| E diele, 18.09.2022, 06:44 PM |
Modernizimi i shoqërisë shqiptare 1916-1939
Nga
Dorian Koçi
Periudha
e Luftës së Madhe në Shqipëri paradoksialisht nga sa është shkruar si një
periudhë pushtimi krijoi përmasat e futjes së territorit shqiptar në një stad
zhvillimi dhe urbanizimi. Pikësëpari u hodhën themelet për një rrjet arsimor në
gjuhën shqipe çka solli në shpërhapjen dhe forcimin e ndjenjës kombëtare tek të
gjithë shtresat e shoqërisë. Administrimi i zonave të pushtimit me bilance të
sakta taksash, marrëdhënie tregtie importi-eksporti dhe shpenzimi këtyre të
ardhurave për vepra publike si kanalizime-bonifikime, ndërtime spitalesh,
godinash administrative etj perceptuan dhe rritën imazhin e një shteti efikas
në sytë e shqiptarëve.
Modelimi
i njeriut shqiptar u kërkua të jetë sa më pranë njeriut në Europë edhe pse ndaj
Europës kishte pakënaqësi përsa i përket sjelljes politike të Fuqive të Mëdha
që kishin copëzuar territoret shqiptare. Kjo tendencë modernizimi do të
vazhdonte të ishte dominuese në gjithë aspektin politik e social të ndërtimit
të shtetit shqiptar nga viti 1920-1939. Mirëpo ky modernizim që do të dominojë
në gjithë diskursin publik në vitet 30’ do të kishte dhe një kosto tjetër që
reflektonte refuzimin dhe mosvlerësimin nga pikëpamja historike e periudhës
osmane nga elita shqiptare e kohës. Ky proces që kishte filluar edhe në shtetet
e tjera ballkanikë sapo ishin pavarësuar solli humbjen e një sërë dokumentesh ,
veprash letrare , vepra publike që do të mund të shërbenin si dokumente të
rëndësishme për të kuptuar evolucionin e shoqërisë shqiptare nga shoqëri e
nuklesit osman në shekujt XVI-XVII në atë moderne.
Fermentimi
ideologjik i ideve të reja ishin idetë e publicistit dhe filozofit Ismet Toto,
i cili duke ëndërruar një Shqipëri oksidentale kërkonte ta vinte në jetë përmes
konceptit të “diktaturës së ndritur”, të mishëruar në personalitetin e një
njeriu të madh si rasti i Ataturkut në Turqi . Ja se çfarë shkruante ai në
vitin 1931 në Gazetën “Ora” të Kostë Çekrezit:
Me fjalën njerëz të mplakur”, shkruan Ismet Toto, “na s’kemi ndërmend
njerëzit e kaluar nga mosha. Njerëz të mplakur, mund të ketë dhe midis të
rinjve dhe mund të ketë pleq, sadopak, që të kenë një shpirt të ri dhe një
dinamizëm shembullor. Kriteri i ynë nuk është mosha e një njeriu, por shpirti i
sakrificës, karakteri dhe sasia e fuqisë për të vepruar dhe prodhuar në këtë
rindërtimin e vendit tonë…”
Përplasja
në rrafshin social në fakt ishte një përplasje midis primitivizmit qeverisës të
klientelës politike përmes funksionimit të derës së bejlerëve që të kujtonin
oborret e fisnikëve në mesjetë të përfaqësuar nga klasa e vjetër e politikanëve
në Shqipëri dhe personalizimit dhe individualitetit të spikatur të përfaqësuar
nga politikanët e brezit të ri. Ky individualizëm idealist shkonte deri në
sakrificën vetëmohuese të dhënies së jetës. Sërish në të njëjtin artikull,
Ismet Toto shkruan se:
“Na
helmojmë mendjen dhe shpirtin e djalërisë? Na jemi të rrezikshëm për avenirin
dhe ekzistencën e kombit? Na jemi ata, për të cilët, qeveria duhet të marrë
masa? Në qoftë se njerëzit e “Besës” kërkojnë polemika noteriale, që të na
njohin të drejtën të flasim si djalëri, na do t’u themi atë që s’kanë mundur
dhe kurrë s’do të munden të kuptojnë: Zemra dhe shpirti është gjithë ç’kemi për
ndërgjegjen e kombit arbëror; na kemi vendosur të sakrifikojmë me buzëqeshje të
vetmen pasuri: Jetën tonë”.