“Është e dyta herë që nxënësit tanë kanë mes tyre Znj. Vranari. Më parë me librin “Elitat e mohuara. krenari e kombit”, ndërsa sot, si aurore e librit më të ri që po përurojmë, ku e shfaq veten si gjyshe dhe nënë e nipit të saj Raini, (Moshatar me ju), gati frymëtari i saj, njëkohësisht si nëna e gjithë fëmijëve, që bisedon lirshëm edhe me nxënësit tanë të shkollë sonë, si lexues dhe interpretues plot gjallëri. E gjitha e etur shpirtërisht dhe letrarisht për të frymëzuar të vegjëli, me krenari për dheun e të parëve, mëmëdheun tonë, gjuhën dhe historinë, por edhe me dashuri për librin, në veçanti atë historik”. Shkrimtare Vivra tashmë është mike e shkollës dhe e nxënësve tanë.

Ajo që kënaqi të pranishmit, ishte dramatizimi i librit, ku skenën e zotëronin vetë fëmijët, sa të bukur në veshje dhe paraqitje skenike, aq edhe të hedhur në lëvizje dhe në dialog. Një punë e vështirë, për nxënës të vegjël, sepse bëhet fjalë për një libër historik, por e realizuar kaq bukur, sa u duartrokit nxehtësisht çdo pjesë. Bota e fëmijëve është minierë arti. Lum kush e kupton! Mjafton t’i vesh në punë, dhe ata bëjnë çudira, mbase më mirë se aktorët profesionistë, sepse janë të çiltër, i vlerësojnë çastet madhore dhe dhurojnë emocione pa fund. Kjo është meritë e mësueseve të klasave (4 – 5), të shkollës, të përfshira në magjinë e fjalës dhe kumtit që u përcoll aq hijshëm te të pranishmit.

Meritojnë falënderim dhe mirënjohje, n/drejtore Sava Hoxha, në krye të grupit të mësueseve: Alketa Korita (si regjisore), Shyqyrie Rrumbullaku, Alma Vilishtari, Enkeleda Shala, Afërdita Taho, etj. Madje vetë Sava, recitoi disa vargje të poetëve Agim Bajrami dhe Kadri Tarelli, kushtuar “heroinës” sonë.

Në paraqitjen e kësaj feste, meritoi duartrokitje vogëlushja prezantuese Noemi Shala, nxënëse. Kl. 5.b, së bashku me shokët dhe shoqet, që i dhanë gjallëri skenës dhe veprimtarisë. Të gjithë ishin të shkëlqyer. Mes tyre po përmend:

Piktore. Marie Domi, kl. 7, që i dhuroi autores, portretin e saj të punuar nw grafik, enkas për këtë ditë festive, si falënderim e mirënjohje për librin dhe krijimtarinë e saj letrare. Ishte drejtori veteran Besim Dema, që i dorëzoi Vivras, këtë punim kaq të arrirë artistikisht.

Këngëtare: Livia Beu, kl. 6.a.

Poster i realizuar nga Orges Kaboçi, kl. 7.

Një analizë të plotë të librit, bëri Shpendi Hulësi Topollaj, shkrimtar, studiues dhe publicist i njohur, ku veçoi vlerat letrare dhe historike, aq të nevojshme dhe të domosdoshme për të vegjlit, që përjetojnë dhe përcjellin kohën dhe moshën, për të shtuar dashurinë dhe krenarinë për atdheun dhe kombin. Shkollat dhe në veçanti nxënësit e vegjël, kanë nevojë për më shumë libra të tillë, ku atdhetaria mbizotëron.

Vetë znj. Vivra, në fjalën e saj, shprehu mirënjohje për drejtorinë, mësuesit, që i dhanë mundësi të vijë, të takohet e të bisedojë me voglushët e Durrësit, nxënësit e shkollës “14 Nëntori”, të cilëve u drejtohet: “M’u mbushën sytë me lot, nga kënaqësia e lojës suaj, si artistë të vërtetë, duke pyetur veten: Vërtet unë e kam shkruar këtë libër kaq të bukur? Ju e ngjallët mbretin Gent dhe Mbretëreshën Teuta. Shqip biseduat me ata përmallshëm, edhe pas 2500 vjetësh. Faleminderit! Më bëtë të lumtur! Ju roj suksese dhe plot mirësi në jetë, duke mësuar e përparuar pa reshtur. Kështu e doni dhe e nderoni më shumë veten, familjen, Durrësin, atdheun dhe kombin”.

Më pas, e zotëroi dhe gjallëroi skenën, z. Fitim Haxhiraj, bashkëshorti i znj. Vivra, koreograf dhe drejtues i paimagjinueshëm i veprimtarive të ndryshme artistike. Vlonjat i moshuar, por me kujtesë të jashtëzakonshme, që vlerësoi dramatizimin e fëmijëve me nota maksimale. Ai, për të gjithë të pranishmit, recitoi një poezi kushtuar fëmijës dhe prindërve, poezi e mësuar nga mësuesi i tij dhe përsëritej shpesh, kur ai ishte i vogël.

Me kënaqësi përshëndeta edhe unë, që, si ish drejtues shkolle, që shumë herë në rolin e gazetarit, kam përcjellë për gati 17 vjet, të gjitha veprimtaritë letrare dhe artistike të shkollës “14 nëntori”, të cilat janë të shumta dhe të realizuara shuma lart artistikisht, siç është edhe ky kuvendim letrar, si pasqyrë e traditës së bukur.

Pa përsëritur fjalët e parafolësve, theksova:

Përshëndetje ju të dashur nxënës, që duke ligjëruar kaq bukur, më ngjallët nostalgji për vitet e shkuar si mësues. Urime dhe suksese në udhën e bukur, por të vështirë të dijes.

Falënderim për ju mësues, si “Misionarë të dijes dhe edukimit”, që meritoni shumë e shumë vëmendje dhe kujdes, pasi i shërbeni nxënësve dhe ardhmërisë së kombit.

Përshëndetje për drejtorinë, që vazhdimisht, si rrallë kush, ju mbështet në veprimtari të tilla, që lartësojnë emrin e shkollës. Mësim bëhet në çdo klasë dhe çdo shkollë, në mbarë vendin, por veprimtaritë e veçojnë shkollën nga simotrat e tjera.

Nga përvoja ime si mësues dhe drejtues shkolle, them: “Investimi gërshetuar me procesin mësimor, siç është edhe ky kuvend libri, ju ndriçon emrin, për të mbetur në kujtesën e shkollës, të nxënësve por edhe të qytetarisë durrsake. Kështu është më bukur për secilin, duke i dhënë mësuesisë rolin, “Misionar” i shqiptarizmit.

Si mik i vjetër, i shpreh mirënjohje znj. Vilhelme Vranari-Haxhiraj, që mes afro 60 librave të botuar ndër vite, sollët këtu në Durrës, në këtë kuvend “Gentin mbreti Ilir i Ardianëve”, të bisedojë shtruar me të vegjlit e qytetit tonë mijëra-vjeçar. Gjithçka e frymëzuar dhe shkruar enkas për nxënësit e vegjël, si testament trashëgimie, për të njohur historinë tonë të lashtë. Libër, që i kushtova shkrimin, “Atdhetarizmi në penën e Vilhelme Vrana-Haxhiraj”. Publikuar: Gazeta “Ndryshe”, Tiranë, Revista “Dituria”, Suedi dhe “Fjala e lire”, Londër.

Nuk e teproj të ve në dukje disa veçori, që e bëjnë librin sa të bukur, aq edhe të veçantë për metodikën e ndjekur, formën e bisedës, njohuritë që janë të reja, jo vetëm për nxënësit e vegjël, por edhe për të rriturit. Të gjitha së bashku, janë si kumt i dobishëm në edukim atdhetar, për të cilin kanë nevojë fëmijët, sepse këtu fillon e ngjizet dashuria për atdhe e komb.

Për ta plotësuar më shumë portretin e mikeshës sonë Vivra, po përzgjedh disa nga vlerësimet, që po të shpalosen të gjithë, duhen disa faqe libri:

1. Anëtare e “Akademis së së Shkencave dhe Arteve, Shqiptaro- Amerikane, me seli në New York. SHBA”.

2. “World Icon of Literature Auard”, në Indi. (Ikonë e letërsisë botërore),

3. Çmimi I-Ndërkombëtar “Gj. K. Skënderbeu”, Torino (Itali-2009)

4. “Nderi i Kombit”, nga “Bashkimi kulturor shqiptar në Rumani”.

Pa e tepruar, them me kënaqësi, se për këto vlerësime të dhëna nga institucione të botës, kam bërë shkrime, që janë publikuar në shtypin vendas, por edhe nëpër botë, përfshi Dardaninë, Suedinë, Londrën, dhe SHBA-në, pa lënë pas dore edhe portalet elektronike.

Nuk kanë munguar edhe vlerësime nga pena të njohura në letrat shqipe, si Dr. Mujo Buçpapaj, Akademik, Prof. dr. Eshref Ymeri. Anëtar i Akademisë, së Shkencave dhe Arteve, Shqiptaro- Amerikane, me seli në New-York. SHBA, Prof. Dr. Fatmir Terziu, “Mjeshtër i Madh”, në Londër, Shpendi Hulësi Topollaj, Fatmir Minguli, Fatmira Beqja-Veseli, të tre nga qyteti i Durrëst.

Në kët hulli vlerësimesh, po shtoj edhe pak radhë, që lexova së fundmi nga Albert Habazaj. Kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Shkrimtarëve “Petro Marko”, Vlorë, i cili, kur shkruan “Letërsia femërore në Vlorë”, për shkrimtaret vlonjate, vendos një hapësira të madhe për shkrimtaren tonë Vivra:

“……Një femër një grua, një nënë, që ka zë të fuqishëm, të ndjeshëm, të guximshëm në letërsinë shqipe. “Ajo ka ardhur në letërsi si Antigona për të shëruar shpirtrat njerëzor”, thotë për të Xhevahir Spahiu. E kanë quajtur “Herta Muler shqiptare”, thotë Mujo Buçpapaj. Dikush e quan edhe “Musine Kokalari e Vlorës”, etj. Facebook. 24.04.2023.

Në fund, dy fjalë vlerësimi edhe nga unë Kadri Tarelli: Nuk jam Orakull i Dodonës, kështu shkrova para tre vitesh, kur bëra një shkrim me titull: “Një vlerësim i merituar për “Princeshën e Letrave shqipe”, kushtuar Vilhelme Vrana-Haxhiraj”, sepse titujt e nderit dhe çmimet, vazhdojnë edhe sot.

Marr shkas nga ky takim kaq i bukur të përsëris një kërkesë të shkrimtares sonë, duke ngulmuar për të thënë: - Ju të dashur mësues dhe nxënës, mbani si porosi fjalët e autores, të vendosur në fund të këtij libri, ku si nënë, mësuese dhe studiuese, gjen vend të shprehet dashurisht:

- “Unë bëra aq sa munda. Kurse ju trashëgimtarët e mi, do ta çoni më tej historinë e këtij vendi, që e kanë mohuar keqbërësit”.

Urime “Princeshën e Letrave shqipe”, për vepra të tjera me po kaq vlerë atdhetarie!

Kadri Tarelli

Anëtar i “Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve. Durrës”

Mes pranvere, 2023.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora