E shtune, 26.11.2022, 08:27 PM (GMT)

Kulturë

Dorian Koçi: Modernizimi i shoqërisë shqiptare 1916-1939

E diele, 18.09.2022, 06:44 PM


Modernizimi i shoqërisë shqiptare 1916-1939

Nga Dorian Koçi

Periudha e Luftës së Madhe në Shqipëri paradoksialisht nga sa është shkruar si një periudhë pushtimi krijoi përmasat e futjes së territorit shqiptar në një stad zhvillimi dhe urbanizimi. Pikësëpari u hodhën themelet për një rrjet arsimor në gjuhën shqipe çka solli në shpërhapjen dhe forcimin e ndjenjës kombëtare tek të gjithë shtresat e shoqërisë. Administrimi i zonave të pushtimit me bilance të sakta taksash, marrëdhënie tregtie importi-eksporti dhe shpenzimi këtyre të ardhurave për vepra publike si kanalizime-bonifikime, ndërtime spitalesh, godinash administrative etj perceptuan dhe rritën imazhin e një shteti efikas në sytë e shqiptarëve.

Modelimi i njeriut shqiptar u kërkua të jetë sa më pranë njeriut në Europë edhe pse ndaj Europës kishte pakënaqësi përsa i përket sjelljes politike të Fuqive të Mëdha që kishin copëzuar territoret shqiptare. Kjo tendencë modernizimi do të vazhdonte të ishte dominuese në gjithë aspektin politik e social të ndërtimit të shtetit shqiptar nga viti 1920-1939. Mirëpo ky modernizim që do të dominojë në gjithë diskursin publik në vitet 30’ do të kishte dhe një kosto tjetër që reflektonte refuzimin dhe mosvlerësimin nga pikëpamja historike e periudhës osmane nga elita shqiptare e kohës. Ky proces që kishte filluar edhe në shtetet e tjera ballkanikë sapo ishin pavarësuar solli humbjen e një sërë dokumentesh , veprash letrare , vepra publike që do të mund të shërbenin si dokumente të rëndësishme për të kuptuar evolucionin e shoqërisë shqiptare nga shoqëri e nuklesit osman në shekujt XVI-XVII në atë moderne.

Fermentimi ideologjik i ideve të reja ishin idetë e publicistit dhe filozofit Ismet Toto, i cili duke ëndërruar një Shqipëri oksidentale kërkonte ta vinte në jetë përmes konceptit të “diktaturës së ndritur”, të mishëruar në personalitetin e një njeriu të madh si rasti i Ataturkut në Turqi . Ja se çfarë shkruante ai në vitin 1931 në Gazetën “Ora” të Kostë Çekrezit:  Me fjalën njerëz të mplakur”, shkruan Ismet Toto, “na s’kemi ndërmend njerëzit e kaluar nga mosha. Njerëz të mplakur, mund të ketë dhe midis të rinjve dhe mund të ketë pleq, sadopak, që të kenë një shpirt të ri dhe një dinamizëm shembullor. Kriteri i ynë nuk është mosha e një njeriu, por shpirti i sakrificës, karakteri dhe sasia e fuqisë për të vepruar dhe prodhuar në këtë rindërtimin e vendit tonë…”

Përplasja në rrafshin social në fakt ishte një përplasje midis primitivizmit qeverisës të klientelës politike përmes funksionimit të derës së bejlerëve që të kujtonin oborret e fisnikëve në mesjetë të përfaqësuar nga klasa e vjetër e politikanëve në Shqipëri dhe personalizimit dhe individualitetit të spikatur të përfaqësuar nga politikanët e brezit të ri. Ky individualizëm idealist shkonte deri në sakrificën vetëmohuese të dhënies së jetës. Sërish në të njëjtin artikull, Ismet Toto shkruan se:

“Na helmojmë mendjen dhe shpirtin e djalërisë? Na jemi të rrezikshëm për avenirin dhe ekzistencën e kombit? Na jemi ata, për të cilët, qeveria duhet të marrë masa? Në qoftë se njerëzit e “Besës” kërkojnë polemika noteriale, që të na njohin të drejtën të flasim si djalëri, na do t’u themi atë që s’kanë mundur dhe kurrë s’do të munden të kuptojnë: Zemra dhe shpirti është gjithë ç’kemi për ndërgjegjen e kombit arbëror; na kemi vendosur të sakrifikojmë me buzëqeshje të vetmen pasuri: Jetën tonë”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora