E shtune, 26.11.2022, 03:59 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Një ditë në tryezen e Librit në Lena Graphic, Prishtinë

E shtune, 16.07.2022, 05:20 PM


NJË DITË NË TRYEZËN E LIBRIT NË LENA GRAPHIC, PRISHTINË

(Kronikë eseistike)

Nga Prend BUZHALA

Pothuajse, nuk shkon një ditë pune e të mos shtypet një libër i ri në shtypshkronjën LENA GRAPHIC, e cila është edhe shtëpi botuese. Janë krijues nga të gjitha anët e Kosovës, Preshevës, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, e sidomos mërgatës.

1.

Kështu, në të njëjtën kohë, sot u gjenden së bashku katër autorë me katër vepra:

1. Valbona Ahmeti, "Drenicë, zë i lirisë", poezi. Valbona jeton e punon në Kanada.

2. Bedri Tahiri: romani “KOHË ETHESH”, tashmë emër i njohur me rreth 50 vëllime (letërsi, literaturë historike e dokumentare),

3. Në radhë është një vepër nga dijet elektroteknike. Hysamedin Ahmeti: BAZAT E PËRGJITHSHME TË ELEKTROTEKNIKËS. Hysamedini është nga Presheva dhe ky ishte libri i tij i shtatë.

4. Prend Buzhala: Kuvendime me yje, poezi.

Njerëzit aty takohen, bashkëbisedojnë dhe botuesi aty për aty, kur ia dorëzon librin autorit, e përcjell me foto, me një përgëzim për librin, aty bëhet leximi i ndonjë fragmenti, poezie...

Thjesht, kjo gjallëri e përditshme, edhe në këto ditë të nxehta vere, i jep kuptim takimit: se librat ende janë të rëndësishëm, si gjithçka tjetër tejet e rëndësishme në planetin tonë; se aty festohen emocionet, preken përjetimet e para të shpalosjes magjike të librit, se njerëzit ndihen më mirë, kur e marrin dhuratë një libër dhe ndihen edhe më mirë kur zënë ta shfletojnë; se bibliotekat pasurohen... se libri nuk po vdes, por mbijeton e, madje, edhe gjallëron. Dikush mund të thotë: po  botohen tepër libra! Henry Ward Beecher, autor amerikan, do të thoshte: "Unë mendoj se nuk ka kurrë libra të mjaftueshëm."

Përnjëmend, a lind i tepërt ndonjë njeri, kur sot në botë përdoren edhe metoda shfarosëse "për ta pakësuar" njerëzimin?

2.

Kurse librat e shfletimi i tyre janë bekim më vete.

Kësisoj qëndron puna edhe me librat. Është kohë e Epokës Digjitale, prandaj ka shumë përpjekje që librin e letrës fizike, ta zëvendësojë libri digjital. Dhe le të botohet edhe libri digjital. Dijetarët na bindin se libri i përparshëm ende nuk mund të zëvendësohet nga ky Tjetri, ani se ka shumë përparësi.

E, Tryeza e Hajdarit i bën bashkë në trinom: libra, autorë dhe miq. Është kjo kohë që përgjigjen e merr edhe në këtë formë, se kush jemi dhe kah duhet të shkojmë. Aty e gjen edhe përgjigjen se ç'është miqësia dhe ç'është një komunitet i librit.

Dhe përgjigje të tjera të shumta...

Bie fjala: me anë librash ti bashkëbisedon me dijet, me imagjinatën, me të kaluarën, me të vdekurit, me kohët e ardhme...

3.

E, prej aty i sheh njerëzit se si i marrin dengjet e librave, i ngarkojnë në veturë, apo i marrin qoftë edhe në qese, a çanta... dikush duke sjellë më vete libra që ua dhuron miqve. Nuk e di përse e ka thënë kështu Lemon Snicket, shkrimtar amerikan për fëmijë:  “Kurrë mos i besoni askujt që nuk ka sjellë një libër me vete.”

Mandej vjen leximi.

Libri në çantë... libri në dorë...

Libri në bibliotekën personale, aty ku muret shndërrohen në mure intelekti e dijeje. Shpirtëzohen.

Do të thotë: Ky Libër kurrë nuk na lë pa shtëpi e pa vatër...

Bota, thuhet, ka lëvizur në bazë zë librave nga njerëzit e ditur.

A janë pamje që e bekojnë këtë kohë, apo që e neveritin, e mallkojnë? Secili është i lirë të marrë nga këto dy hapësira: nga bekimi e nga mallkimi (e keqja, e liga)...

E atëherë, le ta shumëzojmë bekimin!

(Prishtinë, 16 korrik 2022)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora