Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Don Aleksandër Sirdani dhe Don Pjeter Çuni
E marte, 19.04.2022, 07:47 PM
Nga Fritz RADOVANI:
Pjesa
Nr.20. Zamak i Flamurit…
Pjesa Nr.21. Zamak i Flamurit…
DON ALEKSANDËR
SIRDANI
DHE DON
PJETER ÇUNI
“Lufta
që racjonalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga e u ba komunizëm,
bolshevizëm gjithrrënues.” Don Kolec Prennushi
(1935)
Komunizmi asht një e keqe e madhe që duhët zhgulë me rranjë dhe duhët mos
me hezitue askush për me e shkatrrue përfundimisht, me luftë të vazhdueshme kulturore
dhe të përhershme.
Asht sistemi ma përbindësh që mbështetët në një dhunë të pamëshirshme dhe
propagandë fund e maje vetëm mashtrim dhe rrena.
Sigurimi i Shtetit komunist nuk asht tjetër veç, një sadizëm i përhapun
në çdo skaj dhe i institucionalizuem në të gjitha metastazat e tij.
Praktika e punës së qeveritarëve dhe e institucioneve të krimit asht
zhdukja e dokumentacionit. Dosjet, hetuesitë, zhdukjet e njerëzve, vrasjet dhe
trajtimi i kufomave të viktimave shpeshherë në tortura ose mbas torturës,
gjithmonë në msheftësi, pa proçese legale dhe pa asnjë përgjegjësi të njohun
dhe të pranueme nga organët shtetnore, të gjitha kanë për qëllim shkatrrimin
përfundimtar të njeriut dhe të shoqnisë, si nga ana fizike, morale, ashtu edhe
psikologjike, shpirtnore e kulturore.
Terrorizmi në Shqipni gjithmonë në ata 47 vjet asht mohue, asht errësue
ose asht nënvleftësue, aqsa populli kishte humbë çdo shpnesë se njëditë mund të
shpëtojë. Gjyqet e mëshefta janë rruga e çmobilizimit në masë mbasi mija njerëz
me të njajtat vlera dhe me trimni të pashoqe, janë torturue e masakrue tue
përfundue viktima të terrorit komunist.
Kundër popullit Shqiptar asht
përdorë TERRORI si mënyrë qeverisje, tue e kthye atë në një plaçkë të
friksueme ose në një turmë të bindun, mbasi përpjekja e Sigurimit të Shtëtit ka
kenë gjithmonë mobilizimi i shumë vetëve në strukturat e tij vrastare. Ai i ka
detyrue ata me u identifikue me
spijunllëkun, në mënyrë që jeta e tyne të ishte në një ankth i vazhdueshëm.
Kontrolli i lëvizjeve të çdo individi, vrojtimi i të gjitha hallkave të
jetës nga agjentët, monopolizimi i organizatave, i mjeteve të komunikimit, si
dhe shfrytëzimi i shumicës nga pakica e privilegjueme për shërbimet shtypse,
dhunuese e shtërnguese, sjellin si pasojë tek njerëzit që në mënyrë të
vetëdijshme me pranue dhunimin e të drejtave njerëzore si një dishka e
paevitueshme, aqsa njerëzit, që nuk janë të arrestuem ose ma keq, ata që dalin
nga burgjet, kthimin e lirisë arrijnë me e konsiderue si një “dhuratë”.
Po, ka prap edhe ma keq, para lirimit me e detyrue viktimën me nënshkrue
edhe deklaratë “bashkëpunimi” me sigurimin dhe, me ia dijtë për “nderë” se po
shkon me ba punën e tyne si agjent, tue u konsiderue gjoja “i lirë”.
Sigurimi i Shtetit ka pikësynue gjithmonë që në popull të mbizotnojë frika
e pasiguria e përhershme, tue kenë i “kudogjindun”.
Zhdukjet e pashpjegueshme, hetimet e stërzgjatuna, pyetjet dhe firmosjët
e proçes-vërbaleve me dhunë e dajak, terrorizmi i fshehtë dhe shnjerëzor,
proçesët gjyqësore poshtnuese, dëshira me vdekë për me “shpëtue” pa marrë
parasyshë pasojat, intërnimet e familjarëve, papunsi, dëbumjet, divorcet,
dhunimet etj., që përmblidhen në “luftën e kllasave”, kanë ba mbretnimin e mjerueshëm
të psikologjisë së popullit nga shteti terrorist.
Asht aksiomë: Çdo shtet në Botë i drejtuem nga
komunistët përfundon në shtet diktatorial terrorist. Prova ma e sakta asht
Shqipnia e Kastriotit.
Kush nuk pajtohet me gjendjën, ose vetëm mendon me e ndryshue atë, asht
atypëraty “armik i popullit”, edhe pa krye asnjë akt për atë qëllim.
Automatikisht atdhetarët, intelektualët e ndershëm dhe kleri janë në
formulën e “armikut të popullit”. Të gjithë këta mendojnë kundër kësaj vegle “vigane”
që quhet komunizëm, mbasi zbulojnë qëllimin amoral të tij që asht i mbuluem me
lëvoren e pranueshme morale “barazi për të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe
ideje”, tue i rrokollisë miljona njerëz në këtë humnerë, e provueme sot ma
shumë se kurr në Botë: Utopi.
A mund të pranonte Ever Hoxha me shokë, thanjën e Don Lazër Shantojës, që
shkruente shumë vite maparë (në vitin 1924): “Qeveria ka krye plotësisht
programin e sajë, atëherë, kur trathtarët e popullit të mos munden me qeshë ma
kurr mbi kurrizin e popullit”?
Komunistët mendonin me përdhosë Elterin e Atdheut tonë, me veprat ma
makabre të Shekullit XX dhe, asht e vështirë me e mendue e besue njerëzit këtë skenë, të ndodhun me dy klerikë dijetarë
dhe Shqiptarë të Nderuem!
E kurr ma e vështirë me e besue nuk asht sesa sot.
DON
ALEKSANDËR SIRDANI DHE DON PJETËR ÇUNI
74
vjet ma parë sigurimi i shtetit komunist po kryente një nga krimet ma të
shëmtueme dhe të pandigjueme deri atëherë të diktaturës barbare dhe
antinjerzore komuniste: Sigurisht me aprovimin e tiranit Ever Hoxha do të mbyteshin
për së gjalli në një gropë ujnash të zeza, në Koplik, ku zhvillohej edhe atje
si në krahinat tjera të Veriut hetuesia e meshtarëve, dy Martirë të Kishës Katolike:
Dom Aleksandër Sirdani (1887-1948) dhe Dom Pjeter Çuni (1914-1948). Të dy
figura të njohuna jo vetem si Klerikë Katolikë, po edhe si dijetarë të persosun
në fushat e Tyne të dijes e të kulturës.
Don Aleksandër Sirdani ishte nga Gucia, i
datlindjës 1887. Një meshtar i zellshëm dhe i respektuem nga populli në vendin
ku shërbente. Që në rini u dashunue me folklorin e popullit tonë. Atje mblodhi
një thesar shumë të çmueshëm dhe shumë shpejtë u konsiderue si një ndër
njohësit ma të mirë të etnografisë dhe frazeologjisë popullore. Kultura e gjanë
që mori në Insbruk, forcoi edhe mashumë idealin e tij si atdhetar. Njihte mirë
frymën demokratike prandej edhe shkroi shumë artikuj ndër revistat ma në za të
kohës. Ishte vëllai i At Marin Sirdanit edhe ky klerik françeskan dijetar.
Don Aleksandri, ishte një ndër bashkëpuntorët ma të ngushtë të Don Nikoll
Gazullit dhe At Donat Kurtit, dy personalitete të njohuna.
Kishte edhe prirje poetike. Vlenë me u theksue se në shpirtin e tij
depërtuen thellë njohjet e ngjarjëve historike të kreshnikëve të Veriut, gja që
sollën në letrat e kulturës Shqiptare një përsonalitet të kompletuem.
Origjina dhe njohjet e zakonëve të Malësisë e lidhen me popullin
nëpërmjet atij virtyti që malësorët, e kërkonin edhe në portretin e Atij
priftit që u predikonte e, që ai virtyt thirrej trimni.
Nësa ndër rrugët e Shkodrës, shëtitej mbi një gomar prifti romancier 80 vjeçarë Don Ndoc Nikaj, një
ndër thëmeluesit e Shoqnisë “Bashkimi” (1899) dhe romancieri i parë i letërsisë shqipe, po në vitin 1946, në
Koplik, fanatikët komunistë kërkonin me fye figurën e dijetarit Don Aleksandër
Sirdani mbi një kenje tjetër, edhe ky prift
i rrëthuem nga gomarët e Ever Hoxhës, që mendonin se po përdhosin meshtarin e përvujtë! Sekretar i Frontit
demokratik në Koplik ishte Ago Dino, ndërsa prokuror Ali Paçrami. Mbahën mend
si terroristë që i kryesonin: Xhemal Selimi, Asllan Lici dhe Faik Nuti etj. Në
muejin korrik të vitit 1948 Don Aleksandri, u arrestue dhe u mbajt në hetuesinë
famkeqe të Koplikut, ku e torturoi katili Xhemal Selimi me shokë, të gjithë të
njoftun si kriminelë katila të pashoq.
Don Pjetër Çuni ka lé në Shkodër
më 9 gusht 1914.
Në moshën 7 vjeç Ai ishte në Kolegjin e Jezuitve të Shkodrës, prej ku
shkon në Romë me vazhdue studimet e nalta teologjike. Përfundoi studimet në
Propaganda Fide, në vitin 1940 dhe atje, u shugurue meshtar.
Asht shugurue bashkë me 100 xhakojë të tjerë nga disa vende të ndryshme
të botës nga vetë Papa Piu XII-të.
Mbas shugurimit atje në muejn prill, nga qershori vjen në Shqipni dhe
ditën e Sh’Palit e Sh’Pjetrit (pra, ditën e emnit të Tij) më 29 qershor, thotë
Meshën e parë në Katedralën e vendlindjes, me prezencën e Imz. Gaspër Thaçit,
të Imz. Gjergj Volaj, si dhe të gjithë klerit katolik.
Ai ishte nipi i Don Ndre Lufit. Tue cilësue vetëm emnin e dajës së tij,
për né që e kemi njohtë Don Ndreun, e kemi të kjartë se kush ishte ky meshtar i
rritun dhe i pergatitun nën kujdesin e tij. Don Ndreu asht ndër klerikët ma të
pastër me qëndrimin e tij burrnor në hetuesi dhe në burgje. Gjithmonë i
papërkulun kundrejt armiqëve të Kishës Katolike Shqiptare.
Tek Don Pjetri me siguri përveç cilësive të priftit të devoçëm, daja
shihte tek nipi edhe virtytin e vet që e ka karakterizue gjithë jetën, trimin e
mendshëm dhe të vendosun. Këtë e ka provue jeta
dhe burgosja e të dyve mbas 1944.
Emnohet meshtar i Shkrelit dhe në vitin 1941 asht në Rrjoll. Aty, si të
gjithë klerikët merrët me studimet e zakonëve të krahinës. Boton artikuj në
revistën “Kumbona e së Diellës”, me siglën R.I. (Pjetër Çuni), ku spikatë
vullneti dhe saktësia në studimin e folklorit. Ndoshta ky asht edhe shkaku i
njohjes me shkencëtarin e asaj fushë Don Aleksandër Sirdanin, me të cilin edhe
martirizohet. Porsa fillojnë vëprimet kriminale në zonën e Koplikut, vritët
tradhëtisht Don Luigj Pici, më 10 nandor 1946, vetëm për një deklaratë gojore
të bame në favor të Etënve Jezuitë Fausti e Dajani, kundër vëndimit të gjyqit
për pushkatimin e tyne. Vrasja e kryeme atëherë u vesh me motive plaçkitjeje,
motive që në të vërtetë edhe qëndronin mbasi plaçkitja dhe hajnia ishin
gjithnjë të pranishme në vrasjët dhe arrestimet e komunistëve. Këtë e vërteton
vetë fakti i humbjes së pothuej të gjitha studimeve dhe të veprave shkencore,
letrare dhe artistike të intelektualëve që janë vra, arrestue ose kontrollue
shtëpitë e tyne. Këtë fat pësuen edhe studimet e Dy Klerikve Sirdani e Çuni.
Me siguri ata janë mbrenda ndonjë titulli të dhanun ma vonë nga Ademia
apo Universiteti i Tiranës, po fakti asht se plaçkitësit mohuan autorët e vërtetë. Brezat e ardhshëm
nuk do ta besojnë ndoshta këtë ngjarje, por unë po e shkruej i nxitun nga
Konica, që thotë: “Popujt që nuk nderojnë kujtimet e shkuara,
janë të dënuar me vdekje”.
SI I MBYTËN DY PRIFTNIT?
Mbas vrasjës Don Luigjit në vendin e tij u emnue Don Pjetri, i cili ato
ditë thonte: “Dukët se Krishti ka vendosë që unë të jem ndër të fundit!”
Në muejin korrik të vitit 1948, kur po vinte me një biçikletë për në
Shkodër ndalohët në rrugë dhe përcillet në hetuesinë e Koplikut.
Aty, siç më tregonte një ish-polic S. N. i Seksionit të Mbrendshëm gjenë
Don Aleksandrin dhe At Florian Berishën S.J., që masakrohen bashkë me shumë
malësorë. Priftnit torturoheshin ma shumë se të tjerët, thonte ai. Nuk dinte
sëpse, por jepej një urdhën: “Hyni në hu, edhe po ngordhën mos u frigoni!”
Askush nuk e dinte shkakun dhe as nuk guxonte me e kërkue, mbasi nuk i
kushtonte asgja Xhemal Selimit me të vra me Ata.
Gropa e zezë ishte e hapun për cilindo!
Njëditë kishin shkue herët në Seksion torturuesit barbar. Xhemali po i
priste në zyrë. Mbas një bisede të shkurtë të tre bashkë kanë dalë e kanë dhanë
urdhën me shkue tek birucat e Don Aleksandrit dhe Don Pjetrit, me i lidhë dhe
me i nxjerrë mbas ndërtesës së Seksionit. Për fat ky nuk e kishte pasë atë
rrezik me zbatue atë urdhën mbasi ishin caktue katër të tjerë.
I kanë lidhë dhe i kanë nxjerrë nga një derë anësore.
I kanë ba me ecë pak shpejtë edhe pse ishin mjaft të lodhun nga vuejtja.
Xhemali ka hy në zyrë, ndërsa Asllani i ka urdhnue policët me shkue tek stallat
e kuajve dhe me marrë dy cfurqe të rinjë dhe të fortë. Urdhni do të zbatohej
por me mend nuk mund të gjindej shka duen me ba xhullinjtë.
I sollën edhe cfurqit. Ka dalë i pari
topall në topall Asllani e asht drejtue nga priftnit e lidhun tue u
thanë: “Ecni, more klysh të Papës, se
tash do t’ju rregullojmë qejfin tuej, ju kujtoni se na mashtroni me ato
zhgarravinat tueja! Pse nuk tregoni me cilët kriminela jeni të lidhun dhe u
keni çue bukë ndër male?” Nuk ka pritë përgjegje por asht drejtue nga një
gropë gjirizi të nevojtorës së Seksionit që ishte gjithmonë e hapun. Ka urdhnue me i afrue
priftnit tek gropa. Këta që po shihnin nga dritarët po mendonin se po u bahëj
presion me tregue.., por, papritmas Asllani i ka vue duert në gjoks Don
Pjetrit, ndersa katili tjeter ka kapë përkrahut Don Aleksandrin, tue ua sha
Zotin me fjalët ma të flligta veç, kur u kanë dhanë të shtymen të dyve e kanë
ra mbrendë në gropën e zezë. Kur priftnit kanë marrë me u çue, xhelatët i kanë
shty me cfurk për me i zhytë mbrenda, tue u thanë:
“Hee... flisni, ku e keni Krishtin
tuej... flisni.., kështu do të jenë fundi i
priftënve. A po e shihni kund
Krishtin tuej, hee pisa pisash?”
Don Aleksandrit që ishte zhytë ma parë sidukët i ishte marrë fryma dhe
nuk po i shihej fëtyra, ndërsa Don
Pjetri, ka muejtë me nxjerrë kokën edhe njëherë, ashtu i nximë si të ishte i
lymë me zyft prej pisllëkut, ka mbledhë gjithë forcën që i kishte mbetë dhe ka
thirrë:
“RRNOFTË KRISHTI... TEK AI PO SHKOJ!”
Mbi brrakën e gropës së nevojtorës janë pa vetëm kindat e ndyme të dy
veladonëve. Fëtyrat nuk i ka pa ma kush. Xhullinjtë vazhdonin me i shty me
cfurk derisa u zhytën mbrendë edhe trupat e pajetë të Tyne.
Mbas pak minutash Priftnit u mbytën... Ata mendonin se bashkë me trupat e
pajetë do të zhdukët edhe vepra e tyne baritore.
Edhe pse porosia ishte se kush do të flasë ashtu do ta pësojë si Ata,
ngjarja e dy priftënve mori dheun. Dihej
martirizimi por, diheshin edhe katilët. Fëtyrat e këtyne kriminelëve kanë mbetë
njësoj si atë ditë kur janë fotografue si “çlirimtarë”, më 29 nandor 1944, tue
parakalue në Fushën e Çelës së qytetit të Shkodrës.
Shqipnia asht shumë e vogël për krime kaq të mëdha.
Ka vende shumë ma të mëdha, që edhe ata kanë vuejt nën thundrën gjakatare
komuniste, por krimet atje nuk janë kenë kurrë në përmasat tona. Historia thonë
“disa” se, do të flasë njëditë!
Po, kur? - Atë nuk e di! Dij vetem se Dy Klerikët Don
Aleksander Sirdani dhe Don Pjeter Çuni, edhe pse humbën jeten në pisllek nga
komunistët, Ata mbetën Zamak të bardhë dhe të Perjetshëm të Flamurit të
Kastriotit.
Provat dhe saktësia e fakteve
të ngjarjeve në Trojet e Gjergj Kastriotit dhe të Nanë Terezës, tregojnë një
qendrim të papelqyeshem t’ Europës ndaj nesh.
Asnjëherë nuk duhet të harroni
se të gjitha këta krime janë ba fatkeqësisht me djelmë e vajza Nanash, që me
gjylpanen e vet qendisne në pelhuren e kuqe dhe të gjakosun nder Shekuj:
Shqipen Dykrenare të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe të Nanë Terezes së
Pavdekshme.
Melbourne, 19 Prill 2022.