E enjte, 08.12.2022, 12:24 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Takimi me Zonjën Vdekje

E premte, 02.09.2022, 05:59 PM


TAKIMI ME ZONJËN VDEKJE

NGA KALOSH ҪELIKU

(Shelgjet lajnë gërshetat)

Me Miken ulemi në rërë

dallgët i sulen bregut.

Shelgjet i lajnë gërshetat

më thotë: Unë i laj vargjet.

Qetësi!

E dëbova Nusen me poshterkë të kuqe

Shtoi, dikur:

Po, Buçën si do ta shporrësh?

Buzëqesh.

Se, buçet kanë ca huqe...

(Kush do më shpie në varr)

Gjithë natën e lume vras Veten:

Flakëmëflakë mes librave. Shtamave verë.

Në mëngjes, te pragu i derës e ringjallë.

Gjithë natën e lume vras Veten

E, s’ka njeri të më shpie në varr.

Doruntinën, motrën e vetme të gjakut

E martova, shtatë male larg…

(Nuk më doli nata)

Gjithë natën u zumë si kaçakët

nxorëm kobure e harxhuam fishekë.

Nuk u vramë, por u plagosëm

pak para agimit nëpër sokaqe:

ngrite lartë një çarçaf të bardhë

e bëmë paqe, në “Bit-Pazar”.

Edhe pse, lufta qe flakë më flakë

erdhi shumë vrik agimi.

Nuk na doli nata

në atë shtrat harbimi...

(E nesërmja vazhdon luftën)

Liqeni na u sul me dallgë

rrëzove mure, hëngre çarçafë.

Matanë bregut, të dëgjoi Lasgushi

gjithë natën u çmende në shtrat.

E nesërmja, vazhdon luftën

tërmet ra në dhomë.

E hapë dritaren, thirrë liqenin:

hëngre çdo gjë me dhëmbë

luftë me sy, luftë me këmbë.

Vetëm pas fitores te plepat

më the: Të shtrydha si limonin.

Se di, pse e ndjeva veten dëshmor

e Ti një Kleopatër që pa mua

Nuse të mbante froni...

(Përshpëritje në vesh)

E çmendur më thua nëpër terr

më pëshpërit në vesh:

Edhe pak, edhe pak - më fortë!

E gris natën lahem në djersë

pushtoj qytete, nënshtroj shtete.

Unë, pasardhësi i Skënderbeut

shkaku Yt bëj luftë edhe me Veten...

(Brymë në shtrat)

E përfundoj betejën. Dyluftimin

palohesh si robëreshë në shtrat.

Vetëm sytë, e duart rrugaçe

nuk dorëzohen për një natë.

Ja, pse gjithë luftërat

në botë: i kanë nisur gratë.

Dihet, flakë më flakë.

Brymë në shtrat...

(Magjia e çelësit)

Kur vendosa ta thyej derën

e gjeta çelësin magjik:

befas hyra te Ti si kaçak

si varg lirik. Kryengritës.

Tashti kur s’mund ta thyej derën

e humba çelësin magjik:

më thuaj moj si të dal nga Ti

kur, Sot:  nuk jam varg epik?...

(Rrugë nëpër poezi)

Ka kohë që Ti nuk vjen

të marrim rrugë. Male

nëpër poezi. Dhiare.

Gjithë vargjet e botës

do t’i sjell në Shtëpi...

(Mbrëmë fjeta

me Vjeshtën)

Mbrëmë fjeta me Vjeshtën

Dimri nuk ma hapi derën.

Me cilën do të fle Nesër

Si ta puth Pranverën?!...

(Lum Unë i mjeri)

Vjeshtë.

Ajo një gjeth të verdhë në dorë

s’di ku ta kaloj Natën e Madhe:

kam frikë nga qielli. Dielli

shiu. Breshëri. Rrufeja. Nga Ajo.

Po gjethi i verdhë, heu gjethi...

Natë. Gjethi më buzëqeshi verdhë.

Pres një shtërngatë. Shi. Rrufe:

Një dimër edhe më të egër

Ehu Nënën, lum Unë i mjeri...

(Dua të digjem)

Nga frika mos digjem prej Teje dritë

largohen krimbat, ikin fluturat

shtegtojnë zogjtë diku larg...

Veç Unë s’i trembem zjarrit

që më përvëlon natën

mbi turrë të druve flakë:

i gozhduar si Krishti

të pres kryq në shtrat...

(Gjethi verdhë)

Frikë kam nga gjethet e verdha

ato paralajmërojnë Dimrin:

Vdekjen Tënde në lindje...

Frikë kam nga gjethet e sëmura...

(Ikje me natë)

Pema zhvishet në Vjeshtë

pret Dimrin. Furtunën

tinëz, t’i futet në shtrat.

Ti në Dimër zhvishesh

dhe ma ndez zjarrin:

Më bën Vjeshtë. Ikë me natë...

(Mikja e Ujkut)

Mike, fli se vjen Ujku

të troket në dritare!

Mashtrohesh e ia hap derën

t’i ha mollët e vjela

gjithë natën e gjatë.

Mikja qesh dhe më thotë:

Ebu Xhehli i ujqërve janë gratë!...

(U ngopa me Liri0

Nuk u ngopa me Natë

nuk u ngopa me Ditë

nuk u ngopa me libra

nuk u ngopa me verë

nuk u ngopa me dashuri

aqsa, bëj ta këndell.

U ngopa me Liri

Aqsa, më vjen ta vjell...

(Udha nëse të bie

në Shkup)

Udha nëse të bie në Shkup

mos më kërko në Parlament!

As në ndonjë ministri

as në ndonjë kabinet.

Udha nëse të bie në Shkup

kërkom te Shatërvani. Rrap!

Ose, në mesin e të marrëve...

(Po të flas)

Po të flas për të çmendurit,

Ti thua: Jam e çmendur vetë.

Po të flas për të sëmurët,

Ti thua: S’di se ç’më gjet.

Për të dashuruarit kur flas,

Ti thua: Jam e dashuruar vetë.

Kur flas për poetët. Rrugaçët

çmendesh. Bërtet: Unë jam poet!...

(Ti endesh nëpër botë)

Ti endesh nëpër botë

për të gjetur një viç

një gomar pa samarë.

Çfarë çmendurie?!

Gomarë, ka edhe në “Bit-Pazar”

Te “Mulliri i Arapit”, në Llag:

Kërriçë të tredhur me samrë.

Edhe atë bio - shqiptarë!...

(Në Drenovë)

Për “Ditët e Asdrenit”

isha edhe në kishë:

ndeza një qiri.

Dhe, u luta për Asdrenin

për Miken në Lindje

që nuk ma lënë rehat.

Për “Ditët e Asdrenit”

u luta edhe për Veten:

bëra kryq përpara Shën Mërisë.

Zoti të na ruaj nga hijet

që rrinë pas porte

gati t’i kërcejnë Lirisë...

(Murosja e nuseve)

Edhe sot i varrosim të gjalla

nëpër këtë Qytet nuset.

Po, nuk ua lëmë një gji

jashtë për poetët...

(U kryqëzova për Ty)

E vizitova përsëri Korçën

shkova edhe në Drenovë:

vendlindjen e Asdrenit,

hyra sërish edhe në kishë.

Ndoza një qiri malli

sonte u kryqëzova për Ty...

(Lutja e natës)

Dikush falet në kishë

dikush në xhami.

Unë me dy buta në duar

Lutem. Vdes mbi Ty...

(Pritje në breg)

Ditën kur fluturove nga minarja

tek Plepat e Xhindeve:

Liqeni u çmend.

Unë pres e përcjell anije:

Asnjë lejlek, asnjë dallëndyshe

nuk zbret në breg...

(Vdis sonte)

Vdis sonte! Dhe, ngjallu përsëri

Gjithë liqenin do ta pi!

Trofta e ngjala do t’i nxjerr në breg

kot përpiqesh të ikësh nëpër Dri:

Gjithë liqenin do ta pi!

Vdis sonte! Dhe, ngjallu përsëri...

(Le të më hanë gratë)

U besoj grave të marra

kur natën lahen në liqen,

e Unë me një shtamë verë në breg

dëshiroj të bëhem grep.

E pres ta kafshojnë vargun

t’i hedh në shtrat,

më mirë le të më hanë gratë

se sa qentë e ngratë!...

(Fillim jave)

Nata iku. Ike Ti

ika Unë në poezi.

Eja, moj, mjaft qave

këtë fillim jave!...

(Takimi me Zonjën Vdekje)

E takova sot në rrugë Zonjën Vdekje

Dhe, pimë nga një gotë verë.

Më pyeti për librat, e pyeta për këlyshët

A, i ndërsehen ndonjëherë pas shpine?!

Qeshi, Zonja Vdekje. Dhe, ngriti dolli

për Miken Di, e arratisur  në Lindje.

Për mua që i kam varur armët në Rrap

të vras Këlyshin e Buçës me zgjebe:

Që, dy hapa më larg e ka nxjerrë gjuhën

dy pëllëmbë përgoje, jashtë nga vapa

nateditë, në prehërin e Nënës Rrospi...

(Nëse vini në

varrimin tim)

Mos harxhoni fjalë

mos derdhni lot

mos më sillni lule

atë ditë kur të vdes!

Më sillni verë

ma sillni Miken

në doni të çohem

t’ju përshëndes...

(Do ta pi liqenin)

Në mbrëmje dal te bregu

dhe pres të dalësh nga liqeni,

kam hedhur një varg në ujë:

vetëm pak të dridhet peri

hop, të të rrëzoj mbi urë.

Dikur e nxorra grepin

Vallë, mos je Ti Hëna:

do ta pi gjithë liqenin!...

(Nuk ngihem me detin)

E piva qiellin . Hënën

Lumin. Edhe, liqenin:

detin. Shtamat me verë

E ju thoni se jam i dehur?!

Jo, këlyshë, Unë jam i etshëm

Po, ju që jeni të tredhur:

o burra dudumë, pushteti!

E piva krejt liqenin

Se, nuk më ngiu deti...

(Vdekja i ka harruar)

Ata që shpifin për Ne të dy

e pas porte na kanë vënë pusi:

na i ndërsejnë këlyshët melezë

urraaa, me nga një asht në gojë.

Dhe, na mësojnë sesi bëhet dashuri

poezia si shkruhet për Atdheun.

Vdekja i ka harruar në shtëpi...

(Edhe dje edhe

sot opozitë)

Vitet ikin. E Unë edhe në demokraci

i kujtoj ditët kur botonim poezitë e para

te redaktorët censurëkuq nëpër redaksi

se si na rrinin me gërshërë mbi kokë

duke na i sakatuar vargjet pa mëshirë

shkaku, se: Ashtu e donte Nëna Parti.

Edhe e sotmja sa i ngjan të djeshmes

ndonjëri nga ju u bë shef në redaksi:

mori banesë nga Shteti, ndërtoi shtëpi.

Këlyshi i Buçës referent në Parti

Qeni deputet e Gomari në Ministri.

Po, ç’ngjan edhe sot me mua Poetin?!

Asgjë. Edhe dje, edhe sot opozitë...

(Kam jetuar si Poet)

Nesër mund të thoni plot gojën: E shanë

e ndoqën, i kurdisën linçe itelektuale:

e akuzuan si rebel, e përzunë nga puna.

E thirrën edhe në “biseda informative”

e ndanë nga gruaja e martuan pa dasëm

herë me Miken, e herë me një lavire.

Megjithatë, sot mos t’ju vijë keq për mua

që në këtë luftë heroike kam hyrë vetë.

E kam ditur moti: Kë ta urrej e kë ta dua

Nuk kam jetuar si qyqe, por si një Poet...

Nga libri: MBRËMË FJETA ME VJESHTËN (Shkup,1999).



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora