E premte, 04.10.2024, 03:31 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Qendresa e At Palit

E premte, 17.06.2022, 09:21 PM


Pjesa e 39 e Zamakut Flamurit të Kastriotit...

QENDRESA E AT PALIT

Nga Fritz RADOVANI

Janjeva e At Shtjefen Gjeçovit nuk u mjaftue vetem me Atë dijetar, po i dha Trojeve tona edhe një prej Françeskanve nder ma të mëdhajt të Shek. XX, At Pal DODAJ, që asht le me 3 Shtator 1880 në Dioçezen e Shkupit, djalin e Sebastianit dhe Ana Paliqit, prind të njohun t’ atyne viseve me plot histori.

Pali ju kushtue rrugës së Troshanit per me mërrijtë tek qellimi Shpirtnor, per të cilin Ai punoi dhe sakrifikoi gjithë jeten e vet, një model i vertetë.

Mbasi mori mësimet e para në shkollen e Troshanit e në Shkoder, vazhdoi të naltat në Itali e i perfundoi në Austri. U Shugurue meshtar me 19 Janar 1902. Bije në sy aftësia e At Palit si Guardian, Definitor, dy herë asht kenë dhe Minister Provincial në vitet 1920 – 1926. Dhe per disa kohë ishte edhe Sekretar i Provinces, mbas nderpremjeve që u bane ata vite. Ishte nder ata organizatorë të perkushtuem të riorganizimit Serafik dhe, i palodhun per me ngritë në maksimum dijen dhe pergatitjen e Gjimnazit Françeskan, një arritje model që bashkpunimi me At Fishten e ban të papersëritshem ate.

Ishte atdhetar i perkushtuem dhe gjithnjë famullitar, mësues, letrar, autor i sa librave, njeri i perkushtuem per kulturen Shqiptare dhe historian nder ma të saktit, që ka lanë gjurmë të pakundershtueshme në Trojet tona.

At Pali ka lanë nder veprat e veta ndoshta, volume që janë edhe të sakta po, ata janë thesare të verteta të kulturës sonë kombtare të papersëritëshme.

At Pal Dodaj asht i pakrahasueshëm per një Ditar voluminoz, ku perfshihet një periudhë e gjatë kohet nga 1907 e deri në 1943, ku pershkruhen shumë edhe nga ngjarjet e pashkrueme të Luftës së Dytë Botnore. Dhe, per me kenë i saktë dhe i qetë gjatë atij punimi aq me vlerë, At Pali shkoi famullitar në Gomsiqe ku, e perfundoi me sukses të madh detyren që i vuni vetes. Kjo kohë i dha At Palit edhe titullin e madh të “diplomatit paemnuem”.

Ishte viti 1916. At Pal Dodaj kishte shkue në Famullinë e Fretenve në Rubik.

Forcat ushtarake t’ Austro – Hungarisë vendosin me hy në Shqipni. Kishin marrë vendim me interrnue Ahmet Zogun, që njihej aty si nip i Esad Pashë Toptanit, që ishte edhe armik i Austrisë. E ama e Ahmet Zogut i kerkon At Pal Dodës, që ishte edhe Superior i Françeskanve të Rubikut per me mujtë me i shpetue djalin e saj të vetem. At Pali niset në Burgajet ku njihet me atë djalë të rij, e merr në Peshkash tek frati At Buon Nikaj, e aty e veshin frat me veshjen e tyne. Nisen sëbashku per Rubik, dhe prej atje At Pali e nisi per studime Ahmet Zogun per Austri. Mbas Luftës së Parë Botnore, Ahmeti asht i pergatitun per politike në Shqipni, tue mërrijtë në 1928, deri vetshpalljen “Mbret i Shqipnisë”. Ndonse, ata i vazhduene kontaktet e rastit, po At Pali, shpesh persëriste: “Kurr nuk e kishe besue se do t’ ma shperblente kështu, ai të cilit i shpetova jeten!”. Në vitin 1925 At Pali bani edhe disa ditë burg...

Nderhynë per lirimin e Tij e ama e Ahmet Zogut, e internojnë në Jug dhe, At Pali mergon në Itali.

Në vitin 1944 At Pali asht 65 vjeç, sekretar i Provinces dhe, ka kenë një Visar shumë i çmueshem që po fillonte nga viti 1415, kur Kustodija Françeskane  e Shqipnisë, shkëputej nga ajo e Raguzës (Dubrovnikut). Ky Arkiv me aq shumë  vlerë të madhe u shpetue pa ra në doren e kriminelave komunistë.

At Pal Dodaj gjithë jeten e vet, në të gjitha rrethanat ia kushtoi ashtusi edhe Françeskanët tjerë, mbrojtjes së të drejtave per “Fe e Atdhe”, deviza me aq vlerë e të gjitha kohëve, gjithmonë e pergjithëshme dhe e kudogjindun e të gjithë Atyne Françeskanëve besnik të Shen Françeskut t’ Asizit në Shqipni.

Mbi këte parim triumfoi gjithnjë Ideali i Tyne dhe, nder të gjitha rrethanat edhe ma delikatet vrejmë rrugen plot suksese të Këtyne Klerikve Katolik dhe, arritjen e qellimeve të mëdha edhe në fushen e Pamvarsisë Kombtare.

Duhet të ndalohemi per pak çaste tek veprimtaria Atdhetare Françeskane e At Gjergj Fishtës, që edhe pse Poeti ynë kje Frat i zdathun, kur shkoi në Amerikë Ai atje u prit si Poet Kombtar!

Pamvarsisht, se Shqiptarët vazhdojnë si thotë sot një Mik i imi me “kullotë si delet”, studimi i At Fishtës, perditë e ma shumë sa vjen e bahet ma aktual dhe i domosdoshem per me u njoftë nga Rinia Shqiptare. Këte fakt sot e kemi edhe në letrat që asokohe Françeskanët komunikonin njenimetjetrin.

Takimet e At Gjergj Fishtës me zemer të hapun dhe të gjakosun me Fratin e Washingtonit, At Godfried Shilling, si dhe takimi i Tij edhe me Senatorin katolik, Henry Cabot Lodge, një autoritet i njohun i Partisë Republikane Amerikane, nder ma të besueshmit e Presidentit Wilson, për të drejtat e barabarta të Popujve, solli rezultatet e paprituna të Shekullit XX tek na.

Në letrën e Tij per Provinçialin At Pal Dodaj O.F.M., me 8 Maji 1922, At Fishta shkruen: “Ndërkaq vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

Të gjitha përpjekjet e mâparshme të Qeverisë sonë, si dhe të “Vatrës”, mbetën pa ndonji perfundim të mirë. Unë pata sukses… Kjenë Senatorët katolikë, të cilëve ua paçë paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhimje të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”. Në letren e At Gjergj Fishtës kemi edhe një shenim me vlerë të madhe, ku parashikimi i Tij të duket se asht shkrue sot!

At Gjergj Fishta porositë: “Asht mirë qi Qeveria e Tiranës, t’i drejtojë nji shkresë nënsekretarit të Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue zyrtarisht këtë njohje.” (Po aty).

Se kush ishin Këta Burra Shqiptarë, me zhguna deri në fund të kambëve dhe me një konop perbel, edhe këte e gjejmë të percaktueme po aty. Asht një fat i madh që Këta Françeskanë: “Per Atdhe dhane edhe jeten e vet”!

Mendoj, ka ardhë koha që Populli ynë të njoh mendimin e dijetarit At Zef Valentini S.J: “At Gjergj Fishta asht nji Homer Shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar.  Ai asht nga ma të mëdhajt në Botë. E randsishme asht që Ai të njihet prej saj”. – E pra, Ky ishte Italian e, jo Shqiptar!

E nuk duhet të shkëputemi as prej materialit që At Fishta në letren e Tij, ka komunikue me një tjeter Françeskan të madh, me At Pal Dodaj që asht Provinciali i të gjithë Françeskanve të Shqipnisë. Edhe Ky i pranguem nga Sigurimi i Ever Hoxhës së bylykbashit Gjinokastres, që vazhdon me sundue.

Atëherë kur mendohej se Sigurimi i shtetit kriminal sllavokomunist do të mbyllte perfundimisht “Historinë e Lavdishme të Françeskanve Shqiptarë”, dhe kishte sajue edhe “futjen e armëve nen Elterët e Kishës Françeskane të Shkodres”, tue arrestue të gjithë Prelatët e Klerit Katolik në Shqipni, tue u nisë nga Imzot Frano Gjini, Imz. Nikoll Deda, Provinciali i Françeskanve At Mati Prennushi, Rektori i Fretenve At Çiprian Nika, Sekretari i zyres së Argjipeshkvit të Shkodres Don Tom Lacaj, gjindet mundsia nga Sigurimi, që me daten 8 Janar 1946 me u arrestue edhe At Pal Dodaj, vetem si Frat nder ma të besueshmit e Provincialit At Mati Prennushi. Rezultati asht i dijtun!

At Palit i rreshtohen kryesisht veprat e shkrueme prej Tij, një histori që asht jo vetem e saktë po, edhe e plotë me dokumenta që vetem perforcojnë qellimin e Françeskanve Shqiptarë, që ku vune kamben aty mbeten gjithnjë gjurmët e Tyne që ngritën nalt qellimin e Perjetshem: “Fe e Atdhe”!

At Pali ka shkrue në 1913: “Shqypnia e kohës së Mesme”. Ka ruejt me kujdes “Dorëshkrimet e Pader Gjeçovit” 1936; dhe, nuk mungojnë as vargu i disa artikujve të shkruem në Revisten e famëshme “Hylli i Dritës”, që edhe sot që kanë kalue 100 vjetë që janë shkrue, mbeten thesar i kulturës sonë, edhe pse fatkeqsisht duhet theksue se“janë shkrue në gjuhen Gegënishte Shqipe” që, nuk i pershtatet “Akademisë Antishkencore dhe Antishqiptare”. E një nder veprat e rujtuna me kujdes nga At Pali ishte edhe vepra e Schiroit, që ka perkthye bashkë me At Palin: “Codice di Lekë Dukagjini” (Kanuni i Lekë Dukagjinit), edhe ky u botue nga Akademia Italiane në Romë. E po të shihen me kujdes punimet e At Palit, si dhe rreshtimi i tyne në Dosjen 1302, duhet thanë e verteta:“Nuk ka gja mangut ajo Dosje, per pushkatimin e At Palit!”

Dhe, pikrisht kjo ishte edhe kerkesa e prokurorit “dënimi me vdekje i At Palit”, që kur u dhane vendimet me daten 8 Janar 1948, u kthye në “denim të perjetshem dhe punë të detyrueme.” Jetoi edhe 3 vjet në Burgun e madh të Shkodres, ku i rrethuem nga dashunia e Rinisë Shkodrane, mbylli jeten e Tij me 5 Shtator 1951, tue porositë deri në minutin e fundit: “Dueni pakufi Fenë e Atdheun! Qendroni besnikë deri në minutin e fundit të jetës s’ Uej!”

E ndoshta, kanë ma shumë me tregue Ata që ishin të pranguem pranë Tij.

At Pal Dodaj ishte Zamak i bardhë i Flamurit Kastriotit – Skenderbeut!

Melbourne, 17 Qershor 2022.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora