Mendime
Fadil Sahiti: A ka sot Kosova elitë intelektuale?
E enjte, 10.11.2022, 07:33 PM
A KA SOT KOSOVA ELITË INTELEKTUALE?
Nga
Fadil Sahiti
Po
i bashkohem një mikut tim gazetar rreth debatit nëse ka apo nuk ka sot Kosova
një elitë intelektuale, siç e kishte në vitet '80 dhe '90. Kam shkruar edhe një
herë për intlektualët e atyre viteve. Unë besoj se elita intelektuale në atë
kohë ishte ndryshe nga kjo që ne sot i quajmë te tillë, e që përbëhet nga
njerëz që në fakt kanë vetëm grada akademike.
Elita
intelektuale e asaj kohe ishte produktive, sepse identifikohej me punën që
bënin, me veprat që prodhonin. Ishin soj i njerëzve që prodhonin dije, art,
kulturë. Dilnin ne media, por mediat ishin mjete përmes të cilave artikulonin
punën e tyre. Nuk janë promovuar sepse kanë pranuar të jenë pjesë e Radios,
Televizionit, Rilindjes, etj.
Sot
situata ka ndryshuar. Sot mjafton të jesh komentues politik, paguhesh nga i
njëjti medium televiziv dhe promovimi është i garantuar. Sot mediat tona
televizive e promovojnë si intelektual edhe dikë që paraqitet nga një qendër
europiane, thotë që jam profesor, por që atje bën punën e referentit, ndërkaq
këtu shitet si profesor universiteti. Persona të këtillë nuk kanë asnjë produkt
intelektualë; libër apo vepër shkencore të botuar në ndonjë shtëpi botuese
prestigjioze.
Nuk
do doja ta elaboroj më thellë nocionin e intelektualit. Por do të thosha se
përveç krijimeve intelektuale të publikuara nga shtepi botuese prestigjioze,
ekzistojnë dy attribute të një intelektuali humanist bashkëkohor: pavarësia e
mendjes dhe integriteti moral.
Është
e vështirë të thuhet nëse Kosova sot ka një elitë intelektuale të këtij
profili, e cila është e konsoliduar. Kjo sepse sot, në shumicën e rasteve, ne
identifikojmë një intelektual me dikë që ka një diplomë akademike. Ky është një
gabim, sidomos në kontekstin tonë ku gradat akademike tregtohen si çdo mall
tjetër. Shumë prej atyre që kanë mbaruar sot shkollën, që kanë diploma
akademike dhe që ne i identifikojmë si intelektualë, ose i shesin dijet ose
janë mediokër.
Prandaj, kriza politike që po kalon sot Kosova është e lidhur ngushtë me mungesën e kësaj shtrese njerëzish, mungesën e një elite të mirëfilltë intelektuale. E, kjo krizë që po kalojmë ne sot është shumë më e vogël se kriza morale. Ky popull nuk ka një pikë referimi të pavarur intelektual, siç kishte në vitet 80-90, për fat të keq.