| E shtune, 16.07.2022, 06:20 PM |
NJË DITË NË TRYEZËN E LIBRIT NË LENA GRAPHIC, PRISHTINË
(Kronikë
eseistike)
Nga
Prend BUZHALA
Pothuajse,
nuk shkon një ditë pune e të mos shtypet një libër i ri në shtypshkronjën LENA
GRAPHIC, e cila është edhe shtëpi botuese. Janë krijues nga të gjitha anët e
Kosovës, Preshevës, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, e sidomos mërgatës.
1.
Kështu,
në të njëjtën kohë, sot u gjenden së bashku katër autorë me katër vepra:
1.
Valbona Ahmeti, "Drenicë, zë i lirisë", poezi. Valbona jeton e punon
në Kanada.
2.
Bedri Tahiri: romani “KOHË ETHESH”, tashmë emër i njohur me rreth 50 vëllime
(letërsi, literaturë historike e dokumentare),
3.
Në radhë është një vepër nga dijet elektroteknike. Hysamedin Ahmeti: BAZAT E
PËRGJITHSHME TË ELEKTROTEKNIKËS. Hysamedini është nga Presheva dhe ky ishte
libri i tij i shtatë.
4.
Prend Buzhala: Kuvendime me yje, poezi.
Njerëzit
aty takohen, bashkëbisedojnë dhe botuesi aty për aty, kur ia dorëzon librin
autorit, e përcjell me foto, me një përgëzim për librin, aty bëhet leximi i
ndonjë fragmenti, poezie...
Thjesht,
kjo gjallëri e përditshme, edhe në këto ditë të nxehta vere, i jep kuptim
takimit: se librat ende janë të rëndësishëm, si gjithçka tjetër tejet e
rëndësishme në planetin tonë; se aty festohen emocionet, preken përjetimet e
para të shpalosjes magjike të librit, se njerëzit ndihen më mirë, kur e marrin
dhuratë një libër dhe ndihen edhe më mirë kur zënë ta shfletojnë; se
bibliotekat pasurohen... se libri nuk po vdes, por mbijeton e, madje, edhe gjallëron.
Dikush mund të thotë: po botohen tepër
libra! Henry Ward Beecher, autor amerikan, do të thoshte: "Unë mendoj se
nuk ka kurrë libra të mjaftueshëm."
Përnjëmend,
a lind i tepërt ndonjë njeri, kur sot në botë përdoren edhe metoda shfarosëse
"për ta pakësuar" njerëzimin?
2.
Kurse
librat e shfletimi i tyre janë bekim më vete.
Kësisoj
qëndron puna edhe me librat. Është kohë e Epokës Digjitale, prandaj ka shumë
përpjekje që librin e letrës fizike, ta zëvendësojë libri digjital. Dhe le të
botohet edhe libri digjital. Dijetarët na bindin se libri i përparshëm ende nuk
mund të zëvendësohet nga ky Tjetri, ani se ka shumë përparësi.
E,
Tryeza e Hajdarit i bën bashkë në trinom: libra, autorë dhe miq. Është kjo kohë
që përgjigjen e merr edhe në këtë formë, se kush jemi dhe kah duhet të shkojmë.
Aty e gjen edhe përgjigjen se ç'është miqësia dhe ç'është një komunitet i
librit.
Dhe
përgjigje të tjera të shumta...
Bie
fjala: me anë librash ti bashkëbisedon me dijet, me imagjinatën, me të
kaluarën, me të vdekurit, me kohët e ardhme...
3.
E,
prej aty i sheh njerëzit se si i marrin dengjet e librave, i ngarkojnë në
veturë, apo i marrin qoftë edhe në qese, a çanta... dikush duke sjellë më vete
libra që ua dhuron miqve. Nuk e di përse e ka thënë kështu Lemon Snicket,
shkrimtar amerikan për fëmijë: “Kurrë
mos i besoni askujt që nuk ka sjellë një libër me vete.”
Mandej
vjen leximi.
Libri
në çantë... libri në dorë...
Libri
në bibliotekën personale, aty ku muret shndërrohen në mure intelekti e dijeje.
Shpirtëzohen.
Do
të thotë: Ky Libër kurrë nuk na lë pa shtëpi e pa vatër...
Bota,
thuhet, ka lëvizur në bazë zë librave nga njerëzit e ditur.
A
janë pamje që e bekojnë këtë kohë, apo që e neveritin, e mallkojnë? Secili
është i lirë të marrë nga këto dy hapësira: nga bekimi e nga mallkimi (e keqja,
e liga)...
E
atëherë, le ta shumëzojmë bekimin!
(Prishtinë, 16 korrik
2022)