E enjte, 18.08.2022, 02:23 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Unë s’kam kohë të plakem

E marte, 02.08.2022, 07:15 PM


UNË S’KAM KOHË

TË PLAKEM

NGA KALOSH ÇELIKU

(Dardha Gorrice)

Çafka sot ka hipur në Dardhën gorrice

Fruta ha, nusërohet në këtë kohë.

Baba, e vështirë qenka buka e ugareve

Vargjeve ende u vjen era ugarë:

Toka ka gjak ugari. Plagë.

Dardha gorrice plaket në mes të fushës

Çafka “patriote” sot i del zot me këngë...

(Loti i Nanës)

Kitara kur qan, hap dritaren

Tokë, ku e fsheh lotin e Nanës?

Zog ma këndo këngën!

Çafkë, mos ma prek vargun!

Tokë, ku e fsheh lotin e Nanës?!...

(Thirrje në mesnatë)

Mjegullat e zeza

ecin nëpër qiell

do të bjerë shi.

Diellit ia kanë lidhur sytë

thirrni rrufetë!...

(Ankand te “Pazari Grave”)

Vjen derisa unë rrokullisem lëmsh

me të Dashurën e Omar Khajamit

e shahem me librat horror.

Kot, para s’kam të të huazoj për bukë

Palaçot nderohen me shpërblime.

Asgjë s’kam, vetëm pagjumësi...

(Një natë me Miken)

Me telefon, më fton në Tavernë

Qyteti i vogël për strehim.

Unë, dhe boca me verë

mbytemi në shtratin e hardhisë.

Më mbulon natën me poezi:

shpirti im dehu - edhe unë jam verë!

Çoje dollinë, mbytu në këtë det

Nesër, ku ta di unë, a do të kesh etje...

(Vjeli nëse ke uri)

Akrepat e kanë shkelur pasmesnatën

këmbët më ngatërrohen, mbamë Mike!

Jam, një qen endacak që ka të ftohtë.

Me dy boca verë në xhepa

Mikja më ngarkon në taxi.

Padashtas ia prek kumbullat.

Pëshpërit: Vjeli nëse ke uri!...

(Vetëm Unë

të pi me verë)

Ky Qytet, është i çmendur

Mike oj! Të martuan me poezinë?!

E, më ndjekin mua si qentë

nga mëngjesi, në mëngjes.

Ky Qytet, do të di çdo gjë

nën cilën Urë kam bërë natë?!

Me cilën Mike pres e përcjell trena

për Ty, me cilin çmendesh në shtrat.

Po, kurrë s’do të dinë ç’kam në gji

e mbi cilin varr sonte bëra dashuri...

(Dashuri mes prangave)

Për dashuri qemë të varfër

për një natë pa gjumë nën Urë:

për një Serenatë

për një aventurë...

Vërtet, është ky edhe një Mot i Madh

për ne të pagjumët, oj Mike!

Dashurinë e mbajmë gjallë në varr

mes plumbash e prangash me vite...

(Dhuratë për ditëlindje)

E lodhur, e etshme për dashuri

m’ulet në prehër si flutur:

me një dëshirë...

E di, më thotë:

E dua një bebe

nga ti për ditëlindje

ta përkund në djep!

O Imzot,

pse s’më kërkoi

një tufë lule!

Ose: Stoli ari?!...

(Magji)

Një muaj

larg njerëzve, thellë në pyll

mes ujqërve dua të jem përherë!

Se, ujk jam. E, jo qen me zgjebe

që i vardiset një kocke në treg.

Ujk jam, oj Mike!

Sot zbres nga shpellat e Çelëvjollcës

me romanin më të ri: Shtëpia publike.

Gruaja më del para, i hap krahët

Mikja më shkarkon para dere

me një çantë libra e dy boca verë:

- Motër, merre fute në shtëpi

armiqtë i kanë bërë magji...

(Shtatë orë mbyllur

në Tavernë)

Zagushi.

Muzikë e vitit njëmijenënqindeshtatdhjetedy

m’i kujton vitet e studimeve në Prishtinë.

Rrapin tim të vetmuar para „Bozhurit„.

Dhe, një dashuri...

Kamarieri i zi katran

Mikja trembet mos na vdes mbi tavolinë.

Azganja do të ikë në një shpellë

e ka lodhur jeta.

Civilizimi mes ferexheve...

E zgjas dorën në errësirë

O Imzot, ia preka gjinjtë...

(Minare për ezanin)

Vapa e ka mbyllur derën me reze

terri nëpër dhomë e heq një valle.

Miken e kanë dhunuar fjalët.

Mëngjes. Mikja para mikrofonit

kërkon një minare ta thirrë ezanin...

(Mos gërmo thellë)

Mos gërmo shumë thellë

Se, do të hasësh në gur

varre e eshtra!

Mos gërmo shumë thellë

se do të hasësh në plagë

do të shpërthejë vaji!

Mos gërmo shumë thellë

se do të mbytesh në mua!...

(Mike s’kam

tjetër Kalosh)

Mike, s’kam tjetër Kalosh

të shtrihet me Ty në shtrat.

Mike, s’kam tjetër Kalosh

pa dy shtama me verë...

(Unë s’kam kohë

të plakem)

Unë s’kam kohë të plakem

se, nuk më lë vera. Poezia.

Nuk më lë Mikja Di...

(Pushtimi i Shkupit)

Kur qentë e pushtuan Shkupin

e u strehuan te “Pazari Grave”.

Kockat dolën nëpër Qytet

u lëpinë nëpër “Bit-Pazar”.

Kur qentë e pushtuan Shkupin

Mikja u vesh në të zeza...

(Xhelozi)

E gjatë rruga. Nata s’ka mëshirë

më mbytën xhindet, pse pi verë?!

Dorë më dorë më hedhin mbi çati

Mëngjesin, ma shndërrojnë në arrati...

(Rrokullisje deri në mëngjes)

Udhë me rërë deri në Tyrbe

m’u dogjën këmbët, kam etje:

me të vdekurit pi verë.

E rrokullisemi natën deri në mëngjes

mbi varrin e Baba Shehut:

për “ilaç”...

(Doruntinën e solla Unë)

Ditën me diell

thërret: Çohu nga varri!

Lakuriqët i sulen territ.

E shoh, Rrapin, verën

Urën e Gurit dhe Tavernën.

Miken me një tufë lule

veshur në të zeza:

- Zgjohu shpirti im, mbaje besën

premtimin për në Baba Tomor!...

Nga libri: LOJA E SYVE (1995).



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora