Mendime
Mero Baze: Kosova nuk ka nevojë për një hero antiperëndimor
E hene, 07.11.2022, 08:25 PM
Kosova nuk ka nevojë për një hero antiperëndimor
Nga
Mero Baze
Serbët
në veri të Kosovës kanë deklaruar se po nisin procesin e bojkotimit të
institucioneve të Kosovës ku përfaqësohen, që nga parlamenti dhe qeveria dhe
deri në sistemin e drejtësisë, policisë dhe administratën lokale. Në thelb
përpjekja e tyre është të imitojnë lëvizjen e shqiptarëve pas vitit 1989, kur
Serbia fshiu autonominë që gëzonte Kosova dhe ua bëri të pamundur bashkëjetesën
me ta.
Në
fakt ,asgjë e përbashkët nuk ekziston mes asaj që bën shqiptarët dhe arsyet që
ata patën dhe kësaj që po bëjnë serbët në veri. Shqiptarëve ju mor dhe ajo
autonomi që patën në mars të vitit 1989 dhe një vit më vonë në Qershor 1990, e
fshinë dhe atë që lanë një vit më parë, duke shkrirë qeverinë e Kosovës dhe
parlamentin e saj, duke mbyllur gazetat radiotelevizionin dhe duke nxjerrë
shqiptarët nga administrata.
Vendimi
i shqiptarëve për tu vetorganizuar politikisht ishte një vendim që bazohej tek
fryma perëndimore, tek demokracia, dhe respektimi i të drejtave themelore të
shqiptarëve. Në vitin 1990 shqiptaret në Kosovë, u organizuan si një shoqëri
bazuar në vlera perëndimore, që u takonte liria politike, liria e shtypit,
liria ekonomike dhe e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Ata nuk u
organizuan në banda nacionaliste, por në organizata properëndimore, parti
politike dhe një sistem paralel bazuar në vlerat e perëndimit.
Armiku
më i madh i Serbisë në vitin 1990, ishte demokracia, pasi ajo rrezikonte
sistemin autoritar të Slobodan Milosheviçit që po forcohej në Serbi dhe i hiqte
nga duart Kosovën. Ky ishte dhe gjenialiteti historik i Ibrahim Rugovës, i cili
vendosi që në betejën e shqiptarëve, të bënte aleat perëndimin dhe ta bazonte
luftën e tij mbi vlerat e perëndimit.
Falë
kësaj beteje, dhe kësaj qasje, Kosova nga një krahinë e panjohur në perëndim që
kishte imazh krejt të kundërt me imazhin e mirë të ish-Jugosllavisë, u kthye
pak nga pak në një territor ku luftohej për vlerat e perëndimit, duke shmangur
përplasjen e parë, duke shmangur luftën dhe duke pritur momentin kur Perëndimi
u bë zëdhënës i saj dhe bashkë me rezistencën e shqiptarëve organizuar përmes
UÇK, ja dolën të fitonin lirinë, si projekt perëndimor.
Kjo
që po ndodh me serbët në veri, nuk ka asnjë rrethanë të përbashkët me atë që
bënë shqiptarët, por ka një qasje të rrezikshme për shqiptarët të cilët duhet
ta kalojnë si perëndimorë.
Kosova
është e “dënuar” të jetë ose shtet demokratik pro-perëndimor, ose të mos
ekzistojë. Kosova nuk ekziston dot si shtet militar, si shtet liderësh të
fortë, apo akoma më keq si shtet i drejtuar nga lider nacionalist.
Këtë
“mallkim” që në fakt është bekim, e ka nga arsyeja përse është bërë shtet. Ajo
është bërë shtet ngaqë në Serbi sundoi një nacionalist i çmendur që i vuri
zjarrin Ballkanit për egon e tij për pushtet. Ai i dha të gjitha arsyet
Kosovës, e cila kishte zgjedhur të besonte tek vlerat perëndimore, që më në
fund të fitonte të drejtat e saj.
Albin
Kurti tani gjendet para rrezikut të perceptimit si “lider i fortë” që kërkon të
diktojë axhendën e tij politike, duke përdorur konfliktin me serbët në veri të
Kosovës duke dëshmuar një qasje antiperëndimore. Ai po shpërfill vërejtjet,
pastaj paralajmërimet dhe më në fund nervozizmin e Bashkimit Evropian dhe SHBA
për këtë çështje, duke humbur prioritetet e politikës së tij qeverisëse. Nëse
ai klasifikohet si antiperëndimor, dhe izolohet nga shumë faktorët perëndimorë
në këtë betejë, ekziston rreziku, që qasja e tij antiperëndimore të paraqitet
si mungesë vlerash perëndimore në të drejtat e serbëve në veri, ç'ka nuk është
e vërtetë. Por mund të jetë një betejë e humbur keq, dhe shumë rëndë, për një
arsye që nuk do t'ia vlente.
Chris
Hill, ambasadori i SHBA në Beograd, është njeriu që ka negociuar së paku për dy
vite, 1998 -1999, gjithë krizën mes Kosovës dhe Serbisë, që u kthye në problem
ndërkombëtar. Nuk ka lënë fshat të Kosovës pa shkuar, dhe ecejake nga zyra e
Ibrahim Rugovës tek ajo e Slobodan Milosheviçit. Ai e di mirë se çfarë është e
mirë dhe çfarë është e keqe për Kosovën. Dhe kur ai është nervoz me Kosovën,
është pak nervoz dhe me historinë e jetës së tij.
Ndaj
zgjuarsia e një lideri, në këtë rast kryeministrit të Kosovës është t'i shmangë
betejat që kanë çmim të lartë dhe nuk janë prioritet i Kosovës. Bota sot ka
prioritet paqen në Ukrainë në fillim të një dimri të egër dhe flet dita ditës
për rrezik bërthamor. Merreni me mend sa nerva dhe kohë mund të ketë presidenti
i SHBA apo ai i Bashkimit Evropian që një kryeministër i Kosovës t'i shpjegojë
me detaje punën e targave në veri, duke i shpjeguar se ato me RKS janë të
vjetra e këto me harta të Kosovës janë të reja.
As
2 sekonda nuk i bind dot t'i dëgjosh.
Ndaj
ekziston rreziku që ajo që mbetet nga beteja e Kurtit, të jetë konflikti i tij
me perëndimin në këtë çështje dhe ajo që mbetet nga retorika e Serbisë do të
jenë të drejtat themelore të njeriut të serbëve. Nëse vendoset çështja në këtë
kontekst, Albin Kurti e ka të humbur dhe veriun dhe betejën e tij për Kosovën.
Nga
ana tjetër, nëse të gjithë këtë e bën që të viktimizohet dhe të largohet nga
pushteti me ndjesinë e “heroit” që nuk ju përkul presionit të Perëndimit për të
drejtat e serbëve, ngaqë nuk ka guximin e duhur për tu përballur me këtë
problem, brenda standardeve perëndimore do të ishte dhe më e rëndë.
Pasi
siç e theksova, Kosova nuk ka nevojë për një hero antiperëndimor, por për dikë
që është realisht perëndimor në mënyrën si qeverisë Kosovën dhe ruan aleancën
me perëndimin për të ruajtur Kosovën. Jo karrigen e vet!
gazetatema.net