Mendime » Radovani
Fritz Radovani: At Bernardin Llupi
E premte, 08.07.2022, 08:05 PM
Nga Fritz RADOVANI:
Pjesa Nr. 45. Zamak i Flamurit Kastriotit…
AT BERNARDIN LLUPI O.F.M.
“Vdekja
si kjo, vdekja për Shqiptarizëm, asht kupë e artë!
AT B.LLUPI (1946)
Koha ka me provue se
Françeskanët e Shqipnisë së viteve 1944, jo vetem që nuk persëriten kurrma, po
as nuk i vijnë ma Trojeve tona Shqiptare.
Shqipnia ruen në Token e Saj
kushedi sa Vorre pa emen e pa shenja!
Po, dëshmia e Gurve të Pendës
së Kirit pranë Rrëmajit, e deri atje ku janë shkrepë armët serbosllave dhe të
katilave anadollakë shqiptarë, kunder të gjithë Atdhetarve tanë dhe
Françeskanëve, nuk fshihet persa Shekuj, pse Ata Gurë, do të vazhdojnë me
ruejtë mbrenda vehtes Visaret e çmueshme të Tyne, që janë gurrë e pashterrëshme
e virtyteve të Tyne.
At Bernardin LLUPI O.F.M., kje një
nder Figurat e Nderueme Françeskane, asht lé në Shkodër me 7 shkurt 1886, prej
prindve Filip e Luçia Llupi.
Asht pagëzue me emnin Mati, asht
vëllai i pestë i Cinit, Zefit, Ejllit e Franos. Vjen prej një familjes së
vjetër me tradita qytetare shkodrane.
Studimet i ka krye në Insbruk
të Austrisë, ku mori medalje nderi si një nder studentat e shkëlqyeshëm.
Shugurohët meshtar në Romë dhe vjen e shërben në Palç (Mërturë), Hot, Grudë,
Bizë të Durrsit, Vlonë dhe Shkodër.
Kur Kuvendi Françeskan ndodhët
keq ekonomikisht në atë kohë lufte e zije për bukë mbas vitit 1942 dërgohet në
Pejë famullitar, mbasi njihej qysh i rij si ekonomist i përkryem. Prej andej
ban të mujtun mos shpërndamjen e xhakojve në Kuvendin e Shkodrës, tue i dërgue
vazhdimisht ushqime.
Për këtë ndihmë të madhë
ekonomike ban fjalë në procesin e tij edhe At Çiprian Nika, rektori i Fretënve
në Shkodër. Asht bashkohës i Etënve Harapi, Doda, Prennushi, Cani dhe mik i Don
Nikoll Ashtës. Asht ndër misionarët e njohun që me dinjitet ka bajtë zhgunin e
Sh’ Françeskut. Autoritar në fjalë dhe i palodhun në pajtime gjaqësh e
ngatrresash që kishin kapërthye malët tona. Edhe pse në 1939 asht operue në
Padova, ku ka heq një eshke, asnjëherë nuk i shmangët misionit të tij,
madje, shkon me qejfë malësh për me
ndihmue çështjen kombëtare dhe niset për në Kosovë.
Atje ka shërbye në famullitë e
Zllakuçanit, Zym’të Hasit dhe Pejë. Ndihmon shqiptarët që kanë marrë malët për
liri nga fashizmi dhe komunizmi, me ushqime dhe medikamente mjeksore. Mban afër
Prof. Kol Parubin, Marije Shllakun, Marsel Vuçën, Prof. Ymer Berishën dhe të
tjerë luftarë shqiptarë. Porositë fshatarët “me e ruejtë dhe me e ndihmue këtë
vajzë atdhetare!”. Theksova fjalët e tij ndër thojza, mbasi me shumë dashtni
dhe burrni vlerson virtytet e femnës shqiptare, ashtu si ma parë vëllaznit e
tij, Norën e Kelmendit. At Llupi asht “ATI
I DYTË” i Marije Shllakut.
Maria tek Ati i saj i dytë sheh
shpresën dhe të mirën, tue i kërkue si vajza e tij: “Lutju Zotit për mue!” Ai
lutej për të gjithë shqiptarët pa dallim feje.
Kjo asht arsyja që të gjithë e
donin dhe e ndigjonin misionarin e përvujtë. Ai njihej si misionar i
Atdhetarizmit prandej qela e tij ishte vatra ku delnin shkëndijat e lirisë.
Shovenistët serb, shërbëtorët e tyne komunistë dhe tradhëtarët e shitun të
Atdheut, nuk e duronin zhgunin e Françeskanit në Pejë, prandej, në marsin e
vitit 1946 e arrestojnë si një organizator i “Katoliçeskaja Banda”, organizatë që nuk ka kenë kurrë.
Krijuesi i këtyne bandave, organizatave,
grupeve terroriste, duerve të
zeza, të futjes së armëve ndër Kisha etj,, asht një për të gjithë Shqiptarët: Komunistët e shovenistët jugosllavë me
qendër Moskën.
Edhe para trupit gjykues At
Llupi asht kryenaltë, trim dhe i pathyeshëm ashtusi në tortura të mnershme që i
bahën në hetuesi. Nuk pranon asnjë akuzë. Nuk i trembet vdekjes fare, aq sa
edhe tallet me prokurorin Ali Shukriu, gjatë procesit gjyqsor kur ai e pyet, se
ç’ke menduar kur ke thënë: “Ishalla e pështon Zoti Kosovën!”? - At Llupi
përgjegjet: “Kam mendue që të shpëtojë nga sëmundjet dhe hallet e ndryshme!”
Kur prokurori e pyet se a i ke dërgue djath në mal, At Llupi nuk i përgjegjet,
mbasi nuk kam ardhë këtu për djathë.
Kur pyetët Maria, edhe ajo
përsëritë: “Nuk përgjegjem, nuk kemi ardhë për djathë këtu!”. Kur flitët për
njerzit e vramë ndër male, At Bernardin Llupi thotë: “Ata kanë vdekë si trima, si burrat, prandej, duhët të jenë shembull
për né të gjithë!”.
Autori z.Muhamet Vokshi,
shkruen në kujtimet e veta për At Llupin: “Fliste anglisht, italisht,
gjermanisht, spanjisht, serbisht, latinisht. At Llupi ishte komunikativ,
modest, shakaxhi. Fishtën e adhuronte.
Italianët nuk i donte aspak, i
quante “bretkocarë”. Ai e ka dashur vendin dhe popullin e vet pa urrejtur
kurrkend tjetër.
E deshti dhe dha jetën për
Shqipërinë brenda kufijve të saj etnikë“
Fjala e fundit e At Llupit para
pushkatimit ishte:
“Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!”
Mbas të shtimeve të automatikve
At Llupi, kishte mbetë në kambë edhe pse
zhguni i panjollë ishte la me gjakun e këtij martiri.
Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!”, xhullinjtë iu
afruen tue shti mbi tè, derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën Shqiptare, për
të cilën dha jetën e vet.
?Ndërsa, më 15 nandor 1946 nga
ky grup u pushkatuen:
MARIA SHLLAKU 24 vjeç,
AT BERNARD LLUPI 60 vjeç,
Prof. KOL PARUBAJ 40 vjeç,
GJERGJ MARTINI
29 vjeç.
Tregon
z.Viktor Gashi në kujtimet e Tij:
Në mbrëmjen e 14 nandorit
dikush përshpëriti sikur kishte dëgjuar nga biseda mes dy rojeve se nesër në
mëngjes, do të pushkatoheshin të dënuarit me vdekje. U tronditëm shumë dhe
vendosëm me i treguar At Bernardit.
I thamë në veçanti: Padër,
nesër.., ndoshta.., nuk e dijmë, por...Ai ndërpreu fjalën dhe tha :- Shumë
bukur që erdhi kjo ditë dhe mbas pak sekondash iu drejtua Kolës, - Kolë, eja
pak këtu! Shkuan në qoshen e dhomës, At Llupi bashkoi dy duart, ndërsa Kola u
ulë në gjunjë. Kur Kola desh të fliste diçka, At Llupi i tha: - Kolë, i dij
gjynahët tuaja por ban punën e Pendimit, se Zoti do t’i falin të gjitha fajet
mbasi ti po lanë me gjakun tand tokën që të ka lindë, ti po shkon tek Zoti, jo
si mëkatar, por si martir, ti je i zgjedhun prej Atit të Pushtetshëm, me dhanë
shembull si duhët me vdekë për të mirën e popullit Shqiptar dhe të Atdheut, që
po e lamë të robnuem, por shpejt Zoti dhashtë e u bashkoftë edhe Kosova me
Nanën Shqipni!
Mbas tij shkoi edhe Gjergji.
Atë natë nuk fjeti njeri.
Biseda mbahej nga At Bernardi, të cilit edhe atë natë nuk i mungoi humori e
gazi, sikur të nesërmen po lirohej dhe jo...
Ishin orët e para të mëngjezit,
kur u dëgjuan çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje e përmortshme.
Menjëherë e mori fjalën At Bernard Llupi: - Ç’keni o burra që heshtët? Mos u
shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të vdes herët a vonë aqsa
ka thanë Zoti. Na po vdesim ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun se
me vdekjen tonë, do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e sajë me
Atdheun Nanë, Shqiptari shkon në vdekje si në darsëm sëpse lufton dhe vdes për
popull, për liri, për jetë ma të lumtun!”
Sakaq u dëgjua zani i ambël i
Gjergj Martinit: “Po vdesim për Atdhe, Burra, se Atdheu mbrohët me gjak. Kështu
me gjakun e Shqiptarëve të ramë, krijohët Shqipnia.
Gjaku i derdhun s’ka sesi të
mos japë fryt, tue mbjellë atdhedashtni, mirësi, mirëkuptim, ai do të ngjallë
edhe ma tepër ndjenjat kombëtare”:
U hap dera me rrëmbim: - Hajde,
hajde, brze, majku vam vasu!- briti roja.
At Bernard Llupi, pa iu trembur
syri dhe pa u nervozuar fare iu drejtua rojës: - Ndaluni pak, se due të përshëndetem
për herë të fundit me Vllaznit e mijë. Në përqafim nuk muejta t’i mbaj lotët,
mos u trego i ligësht, - më tha, - të dijmë si xunxarë, kështu me quanin në
burg. U drejtua - Gjergj, Kolë, ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin ata se
nuk ia kemi frigën plumbit! Duhët të jemi të lumtun që po vdesim për idealet e
kombit.
Atëherë Gjergji na u drejtua:
“Lamtumirë, o Vllazën! Tregoni botës mbarë se Kosova dhe Shqipnia ka trima që
japin jetën për vatan dhe nuk ka anmik që na tremb! Shqiptari nuk përkulet
kurrë !”
Roja e shtyri, e Ai thirri edhe
ma më të madhe: “Rrnoftë Shqipnia bashkë me Kosovën!”
Edhe Kol Parubaj me një za të
shteruar, na tha: “Lamtumirë Vllazën! Ma keni kujdes vajzën. Rrnoftë kombi Shqiptar!
Rrnofshin Shqiptarët!”
Zëri i tij treti dhe nuk u
dëgjua më, sëpse roja e shtyri me rrëmbim dhe pas tij u mbyll dera.
Të gjithë ne që ishim mbrenda
mbetëm të shtangur.
Pas pak u ndigjua zëri i
thekshëm i Maria Shllakut. Të gjithë vrapuam kah dritarët që ta shikonim në
oborrin e burgut dhe pamë hijen e sajë, meqë bënte shumë terr. Nuk pranonte të
dilte nga dera e burgut pa përfunduar këngën që bënte fjalë për Ymer Berishën,
dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Fjalët e këngës sot nuk më kujtohen por zëri
i sajë ishte tamam pushkë dhe jehoi në tërë burgun.
At Bernard Llupi atëherë i tha
me zë të naltë:
“Të
lumtë, bylbyli i Shqiptarizmës! Le ta marrin vesht Bota si shkon me vdekë femna
Shqiptare, me kangë në gojë!”
Maria ia këtheu me za të fortë:“RRNOFTË
SHQIPNIA E MADHE! RRNOFTË BASHKIMI I
SHQIPTARËVE!”
?Me të drejtë Miss Durham
shkruen shumë vite perpara:
“Zotnimet
e hueja kanë kalue mbi kombin Shqiptar pa lanë në té kurrfarë gjurmët, si ujë
që kalon mbi shpinën e rosës”.
***
Dhe, vitet kalojnë!
Kujtimet e Atyne Atdhetarve që
dhane jeten, nuk harrohen nga Shqiptarët!
Shqipnia asht nder vendet e
Ballkanit nder ma të pergjakunat! Ata ishin po, Trima të palëkundun dhe të
vendosun me dhanë jeten e Tyne!
Vlerat e Tyne Atdhetare u
vlersuen edhe nga të huejtë, prandej edhe mbetën të perjetshem nder faqet e
Historisë së lavdishme!
Prizrendi ruen në gjiun e vet
Gjakun e paster të Këtyne Martirve!
Ata ishin dhe janë Zamakë të
Flamurit Gjergj Kastriotit -
Skenderbeut!
Lavdi vepres së Tyne Atdhetare!
Melbourne, 8 Korrik 2022.