Mendime
Florim Zeqa: “Autogoli” i Albinit 5 minuta para përfundimit të ndeshjes!
E enjte, 10.11.2022, 08:53 PM
“Autogoli” i Albinit 5 minuta para përfundimit të ndeshjes!
Shkruan:
Florim Zeqa
Largimi
masiv dhe i organizuar i serbëve nga institucionet e Republikë së Kosovë të
kujton kohën e shkëputjes tonë nga institucionet e shtetit të Serbisë,
përkatësisht Jugosllavisë! Përderisa ne jemi larguar me dhunë nga vendet e
punës prej regjimit të Millosheviqit, serbët po largohen me vetëdëshirë nga
vendet e tyre të punës në shenjë mosnjohje ndaj institucioneve të shtetit tonë.
Targat shkaku,
Asociacioni qëllimi i Serbisë
Pasi
Qeveria e Kurti nuk e pranoi shtyerjen 10 mujore të afatit për ndërrimin e
targave ilegale në veri të vendit, tani përpos suspendimit të këtij vendimi,
SHBA-të dhe BE-ja po e kërkojnë me urgjencë zbatimin e marrëveshjes për
Asociacionin të nënshkruar në Bruksel më 19 Prill 2013 nga ish kryeministri
Hashim Thaçi, përkatësisht më 25 Gusht të vitit 2015 nga ish kryeministri Isa
Mustafa.
Meqë,
Asociacioni nuk mund të realizohet pa i pasur komplet funksionale institucionet
komunale në veri të vendit dhe pa serbët në Kuvendin e Kosovës, rrezikohet
përshkallëzim i situatës në veri të vendit!
Braktisja
apo largimi vullnetar i serbëve (të komunave të pjesës veriore të Kosovës) nga
të gjitha institucionet kosovare, nuk janë dorëheqje individuale siq po
vlerësohen prej disave, por janë veprime të koordinuara politike me shtetin e
Serbisë.
Çka pritet të ndodhë
tani?
Pas
largimit të Listës Serbe nga institucionet e Republikës së Kosovës po dëshmohet
se ata nuk e kanë më qëllim Asociacionin pa kompetenca ekzekutive, por një
status të veçantë që ju garanton autonomi të plotë dhe shkeputjën de-fakto dhe
de-jure të veriut të vendit tonë.
Mospranimi
i rekomandit të BE-së dhe SHBA-së për shtyrjen e afatit 10 mujorë për targat
nga ana e kryeministrit Albin Kurti, me apo pa vetëdije e ka ndihmuar planin e
serbëve për shpalljen e njëanshme të autonomisë së serbëve në veri,
përkatësisht themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.
Fatkeqësisht
në këto rrethana plani “franko-gjerman” për normalizimin e raporteve në mes
Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht normalizimit të situatës në veri të vendit
mbetet i parealizueshëm, anipse ky plan nuk paraqet zgjidhje përfundimtare, por
vetëm prolongim të situatës në veri.
Situata
e krijuar pas mospranimeve të BE-së dhe SHBA-së u shkon për shtati vetëm
serbëve për realizimin e planit për ndarjen e veriut, e fare nuk i shkon për
shtati ruajtjes së integritetit territorial të vendit tonë.
“Autogoli”
i Albin Kurtit 5 minuta para përfundimit të ndeshjes, e mënjanoi lojën shtesë
(zgjatjen 10 mujore për targat) dhe me vetëdije apo pa vetëdije e përshpejtojë
krijimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, ashtu siq dëshion prej kohësh
Serbia!
Këtë
e vërteton deklarata e diplomatit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i
cili i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, “që të mos vazhdojë me gjobat për
qytetarët serbë në veri, por të zgjasë për dhjetë muaj afatin për
riregjistrimin e makinave dhe që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin
e Asociacionit”.
Tërheqjet e serbëve nga
institucionet e Kosovës janë të pakthyeshme
Largimi
me vetëdëshirë i policëve dhe zyrtarëve serbë nga institucionet e Republikës së
Kosovës nuk është një lojë siq po e cilësojnë disa, por një vendim i menduar
mirë dhe i pakthim. Serbët e veriut tashmë i kanë ndarë rrugët me Kosovën, i
janë kthyer shtetit të Serbisë. Ndarja de-facto e pjesës veriore 23 vite më
parë, po legjitimohet tani me ose pa dëshirën tonë.
Kur
e themë këtë, e kam parasysh faktin se për 23 vjet nuk bëmë asgjë për rikthimin
e veriut, përkundrazi e ndihmuam ndarjen me themelimin e “Mitrovicës së Veriut”
nga politikanët dhe ligjvënësit kosovarë të kohës.
Mitrovica
Veriore është themeluar në vitin 2013 pas Marrëveshjes së Brukselit të vitit
2013, e cila komunë ishte planifikuar të jetë qendër administrative e
Asociacionit të Komunave Serbe.
Ky
është dhe mbetet një realitet i hidhur nga i cili nuk dilet lehtë!
Nëse
deri më tani e kishim një fije shprese për shpëtimin e veriut, tani pas
mospranimit të sugjerimeve të aleatit tonë të vetëm strategjik-Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, kjo gjë na bëhet gjithnjë dhe më e pamundur.
Duke
e ditur se Politika si art i së mundshmes dhe jo art i drejtësisë, dëshirojë të
shpresojë në atë që e thonë mbështetësit e kryeministrit, se “Albinit i kanë
thënë amerikanët, vepro kështu me “Targat”, ndryshe, më asgjë nuk justifikohen
veprimet e kryeministrit tonë pa e pasur mbështetjen dhe forcën e implementimit
të ligjit për targat në veri.