E merkure, 08.02.2023, 09:38 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Idriz Zeqiraj: Shoqata "Sali Çekaj" në Zvicër feston 'Darkën e Lamës'

E premte, 30.12.2022, 07:55 PM


Pamje e pjesëshme nga salla, në - Darkën e Lamës - në Zvicër

SHOQATA "SALI ÇEKAJ" NË ZVICËR FESTON -DARKËN E LAMËS-

- Përvijim historik i Shoqatave shqiptare në Diasporë -

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Tradita e Shoqatave dhe klubeve shqiptare në Mërgatë, zë fill qysh në nismën e dytë të shekullit 19-të. Rumania, Bullgaria, Egjypti, Turqija, Krimeja e Ukrainës, më vonë edhe Amerika, ishin shtetet ku shqiptarët kurbetçarë themeluan shoqëritë e tyre kulturore e politike, për t`u vënë në shërbim të Atdheut, Shqipërisë. Mërgimtarët e parë ishin, kryesisht, nga zonat jugore, që nga Korça e deri në Gjirokastër.

Në nismën e shekullit 20-të, shoqëritë shqiptare po politizoheshin gjithnjë e me shumë. Bërja e Shqipërisë të lirë dhe të pavarur, ishin ëndrra shumë-shekullore e shqiptarëve. Pas bërjes të "Shqipërisë londineze", me coptimin e dhimbshëm, duke mbetur më shumë se gjysma e territorit shqiptar, jashtë kufijve natyral të Shqipërisë Etnike. Përpjekja e shqiptarëve vazhdoi betejën, për bashkimin e trojeve shqiptare.

Në vitet `40-a, murtaja komuniste, e kryesuar nga krimineli, filosllavi, Enver Hoxha, me këlyshërinë bastarde të tij, ushtruan dhunë e terror në Shqipërinë londineze. Njëjtë vepruan edhe kriminelët komnistë, Tito-Rankoviç, në Jugosllavinë e re. Greqia, me qëllim të boshatisjes të shqiptarëve, nga trojet e tyre në Çamëri, shënoi masakrën e radhës, ndaj shqiptarëve, duke i vrarë dhe përzënë, dhunshëm, nga shteti helen. Në vitet `90-a, tashmë, në kohën e pas epokës së errët të komunizmit, me fitoren e pluralizmit politik, filloi emigrimi, pothuaj se, masiv të shqiptarëve, duke "vershuar" Evropën, e deri në Australinë e largët, tej oqeanike.

Shoqatat dhe klubët shqiptare, u shumëzuan gjeometrikisht, sepse prurjet në Mërgatë ishin numerike. Motivi politik u zvetnua dhe organizimet në Mërgatë, tashmë, janë të karakterit kulturor dhe humanitar. Megjithatë, politikanët e gjithë spektrit politik të Kosovës, së fundi, janë "përmallur" për Mërgatën dhe kanë shpeshtuar vizitat!

Bashkëpunimi i Shoqatave emnake, "Sali Çekaj" në Gjermani dhe Zvicër

Ndër Shoqatat më të zëshme, të epokës plurale, demokratike, shquhen dy Shoqatat me të njëjtin emër, të heroit Sali Çekaj, në Gjermani dhe Zvicër. Veçojmë këto dyja, pa anashkaluar edhe veprimtaritë e klubeve dhe të shoqatave simotra shqiptare, anekënd botës. Nëse klubet dhe shoqatat tjera kufizohen, identifikohen me emrin e qytetit, ku ato themelohen, Shoqata "Sali Çekaj", në Gjermani dhe Zvicër, pa e përmendur vend-themelimin ku e kanë selinë, quhen Shoqata "Sali Çekaj" në Gjermani apo Zvicër. Sepse shtrirja e tyre i kalon jo vetëm qytetet, ku janë themelar, por edhe shtetet.

Dhe, kjo ka ndodhur për dy arsye: Shoqatat në fjalë u themeluan në vitet 2008 dhe 2010, përkatësisht, në Gjermani dhe Zvicër.

E para, për shumë vite janë drejtuar nga dy bashkëluftëtarët e Heroit "Sali Çekaj", në Gjermani nga Osman Ferizi dhe në Zvicër nga Saim Tahiraj.

E dyta, duke qenë veprimtarë të dëshmuar, ndjenjën e përgjegjësisë e kanë të zhvilluar në masën e duhur. Andaj, "trimi i mirë, me shokë shumë", patën mirëkuptim me kryesitë e tyre dhe veprimtarët mërgimtarë, të qyteteve ku u themeluan, duke e shtrirë ndikimin në landët dhe kantonët e tyre, për të kaluar edhe në Landët dhe Kantonët e Gjermanisë dhe Zvicrës dhe më tej me shokë, miq e dashamirë, përtej kufijve shtetërorë.

Kjo shtrirje në anëtarësi ka edhe një arsye shtesë: Veprimtaria e heroit Sali Çekaj nismon në Kosovë, vazhdon në Mërgatë, për t`u kthyer sërishmi në Luftën e Kosovës. Më parë kishte bërë emër me organizimin e Grupit të Djemëve të Armatosur të Deçanit. Grupi në fjalë i bëri aksionet e para të armatosura, kundër pushtuesit serbo-sllavë. Si jurist i diplomuar, së bashku me bashkëvendorin e tij, Zymer Lulaj, gjithashtu jurist i diplomuar dhe profesionistë të tjerë të jurisprudencës, ishin të parët që vunë në jetë, në komunën e Deçanit, aktin themeltar të Kosovës, Kushtetutën e Kaçanikut.

Vërtet, u zgjata shumë me historikun e përbashkët të këtyre dy Shoqatave emnake. Por, së bashku, Shoqata "Sali Çekaj" në Zvicër dhe Gjermani, kanë realizuar disa projekte monumentale, siç është Kompleksi Momerial "Dr. Ibrahim Rugova", Kulla dhe Shtatorja, në vendin e origjinës të Presidentit, në fshatin Malaj të Rugovës. Memoriali ka kushtuar 150 euro dhe është ndërtuar me kontributin e Shoqatave "Sali Çekaj", në Zvicër e Gjermani si dhe Shoqata "Rugova", me qendër në Amerikë. Kontribute kanë dhënë edhe individë nga shtete tjera, por, gjithnjë, përmes këtyre shoqatave. Ndërsa, përmendja e Gjermanisë, para Zvicrës, në fillim, shpjegohet me parësinë e themelimit, me dy vjetë diferencë.

"Darka e Lamës", traditë e heshme ilire, e ripërtrirë nga Presidenti Rugova

Motivi i këtij shkrimi është organizimi i "Darkës së Lamës. Edhe në shënimin e kësaj feste tradicionale shqiptare, që daton nga ilirët e hershëm, por të ripërtrirë në epokën e Presidentit Rugova, me nismën e Tij, këto dy Shoqata nderojnë njëra-tjetrën, me pjesëmarrje reciproke nga kryesitë e tyre.

Pauzimi dy vjeçarë i shënimit të - Darkës së Lamës -, u kushtëzua nga Pandemia. Këtë vit filloi normaliteti. Një sallë e madhe, e mbushur me mërgimtarë dhe familjet e tyre. Pra, një mbremje familjare kolektive, me çmallje, si në një Kosovë në miniaturë. Një kryesi numerike, me emra veprimtarësh të dëshmuar, garancia e suksesit është e parathënë: Xhemajl Haxhiu - kryetar, Qamil Qekaj-sekretar, Lush Mulaj-arkatar, Muhamet Krasniqi-zëvendës arkatar, Muhamet Lekaj, Muhamet Hasanaj, Miftar Kryeziu, Metë Shala, Mahmut Gashi, Mahir Tolaj, Naim Hasanmetaj, Isa Lokaj, Hamëz Fejza, Hamdi Rrustemaj, Halil Shabanaj, Gëzim Hadërgjonaj, Fadil Tolaj, Dinë Gashi, Besim Lokaj, Bashkim Nitaj, Nezir Alimusaj, Asmon Krasniqi, Mustafë Ramosaj.

Shumësia prodhon cilësinë. Angazhimi i shumë veprimtarëve, lehtëson në kryerjen e punëve të shumëta që ka Shoqata. Aq më parë një shoqatë pretenduese për parësi, në mesin e shoqatave dhe klubeve konkurrente. Emërtesa, veç kulturore, edhe humanitare, presupozon angazhime në kontribute, së pari, ndihmë Atdheut-Kosovë, por, edhe përtej, në pjesët e Etnikumit shqiptar.

Sofra e shtruar me pije dhe këngë, burrat shoqërojnë vëllezërit këngëtarë  - Alimusaj

Në një atmosferë festive, shënimin e "Darkës së Lamës" e hapi sekretari i Shoqatës, Qamil Qeku, me lutjen e Presidentit Rugova, dedikuar, pikërisht, kësaj feste, e cila daton qysh prej Ilirëve Dardan, dikur në shekullin e V-të, para Krishtit:

Të faleminderit, o Zot,

për të mirat që na i fale

në tokën tonë Kosovë

Dardaninë Antike në këtë mot.

Të lutem o Zot,

të na falësh të mira

edhe më shumë

në tokën tonë Kosovë

Dardaninë Antike

në tjetrin mot, o Zot.

Festa e -Darkës së Lamës-, e ripëtrirë nga Presidenti Rugova, është gjithmonë aktuale dhe të pranishmëve u mbetet t`ia bëjnë "Aminin!"

Moderatori Qekaj, ftoi në foltore kryetarin Xhemajl Haxhiun, i cili, duke uruar mirëseardhje, përshëndeti mysafirët dhe të gjithë të pranishmit. Me emër përshëndeti ushtarakët: Xhavit Sadriu, atashe ushtarak në Berlin, pastaj për Evropën; Skënder Budakovën, Zymer Tahiraj, Islam Sadiku; gazetarin, analistin, publicistin, Florim Zeqa, i ardhur enkas nga Italia; mysafirët nga Shoqata "Sali Çekaj", Gjermani: Gazmend Dashi-kryetar; Shemsi Haziri-udhëheqës atistik i Shoqatë; Osman Ferizi- kryetar i Degës të LDK-së, për Gjermani; reporterin e luftës, Maxhun Smajli, zëdhënës i Nëndegës "Bajern i Epërm", Idriz Zeqiraj, zëdhënës i Degës të LDK-së në Gjermani.

Raporti i arkatarit Lush Mulaj i begatshëm dhe domëthënës

Arkatari Mulaj, pas përshëndetjes, drejtuar të pranishmëve në sallë, përkujtoi anëtarët e devotshëm të Shoqatës, të cilët, ndërkohë, kanë kaluar në amëshim:

1.) Baci Kadri Lokaj

2.) Demë Mulaj

3.) Musa Limani

4.) Ali Gashi

5.) Butrint Gashi

Një simbolikë e harmonishme, e gjetur. Në - Darkën e Lamës -, vëmendje mori raporti financiar dy vjeçarë, përkatësisht, për vitin 2020-2021. Kjo shtyrje u kushtëzua nga Pandemia. Ndërkohë, raporti për vitin 2022, ende nuk ishte i kompletuar, andaj u la për një takim tjetër me anëtarësinë e Shoqatës.

Veprimtari veteranë, njëherësh, arkatar i Shoqatës, Lush Mulaj, me punën e tij, na kujtoi një porosi të Dr. Ibrahim Rugovës: "Mos hidhni pare në kapuç!" Kjo porosi u dha në një kohë zezonë, në nismë të viteve `90-a, kur Millosheviqi kishtë shtrirë zullumin anepërtej Kosovës, duke larguar nga puna, në përmasën masive, shqiptarët e Kosovës. Duke shfrytëzuar këtë gjendje mjerane, Dr. Rugova, me shokë, hapi Fondin Shtetëror, të shprehur në 3 %-in. Ndërsa LPK-ja vilte "para në kapuç", me një pako kartoni, të vënë mbi tavolinë, me shënimin - ndihmë për Kosovën -, pa emër dhe pa shifër monedhash! Abuzimi ishte i parathënë. Dhe, Dr. Rugova e denoncoi hilenë, andaj dha porosinë sintezë: "Mos hidhni pare në kapuç", të cilën LPK-ja nuk ia fali kurrë, sepse ia pakësoi "taxhinë!"

Arkatari Lush Mulaj paraqiti para anëtarësisë, simpatizantëve dhe të pranishmëve të tjerë, një raport të detajuar, qofshin kontribuesit me 5.000 apo ata me 100 euro, sipas mundësive të dhuruesëve. Kolegjialiteti i vendimeve në Shoqatë ka funksionuar, mrekullisht, mirë. Çdo anëtar i Shoqatës ka të drejtë të propozojë raste akute për ndihmë, duke dhënë arsyetimin bindës e meritor.

Arkatari Mulaj ka bërë një raport të shkëlqyer, transparent e profesional, të detajuar. Por, për publikun jashtë Shoqatës, do ta zbatojmë një këshillë të etërve tanë: "Kur të falish diçka të varfërit, as dora e majtë, të mos e di atë që falë dora e djathtë!" Pra, të ndihmohet në heshtje e pa shumë fjalë, sepse falja fletë vet. Megjithatë, do të sjellim  vetëm disa nga destinacionet ndihmëtare, që ka dhënë Shoqata simpatike e zëmadhe, me emrin emlematik, Sali Çekaj, me një veprimtari politike e ushtarake, në shtrirje në kohë prej tri dekadash radhazi, deri në aktin sublim, rënien heroike, në luftim e sipër.

Gama e veprimtarive kulturore, politike dhe humanitare e Shoqatës "Sali Çekaj", në Zvicër, është shumëdimensionale. Kërkesat numerike për ndihmë vijnë nga të sëmurët rëndë, me trajtim të kushtueshëm, në klinikat e huaja, brenda apo jashtë Kosovës. Pajisjet e ndryshme mjekësore dhe invalidore, të cilat nuk arrijnë t`i përballojnë familjet e deri ke shtretërit e spitaleve. Ndërkohë, paguhen miliona euro në muaj, për shumë mijëra "veteranë" të rrejshëm, të imponuar nga komandantët mujëshorë, për interesa materiale dhe klientelëel elektorale. Do të mjaftonin këta miliona të abuzuar, kriminalisht, për të investuar më shëndetësi, duke e liruar humanitetin, për qëllime të ndihmave private, duke e zgjidhur përkujdesjen shtetërore.

Shoqata ka një përkujdesje të veçantë e parësore, për luftëtarët e lirisë, në nevojë. Oficeri Xajë Çelaj, nga Tropoja, dy herë i plagosur në Luftën e Kosharës, bëhet me banesë në Kosovë, ku ka zgjedhur të jetojë. Participimi financiar i Shoqatës ishte i gatshëm. Ndërtimi i një shtëpie në Bupq, kushtoi 34.830 euro. Këtij projekti i është bashkangjitur edhe Shoqata "Mentori dhe Agimi" nga fshati Pobergj i Deçanit. Thonë se inderuari të nderon. Kryesia e Shoqatës autorizoi djalin nga Labëria, tashmë, pothuajse, i kosovarizuar, Marin Memaj, gazetar hulumtues, por me prirje edhe historian, për t`ia dorëzuar çilësat e shtëpisë, njeriut, që u bë me shtëpi të re. Njëjtë u veprua edhe me autorizimin e ish-luftëtarëve, Bekë Osmanaj dhe Bashkim Nitaj, të cilët i dorëzuan një invalidi karrocë elektronike. Shoqata është përkujdesur edhe për shërimin e fëmijëve me leukimi. Ka shfrytëzuar "Vitrat" dhe "Kurbanët" e besimtarëve, enkas për fëmijtë e sëmurë.

Humanisti Asmon Krasniqi i Firmës "Rehabilitacion Sistem AG", ka dhënë 40.000 Franga ndihma për Shqipërinë, shpenzimet e transportit i ka përballuar Shoqata "Sali Çekaj". Njëherësh, ka ndihmuar edhe 12 familje në Durrës, që kanë pësuar nga termeti. Donacionin për Spitalin e Pejës, me vlerë 150.000 euro, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore e Sportive "Liria", në Vaxjo të Suedisë, duke realizuar transportin.

Dy Shoqatat emnake, e Zvicrës dhe e Gjermanisë, kontribuan për projektin Muzeor, kushtuar Sali Çekaj, përkatësisht, me 18.975 euro. Me rastin e 30 vjetorit të Referendumit të Pavarësisë të Kosovës, dy Shoqatat në fjalë, sponzorizuan ngritjen e flamurit të Kosovës dhe fotografinë e Sali Çekaj në Capitoll HILL, në Washington D.C. Kjo u realizua me ndërmjetësimin e kuadrit Faton Bislimi, praktikant pranë zyrës së presidentit Biden, të cilit i shprehën falenderim për nismën e bërë dhe të realizuar suksesshëm.

Bilanci i kontributeve nga anëtarësia dhe simpatizantëve të Shoqatës Kulturore Humanitare "Sali Çekaj", për vitin 2020, kap shifrën e 98.957 Franga dhe 177.000 Euro. Ndërsa për vitin 2021 është 94.280 Franga; 4.820 Euro dhe 5.000 Dollarë. Këtu nuk janë përfshirë donacionet e Firmave dhe as dhurimet individuale, në mënyrën e drejtëpërdrejtë.

Kryesia e Shoqatës, përgjatë pushimeve verore në Atdhe, organizon, me anëtarësinë e saj, vizita në disa Komplekse Memoriale të Dëshmorëve në Kosovë; Shtatorët e Presidentit Rugova në Prishtinë dhe Istog si dhe në vendet turistike në Rugovë dhe gjetkë.

Kryesia e Shoqatës për aktivistët e dalluar të saj, ndau - Mirënjohje -: Nazmi Motina, G. Hoti, Nexhat Lokaj, Zeqir Fadil Tolaj, Sadri Gashi ... (uroj të mos kemi harruar të tjerë.) Për shefin e Klubit të Shoqatës, Hamdi Rrustemaj, më thanë fjalë të mira, për ndihmën e dhënë Shoqatës, por, nuk mësova nëse e shpërblyen me -Mirënjohje-? Ndërsa, miku im, Fadil Tolaj, i shquar në luftë dhe në paqe.

Organizatori kishte planifikuar për fjalë rasti dy nga mysafirët e pranishëm: Florim Zeqen nga Italia dhe Idriz Zeqiraj nga Gjermania, të cilët përshëndetën, falenderuan për ftesën dhe uruan anëtarët e Shoqatës dhe të pranishmit në sallë, për festën tradicionale, - Darkën e Lamës. Më këtë rast, mysafiri Zeqiraj, ia dhuroi kryetarit të Shoqatës, Xhemajl Haxhiut, disa ekzemplarë të revistës "Marshi i Mërgimtarit", me botues reporterin e luftës, Maxhun Smajli. Kjo emërtesë simbolozon marshimin, me këmbë, nga Fulda e Gjermanisë, në Kosharën e Kosovës, për 78 ditë radhazi, për aq ditë sa kishin zgjatur bombardimet e NATO-Paktit, mbi caqet ushtarake serbo-sllave. Vlen të theksohet se kjo është e vetmja revistë shqiptare, që botohet në Kosovë dhe Mërgatë.

Në foto nga e majta: Idriz Zeqiraj, Have Nikçi-Bicaj, Naim Bicaj

Have Nikçi-Bicaj, veprimtare e Shoqatës, ka siguruar e dhuruar shtretër për spitalin e Pejës, me vlerë 40.000 Franga, ndërsa shpenzimet për transportin i ka mbuluar Shoqata. Përkrah bashkëshorti i saj, veprimtari Naim Bicaj, ish-nxënësi im në vitet `60-a, më vonë, ish-i burgosuri politik, pinjoll i Familjes Bicaj, nga Vrella e Istogut, gjyshi i tij Tahir Alia Bicaj, me të vëllanë Smajlin, organizuan mbrojtjen e Sanxhakut shqiptar, në Luftën e Dytë Botërore, duke dërguar luftëtarë, për komandantët e Podgurit, Mulla Zekë Bërdynaj; bajraktarit të Radavcit, Kurt Abazi; Bajram Gashit të Uçës të Istogut. Për rrjedhojë, pas luftës, vuajtën burgun sketerrë të Golji Otokut. Qifti Bicaj, Hava me Naimin, me lindjen e vonuar të djalit të tyre bukurosh, Hekuranit, "i gëzoi edhe zogjtë e malit!" Asaj mbremje, Naimi u dekorua me - Mirënjohje -, për veprimtari aktive në Shoqatë.

Njeriu i letrave, poeti dhe aktori veprimtar, i kudondodhur, Mentor Thaçi, u paraqit me Monologun, kushtuar - Darkës së Lamës -, i cili u pëlqye shumë nga të pranishmit:

Nderim Presidentit Rugova, qe ripërtriu Traditën ilire

Në Lamën time, kohë e mot t`gjatë

O Hyji im, Rugovë, po shtroj darkë sublime,

për familjarë, për popull mbarë, për Komb të ndarë

njerëz gjaku, rreth oxhaku pranë,

po edhe me gjanë tanë, përanë!

Paj, qe tremijë vjetë, shtroj darkën në kasollën time

dhe n`kullën motake,

plot tremijë në shpi për fëmijë,

për vllazën e miq,

dhe tremijë tjera, kur n`ktë Europë t`lashhtë

s`pat njeri përveç njerëve t`mi!

Heu Zot i madh ty falë t`kjofshim,

por fort paska reshë e mbara në Shpi të Heroit Sali Çekaj

në Tërvezen e nipit të Marash Palit,

kënkan shtu të mirat e të mbarat me bollëk,

shtime t`mbara t`shendosha,

rritje e ngritje,

veç Zoti e bekoftë me t`mirë!

Sofra e begatë me gatime të traditës, nga nuset e anëtarësisë të Shoqatës/ Foto: Vesel Xhaferi

Vëllezërit binjakë këngëtarë, Sami e Avni Alimusaj, me reportuarin e begatë dhe të larmshëm, të muzikës autoktone, krijuan atmosferë festive. Vallja kolektive, e preferuar nga mërgimtarët, vazhdoi deri në orët e vona të natës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora