Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Imzot Jul Bonatti
E enjte, 05.05.2022, 07:38 PM
Nga Fritz RADOVANI:
Pjesa
Nr. 26. Zamak i Flamurit…
IMZOT JUL BONATTI
Vështirë me u besue këto që kanë ngja, e ma e vështirë me
u besue çka po u shkon mendja per me vazhdue nder Trojet tona sot prap “disave”!
Me datën 6 nandor
1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe
Imzot Jul Bonatti, në Vlonë, pra, pak muej mbas kthimit të Tij në mënyrë të
pakuptueshme nga Italia.
Hapët dosja nr. 3616.
“Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.” Me të
vertetë një këthim i pashpjegueshëm!!
Imz. Bonatti deklaron në hetuesinë e Vlonës dhe asht fat i madh se, në disa fletë që ruhen në shpjegimet biografike janë detaje
që me siguri nuk do të ishin dijtë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në
Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Tregon me shka
asht marrë edhe në vitet e fundit në Itali. Kryesisht flet per perkthimet.
Një opinjon që
vazhdoi mbi 47 vjet në hetuesitë e sigurimit shqiptar:
“Përsonat që vajnë
tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka
karakter politik.” (dt. 10 qershor
1946).
Prokurori Beqir Isufi
shënon po aty: “Prifti spijun i djallzuar.”
Namik Cakrani shënon:
“Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”
Trupi Gjykues i
përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror
kapiten Kristo Mushi, përveç sa deklaratave të sipërme fallco, e akuzon Imzot
Prof. Jul Bonattin: “Agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime
armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele
Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka
punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi.”
Me datën 27 tetor
1947, jepet vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”
Edhe pse Imzot
Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u
shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta,
antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, dhe prokuror Nevzat Hasnedari e
vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie.”.
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Prof. Jul Bonattit?
Sigurimi i shtetit
komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né.
Ai shpesh ndryshonte
metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit rrugë, nga e cila nuk mund të
shkëputej asnjë çast atëherë dhe as sot.
***
Pak kohë mbasi u
dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për
mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mesa i Tij me té. Njëditë Ai i kishte
tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me
knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye...”.
Vazhdoi për disa muej
ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë. Zotnues i disa gjuhve të hueja,
i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i pari
i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej,
sillet në Shqipni. dhe çohet në një manikomjo!
Fantazia e kriminelit
të sigurimit të shtetit asht e pafund.
Imzot Prof. Jul
BONATTI, njëditë thanë se “ndrroi jetë!”
“Ndrroi jetë.”, vetem
dy fjalë goje! U gjet në një dhomë trupi i Tij copa copa, i shkyem nga të
sëmurët e “pavetëdijshëm”!!
Kush ishin këta të
sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e
mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e
“vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish e gjak njeriu, dhe
mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru
mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin
Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e
Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit
Nexhmije Hoxhës, kobres së zezë të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me
vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij.
***
A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo dishka ma
shumë?!
Imz. Jul Bonatti deklaron: “Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë
popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës!” Kjo thanje e Profesorit më ka
terhjekë vemendjen që atëherë kur e kam lexue. Kam shkrue dhe mendoj mos me u
ndalue këtu!
Imz. Prof. Jul
Bonatti ishte Klerik Katolik Shkodranë, teolog, filozof, studjues dhe perkthyes
i njohun i letersisë dhe i gjuhës shqipe, një humanist i persosun, poliglot dhe
mbi të gjitha një Klerik me pikpamje europjane, në vizionin e të cilit,
gjithnjë qendronte një nga perpjekjet e vazhdueshme të Atdhetarëve tanë: Unifikimi
i Kishave Shqiptare!
Përgatitja e Tij n’
Austri, Itali, dhe sherbimi në Stamboll mbi 16 vjet, në Durrës, Vlonë, Siçili,
dhe njohja atje e Kishave Unite Shqiptare prej Tij, duhet të bahet piknisje per
një studim të plotë të perpjekjeve të dy palëve; katolikë dhe ortodoksë per
unifikim e Kishave tona.
E ky unifikim
nenkupton Unitetin e Trojeve të Shtetit Shqiptar!
Një veper e tillë
Atdhetare, ishte fillue me kohë nga Imz. Kristofor Kissi.
Kjo etapë e re filloi
me kohë, madje vite perpara At Shtjefen Gjeçovi kur ishte në Vlonë, flet per
perpjekje të dy Kishave per Bashkim, dhe kam parasyshë edhe vlersimet e bame
aso kohe.
Nga studjuesi z.
Nelson Qiriaku, kam mujtë me u sigurue per fillimet e Kishës Ortodokse
Autoçefale Shqiptare KOASH, e cila me disa nga drejtuesit e saj të
nderuem filloi marrveshjet per unifikim e bashkpunim me Kishen Katolike në
Shqipni, në Vlonë që në vitin 1920. Menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë në
1912 shihen dokumentat. Perpjekjet e Hirsisë së Visarion Xhuvanit, Kristofor
Kissit, Irene Banushit, etj., si dhe lidhjet e Tyne me Famullitarët e Vlonës,
Durrësit dhe së fundi të Tiranës, janë një prej episodeve ma të lavdishme të
mardhanjeve mes Kishave të Krishtena në Trojet tona Shqiptare.
Porsa Kisha Ortodokse
Autoçefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga kishat sllave dhe greke në
vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë që në Kongresin
e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe perdorimin e gjuhës Shqipe në Kishë.
Patriarku i Konstantinopojës
emnoi në Shqipni Hierotheos A. Jahon (Peshkop i Miletupolisit) si zevendsin e
tij të plotfuqishem, i cili, i shoqnuem nga Imz. Kristofor Kissi, Peshkop i
Sinadonit, mërriti në Korçë në vjeshten e vitit 1923, dhe shuguruen Fan Nolin,
me 21 Nandor 1923, në katedralen e Shen Gjergjit.
Hierotheosi emeroi Imz.
Kristofor Kissin, Peshkop të dioqezës së Beratit, e cila permblidhte edhe
Vlonen; Fan Noli në 1924 u largue nga Shqipnia. Në nandor 1927
vizitoi Rusinë stalinjane, pra Bashkimin Sovjetik, si delegat i Ballkanit në
Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të
Revolucionit të Tetorit. Po, nuk
mungoi me i ba urimet edhe Ever Hoxhës në Janar 1946, per “varësinë e Republikës
Demokratike Shqiptare nga Jugosllavia komuniste e Titos”.
Ishte koha kur Peshkopët e
KOASH Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Irene Banushi (u burgos në 1947),
Kozma Qirio, At Dhimiter Leka (u pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli (u
pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, me 11
Dhjetor 1972), vetem pse vazhduen me punue per unifikimin e Kishave tona në Shqipni,
njëherit me persekucionin e Tyne të vazhdueshem kryesisht mbas 1944.
Me këte “Bashkim Kishash”, nuk
ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Ever
Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim, Fenë dhe Klerikët që kanë kontribue per
Unifikim!
Kryepeshkopi metropolit
Kristofor Kissi drejtoi KOASH derisa dha doreheqjen me 1949. Ai jetoi në
pension pak kohë në manastirin e Ardenicës e ma vonë në manastirin e Shën
Prokopit afer Tiranës. Thohej se vdiq nga hemoragjia cerebrale (po, ma shumë
mendohet se aty u helmue nga Sigurimi komunist i Tiranës) me 16 qershor 1958.
Patrikana e Konstantinopojës e
njohu Kishen e Shqipnisë si autoqefale vetem nga autoriteti i Imz. Kristofor
Kissit.
Ai ishte personi ma i
respektuem per të gjitha palët e interesueme, per Patrikanën e
Konstantinopojës, si per Popullin Shqiptar, per Klerin Ortodoks dhe lidhjet e
KOASH me Kishen Katolike në Shqipni.
Ndersa, Martiri At Josif
Papamihali, asht mbulue me baltë i gjallë në kampin e shfarosjes, në këneten e
Maliqit të Korçës, me 26 Tetor 1948
vetem, per lidhjet fetare me Klerin Katolik Shqiptar të burgosun.
Kjo ishte Kisha e vertetë
Ortodokse KOASH, per të cilen duhet ruejtë respekt shumë i madh edhe sot!
Ishte pikrisht koha kur në
Shkoder Hafiz Derguti torturohej në 1947, dhe po i tregonte një bashkvuejtësi
në hetuesi të Shkodres: “Më kërkojnë dëshmi për
priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me
dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë
nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
Cili kje qendrimi Europjan i Hafiz Ibrahim Dalliut në
gjyqin e Tij të 1946?
Kush mundet me mohue veprat e Hafiz Ali Tarit, ndaj
Klerit Katolik në Burgun e mnershem të Burrelit ?
Ndersa, vrasjet e masakrat e
sllavokomunistëve ndaj Bektashijve tanë të Nderuem vazhdonin me korrë koka
njerzish, vetem per qendresen e Tyne në perkrahje të katolikëve Shqiptarë.
Ashtusi mbyten At Papamihalin,
ashtu shkyene dhe Imz. Jul Bonattin.
Historia pa të vertetat e
saja, nga Populli Shqiptar quhet “rrenë”!
***
Komunistët shovenistë
sllavobolshevikë, ashtusi paraardhësit e tyne të njohun anadollakë, gjithnjë
dhe kudo ku kanë sundue, kanë perdorë metoden e tyne vllavrasëse “Perçaj e
sundo!”, jo “pa rezultat”.
Në Sheshin Skenderbeu, Papa
Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej,
Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e
domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë!
Por me një kusht, që të mbetët
përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm
për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu
ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë.”
Pajtimi i vertetë arrihet vetem me
hapjen e dosjeve.
Dënimi i diktatorëve që kanë ushtrue Gjenocid kunder
Klerit Katolik dhe Atdhetarëve Shqiptar asht detyrë e perjetëshme dhe nuk duhet
harrue!
Shqiptarët duhet gjithnjë ti bajnë vetes një pyetje:
Deri kur do të vazhdojë me u mashtrue
Populli Shqiptar nga “Ballkani i shperthyem” dhe “rilindasit e kavertisun” të
Edi Ramës & Co?!
Rruga
e tradhëtarve t’ Atdheut asht asfaltue prej vitit 1972. A ju kujtohet? Keni pasë
lanë namin aso kohe n’ atë kongres turpit!!
Ndersa
sot, nuk po i leni asgja mangut vrastarve dhe paraardhësve tuej tiran, barbar e
kriminela të njohun në gjithë Botën! Sot “ata” po ecin mbi miljona dollar dhe
fluturojnë në rrugët e asfaltueme nga droga.
Asht
fat i madh që Historia nuk i mbyllë “Dosjet” e askujtë !
Shenim FR:
Marrë nga libri “Një Monument nen dhe”(2005).
Melbourne, 4 Maji 2022.