Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Presidenti Meta nderon Patër Andrea Gjekaj - 'Kalorës i Urdhrit të Flamurit'
E marte, 19.07.2022, 08:05 PM
Presidenti Meta nderon
Patër Andrea Gjekaj (pas vdekjes) me
titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit“
Nga
Gjekë Gjonaj
Në
vazhdën e nderimeve Presidenti i Republikës
së Shqipërisë, Ilir Meta ka
vlerësuar pas vdekjes edhe martirin e
kishës dhe të kombit, Patër Andre Gjekaj me titullin e lartë “ Kalorës i
Urdhrit të Flamurit”, për vlerat e tij të jashtëzakonshme kombëtare dhe fetare, i cili jetoi për të mirën e kombit tonë dhe të
kishës, të cilës ia ka kushtuar dhe dhuruar jetën e tij.
“
Në vlerësim të kontributit të dhënë për lidhjet e tij me arbëreshët e Italisë, ndihmën për krijimin
e shoqatës “ Flamuri” në Triesh të Malësisë 1906, përkushtimin ndaj fesë si dhe
shërbimin ndaj malësorëve të Tuzit fdhe më gjerë”, thuhet në dekoratën e
nënshkruar nga presidenti Meta.
Në
emër të familjarëve të këtij meshtari françeskan të Malësisë dekoratën e mori më 11 korrik 2022 në Washington të Shteteve
të Bashkuara të Amerikës stërnipi i tij Nikollë Dedë Gjurashaj. Ky vlerësim për Patër Andrenë, me rastin e 110-vjetorit të vrasjes së tij
nga ushtarët turq, ka një simbolikë mishëruese, sepse
përkon me 110-vjetorin e ngritjes së flamurit tonë
kombëtar në Vlorë dhe shpalljes së
Pavarësisë së Shqipërisë .
Patër
Andrea Gjekaj ( Lul Vuksani Gjurashaj) , ishte bir i familjes së mirënjohur nga shtëpia e Mal Vuksanit nga fshati Nikmarash në Triesh - Malësi e Madhe. Për këtë
meshtar françeskan nuk kemi
dokument zyrtar i cili dëshmon datën e saktë të lindjes. Por, mendohet se erdhi në këtë jetë si një dhuratë e Atit tonë qiellor rreth viteve
1874, nga babai Vuksan dhe nëna Mirja, nga një familje me vlera të trashëguara kombëtare, e cila që
në kohën e Perandorisë Osmane kishte
dëshmuar përkatësinë e tyre fetare dhe kombëtare, të cilët ruajtën
brez mbas brezi doket dhe zakonet e lashta shqiptare.
Atdhedashuria,
edukimi i shëndosh familjar (edhe me
rruzare të përditshme në dorë)
madje nga rrethi ku jetonte me
një traditë të lashtë e nxitën Lulin e ri
të dëgjonte zërin e Zotit , thirrjen e tij të meshtarisë, për
t’u bërë meshtar. Dhe kështu edhe
ndodhi! Qëndrimi i tij ishte tejet i
guximshëm dhe mjaft i vendosur profetik “ për hir të Zotit jam katolik, siç
ishin edhe etërit tanë”. Me sa dihet
përfundoi shkollën e mesme për meshtari
në Zadër të Kroacisë , që gjithnjë i
kishte në kujtime të mira për njohuri të përgjithshme, për edukim dhe
përshpirteni të çiltër. Në saje të këtyre virtyteve që i posedonte, do t’i
mundësohet vazhdimi i shkollimit të mëtutjeshëm në Fakultetin Filologjik dhe Teologjik në Romë - Itali të cilin e përfundon me sukses, në
vendin ku kishin studiuar shekuj me radhë edhe shumë priftërinj tashmë
të njohur nga bota shqiptare. Si meshtar
i ri me përgatitje të lartë shkollore
dhe me kulturë të jashtëzakonshme evropiane filloi
detyrën misionare të përcjelljes
së fjalës së Zotit tek besimtarët katolikë shqiptarë. Kthimi i tij në Triesh, në një vend të vogël
kufitar nën pushtetin malazez, pranë kufirit të sotëm me shtetin amë –
Shqipërinë, ekonomikisht të varfër
dhe me arsimim të ulët ishte në vetvete një gëzim i madh për të
gjithë popullatën vendore. Sepse ishte
njeriu më i ditur që kishte
Trieshi dhe njëri ndër
njerëzit më të kulturuar që kishte asokohe Malësia. Prandaj
trieshjanët kishin nevojë për
këshillat dhe predikimet e tij të mrekullueshme fetare, në zbatimin e
virtyteve të krishtera, fesë, shpresës dhe dashurisë, bamirësisë, punës së
zellshme gjatë ditës, ndërsa urata gjatë
natës.
Ardhja
e tij në Triesh, si meshtari i parë i kësaj pjese të Malësisë së Madhe, tingëlloi fort edhe për të zgjuar zemrat dhe mendjet e popullatës
vendore nëpërmjet predikimeve fetare,
për ruajtjen e anës fetare dhe kombëtare, ruajten e gjuhës, traditës, kulturës
dhe shqiptarizmit, me të gjitha konotacionet që përfshihen në këtë
emërtim. Kështu frati
i ri u bë i dashur dhe njeri i
çmuar dhe i nderuar në Triesh dhe në rrethinë aq sa zëri i mirë i trieshjanëve dhe fama
përhapej dhe rritej dita-ditës.
Ishte me jetë dhe me shembull vërtet i krishterë, nxënës i Krishtit.
Popullata
vendore, me vëmendje dhe interesim të madh,
ndiqnin meshat e tij dhe e admironin fratin e tyre të ditur për vlerat e mëdha
kulturore e shpirtërore Patër Andrea për
të përçuar dhe rritur atdhedashurinë tek trieshjanët në fillimet e shekullit njëzet në Triesh themelon
Shoqërinë “ Flamuri”, kryetar i parë i së cilës u zgjodh Prëlë Lucë Hasi. Ky burrë patriot
bashkë me trieshjanët e tjerë
atdhetarë ngriti flamurin shqiptar në
fshatin Nikmarash, në vitin 1906 , duke
i paraprirë kështu ngritjes së flamurit në Deçiq, në vitin 1911.
Dokumentet
kishtare të Kishës së Ljares të cilat i zbuloi patër
Mirash Marinaj, famullitar i
famullisë së sotme të Tuzit, tregojnë dhe dëshmojnë së Patër Andrea ka shërbyer
një kohë të gjatë, prej tetë
vitesh ( (1904-1912) në
famullinë e Ljares në Krajë dhe famulli të tjera të Argjipeshkvisë së
Tivarit, mes të cilave edhe në Kishën
e Shën Pjetrit në fshatin
Salç të Ulqinit. Poashtu ka
shërbyer si meshtar edhe në Shkodër.
Bazuar
në dokumentacionin që disponuam dhe në kronikat e kohës Patër
Andrenë e vranë të pafajshëm ushtarët turq, në Shkodër
në vitin 1912, në misionin e meshtarit, e jo të luftëtarit, kur ishte 38
vjeçar. Arma e vetme që kishte në dorë ishte Kryqi me të cilin
qëndroi me vullnetin e tij të palëkundur
dhe vendimin e tij të guximshëm bashkë me besimtarët e vet në fushën e
betejës për të çliruar Shkodrën nga
turqit. Nuk kishte për qëllim të
luftonte me armë, por në rast vdekje t’u jepte besimtarëve sakramendet. Me këtë Patër Andrea
dëshmoi se nuk deshi t’i
nënshtrohet regjimit, por Krishtit, nuk deshi të njohë pushtues
as pushtetarë tokësorë përveç Zotit në qiell dhe mbretërinë e tij qiellore. Flijoi jetën për Krishtin, duke
i shërbyer popullit. Si shumë klerikë (
fretër) të tjerë shqiptarë para dhe pas
tij
Nga
të dhënat e hulumtuara deri më tani rezulton se
Patër Andrea u varros në Kukël,
fshat i vogël në afërsi të Bushatit, jo larg Lezhës, ku shërbesat i
mbajti famullitari dhe poeti i madh i letrave shqipe Ndre Mjeda, me
të cilin ai bashkëpunoi, sikurse edhe me Atë Gjergj Fishtën dhe me Patër Anton Harapin. Më vonë, siç thonë, disa të afërm
të tij e rivarrosin në mënyrë të denjë në oborrin e Kishës në
Pulaj (Velipojë), në afërsi të Shkodrës, duke besuar e shpresuar se pikërisht atje pushojnë
eshtrat e tij.