E diele, 10.11.2024, 05:50 PM (GMT)

Kulturë

Sevdail Hyseni: Nexhmedin Saqipi, prijës i të mobilizuarve të dhunshëm

E hene, 02.05.2022, 10:02 AM


Bisedë me shkas

Nexhmedin Saqipi, prijës i të mobilizuarve të dhunshëm, gjatë fushatës ajrore të NATO-s në Luginë të Preshevës

Dita që duhet të ruhet në kalendarin e kujtimeve historike

Nexhmedin Saqipi, publicist dhe autor i librit me opinione për Luginën e Preshevës, është një veprimtar aktiv në jetën tonë politike, arsimore, kulturore, fetare e humanitare, i cili për çdo vjet rikujton zhvillimet e tmerrshme para 23 vitesh (23 e 24 prill të vitit 1999), kur në Tërnoc, Ushtria ish jugosllave beri dëbimin nga shtëpitë e tyre me dhunë, duke u dërguar te vendi i quajtur “Zidi” mbi Tërnoc, pa dallim moshe e gjinie: fëmijë, pleq, gra e burra, të sëmurë e të paralizuar, si dhe shpërndarjen e ftesave për mobilizimi të dhunshëm gjatë fushatës ajrore të NATO-s. Ky ishte një mision vullnetar i Nexhmedin Saqipi dhe i të mobilizuarve të tjerë, të cilët u vunë në ballë të sakrificës dhe flijimit, për t’i thënë Stop ikjes masive të tërnocave dhe banorëve të fshatrave përreth, si dhe për t’i shpëtuar ata nga dhunimet e mundshme, duke rrezikuar veten  në mbrojtje të nderit të grave dhe dinjitetit të burrave. Por, jo vetëm kaq, ky misioni ka zgjatur gjatë gjithë procese luftarake e deri te Marrëveshja e Kumanovës e qershorit të vitit 1999.

Nga Sevdail Hyseni

Zotëri Saqipi, kanë kaluar 23 vjet nga fushata ajrore e  NATO-s në Serbi dhe trishtimi i quajtur mobilizim i dhunshëm nga ana e ish Ushtrisë Jugosllave. Si i komentoni ato ngjarje të kobshme, që njerëzit edhe sot kanë frikë t’i përmendin dhe përkujtojnë?

Saqipi: Po, më kujtohet,  23 marsi, i vitit 1999, kur filloi bombardimi i NATO-s në Serbi. Kjo ishte një ngjarje për të gjithë shqiptarët sa i gëzueshëm, po aq edhe i trishtueshëm. Të them të drejtën, ne shqiptarët e Luginës së Preshevës e kishim ndjenjën e frikës nga kjo fushatë ajrore. Është dashur shumë angazhim, vigjilencë dhe maturi për ta mbrojtur popullatën nga ndonjë shpërngulje masive siç ndodhi me Anamoravën dhe pjesët e tjera të Kosovës, por edhe një shkathtësi për ta parandaluar frikën e panikun nga kokat e njerëzve të sfrustruar, në ato momente kur nuk vepronte as pushteti lokal, as partitë politike karshi forcës dhe pushtetit ushtarak. Përballë këtyre barrierave në Tërnoc, ishim aktiv unë si imam i fshatit dhe disa përfaqësues të bashkësisë lokale, ndërsa në Preshevë gjithçka ishte e paralizuar, ku edhe popullata filloi me të madhe për të ikur në Maqedoni. Tërnoci i asaj kohe ishte si një korridor i hapur për bashkëkombësit nga Anamorave, të cilët iknin në drejtim të Kumanovës, duke  lënë prapa jehonën e dhembjes së madhe dhe ndjenjën e frikës për ata, që nuk pranonin t’ia kthenin shpinën vendlindjes dhe varreve të të parëve.
Cilat nga këto ngjarje e momente më të tmerrshme do t’i ve
çonit?
Saqipi: Ka shumë ngjarje e momente tmerruese, të ndodhura aso kohe për t’i përmendur. Po fillojmë me rend: mbyllja e shkollave shqipe, shkyçja nga rrjeti elektrik, zbrazja e ambulancave nga ilaçet, konfiskimi librave të gjendjes civile, si dhe ai më i tmerrshmi, paralajmërimi i ardhjes së forcave paramilitare të Arkanit në Tërnoc, rrethimi i fshatit nga të gjitha anët me armatim të rëndë nga forcat ushtarake të Serbisë si dhe Ultimatumi, që deri në orën 15:00, nga ana e fshatarëve, të dorëzohen armët që i posedojnë, të dorëzohen pjesëtarët e UÇK-së, të dorëzohen radio-lidhjet dhe lokatorët, të dorëzohet laboratori i drogës etj. Nëse nuk zbatoheshin këto urdhra, fshati do të bëhej shkrumb e hi. Mirëpo, midis kërkesave dhe kërcënimeve të forcave ushtarake, tërnocasit vendosën, që të mos e lëshojnë fshatin.

Qëndresa
Pavarësisht kërcënimeve dhe presioneve të forcave ushtarake Ju pranuat që vullnetarisht, të viheni në ballë të kolonës së të mobilizuarve. Si i përjetuat ato periudha të rënda?

Saqipi:  Është e vërtetë, se askush nuk i konteston ato presione dhe provokimet të rënda psikike, që erdhën me ftesat e Mobilizimit të dhunshëm. Nuk ishte lehtë pranimi i ftesës për mobilizim, në ato momente lypsej guxim, sakrificë e maturi e besim, për t’u bërë “kurban i popullit” për ta shpëtuar popullatën nga eksodi i vërtetë. Ishte ditë e shtunë e 24 prillit, të vitit 1999, kur morëm lajmin se janë ftuar 150 të rinj vetëm nga Tërnoci, Komuna e Bujanocit, me ftesë për të mobilizuar në radhën e Ushtrisë Jugosllave, me moton: “Ta mbrojmë Atdheun!”.  Kjo ftesë e mobilizimit erdhi, pikërisht, pasi Ushtria Jugosllave  e pa se Tërnoci ishte i vendosur që të mos i lëshoj vatrat stërgjyshore për asnjë çmim. Me këtë qëndresë heroike tërnocasit, nuk u lëkundën nga vendi as pas provokimeve të tjera nga pushteti ushtarak, qoftë përmes kërcënimeve, bastisjeve, qoftë përmes nxjerrjes me dhunë nga shtëpitë dhe dërgimi mbi fshat te vendi i quajtur te “Zidi”.

Çka paraqet për Ju 24 prilli i vitit 1999?
Saqipi: Në sytë dhe mendjet e tërnocasve dhe gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, u krijua një mllef dhe neveri nga gjitha provokimet e asaj periudhe të kobshme. Ishte një sprovë  e rëndë dhe shumë delikate. Nga provokimet e njëpasnjëshme u krijua një tmerr dhe panik i papërmbajtur. Gjithkah e gjithkund dëgjoheshin zëra rreth ftesës për mobilizim të dhunshëm në ushtri, kur dihej se kishte me dhjetëra vite kur shqiptarët nuk ishin ftuar në shërbimin ushtarak. Kishte zëra me dilemë se po të pranonim ftesat, çfarë do të ndodhte me ne, po ashtu disa thoshin nëse nuk shkonim do ta djegin fshatin. Nga ana tjetër aktivistë të fshatit, që kishin kontakte me zyrtarët e komunës, nuk dukeshin e lëre më të viheshin në ballë të të mobilizuarve. Ata, thjesht, deklaroheshin se nuk marrin përgjegjësi për 150 të rinj, që t’ i dërgojmë në drejtim të humbur dhe se ne secili duhet të vendosim për vetveten. Duke i parë të gjitha këto zvarritje, që na kushtoni me jetë, mendova se dikush duhet t’i prijë këtyre njerëzve, m’u duk se po më takon mua, duke qenë si prijës i popullit, atëherë e mora fjalën kur mbretëronte heshtja. Këtë mision e pranova vullnetarisht, i vetëdijshëm se po bëhemi një mur i gjallë para forcave të armatosura për të shpëtuar nga lumi i ikjeve të njerëzve masivisht.
Me fjalët e mia u krijua krejtësisht një atmosferë e re dhe njerëzit u drejtuan kah unë, ku filluan njëri-tjetrit t’i thonë se po shkojmë për hir të fshatit, familjeve tona, ja edhe hoxhën me veti e kemi. Në këto momente filloi fuqia e shpirtit të funksionojë me vendosjen tonë, kur dihet shumë mirë se fuqia e shpirtit e le në harresë fuqinë e trupit. Atëherë mua m’u paraqit një forcë meqë kisha të bëjë me trima dhe njerëz, që janë gati me flijua gjithçka për Zot dhe për nder të familjes dhe Vatanit.

Cilat ishin përjetimet e nisjes në rrugën e mobilizimit, që nuk dihej se a do të  ktheheshit të gjallë?

Saqipi: Kur u nisëm për Bujanoc, plasi gjithçka në vaj, gjithë ishin me lot në sy. Atë ditë në Tërnoc, gjithçka ishte me buzë në vaj, secili duke menduar keq e më keq për fatin e tij dhe për fatin e atyre që mbeteshin e nuk e dinin se çka do të ndodh me ata. Ne ishim të parët që vendosëm të bëhemi “Kurban” dhe t’i dorëzohemi fatit të jetës, për hir të paqes dhe jetës së të tjerëve. Të gjithë na përcillnin me dashuri dhe krenari. Atë ditë të gjithë ishim një, një shpirt, një zemër dhe një njeri.
U rreshtuam dy për dy. Po sa arritëm në Bujanoc, kështu të organizuar me një disiplinë dhe krenari, arriti vetura e policisë nga poshtë dhe na tha se duhemi të kthehemi prapë në hyrje të Tërnocit, te Ndërmarrjes Private “Lazi Commerce” dhe aty të presim për urdhrat e rinj. Ne pritën gjer ora 21 për deri sa erdh një epror me emrin Mirosllav dhe në thanë me shkuar në shtëpi me u paraqitë të nesërmen në të njëjtin vend ora 07:00, dhe për ne ishte një shpresë e re.
Sakrifica
Si e mendoni dhe i komentoni ato ngjarje,
çka paraqesin ato në jetën Tuaj?

Saqipi: Kjo ditë për mu ka mbetur dita më madhështore e jetës time. Atë ditë e përjetova në shpirt fuqinë dhe bukurinë e Zotit. Atë ditë e pashë veten time, e kuptova jetën, e ndjeva ngrohtësinë e popullit dhe vëllezërve të mi, atë ditë e ndjeva se isha personi më i madh se gjithë njerëzit, më i madh se gjithçka çka më rrethonte, deri sa edhe çdo gjë që ishte e imja. Gjithashtu, atë ditë kam qenë njeriu më i lumtur sepse e kam kuptuar realitetin e jetës, vdekjes dhe botës.
Sa herë që më bie ndërmend për ato çaste dhe përjetime, nuk po ma merr mendja si ndodhi kjo e as nëpërmes fjalëve nuk mundem me përshkrua në tërësi. Çka u bë me ne, si vendosëm për këtë vepër të përkryer. Po në atë ditë ka qenë diçka e jashtëzakonshme, më mirë me thënë mrekulli e Zotit, dhe kjo ditë duhet të mbetet dhe të ruhet në kalendarin e kujtimeve historike, jo vetëm për Tërnocin, por për gjithë Luginën e Preshevës dhe shqiptarët në përgjithësi. Nëse marrim dhe i studiojmë nga këndi i sotëm, ato ngjarje dhe dukuri të zhvilluara asaj kohe, s’ka se i të mos bie në sy fenomeni i frymëzimit dhe motivimit të njerëzve me këtë karakter të fortë dhe shpirt aq të madh, të cilat virtyte duhet të jenë si shembull dhe udhërrëfyes për brezat e tashëm dhe ata të ardhshëm. Andaj, gjitha këto përjetime dhe sakrifica, trauma që përjetuan qytetarët e Tërnocit, nuk guxojnë të kalojnë në harresë, por duhet të përkujtohen dhe të shërbejnë si shembull i mirë rininë tonë, e cila do ta ndërtoj të ardhmen në paqe, siguri dhe liri.
Ne këtë autoritet e kem fituar me një fjalë shumë të lehtë: VENDOS dhe EC!
Po, sot, pas kaq vitesh, a bëni ndonjë organizim për të kujtuar mobilizimin e dhunshëm, që edhe sot mbahet i freskët në kujtesën e tërnocave dhe banorëve të tjerë të Luginës së Preshevës?

Saqipi: Pas përfundimit të kësaj periudhe të vështirë, në Tërnocit, i mbanim për çdo vjet përvjetorët në kujtim të asaj kohe, që nuk duhet harruar. Në këto takime evokoheshin ngjarje e ndodhi të asaj kohe nga të mobilizuarit dhe nga qytetarët. Në këtë drejtim u ngrit edhe një pllakë përkujtimi për dëbimin me dhunë te vendi i quajtur “Zidi”si dhe i mobilizimit të dhunshëm, para 23 vjetësh në Tërnoc. Por, mjerisht, vit pas viti, filluan të zbehen aktivitetet, përpos ndonjë shkrim në formë opinioni, apo interviste i kujtojmë ato ngjarje të frikshme, por krenare për ne që nuk i lëshuam trojet dhe nuk u koritëm.

(Gjatë zhvillimit të bisedës me heroin e ditëve të mobilizimit, Nexhmedin Saqipi, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, si dhe koordinator i Shoqërisë Civile, jemi shërbyer edhe me deklarata të tjera të tij dhënë mediumeve elektronike dhe të shkruara, jo vetëm në Luginë të Preshevës, por edhe më gjerë në shqiptari, pa harruar edhe Librin me opinione, të botuar nga personazhi i intervistës ekskluzive).

Zbulimi i pllakës kuptimore për periudhën e tmerrshme të mobilizimit të dhunshëm, para 23 vjetësh në Tërnoc



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora