Editorial
Enver Bytyçi: Srebrenica - një gur në qafën e Edi Ramës?!
E enjte, 12.05.2022, 09:29 PM
Srebrenica - një gur në qafën e Edi Ramës?!
Nga
Enver Bytyçi
Sot
parlamenti shqiptar, saktësisht mazhoranca e komanduar nga kryeministri i
vendit, Edi Rama, hodhi poshtë një rezolutë të sponsorizuar nga opozita e Sali
Berishës për të dënuar masakrën e Srebrenicës dhe për ta cilësuar atë si
genocid. Kjo masakër është njohur si e tillë nga dhjetëra parlamente të vendeve
europiane, por edhe në rajon. Ajo është cilësuar si genocid me vendim të
Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi. Por Edi Rama refuzoi ta
pranojë këtë fakt. Refuzoi që masakrimi i mbi 8000 muslimanëve në harkun kohor
të 48 orëve në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë të quhej genocid.
Jo
rastësisht ky qëndrim anti-human dhe pro-dhunës e krimeve serbe i Edi Ramës u
shpreh vetëm pak orë pasi ai darkoi me shumë entusiazëm në Bruksel në krah të
presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesit të presidencës
boshnjake, liderit të serbëve të Bosnjës, Dodik. Vuçiq dhe Dodik e kanë
refuzuar sistematikisht dënimin e kësaj masakre. Të njëjtën gjë bëri sot Edi
Rama dhe mazhoranca e tij parlamentare. Madje kjo mazhorancë e çmendur nuk
reshti të sulmojë opozitën dhe liderin e saj Berisha me akuza përtej kërkesës
për të dënuar masakrën e Srebrenicës.
Nga
diskutimet dhe debati në sallën e parlamentit doli shumë qartë se kreu i mazhorancës,
si dhe sejmenët e tij në sallën e parlamentit janë më agresiv dhe urrejnë më
shumë opozitën në Shqipëri, sesa krimet serbe në Bosnjë, në Kosovë dhe në
Kroaci. Ata ishin të gatshëm të dënonin çdo opozitar dhe kreun e opozitarëve,
por jo edhe krimet e Aleksandër Vuciq e të Milorad Dodik kundër muslimanëve në
Bosnjë-Hercegovinë e sidomos në Srebrenicë dhe Sarajevë, ku kanë humbur jetën
rreth 25 mijë njerëz të pafajshëm.
Duke
mbrojtur masakrën serbe në Srebrenicë Edi Rama praktikisht mori në mbrojtje kriminelët
e luftës, Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, dy përgjegjësit kryesorë të këtij
genocidi, të dënuar tashmë me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës. Për
kryeministrin shqiptar masakrat dhe krimet kundër njerëzimit që Serbia ka kryer
në Ballkan, përfshirë edhe ato në Kosovë, janë thjesht një "rrëmujë"
e rastit dhe e kryeneqësisë së një individi, Sllobodan Milosheviçit, por jo
edhe akte ç'njerëzore të krahasueshme me genocidin e nazizmit!
Në
fakt Edi Rama po mbron me stoicizëm mikun dhe vëllain e tij, president të
Serbisë, i cili është një nga autorët dhe frymëzuesit kryesorë të këtyre
masakrave. Në kohën kur ndodhi Srebrenica Vuçiq deklarohej se "serbët do
të vrasin 100 muslimanë për një serb që ata mund të vrisnin"! Eshtë e
mjaftueshme kjo deklaratë e kreut të sotëm të shtetit serb, që ai të ishte para
një toge gjyqtarësh ndërkombëtarë për t'u përgjigjur për krime kundër
njerëzimit. Dhe pikërisht për këtë arsye kreu i ekzekutivit të Shqipërisë
nxiton t'i bëjë parapritë akuzave kundër shefit të shtetit serb.
Ndërkaq
duhet thënë se nga një parlament i populluar me trafikantë, hajdutë dhe
kriminelë në fushën e pastrimit të parave nuk pritej diçka ndryshe. Ky
parlament me përfaqësues të shumtë të organizatës kriminale në pushtet, nuk
mund të votojë dënimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër njerëzimit! Vota e Edi
Ramës, Taulant Ballës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt, e të njëjtëve të tjerë
në atë sallë nuk pritet të shkojë në favor të viktimave të krimit shtetëror
serb, por në mbrojtje të agresorëve dhe kriminelëve serbë që i kanë shkaktuar
ato viktima. Kriminelët nuk votojnë kundër kriminelëve!
Vota
e sotme kundër rezolutës që dënon genocidin serb në Srebrenicë është
paralajmërim i një vote tjetër kundër nga ana e mazhorancës së Edi Ramës në
parlamentin shqiptar për një rezolutë tjetër që do të paraqitet aty për të
dënuar genicidin serb në Kosovë! Pas dy ose tri javësh në atë sallë do të ketë
edhe një rezolutë për Kosovën. Por edhe në këtë rast garda mbrojtëse e
Beogradit do të sulmojë opozitën dhe Sali Berishën, në vend që të dënojë krimet
kundër njerëzimit që Serbia ka kryer në Kosovë.
Edi
Rama është i gatshëm të përballet e ta sulmojë edhe George Sorosin, nëse ky i
del kundër, por jo edhe Serbinë. Sepse po dënoi Serbinë, atëherë atij do t'i
duhet të përballet me zemërimin e Aleksandër Vuçiq. Dhe kjo do të thotë më pas
të zbulohen aferat politike e jo politike midis tyre. Ndaj dhe akti i sotëm i
paprecedentë i refuzimit të Srebrenicës duhet lexuar si akt bashkëpunimi dhe
pengmarrjeje të kryeministrit të Shqipërisë nga ana e Beogradit!