Mendime
Enver Bytyçi: Ligji apo Vuçiqi! Kush është përgjegjës për situatën në Kosovë?
E hene, 07.11.2022, 08:57 PM
Ligji apo Vuçiqi! Kush është përgjegjës për situatën në Kosovë?
Nga
Enver Bytyçi
Aleksandër
vuçiq aktivizoi bandat në veri fillimisht për t'i trembur serbët që pajtohen me
sovranitetin shtetëror të Prishtinës në këtë pjesë të vendit. Dogjën jo pak
makina të atyre serbëve që pranuan të ndërrojnë targat e të pajisën me shenjën
RKS. Më pas urdhëroi komandantin e policisë së zonës të mos zbatojë vendimet e
qeverisë e urdhërat e Ministrisë së Brendshme! Kur komandanti i policisë u
shkarkua për kundërshtim urdhëri, atëherë presidenti serb urdhëroi lëshimin e
institucioneve dhe dorëheqjen e kryetarëve të katër komunave veriore!
Të
gjithë këtë presion ai e shoqëroi me dy mjete: - Kërkesën që të anullohet
vendimi i qeverisë Kurti për ndërrimin e targave dhe krijimin e Asosacionit, si
dhe me ushtrimin e dhunës kundër sovranitetit shtetëror e kundër vetë serbëve
në Kosovë. Të dielën u organizua edhe një miting - protestë në Mitrovicën e
Veriut. Ata që ligjëruan i përmendën këto kushte për pjesmarrje në jetën
institucionale të Kosovës.
Ndërkaq
mediet në Shqipëri, në Serbi e në Kosovë po japin alarmin për "mundësinë e
një lufte të re në Ballkan"! Ka TV kombëtare në Tiranë që gjithë kohën e
lajmeve e mbushin me transmetimet e kërcënimeve të Beogradit dhe krerëve të
Listës Srpska, pa thënë asnjë fjalë për të drejtën e Kosovës që të mbrojë sovranitetin
e saj! Kjo zhurmë mediatike ka krijuar përshtypjen se ne shëiptarët "jemi
në prag katastrofe"! Madje edhe profesorë, diplomatë, analistë, njerëz që
dinë të vlerësojnë situatat, po shfaqin nervozizëm dhe fajësojnë qeverinë
Kurti, në vend që të fajësojnë Beogradin për këto zhvillime.
Ndërkaq
u përpoqa të gjej në shtypin europian lajme rreth këtyre ngjarjeve dhe gazetat
serioze të Europës as që kanë marrë mundimin të flasin për to. Që do të thotë
se zhurma për luftë, konflikt, destabilizim a çkado tjetër është e sajuar në
Beograd dhe transmetues të saj janë bërë jo pak medie e altoprlantë të shqipes.
Nga padija a nga pengmarrja, kjo mbetet për t'u vlerësuar, por fakt është se
është vënë në shënjestër Albin Kurti, në vend që të qortohet Aleksandër Vuçiq!
Ndoshta dikush ka porosit që Vuçiqin ta ruajnë nga sulmet mediatike, me
preteksin se "është në situatë të pafavroshme dhe nuk i duhet bërë
presion"! Megjithatë atë presidenti
i Serbisë për të krijuar këtë situatë tensioni mori bekimin e Kishës së
beogradit, si dhe institucioneve të tjera të vendit të tij!
Alibia
gjithashtu është pro-serbe: - Meqenëse kryeministri i Kosovës nuk pranoi
rekomandimin e amerikanëve dhe europianëve për shtyrjen me dhjetë muaj të
ndryshimit të targave, atëherë ai shpallet "anti-amerikan"! Etiketa e
anti-amerikanizmit është përdorur edhe herë tjera për ta denigruar Albin
Kurtin! Por në fund del e kundërta! Kurti është i aftë ta çojë ujin jo vetëm në
mullinjtë e Kosovës, por edhe të Amerikës dhe Europës. Nuk ka njeri me mend në
Europë dhe në SHBA, përveç Borrellit, që i kërkon Kosovës të mos zbatojë ligjin
e të dëgjojë Vuçiqin! Por ka jo pak në Kosovë e në Shqipëri!
Mësë
shumti i fryejnë kësaj alibie ata që ishin zotuar që "Me Amerikën të
luanin koqas"! Dhe ky është paradoksi më i madh i kësaj skene
anti-kosovare! Mund ta kesh inat kryeministrin Kurti! Mund të mos e duash! Mund
të mos pajtohesh me të! Madje edhe unë që shkruaj e kam kritikuar e ndonjë
këshilltar i tij më ka sulmuar me kundërpërgjigje për kritikat që ia kam bërë
zotit Kurti! Disave që nuk pajtohen me mua u them gjithashtu se kurrë nuk e kam
takuar zotin Kurti. Edhe një rast që doja ta takoja nuk më priti! Por të
marrësh në mbrojtje autorët e krimit në Kosovë, pra qeverinë dhe presidentin e
Serbisë, bandat kriminale të rakiqit në veri etj për inat të kryeministrit të
Kosovës, kjo është e papranueshme dhe e turpshme. Me qëllim apo pa qëllim është
edhe anti-kombëtare e anti-kosovare!
Në
fund të fundit duhet të ndalemi e të analizojmë se kujt i shërben kritika,
sipas së cilës "Kurti bëri gabim që nuk dëgjoi ta shtyjë zbatimin e
ndryshimit të targave"?! A nuk e kërkon pikërisht këtë gjë Vuçiq dhe
zëdhënësi i tij në Kosovë, Rakiq?! Kujt i shërbeu vërejtja që iu bë Kurtit edhe
nga profesorët e Kosovës se "Po nxit luftë me kritikat që ia bën Vuçiqit
si luftënxitës"?! A nuk është interes i Beogradit që t'i paraqesë qeverinë
dhe autoritetet e Kosovës si shkaktare të destabilitetit në veri të vendit?!
Ndërkohë kjo nuk është e vërteta! Së paku pse nuk i shërbeni tyë vërtetës o
njerëz të nxirë e të shpëlarë, edhe nëse nuk e keni në konsideratë interesin e
vendit për shkak të frikës nga një luftë e mundshme apo për shkak të dinarëve
serbë?!
Kujt
i shërben kërcënimi që politikanë opozitarë i bëjnë qeverisë së Kosovës, kur
ajo dhe policia e shtetit, forcat e sigurisë dhe qytetarët janë të angazhuar në
ruajten e sovranitetit shtetëror! "Jo, - thonë - Kurti duhet të bëjë
lëshime"! Madje shkojnë deri te skema, sipas së cilës "Po nuk bëre
lëshime ti, lëshoje pushtetin, sepse e bëjmë ne"! D.m.th shqiptarët,
qeveria, institucionet duhet të jenë ikanakë të përjetshëm! Në emër të
qetësisë! Gati sa nuk dëgjojmë të thuhet se "Na duhet qetësia, nuk na
duhet territori e nuk na duhet shteti"!
Unë
nuk mendoj se të mbrosh territorin e vendit je anti-amerikan! Nuk mendoj se të
mbrosh autoritetin e shtetit dhe kushtetutën, je anti-amerikan! Anti-serb po!
Eshtë më mirë që këta që donin të luanin koqas me Amerikën dhe tani thirren në
emrin e saj t'u kërkojnë Fuqive Perendimore që ta pranojnë brenda javës Kosovën
në NATO! Dhe të jeni të sigurt se nëse do të donin Uashingtoni, Berlini, Londra
dhe Parisi, kjo realizohet edhe brenda tri ditëve! Prandaj mos e gënjeni veten
me alternativa anti apo pro-amrikanizmi!
Nëse
ndodh një konflikt midis Kosovës dhe Serbisë, unë jam i bindur se
ndërkombëtarët, kryesisht amerikanët, do të donin që me këtë konflikt të
shkërmoqin edhe ndjenjën e frikës te shumë shqiptarë!