E hene, 09.12.2024, 08:20 PM (GMT)

Mendime

PD: Edi Rama i shndërroi shqiptarët në Popull të Gomoneve

E premte, 04.11.2022, 07:56 PM


Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë:

Në Britaninë e Madhe, në media, parlament dhe qeverinë e këtij vendi ka shqetësime serioze për fluksin e paparë të refugjatëve shqiptarë të cilët kalojnë Kanalin me shpresën e një jete më të mirë në atë vend.

Gjatë këtij viti, ky fluks deri tani ka arritur në 12000 vetë nga 800 vetë që ishte në vitin 2021.

Padyshim kjo përbën një situatë serioze shqetësuese për çdo vend dhe polemika lidhur me të është e kuptueshme dhe e pashmangshme.

Duke mos u pajtuar me asnjë etiketim të padrejtë ndaj refugjatëve shqiptarë nga mediat apo dhe politikanë të caktuar britanikë, Partia Demokratike gjen rastin të falënderojë Madhërinë e Tij, Mbretin Charles i III për fjalët dhe ndërhyrjen e tij fisnike në këtë polemikë.

Partia Demokratike hedh poshtë dhe e denoncon si të papërgjegjëshme deklaratën e Edi Ramës në të cilën ai fajëson për gjëndjen e krijuar, autoritetet e Britanisë së Madhe duke treguar me gisht në mënyrë specifike si fajtor konservatorët britanikë.

Partia Demokratike e Shqipërisë gjithashtu fton qeverinë, parlamentin, forcat politike të Mbretërisë së Bashkuar të ndalen dhe të analizojnë shkaqet e vërteta të shndërrimit të shqiptarëve në popull të gomoneve nga qeveria aktuale e Edi Ramës, sepse kjo mund t’i ndihmojë në interes të tyre të kuptojnë më mirë se çfarë po ndodh me shqiptarët në Shqipëri.

Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se:

shkaku themelor i shpopullimit me shpejtësi të Shqipërisë, i largimit sipas Eurostat nga ky vend nga vitet 2014-2021, vetëm për në vendet e BE-së, i 744’417 shqiptarëve apo 26% e popullatës, pa përfshirë këtu ata që kanë shkuar në SHBA, Britaninë e Madhe, Kanadanë dhe vende të tjera jo anëtare të BE është:

1. Votimi fiktiv i shqiptarëve nga dhunimi masiv i zgjedhjeve nga Edi Rama, përmes vendosjes së sistemit të vjetër të “patronazhistëve”, përdorimit të “shtetit” si makineri elektorale, blerjes masive të votave dhe përdorimit të bandave dhe krimit në fushata elektorale. Me zgjedhjet fiktive, Edi Rama ka vrarë shpresën tek shqiptarët se pushteti mund të ndryshohet me votë. Vetëm gjatë vitit 2022, pra vitin pas zgjedhjeve fiktive, fluksi i refugjatëve nga Shqipëria në Britaninë e Madhe u rrit me 15 herë krahasuar me 1 vit më parë. Mbështetja e fitoreve të Edi Ramës të bazuar me zgjedhje fiktive nga mafja e ndërkombëtare e protezhèsë së tij Gerorge Soros, ka efekte shkatërruese mbi demokracinë shqiptare.

2. Vendosja në Shqipëri e monizmit absolut apo sundimit të shtetit njëpartiak nëpërmjet votimit fiktiv.

Sot, Edi Rama kontrollon të gjitha pushtetet në Shqipëri- Pushtetin ekzekutiv, legjislativ, institucionet Kushtetuese si Presidencën, Shërbimin Informativ Kombëtar, etj.

Me reformën sorosiane ai ka nën kontroll të plotë sistemin e drejtësisë.

Në fakt, ai kontrollon 10% më shumë pushtet se sa diktatori i fundit komunist Ramiz Alia në vitin 1991. Shqipëria, për indeksin e zbatimit të ligjit sipas raportit të fundit të World Justice Project, renditet katër vende nën Vietnamin komunist.

3. Lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin, drogën dhe zëvendësimi në Shqipëri i shtetit ligjor me narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, e bëjnë Shqipërinë një vend të pasigurtë për jetën dhe biznesin. Shqipëria sipas raporteve të DASH është shndërruar në qendër operacionale e organizatave kriminale rajonale, europiane dhe botërore.

4. Vjedhja e fondeve dhe pasurive publike, vendosja e sistemit të korrupsionit në vend.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni kushtetues për kontrollin e shpenzimeve buxhetore, ka faktuar se në shtatë vite janë vjedhur dhe shpërdoruar 8.2 miliardë Euro, shumë kjo e barabartë me pothuajse dy buxhete.

Kështu, me sistemin korruptiv dhe vjedhjes së fondeve publike të vendosur nga Edi Rama, punët publike në Shqipëri kushtojnë 7-10 herë më shumë se në vendet e BE-së, p.sh. 1 km autostradë në fushë në Shqipëri kushton 24 milionë Euro kundrejt 3 milionë Euro që kushton në vendet e BE-së, apo ndërtimi i një shkolle me fondet e buxhetit të shtetit në Tiranë kushton 3-6 milionë Euro, ndërsa ndërtimi i një shkolle të njëjtë me fondet e donatorëve nga UNDP po në Tiranë kushton 680 mijë Euro.

5. Vetë Edi Rama, i akuzuar publikisht nga raporti i OSBE në vitin 2014 për fshehjen e 200 milion Euro pasuri të paligjshme në bankat Offshore, nuk përgënjeshtroi kurrë këtë akuzë. Ai, si kryeministër ka firmosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, për ndërmarrje të vetat, kontratat e ndërtimit të tre djegësave me 430 milionë Euro. Sot, asnjë djegës nuk funksionon.

6. Ndërkohë që shqiptarët janë shndërruar sot populli i gomoneve, Edi Rama jeton si kryeministri më i kushtueshëm në Europë. Ai ka kryer 137 udhëtime me Charter, përfshirë këtu udhëtime për të ndjekur ndeshje futbolli amerikan në Florida apo vakanca në Paris, etj. Vetëm këto udhëtime iu kanë kushtuar shqiptarëve 22 milionë Euro. Ai porosit instalacion druri 4 milionë Euro në oborrin e brendshëm të kryeministrisë, që përveç tij dhe rojeve të tij nuk e shikon njeri.

7. Varfërimi progresiv i shqiptarëve nga korrupsioni i pa përmbajtur dhe politikat që ndjek Edi Rama dhe qeveria e tij është shkaku tjetër madhor i shpopullimit dramatik të Shqipërisë.

Në vitin 2013 shqiptarët kishin rrogën mesatare më të lartë në rajon, më të lartë edhe se Bullgaria dhe Rumania, vënde anëtare të BE-së.

Sot, pas 9 vitesh të qeverisjes korruptive të Edi Ramës, ata kanë rrogën më të ulët në rajon, 15-20% më të ulët se Kosova, kurse çmimet e produkteve ushqimore bazë sipas Eurostat, jane 7-10% më të larta se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së. Nafta në Shqipëri shitet me çmim pothuajse të njëjtë me atë të Zvicrës apo Gjermanisë, ndërkohë që rrogat në Shqipëri janë 8-10 herë më të ulta.

Së fundi, një rol të padiskutueshëm në fushën masive të shqiptarëve nga Shqipëria luan dhe korrupsioni ndërkombëtar politik, monetar, erotik i Tiranës zyrtare për të siguruar mbështetje politike të pa merituar për regjimin monist të saj.

Partia Demokratike konsideron shqiptarët që largohen nga Shqipëria viktima të një regjimi që nuk i lejon të votojnë si qytetarë të lirë dhe që i vjedh dhe plaçkit ata deri në palcë, e që ka shndërruar pasuritë e tyre të mëdha publike në një mallkim për qytetarët e këtij vendi dhe ka zëvendësuar shtetin ligjor me narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Partia Demokratike angazhohet të punojë fort që shqiptarët të votojnë të lirë dhe të shndërrojnë Shqipërinë, vendin e pasurive të mëdha natyrore dhe resursve të pafundta, në vendin ku shqiptarët të ndërtojnë ëndrrat e tyre të bukura, të ardhmen që meritojnë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora