E diele, 02.10.2022, 11:38 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Don Rrok Frisku

E hene, 08.08.2022, 07:44 PM


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa e 54 e Zamakut Flamurit të Kastriotit

DON  RROK  FRISKU

FOTO MUNGON

(1892 – 1956)

Asht le në Mirditë në fshatin shumë të permendun Spaç, me 21 Mars 1892.

Ishte pinjoll i një fisi shumë të njoftun në atë krahinë. Prindët e sjellin me studjue në Seminarin Papnuer të Shkodres per meshtar. Sudimet e nalta teologjike dhe filozofike Don Rroku i ka perfundue n’ Austri. Asht shugurue meshtar dhe meshen e parë e ka thanë në Kathedralen e Shkodres.

Meshen e dytë e ka thanë n’ Orosh, ku ishte i pranishem edhe Imzot Doçi, aso kohe shumë i njohun si Abat i Mirditës.

Ka sherbye si meshtar nder zonat e Veriut, ku binte në sy pershpirtnia e tij, dhe pjesmarrja e frutëshme në pajtimin e gjaqeve dhe mosmarrveshjeve.

Per pak kohë ka sherbye si meshtar n’ Orosh, në vitin 1917. Ka vazhdue me sherbye mandej në Qafë të Malit per 24 vjetë, ku nuk harrohet asnjëherë në shtëpijat e atyne besimtarve që e respektuene aq shumë. Don Rroku ishte shumë i përgatitun dhe komunikues me fshatarët e atyne zonave malore.

Në fillim të vitit 1940 transferohet në fshatin Vig të Mirditës ku qendroi aty rreth tri vjetve, tue ju gjetë pergjithshka atyne fshatarve, të cilët e nderonin per gjithshka, po mbi të gjitha ishte prania nder sofrat e tyne të pajtimit.

Sigurisht, bie edhe në sy të Sigurimit shtetit komunist, kur ishte me detyrën e Tij në Mnelë, ku me 24 korrik 1947 e arrestojnë me motive politike.

U dënue me akuzat e njohuna si armik i pushtetit me 12 vjet heqje lirije dhe konfiskime pasunije etj., si zakonisht që vazhdonin pafund nder dosje.

Pasojat e torturave të bame mbi trupin e Tij ishin të pafund e pasherim.

Rreth vitit 1956, në moshen 64 vjeçare, tue mos tregue ma të voglin kujdes ndaj Don Rrok Friskut, në Burgun e Burrelit vdes dhe vorroset dikund pa e dijtë askush fundin e jetës së Tij, si zakonisht veprohej nder ata vende.

Jo vetem sot, po asnjëherë as nuk ka me dijtë kush se ku ishte grumbullue nder ata bisha që thirreshin agjenta të Sigurimit të shtetit komunist, ajo që thirrej urrejtje apo mëni kunder popullit dhe figurave që jetonin në gjiun e vorfnisë dhe persekucionit tij. Cilido kjoftë Ai intelektual që kishte mujtë me perfundue shkollen e naltë në Europen Perëndimore, edhe në kjoftë se të gjitha shpenzimet i kishte pasë vetem nga familja e vet dhe askush tjeter, Ai shikohej me synin e “armikut popullit”, edhe tue mos kenë aspak i këtillë madje, me rasen e parë që një prej tyne shikohej me synin e Sigurimit, atij i plotsohej dosja dhe i bahej gati edhe fletë-arresti, tue i përgatitë dhe qelinë apo birucen ku pa shkue mirë fillonin masakrat e torturat mbi trupin e tij.

Ndersa per Klerikët katolik gjithshka ishte gatëshme, edhe “revolveri”!

Edhe Ata ishin të gatshem me dhanë jeten e vet per Idealin e Fesë, gja e cila i rreshton me Zamakët e Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Melbourne, 8 Gusht 2022.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora